Cikël poetik nga Simon Vrusho
Asnjë fill i gjelbër…
Asnjë fill i gjelbër
Jam këtu në mes të pyllit,
Ku nuk shihet asnjë fill i gjelbër.
Himni i hungërimave ka rënë në koma
Nën një qiell të hapur, jashtë
Mjerë ju, o kafshë!
Medet, o pemë, medet
Medet, o pemë, medet!
99 për qind e brejtësve janë ulur në vendin e të zgjuarve
Dhe 1 për qind, ah, në vend të të mençurve!
Medet, o pemë, medet!
Si mund të mbartni në rrënjë shporta frutash
Kur as lule të çelni nuk ju lënë nëpër degë?!
Medet, o pemë, medet!
Dhe, ah!
Rrënjët tuaja po lëvizkan lart?!
Vesë dhe brymë
Pllajë…
Ku janë këtu varret e këmborëve?
Brinjë…
Ku janë këtu varret e zileve?
Një vesë e hajthme, e trishtuar
Ka rënë nga yjet si përshpritje…
Dhe fryn një erë,
Bie një fyell në një degë lisi…
Ku je o mali ynë?
Bari ngjethet,
Vesa-mornica
Kthehet sakaq në brymë…
Urim për filizin
Rritu filiz,
I brishtë, i hollë, i lehtë si një gjethe.
Kur të rritesh, mos harro
Ta shohësh botën me sytë e një peme.
Delirius
Të hipën në skenë dhe të thanë: Luaj!
Teatër, teatër, teatër.
Skenë, skenë, skenë.
Kanë kaluar vite
Dhe teatri ende s’ka një emër.
I veshur me djersë si me lotë
Ti nis monologun: – Një emër, ju lus!
Pas vdekjes nominohesh: DELIRIUS.
Ejani…
33 lisa mbledhur mbi një degë,
Mbështetur në të dhe shtëpia ime.
Dëborë dhe shqotë
Dhe një diell i hollë në dimrime.
Dhe rrënjët tok me limfën ngjisin lart
Një shkëmb ku platitet çdo erë,
Ejani, ndizni këtu një qiri
Që shpirti mos t’ju shuhet, o të mjerë.
Të kapësh fluturimin
Kam qenë 10 vjeç kur jam nisur
Nga zemra e pyllit në një rrugë të gjatë,
Zbathur mbi bar, mbi gurë, mbi pluhur…
Ishte shtator, ishte vapë
E në 60 kilometra duhet të kapja
Aeroplanët që s’fluturonin lart.
Është festë, thanë
Dhe aeroplanët
Fluturojnë nën harqet e urës…
Në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit…
Të nisesh në këmbë për të kapur
Fluturimin e avionëve poshtë urës…
Kur peshqit e lumit në luspa farfurijnë
Më ngjajnë luspa duralumini.
Dhe këmbët kanë kullotur shumë rrugë
Dhe këmbët kanë kullotur shumë rrugë
Dhe kanë ripërtypur shumë ëndrra.
• Patjetër ju do ta lini një gjurmë, –
U flet thonjve të lodhur shpëndra.
***
Kur poshtërsia ngjitet lart
Malet shkundin shifrën e lartësive në harta.
***
Midis tinëzarëve
Naiv kam qenë,
Si dëbora,
Si një kristal i butë në ajër
Goditur jo befas nga krahu i një zogu
Që ia ndryshon trajektoren…
Dhe që atëherëmbeta
në familjen e ortekëve…
***
Nuk del kurrë e keqja në rrugë,
Kur rruga është e keqja vetë.
***
Sipas Nerudës duhet të thosha
Se ata janë një tufë minjësh
Që kanë hipur mbi supet e popullit
Dhe që aty ia brejnë
Të gjithë flamujt e parimeve të shenjta…
***
Mermer i bardhë që shkëlqen si dhjamë
I ngrirë, i porsaprerë nga frigoriferi…
Mermer i bardhë që shkëlqen si akull,
Si akull përroi të ngrirë malor…
Mermer i bardhë, si akull shpelle
Që nuk e ka zënë kurrë dielli…
Filozofi
Dhe më ka thënë dikur një plak:
Trokitjet e hapave në tokë,
Trokitje të lehta,
Por pyetja është e rëndë:
Jemi ne që trokasim në tokë
Apo toka që troket në ne?
Për ku jeni nisur të paudhë?
• Një motiv Tomorice-
•
Për ku jeni nisur të paudhë?
Më kot tani hiqni frymën thellë,
Mallkimi pas ju ndjek – gunë e zezë
Dhe më s’ju qas tani asnjë shpellë.
Për ku jeni nisur të paudhë?
O të paudhë të mëdhenj!
Kur s’ka faltore për ju kurrëkund
Si mund të ketë një Shëmbërdhenj?!
Gjithmonë
Sado larg që të arrish
Gjithmonë një peng do të mbetet pas
Gjithmonë një peng do të mbajë borxhli:
Si lotin me vesë ti t’ia lashë…
Me harrim
Pasi u artikuluan me radhë vendimet
Për të parin, të dytin, të tretin… të tridhjetë e nëntin
I njëqindi nuk e dëgjoi të tijin dënim..
• Zoti gjykatës, ku e latë dënimin tim?
• Po, ti je dënuar me harrim.
Please follow and like us: