Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili, shkrimtari që i gëzon fëmijët me përralla-fabula

Rifat Ismaili, shkrimtari që i gëzon fëmijët me përralla-fabula, tregime me gjuhën e dashurisë dhe fuqinë e imagjinatës.
Maxhun Osmanaj
Parafjalë
Seria e librave të botuar, vitin e kaluar (2023), me poezi, fabula, përralla e tregime : “Shpikësi i vargjeve”, “Breshka me samar” dhe “ Bretkosa me fustan” i shkrimtarit, eseistit, prozatorit, poetit dhe përkthyesit, Rifat Ismaili, paraqet një prurje të re për letërsinë e sotme shqipe për fëmijë. Ismaili me tri vepra më të reja dhe veprat e tjera më të hershme për fëmijë, po dëshmon bindshëm se talentin dhe dashurinë nuk po ia fal veç letërsisë për të rritur me zhanre dhe forma tipologjike të shkrimit, por herë pas here po i kthehet lexuesve të vegjël si shtresa më e brishtë e shoqërisë. Autori me gjuhën e dashurisë, me fuqinë e imagjinatës dhe talentin që ia ka dhuruar natyra “ngacmon” ëmbël me freski herë pas here imagjinatën e kristaltë të botës së fëmijëve. A nuk janë shkrimtarët për fëmijë misionarë, siç i quan prozatorja e talentuar për fëmijë, Mimoza Agastra, recenzente e librit? Pa dyshim se po! Kur më ranë në dorë këto tri libra, dhuratë nga autori Ismaili, nuk guxoja t’i hidhja në raftin e harresës, pa hyrë në botën e tyre, pa shëtitur faqe më faqe dhe pa ua shijuar tharmin argëtues- zbavitës me provokime të larmishme të personazheve që i ndesha. Tani si lexues dhe krijues, para vetes më shtrohen disa pyetje: Çfarë i shquan këto tri libra? Çka hetojmë në shpirtin e tyre lirik-narrator, në fabulën e tyre? dhe Ç’mesazh përcjell autori te bota e ëndrrave të tyre?
Dhe pasi i mbarova së lexuari (meqë edhe unë u “bëra fëmijë”, një nga një, nuk u zhgënjeva nga asnjë përrrallë a fabulë, poezi a tregim, por edhe unë freskova imagjinatën time, ëmbëlsova shpirtin tim dhe me krahët e imagjinatës si kali pa fre, shëtita qiellit të pafund të dëshirave bashkë me gjithë ato personazhe: kafshë, shpezë, insekte, fëmijë… Peisazhi shumëngjyrësh i natyrës më priti krahëhapur bashkë me fshatin, qytetin, detin…
(“Shpikësi i vargjeve” (poezi e fabula), SHB “Fast Print”, Tiranë, 2023
Librit me poezi e fabula i paraprin një parathënie e shkëlqyer e shkrimtares Mimoza Agastra, që është edhe recenzente e librit ku shpalos mbresat e saj dhe në mes tjerash thekson: “Ai mbetet shkrimtari i fëmijëve të çdo kohe, të çdo brezi, pasi mjeshtria e penës së tij është e tillë që s’mund të lejojë, që lexuesi ynë i vogël ta shfletojë librin e të mos e intrigojë për ta çuar deri në fund” (fq.7). Libri është i ndërtuar prej katërdhjetë poezish dhe i ndarë në katër cikle ; Natyra në festë, Mes lojërave të moshës, Pema e sëmurë dhe doktor Qukapiku, Shtegtimi i vitit. Çdo poezi i përcjell një ilustrim artistik nga ilustratorja Jona Dëma ku gërsheton mjeshtrisht rrëfimin poetik me ilustrimin. Shpirtin poetik të poezive e përcjellin rrëfimi i ngrohtë poetik, flora e fauna e nënës Natyrë, gjuha e ëmbël me një stil të lehtë figurativ aq sa nuk e rëndon poezinë, pra ndonjë figurë letrare , metaforë -Pranvera u qepi pemëve/nga një fustan të blertë, krahasim-Si kope delesh, hipërbolë- Nga ushtritë e krimbave të zi.Autori përmes një humori të lehtë ngjyros ndonjë poezi apo personazh, psh. Pinokun, Piter Panin, Hamletin etj, (te poezia Miqtë e mi).Autori në gjeografinë e shpirtit të gjelbëruar dhe plot ngohtësi, e do jetën në natyrë, në fshat, në qytet, i do miqtë e shumtë, i do “heronjtë e betejave” Pinokun, Shtrigën, rosat, por edhe miqtë e vërtetë të jetës, Librat, ku nga ata sikur merr frymë.Opusi tematik i autorit është i larmishëm. Trajton tema nga stinët, fantazitë, frymëzimin dhe misionin e poetit në jetë ; Poezi është jeta/që na është dhuruar,/dhe ne jemi poetë/ asaj për t’i kënduar.(Poezia).Në ciklin e dytë Mes lojërave të moshës, personazhet lirike ; Flokarta, Melisa, Fëmijët e pranverës, Mësuesit tanë, Miu piktor, etj, janë protagonistë të shpirtit rrëfyes sa argëtues- imagjinativ, po aq real, ku ndërthuren ëndrrat, dëshirat, lojërat e protagonistëve. Ndërsa në ciklin e tretë Pema e sëmurë dhe doktor Qukapiku, intrigojnë lazdrueshëm ketrushi i gëzuar, ketri i brengosur, iriqi e lepuri, pema e qukapiku, veshët e ujkut, vogëlushët e reja, pula pikaloshe, vizitat e dhelprës, shqiponja, etj. Në këto poezi hasim formën e rrëfimit poetik ku autori u jep gjuhë kafshëve, shpendëve për t’u shprehur ato botën e tyre, Ketri i gëzuar është mirënjohës, e do pemën, e lavdëron, sepse “Në jetë jam i bekuar/me fruta e lajthi rroj/kam gjithçka për të jetuar/ dhe mua, më mjafton. Ndërsa te Ketri i brengosur, Ketri ankohet për shëndet, ka brengë: Nga koha më dhembin këmbët/s’po gjej më as të mirat lajthi/s’i kam aq mirë as dhëmbët,/çdo gjë e brej me vështirësi. Pra, me mjeshtri autori përdor një humor të ngrohtë. Ndërsa te shpesh poetë, qukapiku shihet si një personazh që lëndon drurin, tani ai na del mbrojtës i pemës, meqë ha krimba që ia rrezikojnë jetën pemës. Pema e falënderon dhe është mirënjohës për qukapikun ku shprehet :Të lumtë o qukapik/ që mua me ke shëruar/ nga ushtritë e krimbave të zi/ që më kishin sulmuar. (Pema dhe qukapiku).
Libri mbyllet me ciklin Shtegtimi i vitit, ku dimri, zogu shtegtar, kënga e emigrantit, vajza e vogël jetime dhe po vjen Viti i Ri, janë lirika të mbushura plot rrëfime, ngjyra jete dhe ëndrra jetësore. Pra, në këtë vëllim, lexuesi shijon një art të magjishëm poetik, intrigues, rrëfim dhe argëtim, përcillet një mesazh ku dënohen dukuritë e pahijshme, negative, ndërsa përqafohen dukuritë pozitive me një gjuhë të butë, miqësore. Vargjet kanë një rimë të alternuar, vargu i dytë ka rimë me vargun e fundit dhe shton një muzikalitet. Prandaj, ky libër ia vlen të lexohet dhe t’ia shijojmë vlerat estetike, edukative, argëtuese, ashtu siç di të ofrojë autori Ismaili.
Merano, shkurt 2024.
Please follow and like us: