Agron Tufa: DUEL PËR NDERIN E NJË VRASËSJE
1. Dy kalorës të vrerosur për ‘erzin’ e Diana Çulit
Pas mbrojtjes së hapur që Beti Njuma i bëri vrasëses së poetit Genc Leka, nuk munguan në shtyp dhe siluetat pak më të vonuara të hidalgove të shtypit në mbrojtjen dhimbsurake të Çulit. Ka pasur publikisht mbrojtës të personave që kanë bashkëpunuar me sistemin me justifikimin banal se “ashtu ishte koha”, por ka edhe mendje perverse si e një ish-sigurimsi i cili, përmes një arsyetimi kriminal, këmbëngul në drejtësinë që kishte ai sistem në pushkatimin e dy poetëve, si sabotatorë (shkrim i botuar në gazetën “Dita”, më 14 mars 2017, me titullin- “Krimet e komunizmit” nga demagogë dhe frikacakë). Mendje të tilla, edhe tash, 28 vitesh pas rënies formale të komunizmit, nuk janë veçse pjesa publike e djallëzisë për të mbrojtur krimin monstruoz . Nuk e kam fjalën për njerëz të prerjeve enveriste, se ato dihet: do t’i mbyllin sytë me mallkimin e kësaj “prerjeje”. Më neveritin hidalgot që relativizojnë çdo rëndësi dhe bien thuajse në të njëjtat pozita me të tërbuarit e falangave enveriste. Këtë pështjellim ndjeva dhe për dy dy publicistët – Ardian Vehbiun dhe Mustafa Nanon. Sidomos për të parin, se i dyti gjithmonë ka ngrënë bukën e turpshme të mercenarizmit, tejet qesharak, sidomos kur e përcjell me ndonjë shtërzim rebelizmi meldoramatik .
Për Vehbiun, akuza e Tufës është e ekzagjeruar. Dhe pse është e tillë, autori na e shpjegon kështu: “Mua ky përqendrim i akuzave te Çuli, për një proces gjyqësor dhe ekzekutim të bujshëm të orkestruar nga regjimi i Hoxhës në vite ashpërsimi maksimal të luftës së klasave, më duket të paktën i ekzagjeruar; aq më tepër që Genc Leka dhe vëllezërit Blloshmi u dënuan për pjesëmarrje në një grup armiqësor që synonte sabotimin ekonomik dhe përmbysjen e “pushtetit popullor ”.
Me tej Vehbiu pranon, se “Ekspertiza e Çulit e shumta mund të ketë ndihmuar për të konfirmuar disidencën politike të Lekës”, por Vehbiu nuk pranon se kjo ka mjaftuar për dhënien e dënimit me vdekje. Vehbiu mendon se për këtë do të duhej të shprehej ndonjë ekspert me njohuri penale për sistemin e diktaturës dhe e përfundon relativizimin e skajshëm të rolit të Diana Çulit në vrasje, me këtë pasazh: “Nuk do shumë mend që një gjyq i kësaj natyre ishte menduar që të shërbente si gjyq shembullor, ose për të ilustruar kapacitetin e organeve të “diktaturës së proletariatit” për dhunë kundër armikut të klasës; fatet e të pandehurve ishin vendosur tashmë – meqë vrasja e tyre do të shërbente edhe si ndëshkim, edhe si sinjal për të tjerët”.
Përtej nihilizmave e spekulimeve të këtilla unë e kam vendosur gjithnjë theksin tek (pa)përgjegjshmëria, kërkimi i ndjesës, përpjekja për t’u shpjeguar e jo për alibi të pafundme si këto “mbrojtje”, që pse të mos themi, ka shumë mundësi të jenë të porositura nga solidaritetet me “bukën e vjetër” të së shkuarës , sa për “t’ia hedhur” edhe njëherë momentit të vështirë. Sepse, nëse gjithë aktorët e vrasjes fillojmë t’i “amnistojmë” një nga një, duke e shpërngulur vazhdimisht pjesën e fajësisë tek dikush tjetër, e pastaj, të gjithë, t’ia shkarkonin vetëm Enver Hoxhës, atëherë, më thoni, kush qenka vërtet fajtori? Dihet që fajin nuk e pranon askush. Madje edhe kur poshtë akteve ka emra me nënshkrime. Po dhe vetë e dini, se në këtë rrugë arsytimi e shpërrallisjeje përfundojmë në fundin e perspektivës: që fajtor ishte vetëm njëri: Enver Hoxha.
Pjesëmarrësi në vrasje, pavarësisht peshës së rolit që ka pasur, quhet vrasës! Doni apo nuk doni ju. Nuk ka nevojë për asnjë penalist. Sepse asnjë i tillë nuk u bë i gjallë gjatë gjithë këtyre viteve të postkomunizmit të tejzgjatur. Vrasës, sipas Kanunit, quhet jo doemos ai, dorësi, por edhe ai që e ndihmon, që e qet në udhë atë që do të vritet. Dhe Diana Çuli pikërisht këtë bëri: e nxorri në udhë poetin e pafajshëm Genc Leka, pa arsye, për shkak të disa poezive lirike për peizazhin, pyllin, pranverën, ciganët, nostalgjinë. Me interpretimin absurd të lirikave të tij, Çuli e nxorri Lekën në udhë, bash në vendin ku qëndronte pritësi, vrasësi, me pushkë për faqe e gisht në këmbëz.
Ja pse më la një shije zhgënjimi arsyetimi i Ardian Vehbiut. Sipas logjikës së tij diktatura ka shkak vetveten, që duhet ta kërkojmë diku jashtë nesh, e jo brenda nesh; jo në mendjet e veprimet e zellshme të shërbëtorëve të saj, tullave parafabrikate në murin e saj.
2. Duel për nderin e një prostitute
Të tillë mund ta quaj shkrimin e Mustafa Nanos, me ndryshimin se “prostitute” këtu, është vrasëse. Le ta shohim se çfarë s’ia mbush mendjen Mustafa Nanos dhe se si e shfajëson Diana Çulin ai.
Nano e quan “fushatë histerike” gjestin tim kundër “Dianës apo Dianave”. Ka parsysh, me gjasë, replikat e mia të detyruara, më pas. Ç’e shqetëson kaq thellë Nanon, që më quan “histerik”? Sigurisht gjuha e analistit është këtu pa lidhje koherente arsyetimi, është skizofrenike dhe skizofrenia është një shkallë ekstreme e histerisë. Histerikët në kulmin e histerisë së tyre të quajnë histerik. Normale. Nga njëra anë Mustafai e zvogëlon thuajse në një veprim të rëndomtë banal (“banaliteti i së keqes”, e ka quajtur Hanah Arendt këtë tip përligjjeje) rolin e Diana Çulit në pushkatimin e Lekës, dhe, njëkohësisht, mohon kategorikisht të drejtën tonë për ta quajtur “vrasëse” shkrimtaren, në bazë të Akt-Ekspertizës që ka bërë ajo vetë.
Nanos nuk i duket me peshë argumenti se mendimi i Diana Çulit mbi poezitë do ta ketë çuar në plumb poetin. Madje Nano, siç e thotë vetë, ka zgjedhur fragmentin më të rëndë, sipas tij, të akuzës: “Autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim; kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme…, gjë që tregon se autori ose ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”. Më tej Nano nxiton të lajmërojë Miletin: “kush ka jetuar në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, apo kush ka njohuri mbi atë diktaturë, e di shumë mirë se askush nuk shkonte në litar mbi bazën e kësaj analize letrare”.
Nuk është këtu rasti për t’u zgjeruar me shembuj tragjikë se si iu është shkatërruar jeta disa prej shkrimtarëve shqiptarë, që nga rastet e pushkatimeve e deri tek dënimet e rënda e të gjata). Sepse sëra e mustafenjve nuk zbret kurrë në arkiva. Ata kanë besim të patundur se janë duke u bërë mendimtarë. Haberin s’ia kanë se teknologjia gjyqësore enveriste (që dominon dhe sot në pushtetin e pinjojve të saj), përdorte një kokteil kriminal që quhej “përzierje nenesh”, vetëm për t’i ulur profilin kundërshtarit. Kjo bëhej artificialisht, pa prova, me qëllim diskretitimi të imazhit moral e publik të kundërshtarit. Por shqetësimi kryesor ishte ai, i vërteti, rreziku që vjen nga poetët e talentuar, të cilët komunizmi nuk i kishte thyer, nuk i kishte zombifikuar. Dhe ne, të shastisur nga ky arsyetim kaq i sipërfaqshëm i themi: ore Mustafa, po ç’prisje ti t’i bënte më shumë se kaq Diana një njeriu, që ishte në zgrip të greminës? Mjaftonte një majë gishti, që ta flakje në humnerë! Dhe për çfarë? Të gjesh simbole armiqësore, nëntekste, tek lirikat e peizazhit, mallit dhe dashurisë?
Nuk ka dyshim, se në shkrimin e tij, të porositur, analisti, që niset prore nga premisa të gabuara, ka vendosur ta bëjë “mbrojtjen”, duke përdorur një metaforë (fushë aspak e tij), atë të “gotës që do dhe një pikë të derdhet”. Sigurisht, Komiteti i Partisë së Librazhdit dhe Dega e Punëve të Brendshme e kishin mbushur “gotën” e poetit. E pse duhej, që këtë pikë të fundit ta lëshonte Diana jote? Pse? Mbrojtës i çuditshëm kalorsiak ky Mustafa Nano… Thotë se “po të isha në vendin e Diana Çulit do të kisha bërë nje mea culpa që në fillim”. Pastaj, Nano, bën një rrethrrotullim dhe këtë pyetje ia bën vetes: “a do ta kisha bërë unë një të tillë?”. Dhe përfundon monologun e tij se, për të bërë një mea culpa duhet “një moral publik i caktuar” dhe, meqë shoqëria nuk e ka një moral të tillë, një virtyt të tillë, se ajo është një shoqëri që “mezi pret rastin të presë kokën e falur”, atëherë, sipas Nanos, s’ke pse të kërkosh falje. Dhe, sipas tij, përftohet mendimi qëndror: Diana Çuli mirë ka bërë që nuk ka kërkuar falje!
Shokuese! Por edhe lehtësuese, mendoj unë. Nëse punët qenkan kështu, nëse termometër i virtyteve dhe moralit qenka vetëm Mustafai dhe ne nuk paskemi të drejtë as të ngremë gishtin e t’ua themi, së paku, në sy, duke u tundur para fytyrës letrat që kanë firmosur vetë vrasësit apo pjesëmarrësit në vrasje; meqë nuk jemi në gjendje të bëjmë drejtësi, se piramidën e drejtësisë e kanë zënë po ata vrasës me bijtë e tyre, që kanë përkrahës edhe në shtyp e TV, atëherë pra, çfarë na mbetet tjetër? Dhe si të sillemi? E vetmja mënyrë, mendoj unë, që përbën edhe njëfarë lehtësimi, është të veprosh përpikmërisht, siç veprova unë: t’u dalësh ballas me gjeste të hapura, publike, jo kot, por me fakte, me firmat e tyre, me urnat e hirit të të pushkatuarve, me librat e tyre postumë, me dosjet e tyre që kullojnë gjak dhe të bësh, siç sugjeron Thomas S. Eliot në një varg nga poema “Waste Land”: “Kam me u kallë tmerrin me një grusht pluhun”. Sepse Mustafai me shokë, jo vetëm nuk po na ndihmon (nuk na kanë ndihmuar kurrë dhe as që e kemi pritur), por po bëjnë haptazi dhe avokatin e djallit.
Mustafai me bashkëmendimatarët e tij nuk na lënë asnjë shteg të lirë, nuk na sugjerojnë asnjë mënyrë sjellje, përveç se ta qepim gojën, të heshtim, e të ndjekim si ai, – karrierrën marramendëse të vrasësve si Diana – nga shoqatat e gruas e ojq të tjera, deri në Parlament; të ndjekim se si ajo që mori pjesë në vrasjen e poetit të ri, të na gjykojë krijimtarinë tonë pambarimisht, në krye të jurive të ndryshme letrare Kombëtare e Ndërkombëtare (“Ballkanika”, çmimi “Europa”, etj); të ngrejë gishtin e të caktojë “kush është kush”; të nominohet (se ç’blasfemi!) për çmimin “Nobel” (Çuli thotë, se akuzat ndaj saj u shfaqën, sapo emri i saj u propozua nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptarë për çmimin “Nobel”); të ketë një emision mbi letërsinë në një Televizion prestigjioz (Ora news) ku të pagëzojë me lëvdata shkrimtarë servilë, rishtarë e zdapa, që vdesin për publicitet. Por, po të kishte krijues me vetëdije, kurrë, po kurrë nuk duhet të shkelnin në studion e asaj vrasësje poetësh. Kjo do të ishte më e pakta. Ajo e ka humbur të drejtën të gjykojë poetët, aq më keq, të drejtën për t’i vlerësuar ata. Gjyqtarët e kohës së Mesjetës e kishin zakon, që kur jepnin me shkrim një dënim me vdekje, ata thyenin majën e penës dhe e flaknin penën në kosh (që ajo penë, të mos firmoste më akte të tjera dënimi me vdekje). Për mendimin tim, Diana Çuli duhej ta kishte thyer “penën” e vet që në vitin 1977, kur nënshkroi akt-ekspertizën, që rezultoi fatale për Genc Lekën.
Mustafa Nano bën çmos ta mbrojë Diana Çulin. Po nga kush? Nga histeria e Agron Tufës! Çudë, po çudë e madhe! Do të doja (ndonëse gërdi e vërtetë), ta shihja e të më shihte në sy Mustafai, kur e thotë këtë, sepse shumë gjëra fjalët nuk arrijnë t’i transmetojnë.
Dhe si përpiqet Mustafai ta mbrojë Dianën prej “histerisë” sime? Ai ngre (nuk e di me sa mundim) një pyetje. Dhe Çfarë pyetje se! Mustafa Nano pyet: – “Pastaj, keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju, sikur në moshën njëzetvjeçare [kursivi im] të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës”? Dhe, si të mos jetë i ngopur me herën e parë, e shtron atë sërish, duke i dhënë nuanca përforcuese. Dhe ne përgjigjemi: çfarë di ti, Mustafa, për Dianën? Se jo më kot e kam theksuar me kursiv mosnjohjen tënde të thellë, kur thuan “në moshën 20 vjeçare”. Kësaj i ka mëshuar gjithmonë Diana dhe ti, gjithnjë, priresh t’i besosh asaj. E ja, pra, se atëbotë, kur Diana nënshkruajti gjithë kënaqësi e përkushtim (cilësorët “kënaqësi” e “përkushtim” do t’i sqaroj më poshtë) Akt-ekspertizën, ajo, Mustafa, sidomos nuk ishte 20-vjeçare. E lindur me 13 prill 1951, gjeje tani se sa vjeç ishte Diana në vitin 1977! A bëjnë 26? Pse priresh t’ia ulësh moshën, duke mashtruar? Lapsus? Ndoshta, por jo frojdist.
3. Disa pika mbi “i” për Dianën, vrasës të tjerë dhe simahorë të diktaturës
Por ka dhe më. Meqë Mustafa Nano e merr në mbrojtje vrasësen e poetit Genc Leka, shpik një “mea culpa”, siç e pohon vetë, për të thënë pastaj, se gjithçka ka bërë ajo nuk ishte ndonjë big deal, çka do të thotë: “mirë ia ka bërë Diana që nuk kërkoi falje”, ngase ky vend, kjo shoqëri, nuk meriton, nuk është pjekur për t’i kërkuar falje, dhe si e tillë, kësaj shoqërie s’ke pse t’i kërkosh falje. E për t’i shkuar gjer në fund, shpik, falsifikon mosha të paqena, duke synuar minimizimin e domethënies së krimit dhe të drejtën për të mos kërkuar falje.
Prandaj nuk është “vetëgënjim” i madh, siç thua ti, Mustafa, denoncimi i krimeve të komunizmit, si krimi i Dianës. Dhe as rasti më i keq, që sipas Nanos “është një mënyrë për të mos u marrë kurrë me komunizmin”. Përkundrazi, duke u marrë me vrasësit e drejtpërdrejtë, me denoncimin publik e me fakte të pjesëmarrësve në krime, po aq edhe të simahorëve e pasojave të komunizmit si ju, ne bëjmë një hap përpara nga ndarja me komunizmin dhe me mbeturinat e tij – foljet gjysmëndihmëse, që ende i shërbejnë. Dhe për këtë, nuk duhet të shkruash shkrime me porosi, por të kesh një kauzë që rrjedh jo nga paraja, por nga botëkuptimi yt i lirë, i cili nuk formohet i tillë me mercenarizma e kompromise, me fanatizma e cektësi. Për këtë duhet kurajë për të denoncuar, duke e ditur se njerëzit do t’i kesh kundër sipas postulatit “e vërteta ka çmim të hidhur dhe bën shumë armiq”.
Tani, për të gjithë mustafenjtë do shpjegoj edhe dy cilësorët “kënaqësi” dhe “përkushtim”, që përmenda më lart. Të dy kanë lidhje me Diana Çulin, në kuptimin krejt të kundërt me cektësinë e Mustafa Nanos – që, shkrimtarja Diana Çuli, 26 vjeçare (jo 20 vjeçare!), redaktore e gazetës “Drita”, harton dhe firmos një Akt-ekspertizë, qëllimisht përkeqësuese ndaj poetit Genc Leka në vitin 1977 dhe se kjo Akt-ekspertizë rezultoi “gozhda e fundit” në arkivolin e poetit të ri. Këtë e kuptojmë kur i refuzohet apelimi për falje dhe ku, në motivimin e dënimit të tij me vdekje, janë përfshirë komentimet negative mbi poezitë të tij, të bëra nga Diana Çuli.
Unë kam bindjen time se komentet negative të poezive në Akt-skspertizë, Diana Çuli i ka bërë “me kënaqësi” dhe “përkushtim”. Pse mendoj kështu?
Së pari, sepse Diana Çuli i shpjegon kundërnatyrshëm poezitë e poetit martir Genc Leka. Shpik simbole e nëntekste armiqësore (politike) të paqena në lirikat intime e të peisazhit.
Së dyti, të gjithë e dinin asokohe, sidomos ata që punonin në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve apo në SH.B “Naim Frashëri”, që po ta kërkoi recensionin e një dorëshkrimi (poezi, tregim, novelë, roman, dramë, ditar, etj) jo redaktori apo shefi i redaksisë, por një hetues ose operativ i Sigurimit, ishte e qartë që autorin e dorëshkrimit e kanë arrestuar, duan ta dënojnë ose me vite të gjata, ose me pushkatim.
Së treti, (dhe më e rëndësishmja, tek e cila do të ndalem më gjatë), është babai i Diana Çulit, asokohe Kryetar i Drejtorisë së Tretë (III) në MPB, i Drejtorisë së Hetuesisë për gjithë Republikën, nga viti 1970 deri në vitin 1982, çka do të thotë – shefi absolut i Sigurimit.
I ati i Dianës, Jorgo Çuli, ish-kamarier, anëtar i PKSH që me 2. 8. 1944, partizan i orëve të fundit, fap, bëhet persekutor. Jorgo Çuli ka hyrë në Sigurimin e shtetit në janar 1951. Ka qenë Drejtor kufiri i ndjekjes nga 12. 1. 1957 deri me 1.2. 1967. Prej këtij viti e deri me 15. 3. 1970 ka qenë N/kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Durrës. Ndërkohë, me vendimin nr. 119, datë 2.8. 1969 të Këshillit të Ministrave, oficeri i sigurimit Jorgo Çuli shkarkohet nga funksioni i Kryetarit të Komisionit Shqiptaro-Jugosllav, për arsye transferimi.
Tani le të arsyetojmë: kur hetuesi i poetit Genc Leka (të pushkatuar me vonë) Selim Caka nga DPB e Librazhdit, i kërkon redaktores së gazetës “Drita”, Diana Çulit 26-vjeçare për të bërë Akt-ekspertizën e poezive të një poeti reaksionar, si mendoni ju, qëndron ajo që ka deklaruar Çuli ne “Top Story”, se po të mos pranoja ata me prishnin karrierën? Dhe kush ia prishte karrierën? Një hetues nga Librazhdi, që ishte një ndër vartësit e dorës së tretë a të katërt të babait të saj!? A nuk mund t’i thoshte e bija në mbrëmbje, për shembull: “Baba, një nga vartësit e tu, një hetues nga Librazhdi, erdhi sot në redaksi dhe më kërkoi të bëja një Akt-ekspertizë të poezive të një poeti, të cilin, me sa duket, do ta dënojnë. Të lutem babi, ma hiq qafe atë, sa më parë!” Dhe mjaftonte kaq, madje me një lëvizje dore, sikur të dëbonte një mizë, dhe hetusi Selim Caka nga provinca e humbur e Librazhdit të shkonte në esfel! Shkurt, mjaftonte një telefonatë: “ma leni rehat vajzën, se ju piu e zeza!”.
Për më tepër, Diana, përveç të atit, që ishte kryeshefi i Sigurimit për gjithë Republikën, ishte dhe e mbesa e Sofokli Lazrit, ish anëtarit të KQ të PPSH! Kush mund t’ia prishte asaj karrierën, apo makar ta frikësonte!? Por jo, Mustafa e ju, gjithë mustafenjtë! E vërteta është se Diana e ka bërë me kënaqësi dhe përkushtim atë Akt-ekspertizë, nga që, njëmend ka qenë e brumosur që nga familja me urrejtjen për “armiqtë e pushtetit popullor”, për “klasat e përmbysura”, “kulakët”. Madje, në vijimësi të urrejtjes për “armiqtë e popullit e partisë”, Diana Çuli, po në ato vite të akt-ekspertizës, shkruajti e botoi romanin me temë sigurimi e hetuesie “Zëri i largët”, që shërbeu mandej si frymëzim dhe bazë për filmin “Hije që mbeten pas”, e që skenariste është po autorja, Diana Çuli. Ah, sa gjë e shëmtuar, për ju Mustafa! Sado që grini lloqe me dëshirë apo me pagesë ti, dhe gjithë mustafenjtë e tjerë…
Notë:
*Shkrimi është një fragment nga parathënia e librit “Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në shtypin shqiptar”, të përgatitur nga ish i dënuari me vdekje, e mandej me 25 vite burg politik, Bedri Blloshmi (vëllai i poetit martir Vilson Blloshmit). Libri u botua në vitin 2019 nga “Klubi i poezisë”, me meritën e padiskutueshme të poetit e publicistit Rexhep Shahu dhe sponsorizimin e deputetit, humanistit, Flamur Hoxha. Gjatë këtyre pesë viteve nga botimi i librit, shumë mercenarë janë shpërblyer bujarisht nga diktatura e pinjojve komunistë. Ndër ta, edhe mercenarit të zellshëm, Mustafa Nano, iu hodh më në fund kocka e tij, të cilën po e lëpin i qetë si ambasador, në Bernë të Zvicrës.
Please follow and like us: