Avdulla Kënaçi: BËRRYLI JASHTË DRITARES
– Skicë-
– Mos është shqiptar ai djaloshi rrondokop, fytyrëgjerë, veshur me atë xhupin e fryrë me gëzof?! – pyeta bashkëbiseduesit në tavolinën time, gjatë së dielës, në fundjavë.
Megjithse mesi i stinës së dimrit, sivjet, i ftohti therës kanadez ende nuk kishte zbritur në tokë, por mjergulla e dendur na mpliksej nëpër këmbë, kufizonte fushëpamjen dhe në autostradë duhet të ecje gjithë terezi, me shpejtësi të kufizuar. Ishte hera e parë që shkonim në kafen portugeze me emrin domethënës, “Brazil”. Ne më shumë frekuentojmë kafet italiane, këtu rrotull bllokut tonë, sidomos “Dianën”. Kemi të njëjtat preferenca për kafen e fortë ekspres. Këtë të diel, ndryshe nga herët e tjera, u gjendëm në kafe “Brazili”, në një zonë periferike ku janë përqendruar shumë kompani të shitjeve me shumicë. Këtu na solli Robi, një bashkatdhetar yni hokatar, i cili jeton këtu afër, një bllok ndërtesash më tej. Sa herë ndeshemi me të, nuk harron të na ftojë në kafen portugeze “Brazil”, njësoj sikur ta ketë të vetën. Dhe ja ku grupi ynë, këtë messhkurti, për herë të parë u rehatua në kafe “Brazili” të mbipopulluar më shumë se zakonisht gjatë kësaj të diele. Pas një copë here, pasi unë i tregova Robit dikë në cep të banakut, pyeta:
– Mos është shqiptar ai djaloshi lëkurëbardhë, me xhup të fryrë e flokët e qethura ballaboks?
Robi ngriti sytë, pa me vëmendje andej nga i tregova unë, buzëqeshi pak me ironi dhe pohoi duke tundur kryet. Pyetjes sime iu përgjigj me një tjetër pyetje:
– Nga e kuptove se është shqiptar?
– Nuk e di, intuita, zakonisht kështu fryhen të gjithë ata që mbërrijnë rishtaz në përëndim dhe kanë pasur një punë të mirë në Shqipëri – iu përgjegja jo dhe shumë i sigurt duke pritur të mësoja lajme të tjera për të porsaparin bashkatdhetar. Edhe të tjerët pushuan bisedat dhe pritën me kërshëri çfarë do na tregonte më tej Robi për patriotin nga Shqipëria mëmë, mirpo Ermiri, ky shkurtabiqi pranë meje, nxitoi të jepte mendimin e tij:
– Do jetë nga këta që gjuan SPAK-u, këta vijnë për t’u fshehur, jo për të punuar. Nuk kanë lënë gjë pa vjedhur dhe tani hiqen si emigrantë. Mendoj se një i tillë është edhe ky rrondokopi që nuk i pëlqen të ulet në tavolinë me ne.
– Jo, unë desha të them diçka tjetër për të, – sqaroi Robi – atij nuk i pëlqen të shoqërohet me ne, punëtorët e ndërtimit. Me siguri ka punuar diku në administrtatë, në Tiranë. Sa erdhi, bleu makinë akull të re, dyzetmijë dollarëshe, por dihet që Kanadaja nuk i njeh patentat e huaja. Të sapoardhurit duhet të japin edhe njëherë testin. Ky tipi e mori me lehtësi teorinë dhe i mbetej praktika. “Çfarë praktike, tha ky i zemëruar, unë e kam përdorur 13 vjet makinën në Shqipëri”.
Kur në provim pa se do ta merrte një grua instruktore, iu duk fare qesharake ky test dhe i dha gaz makinës me vrull, sa nguli bythët në sedilje. Ishte një rrugë me kthesa të njëpasnjëshme, aty ku testohej. Në fund, instruktoria kanadeze i tha me gjakftohtësi se duhej ta përsëritë testin. E kishte rrëzuar.
– Pse?! – i tha ky i habitur.
– Sepse je i papërgatitur.
– Unë i papërgatitur, unë i kam dhnë makinës 13 vjet me radhë në vendin tim dhe jo në rrugë si këto.
– Dhe me siguri e ke drejtuar keq, – ia priti ajo, pa i dhënë mundësi të vazhdonte më tej.
– Pse, zonjë, ju mendoni se ne jemi një vend dosido dhe vjmë nga bota e tretë?! Ne jemi nga Europa. Çfarë gabimi bëra unë, ma argumentoni, zonjë?!
– Gjatë gjithë rrugës e mbajte timomin me një dorë dhe brrylin e kishe jashtë dritares. Të gjitha veprimet e tua janë të regjistruara në kamera, ke dëshirë t’i shikosh?
– Jo, – u përgjigj ai me zë të ulët, duke mbajtur sytë nga dritarja e makinës.
Për një copë herë në tavolinën tonë ra heshtja. Na u trazuan e u kryqëzuan shumë mendime për Shqipërinë-mëmë. Heshtjen e prishi i pari Agimi, një shoku ynë bashkëbisedues, tip i nxituar, kolerik:
– Ky qënka rryl fare!
– Mëndjemadhësia ha kokën e të zotit, – e mbylla unë atë temë të pakëndshme. Në fund të fundit, njeriu në cep të banakut ishte një bashkatdhetari ynë i vetmuar. Vazhduam të shijojmë kafen e “Brazilit” duke kaluar në biseda politike, temat tona të preferuara, sidomos rreth gafave të dy presidentëve amerikanë, kandidatë për zgjedhjet e ardhshme në vendin fqinj, në jug të Kanadasë.
Please follow and like us: