Fabulat e shkrimtarit Vangjush Saro botohen në SHBA
Shtëpia botuese njujorkeze publikon librin me fabula “Where to?” (Për ku?) u botua në SHBA libri me fabula “Where to?” (Për ku?) i shkrimtarit Vangjush Saro. Libri përmban rreth 30 fabula të përkthyera në anglisht nga Alfred Kola dhe të shoqëruara me ilustrime nga piktorja Alma Skënderi. Publikimi është bërë nga Austin Macauley Publishers në Nju-Jork dhe shoqërohet me një shënim të Dr. Daniela Hasa, pedagoge e Gjuhës Angleze në Universitetin e Tiranës. Shkrimtari Vangjush Saro jeton në Vankuver, Kanada. Krahas kontributeve në prozën letrare, kinema e publicistikë, ai është ndër emrat e njohur në zhanrin e fabulës. Disa kohë më parë, autori botoi po në anglisht librin Dear Fox! (E dashur Dhelpër!) dhe në frëngjisht L’Âne et le Chevreuil (Gomari dhe Kaprolli). Krijime të autorit janë botuar gjithashtu edhe në greqisht dhe rumanisht. Lexuesi dhe kritika letrare kanë qenë të vëmendshme ndaj autorit në fjalë, veças për fabulat e tij. Fatmir Terziu, Pandeli Koçi, Vangjush Ziko, Petraq Risto, Xhahid Bushati, Daniela Hasa, Flamur Shabani, Esmeralda Shpata, Hyqmet Hasko, Ligor Prifti dhe shkrimtarë e njohës të tjerë të letërsisë kanë vënë në dukje larminë tematike dhe theksin aktual të krijimeve të tij, gjuhën e pasur dhe gjetjet e veçanta, kombinimin e humorit dhe ironisë me elemente lirike e peizazhe të realizuar me pak vargje. Sipas kritikës letrare, grishja e lexuesve për meditim e alternativa interpretuese dhe krijimi i imazheve në kufijtë e animacionit, e bëjnë fabulën e autorit të afërt për çdo moshë. “Fabula, filozofia dhe mesazhi i thukët i Vangjush Saros nuk mund të shihen të ndara – thotë Dr. Fatmir Terziu, shkrimtar dhe kritik letrar – Ato bashkëveprojnë në mënyrë diskursive, krijojnë gjuhë, theksojnë gjuhë, lartësojnë gjuhë. Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare”. Poeti dhe përkthyesi Vangjush Ziko shkruan: “Fabula e tij flet bukur si me gjuhën e humorit, edhe me atë të satirës. E vlerësoj dhe e përshëndes larminë e tipologjisë dhe të gjuhës së fabulistit dhe shkrimtarit të mirënjohur”. Një ndalesë edhe nga përkthyesi Ligor Prifti: “Metrika e realizuar me kujdes, bën të mundur leximin e rrjedhshëm, spontan, të ndihmon të shijosh ritmin dhe ta memorizosh lehtë situatën artistike.”Libri “Where to?” është një sukses për autorin dhe për fabulën shqiptare në tërësi. E sjellë në gjuhë të huaja, pavarësisht vështirësive dhe çfarë ajo mund të humbasë, fabula vjen si një përvojë e një letërsie dhe kulture tjetër…
Linku ku të interesuarit mund të gjejnë dhe porositin online librin, ndërkohë që ai do të jetë edhe në libraritë e qyteteve kryesore, në disa vende: https://www.austinmacauley.com/us/book/where