Albspirit

Media/News/Publishing

Rudina Muharremi Beja: SHTËPIA E SHPIRTIT

 

Lumë i lashtë që rrjedh ndër shekuj është ngrohtësia e gjuhës time

Tinguj ndërthurë në fije ari dalë nga zemra e poetit

Vrraga mbi shkëmbij që kujtimet mbajnë gjallë kohëve të pavdekshme.

 

Jehonë bëhet gjuha ime,

trishtimin, dhe varrit ia zbut,

lotin kthen sërish në nisje,

ajrin përflak,

atëherë kur këngët e dashurisë

shndërron në psalm.

 

Ky përqafim i përjetshëm i fjalëve,

gurgullon përmallshëm, qark i sillet rruzullit

si vala e oqeanit që puth bregun

si melodia e ëmbël drithëron zemrën.

 

Çdo rrokje ngjizur, lidhur si eshtra

brofur nga lashtësia,

rrjedh si lumenjtë në rrugët e argjendta.

Fjalët rrënjët kanë të thella,

më të thella si lisat që degët ndërthurin

e shpalosin nëpër erë

dhe shkëlqimin, si ai i diellit

kur perëndon përqafimit të ngadaltë.

 

Çdo tingull, çdo varg i ndërthurur bën lulet të pëshpërijnë në kopshtet e qeta,

Irisët imagjinarë të hapen në ëndrra

Vesën, të puthë rrezen e argjendtë,

dhe hëna qiellin magjisë së heshtjeve.

 

Është streha ime gjuha ime.

Është shtëpia e shpirtit…

Please follow and like us: