Albspirit

Media/News/Publishing

PROMOVOHET LIBRI “ORA E KOSOVËS” NGA FATMIR SEJDIU, BOTUAR NGA KOLEGJI AAB

Në një ceremoni me përplot të ftuar është bërë promovimi i librit nga ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Në promovim pati figura të rëndësishme politike si presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, dy ish presidentët e Shqipërisë Bamir Topi dhe Alfred Moisiu, kreu i UNMIK Joachim Rücker, diplomati Avni Spahiu, publicisti Ibrahim Berisha dhe familjarë të autorit Sejdiu.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani hapi promovimin e librit me një fjalim të veçantë ku vlerësoi sakrificat e Sejdiut në vitet që ai ishte president por edhe si bashkëpunëtor partiak. Ajo shtoi se ky libër vjen si një rikapitullim për rrugën e shtetndërtimit që nga viti 2008, ndërsa tha se mandati që pati Sejdiu ishte sfidues per shkak të ngjarjeve të cilat ai udhëhoqi.

“Është dedikim personal i Sejdiut gjate një mandati sfidues dhe historik në vitet kur mori hov përpjekja për bërjen e Kosovës shtet, në kohën kur ishte ora e pavarësisë”, tha Osmani.

Rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa përshëndeti botimin e librit nga Shtëpia Botuese AAB duke thënë se në këtë mënyrë institucioni ndihet i privilegjuar që bashkë me shumë tituj akademikë dhe libra universitarë gjendet tashmë edhe një botim si ky nga Sejdiu.

“Botimi i librit “Ora e Kosovës” është vazhdim i botimeve të mira dhe të rëndësishme të AAB-së, e cila tanimë shquhet për botimet e saja cilësore jo vetëm të librit

shkencor universitar por edhe të librit publicistik dhe atij letrar. Jo vetëm se është një libër që lexohet lehtë dhe me një frymë, por edhe sepse autori i “Orës së Kosovës” nuk ka qenë një shikues apo vrojtues i asaj ore për të parë orientimin kohor, por ka qenë pjesë e mekanizmit kryesorë të punës së asaj ore”, tha ndër të tjera Tafa.

Edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe kreu i UNMIK Joachim Rücker, foli si mik i ngushtë i Sejdiut ku shtoi se është i impresionuar me prezencën e presidentëve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve tjerë shtetëror në këtë ceremoni.

“Ende ndihem si në shtëpinë time, ndërsa për librin dua ta them se e kam ditur paraprakisht çfarë ka në të duke e njohur Sejdiun me një bagazh të pasur, si një president në kohë kyçe dhe si mikun tim”, shtoi Rücker.

Ish presidenti i Shqipërisë Bamir Topi tha se promovimet e librave në Kosovë iu ngjajnë festave të vërteta, andaj të gjithë të pranishmit janë me fat që do dëgjojnë për një vepër e cila nuk është thjeshtë botim, por vepër shkencore që legjitimon të arriturat e Sejdiut ndër këto vite.

Redaktori i librit njëherazi publicisti Ibrahim Berisha pati disa fjalë për librin dhe autorin ku tha se ky libër përbën një publikim shumë specifik dhe unik pasi të gjithë akterët e përmendur në të kanë dhënë kontribut për ditën që u finalizua me pavarësinë e Kosovës.

Dy recensentët e librit Alfred Moisiu dhe Avni Spahiu e cilësuan librin si përmbledhje të bukur dhe të qartë që ngërthen proceset e rëndësishme të shtetndërtimit, ndërsa thanë se janë të nderuar që ishin pjesë e një botimi të tillë.

Në fund ish presidenti Fatmir Sejdiu falënderoi të gjithë të pranishmit për respektin e treguar ndaj tij me pjesëmarrje, teksa përmendi disa nga pjesët e librit që përfshijnë faza jetike të shtetndërtimit. Si mesazh Sejdiu tha se “gjeneratat që vinë pas pavarësisë së Kosovë kanë përgjegjësinë që t’ia shtojnë miqtë Kosovës, inkorporimin dhe ngjitjen e saj kudo në botë”.

Në vigjilje të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës – Promovohet libri “Ora e Kosovës” nga Fatmir Sejdiu, botuar nga Kolegji AAB

Please follow and like us: