Bujar Leskaj: Lavdi martirëve të 26 shkurtit 1951!
73 vite më parë, në 19 shkurt 1951 në ambasadën sovjetike u hodh një sasi dinamiti, e cila shërbeu si pretekst nga Enver Hoxha dhe PKSH për të dënuar, vrarë e pushkatuar shumë intelektualë të spikatur shqiptarë.
Ajo çka pasoi, e njohur si masakra e mesnatës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë, është ngjarja më tipike e krimeve përçudnuese të komunizmit në Shqipëri, diktatorit Enver Hoxha dhe Sigurimit të Shtetit.
22 intelektualë të shquar shqiptarë, krejtësisht të pafajshëm, u arrestuan nga Sigurimi famëkeq i Shtetit drejtuar nga krimineli Mehmet Shehu dhe u pushkatuan pa gjyq, pa prova, pa asnjë fakt kundër tyre; u dënuan e u ekzekutuan jo nga një gjyq i rregullt, por nga vendime të marra në Komitetin Qendror të PKSH dhe Byrosë Politike.
Dhe atë shkurt të zi u zgjodhën nga Sigurimi i Shtetit dhe Byroja Politike intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli në themelet e kthesës makabre politike, personalitete me peshë si:
Sabiha Kasimati nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare;
Tefik Shehu nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali;
Niko Lezo nga Delvina, i diplomuar për kimi në Universitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar (1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët;
Jonuz Kaceli, tregtar i njohur, nga familja e shquar tiranase Kaceli;
Manush Peshkëpia nga Gjirokastra, intelektual shumëdimensional, poet e publicist;
Anton Delhysa nga Prizreni, ndërtues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullcit;
Haki Kodra nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit;
Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë antifashistë;
Zyhdi Herri nga Tirana, gazetar;
Qemal Kasoruho nëpunës;
Ali Qorraliu pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik;
Petro Konomi nga Përmeti, i laureuar në Robetr Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali;
Reiz Selfo nga Gjirokastra, tregtar;
Gjon Temali intelektual nga Shkodra, studiuar në Austri;
Pjetër Guraziu nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali;
Pandeli Nova intelektual, shtresë e pasur;
Thoma Katundi nga Korça, veprimtar i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA;
Mehmet Ali Shkupi shqiptar nga Shkupi, nëpunës;
Fadil Dizdari librar;
Hekuran Troka nga Kuçova, tregtar;
Lluka Rashkoviç biznesmen nga Mali i Zi.
Kjo batërdi kriminale ishte e studiuar me detaje; ishte përzgjedhje selektive e figurave prej gjithë shtresave shoqërore e krahinore; ishte goditje fatale e gruas shqiptare si simbol intelektual e i kurajos civile; ishte barbaria e luftës së klasave si luftë civile.
22 viktimat e pafajshme të shkurtit 1951, nga 220 të arrestuarit u ekzekutuan pa gjyq, (gjyqi iu bë pasi ishin pushkatuar e varrosur në varr të përbashkët)!
Ky akt ishte instalimi i diktaturës, sepse u shpërfillën totalisht ligjet, institucionet, si gjykatat e prokuroritë, (jo pse ato do të mbanin drejtësi); ishte goditja edhe urrejtja ndaj inteligjences shqiptare.
Ky krim i rëndë i atij sistemi, nuk duhet harruar kurrë, sepse po u harrua, tragjedi të tilla mund të përsëriten në të ardhmen.
Sot, 22 Martirët e Demokracisë, prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Në vitin 1991 viktimat u shpallën të pafajshëm dhe në vitin 2008 u nderuan me titullin “Nderi i Kombit”.