Albspirit

Media/News/Publishing

Eqrem Çabej: LEKSIONET E TIRANËS

Hyrje*
Historia e gjuhëve është historia e popujve që i flasin e i kanë folur. Popujt e kombet gjatë jetës që bëjnë si popuj, si kombe kanë fatet e tyre historike e politike. Ata gjatë historisë së tyre zhvillojnë mënyrën e jetesës e të mendimit. Ndryshojnë marrëdhëniet ekonomike e shoqërore, idetë politike, institucionet fetare etj. Gjithashtu me kohë u zhvi­llohet mënyra e jetesës, mënyra se si banojnë, si hanë e si vishen edhe mënyra e trajtat e të menduarit. Të përshkruash zhvillimin e gjithë këtyre trajtave të jetës së një populli, do të thotë të shkruash historinë e tij. Po një nga këto trajta është edhe gjuha. Një popull, siç ndron në rrymë të kohëve gjithë format e jetës së tij, ashtu bashkë me to zhvillon e ndron edhe gjuhën që flet. Të shkruash historinë e një gjuhe do të thotë të përshkruash fatet e zhvillimit që përshkon ajo gjuhë që nga fillimet e saj e gjer në ditë të sotme (kur kemi përpara një gjuhë të gjallë) a gjer në fund të saj (kur kemi të bëjmë me gjuhë të vdekur). Në këtë kuptim, siç ka populli shqiptar historinë e tij, ashtu dhe gjuha e tij, gjuha shqipe ka ­histo­rinë e saj. Ideali i historisë së një gjuhe do të ishte që të njihej kjo gjuhë në tërë fillin e zhvillimit të saj, duke shkuar që në fi­llim e gjer në fund; atëhere do të mund të ndiqej ky zhvillim nëpër etapat e tij të brendshme, si edhe do të shiheshin qartë marrëdhëniet e jashtme, lidhjet që ka pasur ajo gjuhë me gjuhët e tjera. Mirëpo një ideal i tillë zakonisht kurrë nuk arrihet. Asnjë gjuhë e botës nuk njihet që nga fillimet e saj. Nga kjo arsye historia e çdo gjuhe qoftë, nuk është në gje­ndje të nisë me fillimet e kësaj, po detyrohet të fillojë nga një epokë e saj e caktuar. Cila mund të jetë kjo epokë?
Historinë e një gjuhe mund ta nisim që nga koha që ajo gjuhë është shkruar. Vetëm kur është shkruar, një gjuhë ka marrë fizionominë e saj të veçantë, ka zënë një vend të caktuar në historinë e kulturës së njerëzimit. Në këtë kuptim mund të themi se historia e indishtes fillon me Vedet, historia e ­greqishtes me mbishkrimet përpara Homerit, historia e bullga­rishtes me përkthimet e Cirilit e të Metodit dhe historia e shkurtër e gotishtes mund të themi se nis edhe mbaron me biblën e peshkopit Wulfila. Edhe historia e armenishtes ­fillon me përkthimet e Ungjillit nga shek. v pas erës sonë. Pa shkrime pra nuk kemi histori të një gjuhe. Për çdo gjuhë ­historia e saj nis kur nis kjo gjuhë të shkruhet. Ç’ka qenë ­përpara shkrimit të saj, hyn në periodën prehistorike të gjuhës. Pra, si popujt, ashtu edhe gjuhët, kanë prehistorinë dhe historinë e tyre. Mirëpo këtu është vendi për një vërejtje. Në punë të dokumentimit me shkrim gjuhët në pikëpamje të kohës ndahen nga njëra-tjetra. Sikundër dihet, disa nga to janë shkruar shekuj përpara erës sonë, disa edhe mija vjet më parë. Të tjera, përkundrazi, kanë zënë të shkruhen pas erës sonë, disa vetëm në prak të kohës së re. Një nga më të fundit nga kjo anë është gjuha shqipe. Historia e shqipes mund të themi se fillon me kohën qëkur e gjejmë të shkruar për të parën herë, me shek. e XV, edhe më mirë me vitin 1555, viti që na ka dhënë Mesharin e Gjon Buzukut, e para vepër që ne njohim në gjuhën tonë. Prandaj ne jemi në të drejtë po ta nisim historinë e shqipes me Buzukun ose me dokumentet e vogla përpara tij.Veçse një gjë do thënë këtu: Ky qëndrim duket sheshit se historikisht nuk është i mjaftë, dhe arsyet bien në sy me­njëherë:
Po t’i hedhim një vështrim historisë së gjuhës shqipe, dy gjëra të kundërta na bien në sy në këtë lëmë: më një anë një gjuhë e dëshmuar me shkrim mjaft vonë, më anë tjetër një popull i lashtë, autokton në këto vise të Ballkanit që në kohët e mugëta të prehistorisë. Historikisht Shqiptarët bashkë me Grekët janë populli më i vjetër i Gadishullit. Ky popull në këto rreth 3000 vjet që po rron në këto anë, ka pasur sigurisht historinë e tij; ka folur gjithashtu brez pas brezi gjuhën e tij, të cilën, me ndrimet që ka pësuar me kohë, e flasin sot stërnipët e atyre të parëve. Sikundër shohim ne kemi përpara një gjuhë e cila si gjuhë e folur është kaq e lashtë, po si gjuhë e shkruar është kaq e re, sepse e dokumentuar kaq vonë. Ky është një kontrast nga i cili ka për të vuar patjetër çdo histori e kësaj gjuhe. Perioda pesëqind­vjeçare e shqipes së shkruar nuk është veçse një pjesë e vogël nga historia e gjuhës, faza më e re e zhvillimit të saj historik. Prandaj, duke qenë puna kështu, kuptohet tani sepse u tha më sipër se është një ndërmarrje historikisht e pamjaftë po ta nisim historinë e shqipes me dokumentet e para të shkrimit të saj. Se në këtë mënyrë ne do të ndritnim vetëm fazën e re të këtij zhvillimi, e do të linim mënjanë fazat e para, më të gjata. Në këto rrethana ne duhet ta hedhim vështrimin përtej këtyre caqeve. Do të përpiqemi të zdritim për sa të jetë e mundur edhe ato perioda të gjuhës të cilat ndodhen përpara epokës së fundit, kohës së shkrimit të shqipes. Po bazat për të kryer këtë punë ku do t’i gjejmë? Shqipja është për fat një gjuhë e gjallë. Nga kjo del se dokumentet e shkruara nuk paraqesin të vetmin burim që na bën të njohim gjuhën dhe zhvillimin e saj historik. Gurrë e gjallë për të gjurmuar historinë e gjuhës është gjuha vetë: gjuha siç flitet sot në popull, nëpër dialekte e nëndialekte, nëpër kolonitë shqiptare, sidomos të Greqisë e t’Italisë, të cilat na paraqesin një fazë diçka më të vjetër të gjuhës së sotme. Kjo gjuhë e gjallë pra, ashtu si flitet më një anë sot, dhe sikundër e gjejmë më anë tjetër të shkruar në monumentet e saj që prej Buzukut e këtej, kjo gjuhë përbën bazën nga e cila do të nisemi për të ngrehur ndërtesën e historisë së gjuhës.
Përveç gjuhës me dialektet e saj e të folmet (ligjërimet) e tyre, të cilat me tiparet e moçme që ruajnë janë një monument gjuhësor i radhës së parë, e përveç dokumenteve të shkrimit, të cilat na lejojnë të ngjitemi në faza më të vjetra gjuhësore, si Burime të gjuhës vijnë në vështrim sidomos edhe Emrat e vendeve e të personave, Dokumentet historike e Marrëdhëniet e huazimit. Emrat e vendeve, siç janë emërtimet e maleve, të luginave e të fushave, të rrjedhave të mëdha e të vogla të ujrave (lumenj, përronj), të arave, të livadheve e kullotave, të pyjeve etj. ruajnë shumë herë fjalë e trajta, që gjuha me zhvillimin e saj i ka zëvendësuar gjatë kohëve me fjalë e me trajta të tjera. Kështu ato emra për historinë e një populli e të një gjuhe kanë afërsisht atë rëndësi që kanë fosilet për paleontologjinë. Dija që merret me studimin e emrave përgjithësisht quhet onomastikë, e ajo që merret me studimin e emrave të vendeve quhet toponomastikë. Asaj dege të onomastikës që studion emrat e personave i thonë antroponimi.
Dokumentet historike, siç janë aktet e shitblerjes, traktatet politike e tregtare etj. të kohëve të para, përbëjnë një burim me rëndësi për historinë e një gjuhe. Në to gjinden fjalë e forma fjalësh të një periode të zhdukur, që hyjnë në punë për rindërtimin e fazave të mëparme të asaj gjuhe. Për historinë e shqipes vijnë këtu në vështrim sidomos dokumentet e mbledhura në veprën Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, që botuan më 1916 tre historianët Thalloczy, Jireček e Šufflay. Aty gjindet ndonjë fjalë sot e zhdukur e shqipes, si gripareas “barka kripe” (1403) një zgjerim i fjalës kripë (vol. ii 742). Marrëdhëniet e huazimit, të fjalëve pra që ka marrë një gjuhë prej gjuhësh së tjera dhe ato që u ka dhënë atyre gjuhëve, peshojnë shumë në studimin e zhvillimit historik të gjuhëve. Kështu nga fjalët që ka marrë në kohën antike shqipja nga greqishtja e vjetër e nga latinishtja e nga ndryshimet që kanë pësuar ato në këtë gjuhë fitojmë një ide rreth sistemit fonetik si të atyre gjuhëve si dhe të vetë shqipes. Në kërkimet gjuhësore burimet duan kombinuar. Kështu të dhënat e dialekteve do të kombinohen me dokumentet e shkrimit, me toponomastikën etj. Si u pa se cila qe baza nga do të nisemi për këtë punë, na del çështja e metodës: Ç’rrugë do të rrihet, ç’metodë do të ndiqet që faktet aktuale të gjuhës të shfrytëzohen e të vihen në punë për të rindërtuar gjer ku është e mundur historinë e shqipes? Përgjegja është: Studimi historik i gjuhës, rindërtimi i saj me anë të metodës krahasimtare (komparative).
Metoda krahasimtare na vë në gjendje të ngjitemi shkallë-shkallë në histori të gjuhës. Këtu kemi disa shkallë të ndryshme njëra mbi tjetrën:
1. Do të krahasojmë më parë dialektet e sotme me njëri-tjetrin dhe këto dialekte njëkohësisht me gjendjen më të vjetër për ne, ashtu si na dëshmohet kjo te dokumentet e moçme dhe te të folët e kolonivet shqiptare. Kështu ne do të formojmë një ide sesi ka qenë shqipja në mesjetë. Kjo e tëra, sikundër shihet, është një punë që do të kryhet brenda lëmit të gjuhës vetë, pa dalë jashtë saj.
2. Do të kërkojmë të hetojmë sesi mund të ketë qenë gjuha dhe zhvillimi i saj gjatë këtyre kohëve të mesjetës dhe të antikës, për të cilat nuk kemi dokumente të shkruara të gjuhës. Këto perioda nga mungesa e shkrimeve do të mbeten përgjithmonë të errëta. Me gjithë këtë dija nuk ndalet. Duke studiuar lidhjet e kontaktet që ka pasur shqipja në kohë antike e në mesjetë me gjuhët fqinje të Gadishullit Ballkanik e t’Italisë, në këtë gollë të errët do të mundim të ndritim disa pika. Këtu, siç shihet, i kapërcejmë caqet e shqipes. Kjo punë ndodh edhe te pika e tretë.
3. Edhe më e errët na paraqitet, natyrisht, koha pre­historike e gjuhës: koha, kur të parët e lashtë të Shqiptarëve, si u shkulën nga trungu i përbashkët i Indoeuropianëve, muarën rrugën e Ballkanit dhe erdhën e u ngulën në këto anë. Vështirësia e gjurmimit këtu shtohet aq më shumë, sa më lart të ngjitemi në këto perioda të mugëta prehistorike. Megjithatë dija edhe këtu nuk e flak poshtë shatin e rrëmimeve. Pikërisht këtu metoda krahasimtare jep frytet e saj. Nga lidhjet që paraqet shqipja e sotme me gjuhët motra indoeuropiane do të mund të lëshohet dritë, sado e pakë, përmbi këtë periodë më të lashtë të saj.Sikundër shohim, me anën e metodës krahasimtare do të mund të ngjitemi shkallë-shkallë në histori të gjuhës. Pikënisja do të jetë gjithmonë gjuha e gjallë e sotmja edhe gjuha e autorëve të vjetër dhe e kolonive. Duke u nisur nga këto fakte të njohura, do të ngjitemi përpjetë nëpër kohë, nga e tanishmja në të shkuarën, në mënyrë retrospektive. Epokat e njohura të historisë së gjuhës do të shërbejnë për të ndriçuar, përsa të jetë e mundur, periodat më pak të qarta, dhe pas këtyre edhe ato më të errëtat. Kuptohet mirëfilli se sa më të afra në kohë janë periodat e ndryshme të historisë së gjuhës, aq më të qarta dalin për ne; sa më larg, sa më të vjetra, aq më të errëta mbeten. Nga kjo skicë e shkurtër del vetvetiu edhe një farë ndarje e historisë së shqipes në perioda të ndryshme. Ne u ngjitëm nga gjuha e sotme në kohët e vjetra para shkrimit, sëpari në mesjetë e pastaj në kohën antike. Këndej u hodhëm një sy dhe kohëve më të lashta të prehistorisë. Na dalin pra tri ­perioda. Këto tani do t’i shohim këtu në zhvillimin e tyre kronologjik. Kemi sëpari periodën prehistorike të gjuhës. E dyta është perioda historike përpara shkrimit. E treta perioda e re, qëkurse shkruhet gjuha. Këto epoka të zhvillimit historik të gjuhës duam t’i trajtojmë këtu një nga një, po njëkohësisht edhe në zhvillimin e natyrshëm të tyre dhe në lidhje me njëra-tjetrën. Kjo është një histori e shqipes ashtu siç e shohim ne sot e me sa e njohim këtë gjuhë, me atë lëndë që kemi në dorë. Sikur kjo lëndë të ishte më e plotë, më e vjetër, sikur gjuha të ishte e dëshmuar nga kohë më të para, ka të ngjarë se historia e gjuhës shqipe do të paraqitej ndryshe. Edhe periodat e zhvillimit të saj do të ishin të tjera. (Vijon)
* Në trajtën e tij të parë ky libër u shkrua si tekst për ­studentët e Institutit Pedagogjik të Tiranës dhe u botua si dispencë në vitin 1947 me titull “Albanologji”, pa emër autori. Më pas Çabej e rishkroi për studentët e Universitetit të Tiranës dhe e botoi në vitin 1958 me titull “Hyrje në ­historinë e gjuhës shqipe”. I plotësuar e ripunuar më tej ai u ribotua më pas disa herë, më 1960, 1962 e deri në vitin 1967-’68, viti i ­fundit kur E. Çabej dha mësim në Universitetin e Tiranës. Ky tekst, bashkë me pjesën e dytë, “Fonetikë historike e ­shqipes”, u shtypën si dispenca vijimisht deri në fund të ­viteve ‘80.
Please follow and like us: