Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Nastradini si një lider politik i kohës sonë

 

Nga cikli “Urtësia e shekujve”

Një burrë vajti tek Nastradini për një hall që kishte dhe i tha: “O Nastradin! Unë, ime shoqe, gjashtë fëmijët tanë, prindërit e mi dhe vjehra jetojmë në një dhomë të vetme. Çfarë më këshillon të bëj se po çmendem”.

Nastradini i tha: ”Shko në pazar, bli një gomar, fute të jetojë me ju në të njëjtën dhomë dhe hajde tek unë pas dy ditësh”.

Dy ditë më pas, burri u kthye dhe i tha: ”Nastradin bej, gjendja është e rëndë. Aroma dhe pëllitjet e gomarit nuk durohen”.

Nastradini i tha: “Tani do të blesh një dash dhe do ta futësh në dhomë me ju, pastaj do vish përsëri pas dy ditësh”.

Burri u kthye me fytyrë të zbehtë pas dy ditësh dhe i tha: ”Gjendja është bërë e padurueshme”.

Nastradini: “Tani do marrësh një pulë dhe do vish tek unë pas dy ditësh”.

Burri, i demoralizuar u kthye pas dy ditësh dhe i tha: “Jam gati të vetvritem”.

Nastradini i tha: ”Tani, do marrësh gomarin dhe do ta shesësh, mandej do vish pas dy ditësh tek unë”.

Burri erdhi dhe i tha: “Gjërat kanë filluar të përmirësohen paksa”.

Nastradini iu përgjigj: “Shumë mirë, tani shko dhe hiq dashin”.

Pas dy ditësh burri u kthye dhe i tha: “Situata është shumë e stabilizuar”.

Nastradini buzëqeshi dhe tha: “Tani shko dhe hiq pulën”.

U kthye burri i çelur në fytyrë dhe duke buzëqeshur i tha: “O Zot sa mirë jemi, Nastradin efendi. Të jemi mirënjohës”!

A nuk i ngjajnë Nastradinit të fuqishmit e politikës së botës që jetojmë apo edhe qeveritë anekënd globit?

Ata krijojnë probleme dhe kriza të reja, me qëllim që t’i harrojmë ato të vjetrat, kështu, jo vetëm që i harrojmë, por edhe u jemi mirënjohës dhe ndihemi të lehtësuar kur zgjidhin ndonjë nga krizat e krijuara prej tyre.

Please follow and like us: