Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Mbi vizitën e Sekretarit Blinken në Tiranë

 

Ishte viti 1975. President këtu; në Amerikë ishte Gerald Ford, i cili si zëvendës president zuri vendin e ish presidentit Nikson që për arsye të skandalit Watergate është detyruar të jepte dorëheqjen.

Presidenti Ford ka mbajtur një fjalim atë vit me të cilin i ka mohuar qytetit të Nju Jorkut ndihmë financiare federale; megjithë thirrjet për ndihmë për të mënjanuar falimentimin financiar, me të cilin përballej qyteti. Ditën e nesërme gazeta e Nju Jorkut Daily News në faqen e parë kishte botuar artikullin: “Ford To City: Drop Dead.” Ford i thotë qytetit: Shko, vdis!

Në të vërtetë, presidenti Ford nuk i kishte shqiptuar këto fjalë në fjalimin e tij, por ky ishte interpretimi i gazetës Daily News i refuzimit të Fordit për të ndihmuar Nju Jorkun, financiarisht.

Presidenti Ford pranoi më vonë se këto fjalë botuar në gazetën e përditshme të Nju Jorkut megjithëse nuk i kishte thënë, i kushtuan atij presidencën, ndërkohë që Xhimi Carter u zgjodh president.

Ky rast m’u kujtua ndërkohë që po ndiqja vizitën 8 orëshe të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Mbeta i zhgënjyer nga mungesa e takimeve të Z. Blinken me përfaqësues të asaj, që ende quhet “opozitë” në Shqipëri, një subjekt në vetvete për gabimet e saj madhore,  u mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund.

Që Sekretari i Shtetit, i vendit më demokratik në botë -Amerikës tonë të dashur – ku gëzojmë liri e demokraci të mos flasë për vlerat demokratike amerikane dhe universale në një vend si Shqipëria, është një sakrilegj. Sidomos gjatë një vizite miqësore në një Shqipëri, që është kaplluar nga një krizë grindjesh të brendshme politike dhe korrupsion në të gjitha nivelet, ndërkohë që vetë Departamenti i Shtetit dhe Freedom House, ndër të tjera ente ndërkombëtare, në raportet vjetore të Drejtave të Njeriut, vit pas viti, e kanë cilësuar Shqipërinë, si një vend pjesërisht i lirë – madje 34 vite pas shembjes së Murit të Berlinit. Shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të më kuptojnë se cili është realiteti i marrdhënieve shqiptaro-amerikane: Raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut, apo “Te Deum” që përfaqësuesit perëndimorë i akordojnë shpesh pushtetit aktual në Tiranë, ndërsa vendi zbrazet nga më të mirët dhe më të edukuarit e kombit.

M’u kujtua prap vizita e parë e një delegacioni amerikan në Tiranë në mars/prill 1991. Delegacioni kishte vendosur të takohej me të gjithë përfaqësuesit e shtresave të shoqërisë shqiptare. Kishim ftuar edhe përfaqësuesit e tre feve të posa dalur nga burgjet komuniste, në pritjen e parë në 50 vjet në të ashtuquajturin,“hotel” Dajti nga një delegacion amerikan në Shqipëri. Tre klerikët e shkretë ashtu të vuajtur nga burgu dhe me shëndet të dobët nuk i besonin vetes as rrethanat në të cilën gjendeshin atë natë: të ftuar në pritje nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, ndërsa përfaqësuesit e regjimit të atëhershëm komunist, të cilët kundërshtuan që të ftoheshin klerikët dhe personalitete të tjerë, përveç autoriteteve komuniste, dukej se i thonin njeri tjetrit, çka na gjeti me këta amerikanët?!

Idea ishte që përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm autoritetet e larta, për herë të parë në 50 vjet, të takoheshin me njeri tjetrin në të njejtën sallë, të persekutuarit e komunizmit, disa të liruar vetëm disa ditë më parë, me disa prej persekutorëve që mbanin në fuqi atë regjim komunist kriminal.

“Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike më duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit. Vendi është në prag të një monizmi autokrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s. Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare”

Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit. Pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, Z. Blinken edhe aq i nevojshëm sot sa ç’ishte edhe më 1991.Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Kjo mungesë, siç duket e qëllimshme, për të parë realitetin aktual politik shqiptar ashtu siç është, nuk i shërben marrdhënieve të mira shqiptaro-amerikane, as stabilitetit politik në Shqipëri, as paqes në rajon e proceseve demokratike në Shqipëri, jo se jo. Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm. Krejt ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij demokratë e republikanë, që kanë vizituar Tiranën gjatë tre dekadave të fundit, e të cilët nuk kanë ngurruar aspak dhe asnjëherë të flasin në mbështetje të demokracisë, dhe të pajtimit e bashkpunimit aq i nevojshëm për shqiptarët e vuajtur nga komunizmi. Për demokracinë si një sistem i preferuar qeverisjeje, kundër korrupsionit, në favor të lirisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut. Sidomos në mbështetje të lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë, si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.

Për 2-3 dekada të tranzicionit pseudo- komunist në Shqipëri, jam munduar, modestësisht bazuar në përvojën time, të paralajmëroj shpeshherë se demokracia atje është në rrezik, se vlerat demokratike po shkeleshin haptas dhe qëllimimisht nga klasa politike shqiptare, se grindjet politike po i shkatonin vendit rreziqe të brendshme dhe të jashtme politike, qëllimi kryesor i të cilëve ishte dhe është ruajtja e pushtetit të tyre për më shumë se tre dekada tani. Se pa zgjedhje të lira dhe pa opozitë reale në Shqipëri nuk mund të kishte demokraci, as liri, as stabilitet në vend as në rajon dhe as ndarje “vlerash të përbashkëta”, as marrëdhënie “krah për krah” me Shtetet e Bashkuara, siç dëgjojmë shpesh nga persona të caktuar, nga të dy palët, të cilët e quajnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Përfaqësuesit amerikanë duhet që të mbrojnë, kudo në botë, vlerat dhe demokracinë amerikane, si garanci për zbatimin e të drejtave universale në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-disa-mendime-te-hedhura-mbi-viziten-e-sekretarit-amerikan-te-shtetit-antony-blinken-ne-tirane-ne-kerkim-te-nje-shpjegimi-racional/

Please follow and like us: