Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: 100 VJET PËRPARA FLET AT GJERGJ FISHTA!

1924, AT GJERGJ FISHTA N’ AMERIKË, dhe çështja e përparimit në Shqipni.

(Dokumenti i pabotuem origjinal asht në Arkivin e Shtetit Tiranë).

 

Janë tre muej që At Gjergj Fishta O.F.M., Françeskan dhe Deputet në Këshillin Kombtar, gjindet n’Amerikë, e shumë kush ndër shqiptarë të ktushëm, qi ende s’kanë pasë rasë me u pjekë me të, janë interesue të dijnë qëllimin e t’ardhunit të tij në Botën e rè – n’Amerikë.

At Fishta i trembej coptimit të trojeve shqiptare, simbas interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyne dhe jo për të mirën e shqiptarëve.

Edhe ne të redaksisë së “Diellit” na ka ra me kenë të pvetun mbi këtë çështje; prandej, tue u ndollë në këto ditë At Gjergj Fishta këtu në Boston: Mbasi edhe ndjesi miqsore të kahershme e një mori idealesh kulture e përparimi e lidhin me Kryetarin e Federatës “Vatra”, z. Faik Konitzën: Muermë rasën, një ditë që edhe në redaksinë tonë, ta pyesim familjarisht, se: Cili ishte qëllimi, qi e kishte sjellë e prue këtu në kët dhé?

E qe se shka na u përgjegjë Deputeti i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroi njëherë ma përpara, se s’kishte kurrnjë misjon zyrtar prej anës së Qeverisë s’onë Shqiptare:

“- Po m’vjen fort mirë, na tha, që po ma lypni këtë fjalë, pse kështu tash po m’bjenë rasa t’ju flas edhé mbi do çështje, që âsht mirë t’i dijnë Shqiptarët e Amerikës e sidomos, të Federatës “Vatra”.”

 

Fjala e At Gjergj Fishtës

 

“Shqipnija, si dihet, sot âsht e lirë. Shka para këtyne pêsmëdhetë vjetve për né do t’ishte kênë tepër andërr me e pasë pa, sot po e shofim të realizueme. Na sot kemi një Parlament t’onin, një Qeveri t’onën e një Këshill të Naltë Regjencet, që përvetson në vedi sovranitetin dhe pamvarsinë e Popullit Shqiptar. E as nuk ka ma turqë në Shqipni, as grekë, as serbë, as italjanë: Ká vetëm Shqiptarë të lirë! Triumfi i idealit t’onë – I Françeskanve të Shqipnisë. Të tanë kombi e di, po, se me sa ndërgjegje Françeskântë Shqiptarë janë mundue t’a kryejnë detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë aktive ndër të gjitha levizjet kombtare për lirinë e Atdheut.

Ende qet avull gjaku i Françeskanit Shqiptar atjé në Kosovë, qi nëper bajoneta të sllavit ju ba flij Atdheut! Por liria e pamvarsia e një shtetit ndër kombe të qytetnueme nuk janë për këta, që ndonjë njeri ase ndonjë kastë e shtetit mund të losë me fatin e popullit si të duen, pa kontroll të tjerve; shka ndollë ndër shtete autokrate e despotike sidomos kombet barbare: Por për t’i sjellë të marën popullit, tuj e bamë me perparue materjalisht e moralisht. Prandej, tue kenë se e mara e përparimi i një populli rrjedhin prej gjejes së tij ekonomike e prej shkallës së zhvillimit të mendjes së tij, merret vesht mirë fillit, se prej një populli të qytetnuem, posë se i lirë politikisht, lypet që ai të jetë i lirë edhe ekonomikisht, e që qytetasit e tij të ndollin në një shkallë kulture të mjaftueshme, për me dijtë me krye detyrat me ndërgjegje e me përdorue tagret me kohë, me vend, me mënyrë; si edhe me pasë aq zotsi, sa me u ba ballë si duhet e sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemit e të cilave rrin përparimi i popujve të qytetnuem. Si shifet, prá, prej shkallës së kulturës së një populli mvaret e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjithë përparimi i tij.

Tash unë po pyes Zotnin t’uej; Populli Shqiptar, që sot politikisht asht i lirë e i pamvarun, a ka një shkallë kulture aq të naltë sa me i kuptue si duhet e sa duhet detyrat e veta?

Puna e tij a prodhon aq sa lypet për me jetue mirë e pa u ba ky robi i huej ekonomikisht? N’ atë shkallë kulture, n’të cilën gjindet sot shqiptari a asht pernjimend i zoti  të përparojë? Kur të vemë oroe, se sot për sot në Shqipni, pa kenë caktue ende kufijtë e sajë e tue u dijtë, se pa një Qeveri të vendasve shteti s’mund të ketë kredi përjashta e me vue oroe, po tham, se në pesë javë mund të ndrrohen pesë Ministri: se shqiptarët, të cilët përpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta – çeta e jo, si motit, për pikë nderit a erzit, por për katër kamë të “kolltukut” të njanit a të tjetrit Ministër a Deputet të kombit: Bakajt, hamajt, matrapazat, teneqexhi, kallajxhi, analfabetë gjithfarësh, mund të venë synin me u ngjitë ndër zyret edhe ma të naltat e Shtetit: se ushtria e jonë – mbrojtja e jetës kombtare – mund të lëshohet ndër duer oficierash, qi, para këtyne dhetë vjetve kanë vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqiptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare; se ndër zyrë të financave tona mund t’u jepet punë edhe atyne mehmurve, qi kohën e kalueme kanë mujtë të jenë teja, a ma mirë me thanë, rrënimi i financave të një Shteti të huej: Kështu edhe kur të merret parasysh, se edhe sot Shqiptari, me gjithë liri e pamvarsi të veten, han bukë thatë e bishta purrijsh, si perpara: Se Qeverija s’ka kenë e zoja as me çilë kund një pash rrugë të re, as me meremetue kund një pash aso rrugash, që na i lanë ushtritë e hueja: se taksa daganore mund të mos vehet mbas interresave të gjalla të kombit, due me thânë, mbas peprarimit të bujqësisë, të tregtisë, t’indrustrisë e mbas natyret të perpjekunave tona me Shtete të hueja, por mbas nevojës së kashës së Financave, sa per të mbajtë në kamë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej, mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojave të Shtetit, sa mbas numurit të kushrijve, miqve e të dashamirve të ministrave e të nëpunsave të naltë të tyne, mjerisht duhet me thanë, se Populli Shqiptar s’ká as kuptimin e as ndergjegjen e vertetë të lirisë politike individuale e kolektive; s’ká zotsinë e mjaftueshme, per me mbajtë pamvarsinë ekonomike të veten, e se prandej, as gjindet në një shkallë kulture aq të naltë, sa me sigurue perparimin e vet, pa të cilat veti një popull as mund të jetojë e as s’duhet të jetojë si shtet i pamvarun.

Atëherë, mbas fjalve të Zotnisë s’Uej, i thame Deputetit të Shkodrës, Populli Shqiptar as mujka me jetue, as u dashka që të jetojë i pamvarun?

 – Un nuk e thashë ketë fjalë, na u pergjegjë; por fundi aty del.

Si janë njerzit e punët në Shqipni, sot për sot kurrkush s’ja shef hajrin pamvarsisë së Shtetit Shqiptar, përposë zyrtarësh e parlamentarësh. E po, a për të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmijë zyrtarë, të cilët, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzit e punët në Shqipni, mund do t’ ishin edhe asish, që kanë mujtë me vra njerëz me parë: që kanë mujtë me vra bujqit per t’ju pushtue tokën: që kanë pushtue tokët “miris”; që per interesa të veta, per një “qifllik”, per një “titull”, do t’ishin gati të pshtyejnë n’Atdhe e n’ndijesitë ma shejta të jetës: vetëm për me mbrojtë, po thom, me rroga àr këta tri a katër mijë zyrtarë, Populli Shqiptar do të livroj tokën, do të bajnë tregun, do të punojnë zanatin, do të marrë shtegun e të kalojë mal e dèt’ e të vijë n’Amerikë, të rreshket me natë e ditë në zjarm të fabrikave!

Një pamvarësi këso dore mund të hyjnë në punë, ndoshta, në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni!

Po s’përparoj Populli Shqiptar moralisht e materjalisht, ne pamvarsija s’na duhet asgja. Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Këshill’ i Naltë e s’di shka tjetër s’mund të kenë farë kuptimit për ne, deri që populli mos të vehet n’at shej vendit që të perparojë; janë një lojë fjalësh, per të mbajtë popullin n’errsinë per dobi të do njerzve që kuptojnë Qeveri, por jo Atdhé.

E ndoshta, shi per ketë punë i ngrati Populli Shqyptar, megjithse paguen tash dy vjet shtadhetëenandë Deputetë, s’ka ende një statut, s’ka ende një formë politike të caktueme të shtetit të vet, e asht i ngushtuem të mbahet per një ligjë ibride qi s’ asht ekspresjoni i shpirtit të tij e që kurrsesi s’mund të përkojnë me nevojat t’jetës së qytetnueme të sotme.

Por, në tjeter anë, kur të vemë oroe ushtarët Shqiptar, të cilltë, për kah dishiplina, per kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime, mund të përcaktohen me ushtar t’ushtrive ma të para t’ Europës:

Kur të vemë oroe oficerat e rìj të tonët (pa)ndërlikim besimit që, janë rritë me ndijesi kombtare e ushtrue nen dishiplinë të shkollave ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kanë zanat, janë gati të bajnë flij per të mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shtëpijat e fshatet e veta: kur të venë n’oroe prap zyrtarët e rij tonë, që edhe këta rritë me ndijesi kombtare e frymzue me dashtni Atdhetare, jo vetëm që kanë kompetencën e punës, por edhe kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderen e zyreve adminstrative: e sidomos, kur të marrin parasyshë ndigjesën e popullit, që ban, sado që dron se djersa e tij derdhet kot nepër mejhana sidomos, të Tiranës, e nep djelmët e vet ushtarë, sado që shef se s’po i mbesin perballë t’anmikut në kufi t’Atdheut, por ferrave e shkurreve mbrenda Shqipnijet përballë të vllazenve të vet, tue luftue per shkas t’ambicjoneve të poshtme të do zyrtarve, që janë ba “shqiptar” qyshëse kanë dalë rrogat àr e që kanë kenë, janë e kanë me kenë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbarisë azjatike: pse ujku ndron qymen, por jo vesin: tuj marrë parasyshë, po thonë këto fakte, do të thonë edhe që Populli Shqiptar jo veç, se mund të jetojë, por se do të jetojë i Pamvarun. Gjallnija e shpirtit Shqiptar asht veshkë e jo tha: e kanë veshkë mentalitetet e hueja, që, si bimë parasitë në një landë, janë shartue në tê perdhuni; prandej, po mujtem na me i krekcue me kohë këto mentalitete t’hueja–këto gallica parasite t’shpirtit Shqiptar, pamvarsija, sovraniteti e jeta kombtare e Popullit Shqiptar janë të sigurueme pergjithmonë.

 Jemi kryekput një mendimit me Ju “Uratë”; por si thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e Popullit Shqiptar prej mentaliteteve të hueja, para se të na i përtrihet ndonjë rrezik jetës sonë kombtare e politike? E pvetëm atëherë At Gjergj Fishtën, i cili na u pergjegjë këso dore:

 

– Mbas mendimit tem kishe me thanë, se puna ma e parë që do të bajnë Shqiptarët, për me pshtue kombin prej rrezikut, qi i kërcnohet për shkak të ndryshimit të mentaliteteve asht ky: Mos me lanë të kenë dorë në Qeveri e n’adminstratë të gjithë ata Shqiptarë qi kanë kenë edukue mbas mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë këto tre qytete tri qendra të daluna mifshliz, këto s’kanë zotsinë t’a rrisin menden e nierit mbas ekzigjencave të kohve e të vendit, por vetëm mbas andrravet të një lumnisë së kalueme: prandej kultura e këtyne qytetasve s’ka mujtë të formoj qytetas me ndijesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kanë trajtue, individë të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit patën krijue këto tri kultura, aq sa me mrrijtë me u quejtë me emna të tyne e me lakmue me u ba robt’ e tyne”.

 —————-

Shënim F.R.: Dokumenti origjinal i përket vitit 1924. Plot 100 vjet perpara!

Pyetni veten: Po sot, në 2024, ku jemi?!

Melbourne, 24 Shkurt  2024.

Please follow and like us: