Albspirit

Media/News/Publishing

Carl Bildt: Një ditë Rusia do ta nderojë Alexei Navalny

Mund të mos e dimë kurrë saktësisht se si dhe pse  vdiq në koloninë e largët penale të Arktikut, ku ai u transferua pas dënimit të tij. Komunikata që zyrtarët rusë lëshuan brenda dy minutave nga koha e raportuar e vdekjes së liderit popullor të opozitës, nuk do të besohet kurrë dhe vonesa në dorëzimin e trupit të tij te nëna e tij thjesht i shton dyshimet.

Megjithatë, mund të themi me siguri se po të mos ishte Kremlini, Navalny sot do të ishte gjallë. Pasi u përpoq ta vriste atë me një agjent nervor të sofistikuar disa vite më parë, regjimi i presidentit  e kishte çuar atë në burgje gjithnjë e më brutale. Me Rusinë që mban “zgjedhje” presidenciale këtë vit, duket se Navalny u konsiderua shumë i rrezikshëm për ta mbajtur gjallë.

Për herë të parë e takova Navalny-n në fillim të vitit 2011, kur u ftova për të folur në një konferencë në Moskë në nder të kujtimit të Andrei Sakharov, babait të bombës me hidrogjen, i cili më pas u bë një eksponent i opozitës liberale në epokën e vonë sovjetike. Në fakt, Navalny ishte një nga arsyet kryesore pse bëra udhëtimin. Ai kishte filluar të bënte emër dhe ramë dakord të hanim një mëngjes bashkë që u kthye në një bisedë të gjatë.

Ndërsa brezi i vjetër disident e kishte luftuar regjimin sovjetik me stilolapsa dhe fjalë, Navalny përfaqësonte diçka ndryshe dhe të re. Ai bëri përpjekje të mëdha për të zbuluar korrupsionin dhe pasurinë e elitës në pushtet, më pas i përdori ato zbulime për të mobilizuar zemërimin popullor kundër një regjimi që jo vetëm po çimentonte fuqinë e tij, por edhe po pasurohej në mënyrë të pafytyrë. Metodat e tij ishin ato të një kontabilisti apo avokati: përmbledhja e fakteve, ndjekja e parave, ekspozimi i skemave dhe gjurmimi i rrjeteve të korrupsionit.

Disa nga qarqet e vjetra opozitare e shihnin atë me dyshim. Metodat e tyre nuk ishin aspak si të tijat dhe ato kurrë nuk përputheshin me aftësinë e tij për të mobilizuar një pjesë kaq të gjerë të popullsisë. Por, duke dëgjuar vendosmërinë dhe strategjinë e tij, e kisha të qartë se ai kishte aftësitë e një lideri të ardhshëm.

Ne u takuam vetëm disa herë të tjera në vitet që pasuan. Ai nuk ishte lloji i njeriut që frekuentonte konferencat ndërkombëtare apo tubimet diplomatike. Jeta e tij kalohej duke frymëzuar njerëzit dhe duke bërë organizime në të gjithë vendin e tij. Këto përpjekje u shoqëruan me periudha në burg për akuza të sajuara. Por edhe atëherë, ai e shfrytëzoi kohën e tij, sharmin dhe fuqinë e tij bindëse për t’i afruar rojet e burgut pranë pikëpamjes së tij..

Kontakti im me të nuk shihej me sy të mirë nga autoritetet. Pas takimit tonë të parë, një gazetë e afërt me regjimin pretendoi se kishte gjetur një transkript të mëngjesit tonë bashkë. Ajo publikoi një sulm ndaj tij, ndaj meje dhe Suedisë, megjithëse pa ofruar asgjë veçanërisht të bujshme nga përgjimi i gjatë i FSB-së (shërbimi i sigurisë).

Takimi ynë i fundit ishte njësoj. Deri atëherë, Rusia kishte marrë një kthesë më të errët dhe ne u desh ta organizonim me kujdes takimin tonë, nga frika sjelljes së paskrupullt yë FSB-së (që ishte bërë zakon). Në këtë rast, planet tona shkuan mirë. Kaluam një kohë të gjatë duke diskutuar të ardhmen politike të Rusisë dhe rrezikun e obsesionit të regjimit me Ukrainën dhe Navalny u largua pa asnjë problem.

Megjithatë, tre ditë më vonë, kanali kryesor televiziv rus i lajmeve pro Kremlinit e hapi transmetimin e tij me foto nga kamerat e fshehta dhe tjetër një sulm të gjatë ndaj meje, Navalny-t, dhe komplotet tona të supozuara kundër Rusisë. Duke qenë se e kishim ndryshuar vendin e takimit tonë vetëm disa minuta më herët, kamerat dhe mikrofonat kishin kapur vetëm pamjet tona teksa hynim në dhomën e re. Kjo mund ta ketë bërë atë të duket më e dyshimtë se sa ishte në të vërtetë. Me kënaqësi do t’i kishim ndarë pikëpamjet tona me shërbimet e sigurisë, por paaftësia e tyre e pengoi këtë.

Navalny mund të frymëzonte dhe mobilizonte njerëz si asnjë lider tjetër opozitar në . Kjo është arsyeja pse regjimi u përpoq gjithmonë ta pengonte atë të kandidonte në çdo zgjedhje. Një rast kur ai arriti të përfshihej në fletët e votimit, ishin zgjedhjet për kryebashkiakun e Moskës në vitin 2013. Pavarësisht përpjekjeve masive të regjimit për të shtypur votën e opozitës, ai mori gati një të tretën e rezultatit përfundimtar. Nuk do ta dimë kurrë nëse Navalny do të ishte zgjedhur president në një Rusi të lirë. Por nuk kam dyshim se ai do të kishte pasur shanse të mira. Ai ishte politikani më i talentuar në vend.

Në një koment të gjatë që shkroi nga burgu, ai e bëri të qartë se përfundimi i luftës që Putini kishte nisur kundër Ukrainës – madje as heqja qafe e Putinit – ishte një parakusht për Rusinë më të mirë që ai kërkonte. Ai ia atribuoi gjendjen aktuale të Rusisë një sistemi politik me një përqendrim ekstrem të pushtetit dhe përshkroi një vizion të një Rusie me një sistem të hapur parlamentar. Vetëm me një model të ri politik, sipas tij, Rusia “do të reshte së qeni një nxitëse agresioni dhe destabiliteti”.

Tani Navalny nuk është më. Por nuk ka dyshim se trashëgimia e tij do të jetojë, duke e përndjekur regjimin teksa ai fshihet pas mureve të mëdha të Kremlinit. Një ditë, në një Rusi tjetër, ai do të marrë nderin që meriton.

Një ditë Rusia do ta nderojë Alexei Navalny

Please follow and like us: