Presidenti rus pret dhe dekoron udhëheqësin e serbëve të Bosnjës
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, e siguroi të mërkurën presidenti rus Vladimir Putin se entiteti i tij, sikurse edhe Serbia fqinje, “po refuzon çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë”, megjithë trysninë perëndimore.
Presidenti rus u takua me presidentin e Republikës Serbe para hapjes së një ngjarjeje sportive në Kazan. Ai e falënderoi Dodikun “për ruajtjen e marrëdhënieve të rregullta me Rusinë”, duke shtuar se lidhjet midis dy vendeve “janë krijuar për një kohë të gjatë dhe ato janë absolutisht konstruktive”.
Milorad Dodik nga ana e tij e siguroi presidentin Putin se entiteti i tij “po refuzon çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë” ndërsa “po ashtu refuzon të pranojë çdo shans për të lëvizur drejt anëtarësimit në NATO”, pavarësisht se perëndimi është “duke ushtruar vazhdimisht trysni”.
Në përfundim të takimit, presidenti rus i ndau Dodikut Urdhrin e Aleksandër Nevskit, për “forcimin e partneritetit” midis Rusisë dhe Republikës Serbe.
Milorad Dodik mbërriti në Kazan, kryeqyteti i Tatarstanit, pas një vizite dyditëshe në Bjellorusi, gjatë së cilës u takua me udhëheqësin autoritar bjellorus Aleaksandër Lukashenka.
Udhëheqësi bjellorus Lukashenka dhe aleatët e tij janë të izoluar dhe nën një seri sanksionesh perëndimore për shkak të shtypjes brutale të protestave masive që pasuan rizgjedhjen e diskutueshme të tij në vitin 2020 dhe agresionit rus në Ukrainë.
Milorad Dodik, president i Republikës Serbe, prej vitesh ka mbrojtur idenë e ndarjes së minishtetit serb të Bosnjës nga pjesa tjetër e vendit dhe bashkimin e tij me Serbinë.
Për këtë arsye ai është nën sanksionet amerikane dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Të mërkurën ai iu ankua presidentit rus për sanksionet ndaj tij, ndërsa falënderoi kryeministrin hungarez Viktor Orban, që ka pamundësuar sanksionet e Bashkimit Evropian.
Takimi i së mërkurës është i katërti me radhë që Dodiku zhvillon me presidentin Putin që kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë.
Lufta e Bosnjës filloi në vitin 1992 kur serbët e mbështetur nga Beogradi u përpoqën të krijonin një rajon “etnikisht të pastër” me synimin për t’u bashkuar me Serbinë fqinje, duke vrarë dhe dëbuar kroatët dhe boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë.
Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe më shumë se dy milionë, ose mbi gjysma e popullsisë së vendit, u dëbuan nga shtëpitë e tyre, para se të arrihej një marrëveshje paqeje në Dejton të Ohios, në fund të vitit 1995, e cila e ndau Bosnjën në dy entitete; Republikën Serbe të drejtuar nga serbët dhe federatën boshnjako-kroate, të cilave iu dha autonomi e gjerë, por mbetën të lidhura nga disa institucione të përbashkëta shumetnike.