Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Të hapen dosjet!

Në një aktivitet për 33-vjetorin e rrëzimit të shtatores të Enver Hoxhës, kryedemokrati Lulzim Basha u bëri thirrje institucioneve, përfshirë këtu edhe Autoritetit të Dosjeve, që të hapen këto dosje, pasi sipas tij është jetike jo vetëm për transparencën, por edhe për sigurinë kombëtare. “Thirrja ime në emër të PD, shumë shpejt edhe kërkesa do jetë ekspozimi i plotë i agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri”, tha Basha.

Të gjithë jemi për transparencën, për të vërtetën.

Në qoftë se ka dosje dhe fakte në asnjë mënyrë ne nuk duam as t’i fshehim e as t’i manipulojmë, në asnjë mënyrë jo! Megjithatë natyrshëm shtrohet pyetja:

Përse Lulëzim Basha kujtohet tani, pikërisht në ditën e manifestimit të opozitës së bashkuar (pa Lulëzim Bashën) për hapjen e dosjeve?

Përse nuk u kujtua më parë?

Nuk do të kishim shkruar për këtë çështje sikur të mos kishim dëgjuar në një emision komentin e një të njohurit tonë të vjetër, ish deputet i Partisë Demokratike për Pogradecin. Ky person mundohej të na bindte se Sali Berisha ka qënë agjent i UDB-së.

Gjithashtu na deklaronte se kjo kërkesë e Lulëzim Bashës është një diçka madhështore, etj, etj, dhe insistonte se dosjet duhen hapur medoemos.

Në qoftë se Sali Berisha ka qenë agjent i UDB-së kjo e vërtetë duhet të dalë! Faktet nuk duhen fshehur në asnjë mënyrë! Për këtë nuk ka dyshim apo kompromise! Megjithatë, na  kujtohet se pikërisht ky person, që sot akuzon Berishën, dikur ka qënë bashkëpuntori i tij i afërt, ish deputet i PD për Pogradecin. Për më tepër, pikërisht ky person, në kohën e trazirave në Pogradec, bëri të pamundurën që të shkatërrohej zona industriale e Pogradecit. Pikërisht ky ish deputet i PD ju bërtiste të rinjve: “Digjni, vidhni, shkatërroni! Të shkatërrohet gjithçka”!

Po të doni, ejani të shkojmë që tani të gjejmë jo një, po dhjetra persona që kanë qënë dëshmitarë të këtij fakti. Megjithatë ky person sot insiston të hapen dosjet. Me sa duket është i sigurt se emri i tij nuk do të dalë….

Para disa vitesh më duhej të blinja një sobë në Pogradec. Ironia ishte se pikërisht në ish-zonën, industriale të Pogradecit, në ndërtesat ku ende shihen gjurmët e zjarrit dhe të shkatërrimit, shiteshin sobat e drurit të prodhuara në Sërbi. Sobat që prodhonte dikur ndërmarja NPN e Pogradecit ishin të një cilësie më të lartë se sobat e druve të prodhuara në Sërbi, por tani ish ndërmarja NPN ekziston, kështu nga halli u detyrova të ble një sobë sërbe. Pavarësisht se dosjet nuk ishin hapur, e “falenderova” Sali Berishën pasi ai, dashur pa dashur nuk e faktoj dot; kish dhënë  kontributin e tij për shkatërrimin e zonës industriale të Pogradecit. Po ama para së gjithash falenderova  ish-deputetin e PD pasi ai ishte luftëtar i vijës së parë që solli shkatërrimin. Ai bërtiste atë ditë : “Digjni, vidhi, shkatërroni!” Ky është një fakt që e di gjithë Pogradeci dhe për këtë ne nuk kemi nevojë të hapim dosjet. Me sa duket po të hapim dosjet, ky fakt nuk do të jetë i dokumentuar.

Cili është qëllimi i vërtetë i Lulëzim Bashës: “Transparenca, ekspozimi i plotë i agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri”, apo është një pretekst që na kërkon të mbyllim sytë para ujkut që kemi çdo ditë para syve dhe të ndjekim gjurmët e dosjeve të së kakuarës?

Githashtu natyrshëm shtrohen pyetjet:

A mund të gjejmë në dosjet gjithçka?

A mund të na dalin dosje të manipuluara?

A do të mund të gjindet dot një dosje për Edi Ramën?

Për Edi Ramën në shtypin Evropian janë dhënë komentet se ai ka bërë më tepër për të realizuar projektin e “Serbisë së madhe” sesa vetë Pashiçi”.

Edhe sot ndërsa ka ndërprerë funksioni e tij si avokat i politikës së jashtme të vëllait të tij Vuçiç, në planin e brendshëm po punon me të gjitha forcat për shkatërrimin e bujqve dhe blektorëve shqiptarë si dhe për realizimin e gjithçkaje tjetër që ndihmon interesat e Sërbisë. Këtë realitet e shohim përditë. Këto janë faktet.

Çfarë i shërben sot më tepër interesave të kombit:

Analizimi i fakteve të dosjeve të hapura të realitetit të përditshëm apo nisja e diskutimeve pa fund rreth dosjeve të së kaluarës. Dhe të mos harrojmë dhe një fakt: Sërbia ka shumë përvojë në krijimin e dosjeve fiktive. Sa dosje të fabrikuara në Sërbi do të na dalin e të propagandohen si dosje autentike?

Po analistët tanë ‘të shquar’ si Baton Haxhiu, etj, sa do të na ndihmojnë ata me komentet e analizat e tyre?

Në bazë të “fakteve” të dosjeve të Sërbisë po zhvillohet sot në Hagë gjykimi kundër Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë të UÇK. Ditë, muaj vite po kalojnë me hetime, procese, pyetje dëshmitarësh pa fund ndërkohë që kriminelët e vërtetë si Aleksandër Vuçiç qëndrojnë në pushtet. A ka mundësi që e njëjta gjë të synohet të arrihet me propozimin e Lulëzim Bashës?

Please follow and like us: