“Serbët dhe rusët, vëllezër”, manifestim në Beograd dhe thirrje për luftë
Provokime të shumta, ofendime dhe thirrje për luftë kundër shqiptarëve janë dëgjuar në një manifestim pro rus në Serbi. Nën sloganin “Serbët dhe rusët vëllezër përgjithmonë”, rreth 1 mijë njerëz dolën në Beograd për të shënuar 2 vjetorin e luftës së nisur në Ukrainë.
Njëri nga organizatorët e këtij eventi, thotë se “Serbia nuk do të mund ta kthejë Kosovën pa Rusinë dhe Putinin”.
Pjesëmarrësit, që mbanin në duar flamuj serbë dhe rusë, gjithashtu dhe pankarta të ndryshme me simbolin Z të përdorur nga ushtria e Putinit gjatë luftës në Ukrainë, marshuan drejt monumentit të Nikollës së Dytë, në shenjë proteste kundër politikës së Bashkimit Europian.
Në rrugët qendrore të Beogradit gjatë gjithë natës u dëgjuan thirrjet: “Rroftë Rusia, Rroftë Putin!”, ndërsa demonstruesit mbanin edhe pankarta kundër NATO-s.
Mediat vendase shkruajnë se manifestuesit thanë se Serbia do ta harrojë kurrë atë që NATO-ja i bëri Beogradit. “Ne do të jenë gjithmonë solidare me Rusinë dhe popullin rus”, deklaruan disa prej tyre.
Pjesëmarrësit kënduan gjithashtu këngë diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe kore kërcënuese për Kosovën. Manifestimi pro rus erdhi në një ditë kur u shënua 2 vjetori i nisjes së luftës në Ukrainë. Më herët në Beograd u zhvillua dhe një marshim pro Kievit dhe paqes.