Tensionet Kosovë-Serbi, Blinken: Dialogu i lehtësuar nga BE, shtegu i vetëm
Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken iu përgjigj interesit të medieve lidhur me vendimin e Kosovës për heqjen e dinarit si dhe për dialogun me Serbinë.
Blinken tha se “kur nisa të punoja në DASH dhe Shtëpinë e Bardhë sfida më e gjatë ka qenë rajoni i Ballkanit, Bosnjë-Hercegovina dhe më pas Kosova. Jemi vërtetë persona që kemi një nocion që nuk mund të shkojmë mbrapa. Nuk mund të kemi një përsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që kemi parë dhe të asaj që shumë njerëz kanë përjetuar në vitet ‘90”.
“Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Evropën”.
“Dialogu i lehtësuar nga BE është shtegu i vetëm i duhur dhe ne jemi të angazhuar që të mbështesim të dyja vendet ndërsa ata përshkojnë këtë shteg”, tha Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se “dua të përgëzoj rolin e Shqipërisë, pasi ka qenë një forcë për stabilitet rajonal, për integrim dhe progres rajonal.
“Ky është shtegu në fakt, që kaq qartazi i sjell të gjithë drejt një të ardhme më të mirë. Ne e dimë se cila është alternativa pasi e kemi jetuar, e kemi parë, prandaj jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit që të ndërmarrin këtë hap, këtë shteg dhe shumë mbështesim në fakt dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe punojmë me Shqipërinë dhe të tjerë që të ndihmojmë vendet që të shkojmë përpara, të bëjmë përpara në këtë shteg”, tha Blinken./atsh