Albspirit

Media/News/Publishing

Përkujtohet Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë i eliminuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot firmëtarin e pavarësisë, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi (9 prill 1877-15 shkurt 1946).

Lef Nosi lindi në qytetin e Elbasanit, në një familje ortodokse të lagjes “Kala”. Studimet e larta i kreu për farmaci, në Athinë.

Pa mbyllur ende studimet, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare. Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mit’hat Frashërit.

Themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të cilët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.

Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të tij, por ky fakt mbetet ende dhe sot i pasqaruar.

Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi u tërhoq nga politika dhe iu dedikua botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.

Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.

Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./atsh

Please follow and like us: