Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj: Qestorat, si duron për bijtë e tu

 

Qestorati fshati i mësuesit të mësuesëve

Qestorati është një fshat në rrethin e Gjirokastrës, në shpatin perëndimor të malit të Lunxhërisë. Përmendet në burimet e shkruara që në shek. XV. Fshati ka patur shkollë të mesme Buqësora bashkë me konvikt. Këtu vijon historia e mësuesit të popullit Koto Hoxhi, “mësuesi i mësuesëve” dhe “Nderi i Kombit”. Në Qestorat kanë mësuar Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri dhe shumë nxënës që u bënë mësues dhe pishtarë të përhapjes së gjuhës shqipe në errësirën e perandorisë turke. Koto Hoxhi, figura më e ndritur e Qestoratit e Lunxhërisë e një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte dhe mbeti një nga yjet më të mëdhenj, që ndriçoi për mëmëdhenë në shek. XIX dhe deri më sot. Koto Hoxhi ishte bashkëfshatar e gati moshatar me Kristaq Zografin, ishte shok e mik dhe me bashkëfshatarin Koto Dudin. Të tre këta qestoritë të dëgjuar, për shumë vite jetuan në Stamboll. Koto Hoxhi ishte ndriçimtari ishte në kryesinë e “Shoqërinë e të shtypurit të shkronjave shqip”, themeluar në Stamboll, më 1879, por dhe flakadani ndër themeluesit e bashkëpunëtor i revistës “Drita”, në 1884. Pishtari Koto Hoxhi u shqua mbi gjithë rilindësit e tjerë, ashtu si vëllai i tij i idealit, Abdyl Frashëri, ishte përpjekja dhe veprimtaria e tij e palodhur kudo, në atdhe e për atdhe. Koto Hoxhi ishte i thjeshti, i ndershmi, i dituri, i urti, i drejti, humanisti e arivisti, i pamposhturi, i përkushtuari, i përbetuari, i kudondodhuri i palodhuri, i papërtuari, shpirtbehari e guximmadhi, pasi ai mbolli farë që të lulëzojë. Ai ishte në Qestorat për të punuar e luftuar për gjuhën shqipe, në Gjirokastër, duke u përpjekur për të hapur shkollën shqipe dhe arriti ta hapte për pak kohë, në Janinë, duke u përpjekur për të hapur shkollën shqipe, në Lunxhëri, në fshatrat e Bregut të Labërisë, në Stamboll dhe në Rumani e Bullgari, duke u takuar e biseduar me atdhetarë për mëmëdhenë.

Qestorati, si dhe krahina, shkëlqimin më të madh e patën në shek. XIX. Ndikim të dukshëm, kanë investimi i kurbetllinjve. Shumë kalldrëme, meremetime dhe ndërtime janë bërë në këtë periudhë. Në Qestorat u habit dhe u frymëzua anglezi Lordi Bajron për kulturën dhe traditat e lashta të shqiptarëve. Qestorati ishte skena e parë e teatrit shqiptar me pjesën teatrale “Dasma lunxhiote”.

Burra dhe gra të dëgjuar të shek. XIX nga familjet e moçme të Qestoratit ishin: Koto Hoxhi dhe Vasillo Hoxhi me djemtë e tyre Niko, Anastas dhe Janko; Kristaq Zografi dhe Dhomeniqi Zografi dhe djemtë Jorgo dhe Solomon; Koto Dudi dhe Kaçua Dudi me djemtë Kito, Sevo, Anastas, Petro, Nik dhe Gjik; Jorgo Vangjel Zografi me djemtë Viktor dhe Lefter; Thanas Vangjel Zografi me djalin Mihal, si dhe Mitro Papavasili, Lame Leku, Lame Nasti, Mako Doko, Leko Çipi, Anastas Floku dhe të tjerë.

Burra të Qestoratit ishin dhe Anastas Rumbi, Kito Kostlili, Koto Koçi, Nik Mitrokosta, Naqo Çipi, Nik Çuçi, Noto Qendri, Lame Papavasili, Petro Floku, Petro Papavasili, Petro Stavri, Nik Stavri, Sevo Foti, Sevo Doku, Thanas Kondili, etj.

Qestorati në Luftën e Dytë Botërore

Në Luftën e Dytë Botërore, Qestorati, si dhe gjithë Lunxhëria, u bë disa herë fushëbeteja midis forcave partizane dhe pushtuesëve. Popullsia dhe djalëria qestoriote, me ndjenja të thella atdhetare, morën pjesë aktive për çlirimin e vendit. Fshati u kthyen në arenë të luftimeve. Fillimisht në prill 1939 territori i Lunxherisë u pushtua nga forcat e ushtrisë fashiste italiane. Në këtë rajon u kryen luftime të përgjakshme, që nisën në tetor të vitit 1940 mes forcave të ushtrisë italiane dhe greke. Fronti i luftimeve dhe zotërimi i qytetit prej tyre u këmbye disa herë. Banorët e Qestoratit dhe të Lunxhëeisë u përfshinë qysh në muajt e parë në rezistencën antifashiste dhe u lidhën ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shumë djem dhe vajza mbushën radhët e formacioneve luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të forcave nacionaliste. Formacionet e para luftarake të organizuara dhe udhëhequra nga Partia Komuniste Shqiptare, të cilat nisën veprime ushtarake kundër pushtuesve fashistë italianë dhe gjermanë ishin çetat partizane e “Rinisë” dhe “Koto Hoxhi” etj. Ndërkohë që këto çeta me zgjerimin e radhëve u organizuan në batalionin “Misto Mame” dhe më pas në brigadat sulmuese. Këshilli nacionalçlirimtar u formua në tetor 1942. Në Qestorat më 7-8 shkurt 1944 zhvilluan luftime forcat e BrVIS me forcat gjermano-balliste, e cila ishte një nga betejat më të ashpra midis forcave partizane dhe gjermano-balliste e që arriti trup me trup. Në histori ka hyrë si “Lufta e Qestoratit”, ku atë ditë forcat gjermano-balliste dogjën Qestoratin, ku shumë saraje u bënë hi dhe njerëzit ngelën në qiell të hapur. Nga Qestorati dolën partizanë dhe luftëtarë të lirisë: Misto Naqo Çipi, zëvendëskomandant i batalionit “Misto Mame”, Sofo Lame Papavasili, Ndriko Pandeli Kushta, Panajot Pilo Leku (dëshmor), Stavro Petro Floku, Telo Sevo Mitrokosta, Leko Qiro Çipi, Leko Pilo Leku, Llambo Pilo Leku, Mako Aleks Maku, Noto Koço Duka, Petro Mihal Zografi, Zoto Gole Qirjazi, Mihal Gole Qirjazi, etj.

Përkrahja e Lëvizjes Antifashiste prej tij, bëri që nga fshati Qestorat të rreshtohen 14 partizanë nga të cilët dy dhanë jetën për liri Vangjel Jorgji Milingu dhe Panajot Pilo Leku dhe janë “Dëshmorë të Atdheut”.

U pushkatua se kundërshtoi idenë e luftimit

Misto Naqo Çipi lindi në Qestorat në vitin 1880 në një familje të nderuar e patriote të Lunxhërisë. Babai i ti, Naqo ishte i dëgjuar në krahinë për trimëri dhe miqësi, burrë zakoni ku në shtëpnë e tij kuvendonin burrat për të ardhmen e vendit. Ishte koha kur Qestorati lulëzonte dhe fshati kishte pamjen e një qyteti që rrezatonte kulturë dhe dije. Në këtë mjedisin qestoriot u rrit, mësoi dhe u burrërua dhe trimi Misto Çipi. Në jetë ai eci në rrugën e babait të tij, Naqo, që nderohej, respektohej dhe i merrej mendim për probleme të fshatit dhe të krahinës. Rrugën atdhetare të babai e vazhdoi dhe Misto, i cili në të gjitha dallgët e përplasjeve atdhetari të kohës ishte në krahun e duhur të historisë.

Misto Çipi falë dhe miqësisë me burra patriot si Lipe Bogai, ishte i pari që deklaroi hapur qëndrimin e tij antifashist dhe u bë pjesëmarrës aktiv në LANÇ. Kontributi i tij ishte i gjithanshëm. Ishte fisnik dhe me autoritet, fjala e tij dëgjohej e respektohej nga qestoriotët. Kështu Familja Çipi u lidh ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke dhënë një kontribut të çmuar për çlirimin e vendit. Andon Çipi, kuadër i lartë në organet shtetërore të qeverisë Mbretërore, ju kundërvu fashizmit dhe provoi vuajtjet e torturave të internimit në Porto Romano.

Kështu patrioti i moshuar Lipe Bogai nga Saraqinishta dhe Misto Çipi nga Qestorati, dhe të gjithë lunxhiotët duke patur me vete dhe çp të “Rinisë” të inaguruar në Stegopul në 20 qershor 1943, bënë përpjekje të shumta për krijimin e një batalioni partizan në zonën e Lunxhërisë. Merita e veçantë e tij ishte shtimi i radhëve me partizanë qestoriotë. Edhe pse në moshë të thyer Mistua u caktua zëvendëskomandant i bp “Misto Mame”. Kjo bëri që gjithë rrethi familjar Çipi të lidhej edhe më ngushtë me luftën. Njgjarja e kundërshtimit të idesësë vendimit për vendosjen e luftëtarëve nga Lunxheria në vijë të parë në Cepo për mbrojtjen e saj dhe në vijë të dytë partizanët e zonës, bëri që të merrej një vendim ekstrem ndaj tij, pushkatimi. Komandanti i bp “Misto Mame” kur mori vesh ndodhinë, u step deh mendoi gjatë deri në dorëheqje si i moshuar… Pas çlirimit u rehabilitua dhe krahina e konsideruan dëshmor.

Shkruar për Misto Çipin në libra…

Veteranët Sofo Papavasili, Thimjo Muçi, Luto Haxhi, Piro Koçi, në librin “Batalioni Misto Mame” të botuar në Tiranë në vitin 2000 kanë shkruar: Misto Çipi, zëvendëskomandant, rridhte nga një fis i dëgjuar lunxhiot, me rreth familjar, që kishte autoritet të madh në krahinë. Duke qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai dha një kontribut të çmuar kundër pushtuesve. Mistoja qe një burrë fisnik e me autoritet. Fjala e tij zinte vend në popullin lunxhiot, ndaj ai përpiqej ta tërhiqte atë në veprimtarinë antifashiste. Me fillimin e luftës, megjithëse në moshë të thyer, u hodh në rreshtat partizane dhe me formimin e batalionit “Misto Mame” u emërua zëvendëskomandannt i tij.

Vetë Mistoja luajti një rol të veçantë në mobilizimin e lunxhiotëve në rreshtat partizane. Ai ka një meritë të posaçme për shtimin e radhëve të partizanëve në batalionin “Misto Mame”, bashkë me Lipe Boganë. Në disa rrethana të dyshimta e të sajuara në prapaskena, ai u mënjanua në kulmin e aktivitetit të tij luftarak. Pas çlirimit u rehabilitua dhe partizanët e batalionit, si dhe krahina e konsideruan dëshmor të nderuar.

Tase Çorri në librin “Në emër të lirisë, botuar në Tiranë në vitin 2008 ka shkruar: “Në ato çaste të rënda patëm edhe viktima nga nxitimi e mos thellimi i veprimeve siç ishte ai Misto Çipi, i cili për një gabim shprehje apo takti luftarak në Cepo u gjykua e u pushkatua. E them me bindje se ai nuk mund të quhet armik. Pavarësisht të metave, ato nuk duhet të shkonin deri në ekzekutim fizik ndaj një partizani që kishte rrëmbyer armët vullnetarisht kundër armikut. Masa ekstreme që merrej ndaj tij s’duhet të kalonte më tepër se shkarkimin nga posti i zëvendëskomandant në partizan të thjeshtë. Ai ndëshkim ndaj Mistos më ka ngelur në mëndje dhe më ther në shpirt njëlloj si të tri plagët që kam në trup nga nazistët në çlirimin e Tiranës…”.

Edhe pse u kërkua falje pas çlirimit për pushkatimin e zëvendëskomandantit të bp “Misto Mame” Misto Çipi, nuk u bë kurrë një kërkesë për t’u shpallur Dëshmorë i Atdheut. Ai kujtohet në përvjetorët e festës së batalionit dhe emri i tij është radhitur në listën e partizanëve të batalionit, por në listën e gjatë të dëshmorëve të batalionit, emri i tij ende mungon…

Please follow and like us: