Albspirit

Media/News/Publishing

“Dashuria në kohёrat e kolerës” e Marques dhe një interpretim i tij me ndihmën e Freudit dhe Frommit

Dr. Iris Halili
“Dashurinё në kohёrat e kolerës” e kam lexuar për herë të parë andej nga viti 1992. Tre vite mё vonё, fillova të jap leksione tё letërsisë moderne në Fakultetin e Historisё dhe Filologjisё, në Universitetin e Tiranës. Vendosa ta fus në program studimi kёtё libёr e për gati dhjetё vjet ua kam shpjeguar studentëve me tё njёjtin pasion.
Këtu ndoshta do të doja të bëja një sqarim pasi, letërsia, sipas mendimit tim, nuk shpjegohet me formula tё ngurta e fikse. Fillimisht, ajo duhet ndier e, mё pas, duhet shpjeguar sa mё natyrshёm çka ndiem apo menduam. Në këtë proces tё gjatё analitik, marrin pjesё dhe ndёrthuren kaq shumë mendje e shpirtra. Sё pari, kёtu hyn kush e shkruan teksin letrar; pastaj, ai “dikushi”, që e ka frymëzuar e ndoshta ne s’do ta njohim kurrё; dukshёm na ndriçon edhe kush e përkthen; hyjmë të gjithë ne, lexuesit, me të gjitha pёrvojat dhe kujtimet tona; nё fund, të gjithë ata që nё mёnyrё tё drejtpёrdrejtё ose jo, dёgjojnё, lexojnё apo komentojnë njё tekst. Jemi tё gjithë sa të ndryshëm, aq edhe të veçantë, po na lidh diçka e pёrbashkёt: përpara teksit të autorit që, më shumë se na rrëfen, na bën të mendojmë, ndiejmë e përjetojmë njёsoj, falё asaj force që mund të ta japё vetëm letërsia.
Sikundёr për çdo kryevepër letrare, edhe për këtë roman, pёrpiqesha ta vendosja studentin në komunikim tё drejtpёrdrejtё me autorin. Nuk mё duheshin shpjegimet e lodhshme e cliché se çfarë kishte dashur të thoshte shkrimtari, apo tё tjera si kёto, po mё interesonte perceptimi i studentёve pёr ndёrtimin e karaktereve dhe kompozicionit tё veprёs. Po ne, si i pёrthyejmё mesazhet parësore apo dytësore tё librit?! E mbi të gjitha, çfarë mund të shohim përtej tyre? Ja, kёto ishin pyetjet qё mё ngacmonin.
Në dërrasën e zezё shkruaja fjalinë hyrёse:“Ishte e pashmangshme: era e bajameve të hidhura i kujtonte gjithmonë fatin e dashurive të penguara”. Dhe fjalinë e fundit:“Tërë jetën!”, tha ai.
U sqaroja studentëve se çdo mendim apo ndjesi që kishin ndeshur në katёrqind e shtatёdhjetё faqet e romanit, në fakt, e kanë të përmbedhur në këto dy fjali që, në mënyrën më metaforike, përcjellin edhe idenë kryesore. Sa mё shumë pengohej nё realizimin fizik tё dashurisë sё tij figura qёndrore, Fiorentino Arisa, aq më thellё zhytej ai në ndjenja. Sigmund Freud-i ka një teori të tërë për këtë fenomen shpirtëror. Pёrshkruhet dhe pёrmblidhet, pak a shumё, si forca e një instikti qё rritet me mosfunksionimin e tij.
Nuk marr përsipër të them se kam lexuar të gjithë librat e shkruar për dashurinë, po them që kam lexuar më të mëdhenjtë autorë të dashurisë apo mitet më të bukura pёr tё. Po nuk kam gjetur kurrё nё një tekst të vetëm letrar, apo jo letrar, qё të jenë përfshirë të gjitha format me të cilat mund të shfaqet dashuria, si te Marques-i. Te ky libёr i has tё gjitha mënyrat si mund të jetojë, tё vuajё, përtërihet, rikthehet, rilind, tё shuhet, apo tё vdesё dashuria. Në mitet antike, apo tek autorё tё mёdhenj si Dante, Shakespeare, Tolstoj, Čechov, Remarque, Cohelho, mendoj se kam gjetur edhe përshkrimet më të ndjera të dashurisё me të gjitha ngjyrimet e saj, por këto përshkrime kanë qenë të shpërndara në vepra të veçanta. Brenda një teksti të vetëm letrar përshkrimin e kaq shumё formave të dashurisë, më duket, se e gjejmë vetёm te Gabriel Garsia Marques dhe nё një ndër kryeveprat e tij, “Dashuria në kohёrat e kolerës”. Ndonëse në roman shumë personazhe vijnë, shkojnë, duhen, marrosen, çmenden dhe ndahen sikur të mos ishin njohur kurrë, një karakter qëndron stoik në dashurinë e tij dhe ky është Fiorentino Arisa, dashurori më interesant në historinë e letërsisë botërore.
Romani hapet me vdekjen e Doktor Huvenal Urbinos, bashkëshortit të Fermina Dasës. I pranishëm në ceremoninë mortore ёshtё edhe Fiorentino Arisa, qё teksa ngushëllon Ferminën, i thotë: “Kam gjysëm shekulli që e kam pritur këtë ditë, për t’u betuar edhe një herë për besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë në jetë të jetëve”.
Ishin fare të rinj kur, si ishin njohur, ashtu edhe ishin ndarë nga një dashuri marramëndëse ardhur si pasojё e “një kataklizmoje” ndjenjash të lindura nga “një vështrim i hedhur ashtu kot”, sikur ndodh rёndom në kësi rastesh. Ishte takimi i tyre i parё dhe i fundit. Si në të gjitha dashuritë e ndaluara, ata merreshin vesh me shenja, me deshifrime duarsh e shkruanin pafund letra tё fshehta që ia dёrgonin njёri- tjetrit. “Qëkurse u panë për herë të parë e derisa ai ia përsëriti vendosmërinë e tij gjysëm shekulli më pas, asnjëherë nuk kishin pasur rast të shiheshin vetëm për vetëm apo të flisnin për dashurinë”, thotё Marques-i. Në këtë raport platonik mes dy të rinjve autori mjeshtërisht sjell ndikimin e dy të afërmve të tyre. Pas Fiorentino Arisёs “fshihet” nёna. Ajo e mbron, e dёgjon, e kёshillon dhe e drejton kah kёsaj dashurie tё madhe. Nga psikoanaliza frojdiste dimë që nëna është figura më dominuese në jetën e njё burri. Ndёrkohë, pas Ferminës ishte halla që, po sipas psikoanalizës, është figura që bën lidhjen direkte mes vajzёs dhe të atit. Në të dyja rastet, kemi shfaqjen e kompleksit të Edipit tek Fiorentino dhe atё të Elektrës tek Fermina, si dhe përpjekjen e pavetëdijshme të dy të rinjve për t’u shkëputur prej këtyre komplekseve e pёr tё arritur maturinë e ndjenjave.
Fermina duket sikur është udhëhequr mё shumё prej kuriozitetit, mëshirёs apo keqardhjes qё i ngjall Fiorentinoja. Shumë gra bien në dashuri nga instikti i tyre i lindur për kujdes e mëmësi, instikt arkaik ky që mbizotёron tek ato në çdo shfaqje dashurie. Mirёpo kur halla e kupton kёtё “tendencë” tё Ferminës, tenton t’i japё njё kёshillё tё vlefshme: “…qё t’i njihte burrat mirё, duhej tё kishte jetuar gjatё…”. E me këtë donte t’i hapte sytё vajzёs të mos i besonte shumë viktimizimit tё Fiorentinos. Ky akt dashuror luhet rёndom nga gjinia mashkullore dhe njihet si një formë që burrat e përdorin shpesh në njё lidhje duke dashur ta konsiderojnë partneren si zëvendësuese të nёnёs. Gruaja, posi nёna, duhet tё kujdeset me pёrkushtim e dashuri, duke zёvendёsuar kёshtu, nё mёnyrё tё natyrshme, njё figurё madhore nё jetё, pa tё cilёn duket se s’bёhet dot.
Fermina mendonte se Fiorentionoja vuante nga sëmundja e dashurisë. Po kështu mendonde edhe nёna e tij. Vetë Markesi e përshkruan dashurinë si një sëmundje që kur të zë, s’ke shpёtim e zor se tё lёshon. Kështu, dashuria, e kishte sëmurё aq shumë Fiorentinon, sa të gjithë besuan se e kishte zënë kolera që po bënte kërdinë në ato kohë. Por doli që, me simptomat qё kishte, kolera e tij quhej dashuri.
I përfshirë kokё e kёmbё nga obsesioni që do e shoqëronte përgjatë gjithë jetës, Fiorentino i propozon pёr martesë Ferminës. Sërish kemi njё kёshillё tё hallёs: “Edhe sikur të jesh duke vdekur nga frika edhe sikur të të kthehet mendja më pas, sido që të jetë puna do të pendohesh tërë jetën po të thuash jo!”, i thotё ajo. Dhe halla duket se ka të drejtë, në punët e dashurisë më mirë tё thuash “po” se sa “jo”, edhe pse mund të pendohesh mё vonё. Kështu që vajza i përgjigjet pozitivisht Fiorentinos me anë të një letre. Ajo i shkruan:“Në rregull, po martohem me ju po të më premtoni se s’do të më jepni të ha kurrë patllëxhanё me zor”.
Doktor Freud-i na vjen sërish në ndihmë këtu për të interpretuar çfarë fshihet pas “objektit të veçantë”, patllёxhan, dhe pas këtij ne do të gjenim intepretimin e asaj frike apo makthi të Ferminёs ndaj mashkullorit të Fiorentinos. Duket sikur ajo, e frikёsuar, nё mёnyrё instiktive, kёrkon tё zёvendёsojё dashurinё me miqёsinё.
Në vazhdim të interpretimit të lidhjes së tyre platonike, po të sillnim në ndihmë Erich Fromm-in dhe përshkrimin që i bën ai kategorive të ndryshme të dashurisë te libri “Arti i tё dashuruarit”, do të thonim se Fermina ishte përfshirë nga një dashuri idilike që më shumë e bënte të fantazonte pёr atë çka donte tek objekti dashuror, sesa e gjente vërtetё tek ai. Po kështu, ajo ishte e zhytur thellë në një “dashuri sentimentale”, më shumë e dashuruar me dashurinë, sikur ndodh gjithmonë me dashurinë e parë. “Sot kur ju pashë, e kuptova se dashuria jonë s’qe vecse një vegim i kotë”, i shkruan ajo Fiorentinos nё njё çast kthjellimi. Sipas Fromm-it, në dashuritë sentimentale, objekti dashuror pranohet derisa raporti është më shumë idilik apo platonik, por në çastin kur marrëdhënia do të duhet t’i afrohet më shumë materializimit real, partneri nuk guxon të dalё nga ëndrra, nga fantasia apo irrealja dhe largohet pa kuptuar e këtu marrëdhënia shkëputet apo ndёpritet totalisht, nё mёnyrё tё çuditshme e tё pakuptimtё. Nga ana tjetër, edhe dashuria e Fiorentinos ёshtё sa idilike, aq edhe sentimentale, por ai është sërish në gjendje t’i kalojë këto faza dhe të përballojë vazhdimësinë e raportit me Ferminën, qё e refuzon atë dhe vendos të martohet me Doktor Urbinon.
I gjithё romani në vazhdim është histori pas historie dashurish të shumta të Fiorentinos, qё me çdo femër me të cilën bënte dashuri, dashurohej apo e bënte të dashurohej, duke kёrkuar përfytyrimin e një lidhjeje organike me dashurinë e tij të parë. Fiorentinoja pёrpiqej të riprodhonte në jetёn e tij, atë çast qё ndiqte pa ndërprerje në jetën e Ferminës. Ai kërkonte kopjen e saj në çdo grua që njihte, kërkonte ngjashmërinë e momenteve qё kalonte me tё tjerat, sikur tё ishte bashkё me Ferminёn. “Kishte qënë akoma shumё i ri për të ditur se kujtesa e zemrës i zhduk kujtimet e këqija dhe mrekullon të mirat dhe pikërisht në sajë të këtij marifeti në arrijmë të gëlltisim të kaluarën”. I kёtij mendimi ёshtё Doktor Urbinoja kur kthehet nga Parisi ku ndoqi edhe studimet, por mesa duket vlen edhe pёr Fiorentinon qё, nё jetёn e vet, s’e kaloi ndonjёherё tropikun dhe qytetin ku jetonte e vetmja dashuri e tij. I mbetur peng, ai kёrkon ta përjetёsojё kёtё dashuri tё parë nё çdo hap tё jetёs. Këtu sërish gjejmë interpretimin frojdist, sipas të cilit njeriu është i prirur tё kujtojë e tё kërkojë t’i përsëriten vetёm ato ndjesi e përvoja jetësore që i kanë dhënë kënaqësi, të tjerat, janё tё destinuara tё harrohen.
Fiorentino Arisa, nëse do të vazhdonim të përdornim gjuhën e Fromm-it, “nuk ra në dashuri” ai “mbeti në dashuri”. Përgjatë gjithë kohës ai vetëm jep dashuri. Ndonëse pas çdo imazhi ishte sublimimi për një grua të vetme, mund tё themi se ai i deshi të gjitha të tjerat duke u dhёnё atyre po aq shumё. Një ndër përkufizimet më të vlefshme për dashurinë e gjejmë sërish te Fromm-i. Sipas tij, karakteri i vërtetё i dashurisë është së pari dhënës dhe jo marrës. Dhënia është edhe më e kënaqshme se marrja, pasi në aktin e dhënies ka me tëpër shprehje të vetë jetës apo të qënurit gjallë. Të mos japësh është e dhembshme.
Megjithatë, heshturazi, ai kishte vendosur të mos lëndohej prej këtyre dashurive ashtu siç qe lënduar nga Fermina. Vazhdoi të jetonte pёr tё gjetur diçka tё ngjashme me dashurinё, po pa dashur tё provojё problemet e saj. Emocioni dhe vuajtja që i kishte shkaktuar dashuria për Ferminën, e kishte kthyer në një dashnor që shfaqte në çdo raport sa pasion aq edhe hakmarrje. I deshi të gjitha gratё, çmendurisht, por vetëm për aq kohë sa i kujtonin Ferminën dhe i braktiste kur nuk i ringjallnin mё kujtimin e saj. Padyshim që një analizё klinike do e cilësonte Fiorentino Arisёn si një maniak tё fiksuar pas objektit të tij dashuror që, sa mё shumë i largohej në kohë, aq më shumë rendte ta kërkonte apo mbante mbërthyer në mendje e zemër. Në jetën e tij, deri nё çastin kur Fermina mbeti e ve, regjistronte gjashtёqind e njёzet e dy dashuri të qëndrueshme, pa përmendur aventuarat kalimtare. Sa më shumë dashuronte apo bënte dashuri, aq më shumë e justifikonte veten sepse mendonte “se mund të dashurohesh me shumë gra në të njëjtën kohë dhe për të gjitha të vuash njëlloj pa tradhëtuar asnjërën… Zemra ka më tepër dhoma se një bordel”. Edhe sipas Erich Fromm-it, dashuria nuk është së pari relacion i një njeriu të veçantë; ajo është një sjellje, një orientim i karakterit i cili e shikon apo përcakton lidhjen me personin si me botën si të tërë. Pikërisht për këtë diku Marques-i shprehet: “Hildebranda (kushërirë e Ferminës) kishte një konceptim universal për dashurinë dhe mendonte se çdo gjë që i ndodhte një dashurie, kjo cënonte të gjitha dashuritë e botës”. Marques-i e konsideron “dashurinë si një talent universal”, ndaj dhe i përshkruan personazhet e tij si mbitalente të kësaj ndjenje kaq njerёzore.
Fermina ndonëse e donte të shoqin, gjatё viteve tё jetës e pjekurisë, kishte mësuar se “Problemi i jetës shoqërore është të mësosh të sundosh frikën, ndërsa problemi i jetёs bashkëshortore është të mësosh të sundosh mërzinë”. Dikur i shoqi, Doktor Urbino i pati thënë:“Mbaje mend një herë e mirë se gjëja më e rëndësishme në jetën bashkёshortore nuk është lumturia por stabiliteti”. Jeta në forma të ndryshme, shtyrë sa nga fati apo zgjedhjet personale, u kishte mësuar të gjithёve se “asgjë nuk është më e vështirë në këtë botë sesa dashuria” dhe “dashuria e tepërt të bën keq, njëlloj sikur dashuria e mangёt”.
Kështu, atë ditë, Fiorentino Arisa me guximin që e karakterizonte, mori rrugën të ngushëllonte Ferminën e, më në fund, të fliste me të pas një gjysmë shekulli pritjeje, dashurie e njёqind e tridhjetё e dy letrash mbetur pa përgjigje. Ishte i bindur se ishte çasti i duhur. “Dashuria bëhet edhe më e madhe dhe më fisnike në fatkeqësi”, mendon ai. Por Fermina sërish e përzё pse ndihet e fyer, ai burrё po i afronte dashuri, ndërkohë qё ishte në zi pёr njё tjetёr burrё. Fiorentinoja me aftësinë e tij të hatashme për të fantazuar, mendoi se ndoshta kjo mospërfillje ishte një mjeshtri për të maskuar brengën e dashurisë. U deshën do kohë derisa ajo tё ndihej sërish e vetmuar dhe si çdo grua që e frikëson vetmia, vendosi të lidhё fatin me atё tё Fiorentinos. Që prej asaj here, ai shkonte ta takonte çdo të martë, me një trëndafil të bardhë në dorë, edhe pse kjo lule s’i thoshte gjë. Por trëndafilat e kuq kishte frikё se mos e fyenin njё grua tё sapombetur vejushё. Edukata e tij e rafinuar i thoshte se trёndafili i verdhë sillte lumturi, ndёrsa nё kulturёn popullore kjo ngjyrё ndillte xhelozi, kёshtu qё ai vendosi tё ishte i kujdesshёm me shenjat qё jepte. Fillon takimet me Ferminën në një raport të largёt e tё trishtё. “Së bashku kishin përjetuar aq gjëra, sa për të kuptuar se dashuria ishte dashuri në çdo kohë dhe në çdo vend, por sa më pranë vdekjes të ndodhej, aq më e fuqishme bëhej… pasi më tepёr se vdekja ishte jeta ajo që nuk njihte kufij!”. Ai kishte jetuar çdo minutë të jetës me këtë mendim dhe kishte pritur pesёdhjetё e tre vjet, shtatё muaj e njёmbёdhjetё ditë për të qënë sërish bashkë. Dhe forcёn e kishte gjetur te porosia e sё ёmёs qё gjithmonё i kishte thёnё se pёr tё dobtit s’kishte vend nё mbretёrinё e dashurisё, qё ashtu e pamёshirmshme dhe meskine siç ishte, tё treste kockat e ta merrte frymёn. Gjatё gjithë kohës, ai kurrë nuk e humbi besimin se, dashurinë që dikur i ishte mohuar, do ta rifitonte një ditë. Nuk iu frikësua asnjë hapi që e shtynte të “qëndronte” virtualisht me të. Thotë Erich Fromm-i se dashuria është një akt besimi dhe të kesh besim është një akt guximi, është aftësia për të përballuar rrezikun, apo provuar zhgënjimin, dhembjen, vuajtjen. Mandej, po aty, thotё: “Që tё tё duan e qё të duash nevojitet burrёri, burrёri qё t’u japёsh disa vlerave njё rёndёsi tё veçantё qё i kalon tё gjitha tё tjerat dhe t’i vёsh kёto vlera para çdo gjёje”.
“Besnikëria e re” quhej anija ku ata vendosën të celebrojnë dashurinë e tyre. “Fermina Dasa nuk donte ta besonte se ai emër, që ishte aq kuptimplotë për ata tё dy, të ishte vërtet një rastësi historike dhe jo një shpikje e re e romantizmit kronik të Fiorentiono Arisës”. Kjo dashuri pavarësisht se e ndryshme tek të dy në përmasë apo formë, i shoqëroi “tërë jetën”, si tё thuash, mbeti edhe hapja edhe mbyllja e dashurive të jetës së tyre. Sipas Fromm-it: “Dashuria është e mundur vetëm kur dy veta shoqёrohen nё nivelin mё tё thellё tё ekzistencёs e pastaj secili prej tyre e pёrjeton veten nё kёtё nivel.Vetëm kёtu, në këtë pёrjetim tё thellё, ndodhet realiteti njerёzor dhe themeli i i dashurisё…Ekziston vetёm njё provё e pranisё sё dashurisё. Ajo ёshtё thellёsia e marrёdhёnieve reciproke, gёzimi jetёsor dhe fuqia e secilit prej tyre”.
Në letërsinë e përbotshme ka shumë tekste letrare që ndoshta “të pёrpijnё” shumë më teper se ky roman, por depërtimi i thellë dhe analitik që autori i bën karaktereve dhe, mbi të gjitha, përshkrimi që ai i bën shumë formave që merr dashuria, i jep këtij romani një shkallë tjetër vlerësimi dhe e përcakton atë si një tekst letrar gati unikal me një personazh ikonik nga ata që hyjnë në universin letrar për të mos dalë më kurrë. Brenda një teksti të vetëm letrar ky roman përcjell përcaktimet më të shumta (metaforike dhe jo vetëm) mbi dashurinë. Pikërisht kjo është edhe një arsye pse romani “Dashuria në kohёrat e kolerës” na vjen edhe si një manual që na rrëfen sa shumë forma mund të marrë dashuria. Ai na bën të kuptojmë sa e vërtetё është teoria e Erich Fromm-it, i cili thotё: “Ёshtё bёrё zakon tё mendohet se tё dashurosh ёshtё diçka e thjeshtё, kurse tё gjesh ndonjё objekt tё denjё pёr tё dashuruar- ose tё tё dashurojnё,- ёshtё vertetё shumё e vёshtirё”. Ndёrsa Čechov-i shkon mё tej kur pohon se ka njerёz qё vdesin pa dashuruar fare. Dhe kёshtu i hap udhёn njeriut tё sotёm qё, sipas Fromm-it, ёshtё kthyer nё fabrikat. “Qё nga lindja e deri në vdekje, nga e hëna deri të hënën tjetёr, nga mëngjesi deri nё mbrёmje, tё gjitha veprimet janё tё programuara dhe kryhen si njё rregull qё ёshtё bёrё zakon”, thotё ai.
Do të ndalesha këtu edhe tek kompozicioni i romanit që në fakt vështirëson sidomos receptimin në fillim të leximit. Në strukturë romani ka një kompozicion që i shkon për fill të gjithë rrjedhës emocionale të karakterit kryesor. Hapja dhe mbyllja përcaktohen me të njëjtën ngjarje, vdekjen e bashkëshortit të Ferminës, Doktor Urbinos, dhe kjo pasi në jetën e Fiorentinos ky moment do të mbetej edhe dëshira më e madhe që do e rilidhte me Ferminën. Ta shihte të ve, kishte qënë dёshira e heshtur e Fiorentinos që nё ditën e parë të martesës së saj, ditë kur ai u betua se do të mbetej i virgjër për të dhe do ta priste derisa të rilidheshin e të plakeshin sё bashku. Po atë ditë ai shkoi me vejushën Nazaret, dhe hapi kështu siparin e dashurive me kaq e aq vejusha që, qё të gjitha, sublimonin mendimin ndoshta të pavetëdijshёm tё Fiorentinos, pёr tё patur, herёt a vonё, tё vetmen vejushё qё i interesonte, Ferminёn. Nëse do të respektohej kronika lineare e ngjarjeve, momenti i vdekjes së Urbinos do të ishte në fund të romanit. Ky lloj kompozicioni njihet si kompozicion kornizë apo unazë, pasi fundi vjen në fillim dhe kronologjia ndërthuret dhe në vazhdim ngjarjet rrëfehen herë në zhvillim kronologjik e herë në të kundërt, por gjithmonë brenda një funksioni, që ka si synim të rrefejë si rritet, jeton dhe zhvillohet dashuria e Fiorentinos. Kjo metodë kompozicionale është shumë e njohur sidomos në letërsinë bashkëkohore, postmoderne, por duhet theksuar se në kohën kur e aplikoi Marques-i kjo ishte një risi dhe nuk ishte përdorur rëndom mё parё. Ai i takon shkollës realiste, që për t’u dalluar nga pjesa tjetër e letërsisë realiste dhe meqё i merrte ngjarjet vetëm nga Amerika Latine, e mori emrin “realizëm magjik”. U quajt kёshtu sepse shumë krijime të Marques-it apo autorëve te tjerë, e merrnin frymëzimin nga magjia e miteve vendase. Vetëm kur përfundon romanin lexuesi është në gjendje të kuptojë qëllimin e këtij lloj kompozicioni, që nё fakt është i vështirë pasi e bën tё mendojё, tё analizojё, tё komunikojё me veten. Kjo e bën atë t’i kthehet faqeve të lexuara më shumë se një herë, apo t’i kthehet dhe vetë leximit të romanit më shumё se një herë.
Së fundmi, është për t’u shënuar sa mjeshtërisht Marques-i i ka ndёrthurur brenda një teksti të vetëm letrar, bashkë dhe pandashmërisht, jetën edhe vdekjen, si dy pika lidhëse të asaj që e njohim si jetë. Autori i jep vdekjes tragjizmin dhe madhështinë që e karakterizon. Pothuaj të gjitha karakteret vdesin nga dashuria, për dashurinë, si mungesë e saj apo edhe si për ta bërë të mundur dashurinë për dikë tjetër që e duan po kaq shumë, të gjithë në një formulë të çudishme që vetëm një penë si e tij mund t’i ndërthurë në ngjarje që vijojnë, apo tё mbivendosen me njёra-tjetrën. Fiorentinoja ёshtё i bindur se dashuria ёshtё rruga. S’ka lavdi më të madhe se të vdesësh nga dashuria”, thotё ai i habitur qё të njëjtin parim e kishte gjetur edhe tek shënimet e trashëguara nga i ati. “Nuk kam keq të vdes, por trembem se mos nuk vdes nga dashuria”, vjen zёri i panjohur, tashmё i vdekur, i tё atit.
Romani “Dashuria në kohёrat e kolerës”, është një roman për dashurinë, ndoshta më shumë se kaq. Ai e himnizon dashurinë me të gjitha ngjyresat e saj. Nëse do të mёsosh më shumë për dashurinë, ki durimin dhe lexo këtë roman. Dhe sikundёr ndodh me dashurinë e vërtetё, pasi ta duash këtë libër, do t’i kthehesh gjithmonë në çdo fazë të jetës. Autori e mbyll: “Dashuria është një gjëndje e bekuar e cila nuk është mjet për ndonjë qëllim, por është zanafillë dhe qëllim njëherit… ajo nga mesi e sipër është dashuri shpirtërore dhe nga mesi e poshtë është dashuri trupore”.
“Pa dashuri, njerёzimi nuk do tё mund të ekzistonte asnjë ditë”, del nё njё pёrfundim prej humanisti, Erich Fromm.
Nё mbyllje, do tё thosha se shpresoj shumё që ky libёr jo i zakontё, t’ju mbërthejë e t’ju bëjë të mendoni gjatë, si dikur studentët e mi.
Please follow and like us: