Noli: Znj. Wilson, shqiptarët më kanë porositur që t’ju lutem që të kujtoni Shqipërinë, një vënt aq i varfër, pa miq dhe pa nonjë përkrahje
Kur presidenti Wilsoni takoi Nolin, nuk mund të thuhet se presidenti amerikan ishte pa njohuri për Shqipërinë. Gjatë mandatit të parë të Wilsonit si president, një ambasador amerikan në Ballkan, George Fred Williams, kishte dhënë dorëheqje si protestë për trajtimin e shqiptarëve. Në Amerikë presidenti e ka për detyrim ta presë një ambasador që bën një gjest të tillë, sepse ambasadorët janë përfaqësues të kryetarit të shtetit. Gjithashtu, Wilsoni patjetër që kishte dëgjuar për Shqipërinë nga miku dhe këshilltari i tij, Charles Crane. Para takimit me Wilsonin Noli e shikonte si plotësisht të errësuar fatin e Shqipërisë. Nga ky takim Nolit iu duk se: Atë ditë fati i Shqipërisë ish m’ i ndriçuar. Atmosfera familjare e krijuar qëllimisht për të ftuarit nga presidenti Wilson, i dha kurajo Nolit duke e bërë që gjatë rrugës së kthimit me jaht për në Washington, të hynte në bisedë edhe me zonjën Wilson, duke lobuar edhe pranë saj për Shqipërinë. Noli tregon për këtë në kuvendin e “Vatrës” po atë ditë: M’u duk për mirë që t’i flisnja dhe zonjës Wilson. Kur u afëruam afër kryeqytetit, pashë që Zonja e Presidentit ish më nj’ anë dhe kish kthyer sytë në bregonjat anës lumit. Iu afrova dhe i thashë: “Zonjë, Shqiptarët më kanë porositur që t’ ju lutem që të kujtoni Shqipërinë, një vënt aq i varfër, pa miq dhe pa nonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj”. “Po, më thotë. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjia e të tjerat”.
“Situata jonë zonjë, i thashë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar”.
Nga mënyra se si iu përgjigj Fan Nolit zonja Wilson kuptohet se ajo kishte dijeni për Shqipërinë dhe problemet e saj. Meqenëse z. Charles Crane ishte mik i familjes Wilson ajo sigurisht që kishte dëgjuar prej tij për aventurën e tij në Shqipëri në 1911 dhe për nismën që ai ndërmori për një fushatë ndihme humanitare në Shqipëri. Noli e kuptoi këtë gjë, ose ndoshta ishte informuar dhe madje ishte nxitur nga vetë zoti Crane, i cili ishte shumë i njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, prandaj mori guximin që ta zgjaste bisedën me Zonjën e Parë të SHBA, duke bërë provë që t’i shpjegonte asaj se ku qëndronte komplikimi i situatës në të cilën gjendej Shqipëria. Për fatin e mirë të Fan Nolit dhe të Shqipërisë, presidenti Wilson iu bashkua atyre të dyve dhe Noli pati përsëri rast të fliste me të për Shqipërinë. Ja tregimi i Nolit: Presidenti Wilson, i cili po fjalosej me një dipllomat afër neve, u kthye dhe më thotë: “Me të vërtetë është shumë e koklavitur”. Atëherë unë mora kuxim dhe i thashë: “E vetmja shpresë për Shqiptarët është Amerika dhe ju, z. President”./ KultPlus.com