Frank Shkreli: Aktualiteti i mesazheve të Sami Frashërit
Telegraf.al / Këtu në Shtetet e Bashkuara, e hëna e tretë e shkurtit festohet çdo vit si Dita e Presidentëve, ditë që shënon kujtimin e ditëlindjeve të baballarëve të kombit, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit. Është një ditë festë për amerikanët, për të përkujtuar kontributin e tyre në themelimin dhe në ruajtjen e unitetit kombëtar, por njëkohësisht është edhe një ditë për të pasqyruar dhe për t’u kujtuar brezave të sotëm dhe të ardhshëm amerikanë, trashëgiminë e vlerave të tyre, si njerëz dhe si patriotë të këtij vendi. Ndoshta si asnjë vend tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujtojnë me ditë festash dhe ruajnë trashëgiminë historike të kombit dhe të udhëheqësve dhe patriotëve të gjithë historisë së saj, të vjetër dhe të re. “Një komb, ka thënë presidenti Xhon Kenedi, e tregon veten me burrat që dalin nga trupi i tij, por një komb e kallëzon veten gjithashtu edhe me burrat që ai nderon dhe me burrat që kujton…”. Edhe kombi shqiptar gjatë historisë së tij ka pasur burra të cilët meritojnë dhe duhet të kujtohen dhe të nderohen, nga brezat e sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, për kontributet e tyre historike ndaj kombit dhe për trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe shpirtërore që kanë lënë pas. Njëri prej këtyre burrave të kombit shqiptar është edhe Sami Frashëri, (Qershor 1, 1850 – Qershor 18, 1904), autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, botuar nga në Bukuresht të Rumanisë më 1899, dokument ky, i cili sipas historianëve, është një nga veprat më të njohura të Rilindjes Shqiptare, që kontribuoi drejtpërdrejt në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në këtë manifest, Sami Frashëri flet për të kaluarën, për periudhën në të cilën jetonte ai si dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, ashtu si e shikonte ai, nga këndvështrimi i tij.
Në manifestin e tij politik dhe ideologjik, që konsiderohet si njëra prej veprave madhore të historisë së kombit shqiptar, Sami Frashëri e cilëson Gjergj Kastriotin-Skënderbe si një burrë që rrallë i ka shokët në histori, duke deklaruar se periudha e udhëheqjes së tij ishte “m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë, se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën”, shkruante Sami Frashëri. Në të vërtetë, kjo është vlera dhe trashëgimia politike dhe shpirtërore e mesazhit të tij shkruar 118 vjet më parë, një mesazh i cili duhet të tingëllonte edhe sot si një kambanë e zgjimit kombëtar për ata që duan ta dëgjojnë, sa nuk është vonë: Bashkimi i shqiptarëve me një mendim e me një qëllim. Por, bashkim të trojeve shqiptare nuk mund të ketë pa bashkim të mendjeve, qëllimeve dhe interesave të përbashkëta të shqiptarëve, sidomos brenda por edhe jashtë Shqipërisë. Sami Frashëri shkruante si një profet që parashikon të ardhmen. Sikur e kishte paraparë 100 e sa vjet më parë, dëshirën dhe përpjekjet e sotme të shqiptarëve – deri tani të dështuara — për t’u integruar në Europë, duke thënë se si njëri prej kombeve më të vjetra të Evropës, kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të zërë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara të Evropës. Analiza që Sami Frashëri i bën situatës së atëhershme, me të cilën përballej Shqipëria dhe kombi, tingëllon e freskët edhe për gjendjen aktuale politike sot, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ai ka folur për rreziqet e jashtme me të cilat, sipas tij, përballej kombi shqiptar e që ishin, “zgjedha e huaj” dhe “lakmitë shoviniste të fqinjëve”, por mbi të gjitha, Sami Frashëri ka theksuar mungesën e periudhës, siç e cilëson ai, “më të bukur e më të bekuar të të gjithë kohërave për vendin tonë, të Gjergj Kastriotit, Skënderbeu”, atëherë kur “gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën”. Sami Frashëri në manifestin e tij veçon posaçërisht rrezikun e madh që i kanoset kombit nga “grindjet dhe përçarjet midis shqiptarëve”. Mesazhi i manifestit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i ka qëndruar kohëve dhe shërben edhe sot – për ata që duan të shohin si të tillë — si një udhëzim dhe ndriçim për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për përkushtimin ndaj të mirës së atdheut të përbashkët dhe për dashurinë për njëri tjetrin, ndërkohë që u bën thirrje shqiptarëve të të gjitha kohërave: “O burrani, o shqiptarë! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë”! Sikur donte të linte një amanet për gjithë brezat por sidomos për brezin e sotëm të klasës politike shqiptare në të gjitha trojet, Sami Frashëri i porosit shqiptarët për bashkim, si një qëllim i përbashkët madhor, duke shkruar: “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë”! Kush e dëgjon sot këtë mesazh?! Sami Frashëri me manifestin e tij politik të para më shumë se një shekull, sfidon shqiptarët edhe klasën e sotme politike që të rizbulojë dhe të rivlerësojë këshillat dhe udhëzimet e tij me qëllim për të ringjallur rishtas, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit, Skënderbe, unitetin dhe krenarinë kombëtare, për të punuar për të mirën e përbashkët afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Ky është një mesazh aktual dhe i përhershëm! Drejt këtij objektivi, ka theksuar Sami Frashëri, ”Të mos trembemi nga asgjë, të përpiqemi që mos të pushojmë deri sa të fitojmë atë që kërkojmë; jemi në të drejtën tonë; Perëndia është gjithnjë ndihmësi i të drejtëve, Perëndia është e drejta vetë”! Prandaj, këshillon ai, “të mos rrimë të mpirë e të ngrirë, të lëvizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim të lirë në udhën e Perëndisë, në udhë të së drejtës: Perëndia, e drejta, kombi, gjuha, Shqipëria, Shqiptaria”. Nga këndvështrimi i sotëm politik dhe njerëzor, është interesant se si më shumë se një shekull më parë, Sami Frashëri i balancon të drejtat e njeriut dhe të kombit duke u bazuar në filozofinë klasike të të drejtave natyrale dhe në natyrën e Perëndisë, duke shkruar se, “Perëndia është e drejta vetë”. Sami Frashëri, është i qartë gjithashtu se sipas tij dhe mendimeve të rilindësve të asaj periudhe, mendimet e të cilëve ai pasqyron — politika, as atëherë as sot — nuk duhet të përdoret si një mjet për avancimin e ngushtë të interesave personale e vetjake, në kurriz të interesave madhore të kombit, kritikë kjo jo vetëm për bashkëkohësit e tij, por edhe për pushtetarët e sotëm. Ai pyet se si është e mundur që, “një komb kaq trim e që s’e kursen gjakun, të humbasë duke u copëtuar prej kombeve të dobët e të frikshëm! Mend kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duam t’i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, po të rrimë me duar lidhur. Kjo është më e keqja, të punojmë për humbjet tona, të nxjerrim themelet e kombit tonë me padituritë e të verbërve të vetë”?! Duke lexuar disa prej shkrimeve të Sami Frashërit njeriu ndahet me ndjenjën se dashuria për kombin e përbashkët dhe për njëri tjetrin — parime themelore këto që predikonin rilindësit shqiptarë 100-e ca vjet më parë, por të cilat janë zhdukur nga radari dhe nga fjalori politik bashkëkohor i klasës së sotme politike – duhej të ishte dhe të mbetej baza morale e politikës së një shoqërie, që njëkohësisht është edhe çelësi për sigurinë e brendshme, por edhe që kombi shqiptar të njihet nga bota për kontributet e tij, pikërisht ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit, siç na kujton Sami Frashëri. Sot ekziston nevoja urgjente për ringjalljen, rivlerësimin dhe zbatimin e këtyre parimeve të shqiptuara nga rilindësit si Sami Frashëri në traktatin e tij politiko-shoqëror – pasi çdo eksperiment tjetër politik ka dështuar deri tani — ashtu që kombi shqiptar të shkojë me hapa të sigurt drejtë së ardhmes. Nevojitet shkrirja e këtyre ideve dhe avancimi i këtyre parimeve politike, kombëtare dhe shpirtërore për të ndryshuar drejtimin e të ardhmes së historisë së shqiptarëve. Por, kjo ka nevojë gjithashtu edhe për një strategji afatgjatë kombëtare – e cila sot për sot mungon – nga burrështetas të stërvitur dhe të bindur në parimet e rilindësve, gjë që kërkon guxim moral, aftësi politike dhe njohuri praktike, por mbi të gjitha ka nevojitet dashuri për atdheun dhe respekt për të afërmin, i cili mund të jetë kundërshtar politik, por jo armik.
Janë këto parime morale dhe politike të rilindësve, por mbi të gjitha zbatimi i tyre, dhe jo interesat partiake, qeveritare ose zgjedhore të një individi, grup individësh ose një partie, ato që duhet të vendosin të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Prandaj, në këtë ditë të presidentëve amerikanë, kur Amerika kujton dhe feston trashëgiminë patriotike dhe politike të presidentëve të saj, për shqiptarët kudo, le të shërbejë programi politik dhe ideologjik i Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, si një rast dhe frymëzim për të ri-zbuluar parimet, idetë dhe trashëgiminë e porosisë së Sami Frashërit dhe të rilindësve të tjerë të kombit shqiptar, parime këto që gjithnjë janë aktuale, të freskëta dhe të pavdekshme. Shqipëria dhe kombi shqiptar mbijetuan falë veprave dhe sakrificave të rilindësve, me gjithë dështimet historike të brezave të 100-viteve të fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ashtu siç i dëshironte Sami Frashëri. Prandaj, t’u jemi mirënjohës atyre rilindësve, përfshirë demokratin dhe iluministin Sami Frashëri, për atë që krijuan si dhe për trashëgiminë që lanë pas, një trashëgimi kjo e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, por e cila nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet, të zhvillohet dhe të kultivohet nga brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve.