Albspirit

Media/News/Publishing

NË KUJTIM TË MARIE SHLLAKUT – SHKODRANES NGA MALËSIA E MADHE QË DHA JETËN PËR LIRINË E KOSOVËS

Frank Shkreli

Marie Shllaku: “Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë”!

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë prej më shumë se një shekulli për shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë Kombin shqiptar. Si e tillë, kjo datë, në historinë e shqiptarëve, është një arritje kulmnore dhe një fitore e lavdishme për mbarë Kombin shqiptar.

Lufta për çlirimin e Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ndërmor në një kohë kur popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë identiteti dhe ekzistenca e tij në trojet e veta mijë-vjeçare. Lufta shekullore e shqiptarëve për ekzistencë dhe diplomacia në veprim për ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës — e udhëhequr me qa sukses nga Presidenti i parë historik Dr. Ibrahim Rugova, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, bëri aq shumë miqë ndërkombëtarë për çeshtjen e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara. Diplomacia dhe lufta për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të Kombit shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të gjitha krahinave shqiptare nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbe në Lezhë, në vitin 1444 dhe me Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.

E gjithë ajo veprimtari diplomatike dhe ushtarake si dhe lëvizjet mbarë kombëtare përfshir mobilizimin e paparë ndonjëherë më parë në histori të komunitetit Shqiptaro-Amerikan të dekadave të fundit të shekullit të kaluar që çuanë në festëns e madhe të Pavarësisës së Kosovës që shënohet sot – i treguan botës se shqiptarët vetëm donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore të bashkuar në një shtet të tyre. I treguan botës në mënyrën më dinjitoze se trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë historike – e mbështetur ndërkombëtarisht nga miqët e njohur të shqiptarëve –në krye me Shtetet e Bashkuara, kundër pushtuesve sllavo-komunistë të trojeve shqiptare, duke shënuar kështu një kapitull të ri në historinë e Kombit Shqiptar – Pavarësinë e Republikës së Kosovës!

Mbi të gjitha Dita e Pavarësisë së Kosovës simbolizon bashkimin e shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe përtej. Është një ditë, gjithashtu, që në zemrat tona frymëzon kujtimin e heronjve dhe heroinave shqiptare të shekullit të kaluar që dhanë jetën për idealet e larta – për bashkimin e shqiptarëve, me thirrje dhe me luftë e sakrifica duke flijuar edhe jetën e tyre për pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, dhe pa dallim. Liri! — ishte kryefjala e Shqiptarëve gjatë gjatë shekullit të kaluar:

Give me liberty or give me death!” — Më jep lirinë, ose më jep vdekjen!”, ishte thirrja e politikanit dhe oratorit amerikan Patrick Henry në një fjalim, në Kuvendin e dytë të shtetit Virxhinia me 23 Mars, 1775 në Kishën e Shën Gjonit në Riçmond të Virxhinies.

“Ma mirë dekë nën dhé m’u kja,

Se për t’gjallë me mbetë nën shkja”. At Gjergj Fishta

–“Kam ardhë me vdekë me ju”! do t’u drejtohej Marie Shllaku komandantëve të çetave nacionaliste në Kosovë, siç pat deklaruar ajo në gjyqin kundër saj.

–“Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë”! Marie Shllkau në sallën e gjyqit në Prizren, Korrik, 1946.

Marie Shllaku, Shkodranja që luftoi dhe vdiq për lirinë e Kosovës:

–Megjithëse e haruar dhe e anashkaluar gjatë shekullit të kaluar komunist, por edhe sot — në luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës, u shqua heroina Marie Shllaku, gjatë Luftës së II Botërore. Le të kujtojmë sot në këtë ditë të Pavarësisë, Marie Shllakun, heroinën e Kombit shqiptar, të cilën komunistët shqiptaro-sllavë e dënuan me vdekje-pushkatim, sepse donte Kosovën e lirë, dhe të gjithë shqiptarët të bashkuar në një Shqipëri etnike.

–Të kujtojmë Marie Shllakun, e cila megjithëse në moshë të re, u njoh dhe mori mësime e këshilla nga më të mëdhejt e Kombit të asaj kohe, përfshir At Gjergj Fishtën, ndër të tjerë, për angazhimet e saja në mbështetje të objektivave për realizimin e idealit të lartë të bashkimit të trojeve shqiptare.

Të kujtojmë sot, Marie Shllakun, e cila nën mbikqyrjen e At Gjergj Fishtës kishte mësuar mirë historinë e Kombit Shqiptar, dhe fliste një dyzinë gjuhësh të huaja.

–Të kujtojmë Marie Shllakun, pjesëmarrësen në Kuvendin e Drenicës, ku mbajti fjalimin e saj të famshëm patriotik duke pajtuar, sipas të dhënave, dy udhëheqsit e Luftës së Drenicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Kuvendi i Drenicës ishte thirrur me qëllimin përfundimtar për të shpëtuar Kosovën nga komunistët serbo-malazezë-shqiptarë!

–Të kujtojmë Marie Shllakun, njërën prej heroinave të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës sot, por edhe si shembull se si duhet të luftohet dhe të mbrohet liria, demokracia e pavarësia kombëtare, qoftë edhe me flijimin e jetë për këto vlera të mëdha njerëzore e kombëtare.

–Të kujtojmë, anti-komunisten e flakët Marie Shllaku, që luftoi për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare pa dallim –përfshir Kosovë e Çamëri — Shkodranen 24-vjeçare, Marie Shllakun që për këto veprimtari të saja dhe bashkpuntorçve të saj, ajo u pushkatua nga komunistët shqiptaro-serbë — në Prizren në nëntor të vitit 1946 – KRIMET E KOMUNIZMIT: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini

Sipas të dhënave, ajo u pushkatua në Prizren pas gjyqit që iu bë asaj bashkë me 26 intelektualët e tjerë të angazhuar me të në veprimtaritë për bashkimin e trojeve shqiptare. Sigurimi i Shtetit shqiptar, në bashkëpunim me UDB-në jugosllave vendosën në atë kohë pushkatimin për Marie Shllakun, 24 vjeç; At Bernard Llupin, 60 vjeç; Kolë Parubin 41 vjeç dhe Gjergj Martinin, 29 vjeç, ndërsa të tjerët u dënuan me burg. Këta të 4 ishin nga Shkodra të cilët u dënuan, përfundimisht, për veprimtarinë e tyre — martirë të demokracisë, për bindjet e tyre për bashkimin kombëtar – në ditën e zezë të 15 korrikut, 1946, pikërisht aty në Prizrenin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit të vitit 1878 — ndërsa pushkatimi u bë në Nëntor të po atij viti, sipas të dhënave arkivore. Ndërkohë, sllavo-komunistët ua kanë tretur varret që as sot nuk dihet se ku i kanë.

Në këtë ditë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Marie Shllaku – Shkodrania nga Malësia e Madhe — uron, ashtu si atëherë, para bishave të egra shqiptaro-sllavo-aziatike komuniste: “Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë”!

I përjetëshëm qoftë kujtimi i heroinës shkodrane Marie Shllaku me bashkëpuntorët e saj dhe i të gjithë atyre heronjve dhe heroinave nga të gjitha trojet shqiptare të gjitha akohërave, që kanë flijuar jetën për lirinë, të drejtat dhe pavarësinë që Kosova gëzon sot!

Gëzuar Pavarësia e Republikës së Kosovës!

——————–

Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi e Gjergj Martini, të pushkatuar nga shqiptaro-serbët komunistë në Prizren, në vitin 1946 — martirë të demokracisë, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhanë jetën për dashurinë e tyre të pamposhtur për Atdheun në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre mija vjeçare!

“Unë Marie Shllaku e lindur me 22 tetor, 1922 në Shkodër. 24-vjeçe. Studente e filozofisë në Romë. Akuzohem se jam marrë me politikë. Kështu, ju po e queni dashurinë time për atdhe. Unë jam në burg se nuk pajtohem që Kosova të jetë nën Jugosllavi. Kosova ashtë pjesë e pandashme e Shqipënisë. Nuk më tremb dënimi me vdekje. Jam krenare që luftova për TY Kosovë! Heret ose vonë do të jesh pjesë e Shqipënisë. Rrnoft Kosova! Rrnoftë Shqipënia Etnike.” Një deklaratë që disa burime ia atribojnë Marie Shllakut.

Please follow and like us: