Albspirit

Media/News/Publishing

Neritan Kolgjini: Sot ishte 3-vjetori i nanës sime

 Qefsere Kolgjini (Habili) 25.02.1942 – 24.02.2021
Sot ishte 3-vjetori i nanës sime. Prej ditësh mendohem se çfarë me shkrue për te. Nji tekst, enkas për ktë ditë, nuk m’u duk ndonji gja me vlerë. Mendoj se ia vlen ma shumë diçka që tërheq njiherësh edhe vemendjen e miqve, por edhe të atynë që nuk e njohin. Kjo ide m’u përforcue edhe prej faktit që para pak ditësh kam apliku të Autoriteti i Dosjeve për dokumentacion të mundshëm rreth nanës sime. Unë zotnoj aktualisht nji numër të kufizuem dokumentesh disa prej të cilëve i kam publikue edhe herë të tjera.
Sod këtu po jap të plotë nji dokument, që e kam gjetë te dosja e nji miku të familjes sime, Eqerem Mujos, në të cilin jepet në njifarë mënyre edhe opinioni i regjimit për njerëzit e mi.
Në këtë postim, si foto janë edhe kartelat e Sigurimit të Shtetit, që kishin vue në ndjekje nanën time Qefseren, bashkë me hallën time, Feriden, qysh prej vitit 1974, saktësisht 20.02.1974. Kartelat mbajnë numrat 573 e 574.
Ajo që ka ma shumë randësi në gjithë këtë histori, asht fakti që regjimi nuk persekutonte e përndiqte individë, por familje. Edhe këto pak dokumente që po postoj këtu, e dëshmojnë saktësisht këtë qasje diabolike.
Ma poshtë, dokumenti i vitit 1987, i zbardhun nga dosja e Eqerem Mujos.
Marrë nga p.op. Bujar Peza
Dhënë bp “Vjosa”
Në bazën “Filmi”
Lushnje, më 22.4.1987
Raport i datës 22.4.1087
Burimi njofton se është takuar me Eqerem Mujon, ku gjatë bisedave ai e pyeti se si e ke babanë, a ke marrë vesh ndonjë lajm. Eqeremi tha se me letra jam marrë vesh dhe babai më ka ndihmuar me dollarë, por qeveria shqiptare nuk i ka dhënë lekët aq sa më takojnë. Ai njofton se me datë 18.4.1987 ai pa se në shtëpinë e Eqerem Mujos, erdhi për vizitë Feride Kolgjini së bashku me Qefsere Kolgjinin, por se çfarë bisedash kanë bërë, ai nuk di gjë.
“Vjosa”
Sqarim: Eqerem Mujo është në përpunim aktiv 2A si agjent i zbulimit grek. Feride Kolgjini është e motra e Ahmet Kolgjinit, ndërsa Qefserja është e shoqja e tij, që të dyja të evidencuara në kontigjent.
Vlerësim: E dhëna ka vlerë vetëm për fiksim lidhje familjare të Eqerem Mujos me Ahmet Kolgjinin, gjë që hedh dyshime se si familje janë në aktivitet të përbashkët armiqësor.
Detyra: Eshtë interesant Eqerem se e fortë shumë ka qendruar Ferideja dhe Qefserja, se Ahmeti me gjithë se bëri 10 vjet burg, mprapa i kanë shkuar. Por do të thuash se burrë e vëlla e kanë, por ka nga ata që të lënë dhe në rrugë.
Masat Operative: E dhëna të shtypet dhe të vendoset në dosje të E.Mujos dhe A.Kolgjinit. Të drejtohet bp “Luani” për të mësuar karakterin e këtyre lidhjeve të Ahmetit me Eqeremin.
Punëtori Operativ
Bujar Peza.

Please follow and like us: