Gruaja e Navalnyt: Do ta vazhdoj luftën e burrit tim për një Rusi të lirë
Yulia Navalnaya, e veja e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, ka thënë të hënën se do të vazhdojë luftën e burrit të saj për një Rusi të lirë, dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të sfidojnë presidentin rus, Vladimir Putin me forcë më të madhe se kurrë.
“Dua të jetoj në një Rusi të lirë, dua të ndërtoj një Rusi të lirë”, ka thënë Navalnaya në një video-mesazh me titullin “Do të vazhdoj të punoj për Aleksei Navalnyn”.
“Vladimir Putin më ka vrarë burrin”, ka thënë Navalnaya, duke shtuar se do të punojë me popullin rus për të sfiduar Kremlinin që të krijohet një Rusi e re.
Kremlini e ka mohuar përfshirjen në vdekjen e tij.
“Duke e vrarë Aleksein, Putin e ka vrarë gjysmën time – gjysmën e zemrës sime, gjysmën e shpirtit tim”, ka thënë Navalnaya.
“Mirëpo ende e kam gjysmën tjetër që më thotë se nuk kam të drejtë të heqë dorë. Do të vazhdoj punën e Aleksei Navalnyt, do të vazhdoj të luftoj për shtetin tim”.
Navalnaya i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin e Navalnyt pasi po presin që të zhduken prej trupit të tij gjurmët e agjentit nervor Noviçok.
“Ne e kemi ditur saktë pse Putin e ka vrarë Aleksin tri ditë më parë”.
“Do t’ju tregojmë shumë shpejt. E kemi kuptuar kush e ka kryer këtë krim dhe si. Do të kemi emra dhe do t’ua shihni fytyrat”, ka thënë ajo.
Autoritetet e burgut në Arktik kanë njoftuar të premten për vdekjen e Navalnyt.
Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.
Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.
Ai është helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.
Navalny është shëruar në Gjermani, pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, është dërguar në burg.