Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta gazetarja Aferdita Selimaj

Gazetaria shqiptare ka marrë sot një lajm të hidhur. Një nga emrat më të njohur të saj, veçanërisht në gazetarinë ekonomike, kolegia Afërdita Selimaj u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.

Selimja ishte një ndër themelueset e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe një zë i paharrueshëm i Radio Tirana.

Afërdita e nisi rrugën e gazetarisë në vitin 1977, pasi kreu studimet e larta në fakultetin e Shkencave Politike, Dega Gazetari. Fillimisht ajo kontribuoi në gazetë lokale “Shkëndia” në Lushnjë dhe më pas gjithë jetën si gazetare në RTSH.

Në vitin 2000, ajo u emërua Drejtore e Departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicioni që e mbajti deri në gusht të vitit 2003.

Më pas ajo drejtoi plot pasion sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana.

Në vitin 2003, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë Kryetare e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-se.

Si gazetare RTSH-së Afërdita Selimaj, ka qenë e vetmja gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për antarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Nga viti 1998 e në vazhdim, Afërdita ka drejtuar me përkushtim Lidhjen e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë, LEGA.

Për kontributin e saj mediatik në dekada Afërdita Selimaj në vitin 2021, nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Por gjatë jetës dhe veprimntarisë së saj ajo u nderuar edhe me çmimin “Vangjush Gambeta” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për raportin më të mirë radiofonik, për problemet ekonomike.

Ndërsa Federata Ndërkombëtare për Paqen në Botë në vitin 1999 e zgjodhi Ambasadore të Paqes.

Me ndarjen e saj nga jeta, humbëm një nga gazetaret  më të jashtëzakonshme dhe kontribuese të shquar në fushën e informacionit dhe gazetarisë ekonomike. Ne kolegët e saj do ta vazhdojmë ta kujtojmë me respekt, duke e vlerësuar lartë kontributin e Afërdita Selimaj në zhvillimin e medias shqiptare.

Në shenjë mirënjohjeje, dashurie dhe respekti, të premten për rreth 1 orë në hollin e RTSH do të zhvillohen homazhet e fundit për Afërdita Selimajn, nga ku më pas do të përcillet për banesën e fundit.

Please follow and like us: