Albspirit

Media/News/Publishing

Hoxhë Kadri Prishtina dhe Ahmet Zogu: Miq apo armiq?

Hasan Bello
Në studimet shqiptare ka shumë raste kur raportet mes personaliteteve politike dhe figurave të njohura historike janë trajtuar në mënyrë tendencioze. Kështu, kur flitet për marrëdhëniet mes tyre, zakonisht ose nuk ndiqet i njëjti standard ose përzgjidhet vetëm një segment i caktuar historik, i cili më pas përgjithësohet për të treguar “armiqësinë e tyre të përjetshme”. Para viteve 90-të kjo bëhej me qëllim, për të vendosur një kufi të qartë mes “miqve” dhe “armiqve”.
Një rast i tillë është raporti mes Hoxhë Kadri Prishtinës, i cili ka luajtur një rol aktiv në jetën politike të shtetit shqiptar, si: themelues i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918), ministër Drejtësie, deputet, publicist dhe Ahmet Zogut.
Për shkak të ballafaqimeve politike në të cilat u përfshi shteti shqiptar në vitet 1920-1924 marrëdhëniet mes tyre kanë njohur faza bashkëpunimi, por, edhe momente kur ata e konsideronin njëri-tjetrin kundërshtar.
Në vitin 1924, Hoxhë Kadri Prishtina sëmuret rëndë. Mjekët i sugjeruan që të shkonte në ndonjë shtet europian. Për këtë arsye, me kërkesë të qeverisë së Shefqet Vërlacit, Asambleja Kombëtare i akordoi 150 napolona, 40 prej të cilave, ai, ia la familjes për ushqim.
Hoxhë Kadri Prishtina u shtrua në sanatoriumin e Vizwaldit në Vjenë. Sipas të vëllait, Jahja Lutfullait, atje paguante një napolon në ditë, por pas dy muajsh e gjysëm paratë i mbaruan.
Ndërkohë në Shqipëri kishte ndodhur lëvizja e qershorit 1924 dhe në pushtet kishin ardhur bashkëpunëtorët e tij. Me shpresën se do gjente mbështetje e tyre, Hoxhë Kadri Prishtina i drejtoi një lutje kabinetit të Fan Nolit, i cili “hë sot e hë nesër” neglizhoi, duke bërë që gjendja e tij të përkeqësohej akoma më shumë.
Në fakt, Noli kështu bëri me të gjithë “kosoviotët”, siç i quante ai me përçmim. Madje, për t`i bërë qefin Beogradit, ai i drejtoi një letër ministrit të Jashtëm jugosllav, ku i premtoi spastrimin e Shqipërisë nga irredentistët.
Ndërsa të kundërtën bëri kundërshtari politik i Hoxhë Kadrisë, A. Zogu, i cili, sipas shkrimit të Jahja Lutfullait, ia çmonte diturinë dhe ushqente një simpati të veçantë për të. Nga Beogradi, shkruan ai,- i zgjati dorën e tij fisnike dhe e esiguroi për çdo mjekim në Europë, vetëm që t’i shpëtonte jetën prej rrezikut. Por, për shkak të gjendjes së rënduar, Hoxhë Kadria e kishte të pamundur të nisej edhe një herë drejt Europës.
Pak ditë para se të ndërronte jetë ndodhi “Triumfi i Legalitetit”. Sapo hyri në Tiranë, Zogu e ndihmoi personalisht Hoxhë Kadrinë me mjete financiare dhe, pas vdekjes i organizoi ceremoninë mortore. Për të gjitha këto, Jahja Lutfullai e falënderoi publikisht më 12 shkurt 1925 me një artikull që botoi në gazetën “Dajti”.
Please follow and like us: