Albspirit

Media/News/Publishing

Dukuri në publicistikën e Bashkim Abazit “Sythet e imazhit”

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Krejt rastësisht u njohëm…

Krejt rastësish në një promovim libri të një labi të shquar u njoha me Bashkim Abazin. Ai bëri një diskutim rreth filozofisë së antologjisë “Performancë” në 75 vjetorin e lindjes të poetit, prozatorit, studiuesit vlonjat me “V” të madhe, Petrit Qejvani. Midis të tjerave ai theksoi se “Pertit Qejvani ka qenë dhe mbetur ndjenja dhe kuptimi, arketipi i mosqenies në injorancë, lëvruesi i vlerave… por ai nuk është pjesë humane e rendit të sistemeve ndëshkuese, as ideologu arrivist i pushtetit tiranik. Ai është gjurma e inekzistencës reale…”. Diskutimi i tij më pëlqeu dhe u takuam në koktejlin e organizuar me këtë rast, për një njohje më të thelluar…

Pas disa ditësh, një një veprimtari promovim vlerash lirie të dëshmorëve të Smokthinës, në sallën “Shpataraku” të Muzeut Historik Kombëtar, pashë dhe Bashkim Abazin, i cili në fund të veprimtarisë më dhuroi librin e tij të fundit “Sythet e imazhit”. E falënderova për dhurimin e librit të tij me dedikim “Miqësi…”.

Një hyrje libri e veçantë

Nga leximi i librit të Bashkim Abazit mësova disa të vërteta. Dhe e vërteta e parë është kjo, pra e vërteta është dimensioni i katërt i kohës ekzistenciale. Për këtë të vërtetë përshkruhej një “hulli reminishence dhe retrospektive, në analogji dhe apologji me realitetet jetësore të individit, komuniteteve dhe njerëzimit”, dhe se “ajo lejon arsyetime, konceptime dhe gjykime të thelluara për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”.

Autori që në parathënien e tij të librit thekson se “koha e marrë në studim, në librin e parë publicistik “Sythet e Imazhit”, përshtjellon mundësinë e tretë të kryqëzatës politike për të bërë shtet-1912-n, me shpalljen e mëvetësisë; të 1944 me çlirimin e Shqipërisë dhe 1990-n me ndryshimin e sistemit dhe modelit”.

Autori në një parathënie sintezë shfaq tërë përmbajtjen e librit të ndërtuar në dymbëdhjetë sythe, studime apo ese, përshkruan në esencë “një mjedis të klasifikuar modern dhe bashkëkohës, me zgjim social-psikologjik, ekonomik, kulturor dhe juridik, po vazhdojmë të endemi në territore pa orakuj historik, civilizimi, qytetërimi, identiteti dhe vetëdije kombëtare”.

Libri është si një material që ka përfshirë të gjitha angazhimet e autorit në funksionet shtetërore që ka kryer në vite, në një specifik të veçantë, por dhe të një prefesionalizmi të përkryer prej tij në detyra dhe në strukturat e policisë së shtetit.

Autori me pak fjalë thekson se një pjesë e studimeve të tij që i quan hulumtuese u kryen në kohën kur ishte drejtues i një qendre studimore për krimin e organizuar dhe mafia, duke theksuar se një pjesë e veprimtarisë inteligjente do të vazhdojë të përbëjë përvojën e tij në vite, duke na dhënë periudha të ndryshme studimi me qeverisje të majta dhe të djadhta, të cilat përbëjnë e përfshijnë shqetësimet dhe dilemat social-politike të kohës me frytdhënëse për shtet formimin ligjor dhe të së drejtës.

Autori këto materialet i ka paraqitur origjinale, disa shfaqen për herë të parë, duke e lënë siç thotë dhe vet lexuesin të jap rivlerësime kritike për qëndrimet e tij faqebote.

Dukuri që shfaqen nga sythi në syth

Në sythin e parë “Imazh i lënduar padrejtësisht…”, autori kërkon që “mendimi” i cili endet në modele, forma të reja dhe të panjohura arsyetimi logjik, mendimtarët mundohen ta disiplinojnë atë. Autori thekson se ka vendosur të radhisë serinë e publicistikës, duke dhënë kontribute të fjalës dhe të shkrimit, mirëpo ka përjetuar dilemen e “pas vdekjes”… pas një analize filozofike autori arrin në përfundimin se koha kërkon ndryshim, përsosmëri dhe nivel të lartë të stilit dhe të metodës së punës. Ai në jetë ka kërkuar dhe kërkon sinjal për ndryshim dhe performancë, që në punë nuk i është shqitur asnjëherë, pasi të gjithë në grup dhe një nga një qëndrojmë të vjedhur nga njeri-tjetri prej individëve servil, mediokët dhe impotent, ku në këtë kazan është e pamenduar seriozisht.

Në “Sythi i impotencës…” autori e nis në dukurinë e përfolur të korrupsionit…të shpërdorimit të detyrës apo të funksionit zyrtar, dhuna intelektuale gjen shprehjen e vet. Pasi analizon mjaft probleme të kohës, autori arrin në përfundimin se “dituria fle në mëndjen e vet”. Dëgjuesi e fsheh fytyrën në ndalesa me pëshpërima lutëse dhe një mërmërimë e pamatur dhe e pandershme, sundohet nga frika. Autori bën thirrje që lexuesi të bëhet guximtar i fjalës.

Në “Sythi i skalitur…” përshkruan serinë e pushteteve, media e shkruar, elektronike që janë mjete themelore të komunikimit masiv në përpunimin e informacionit për konsumin publik, përshkruan kafkat e skeletit, dyzimi i imazhit, shpërndarje të përgjegjësisë, parimi i konkurencës, etj., të cilat kanë prodhuar një kulturë bakteriesh dhe lufta ndaj tyre është e vështirë.

“Çudia dhe e vërteta…” një studim ku autori pasi ka analizuar rrugëtimin e mundimshëm dhe tjetërsimin e parreshtur të sythit të imazhit, ka analizuar ligësinë e shpirtit. Në përfundim thekson se Policia e Shtetit nuk ka arritur në përsosmëri, por ajo është një shërbim publik funksional, duke theksuar si dukuri që njerëzit të udhëhiqen nga rendi i të vepruarit me logjikë dhe në bazë të ligjit.

Në “Syth imazh i kërcënuar…” autori pasi shpjegon raportin ndjenjë-kuptim të individit dhe të perceptimeve filozofike e morale të ekzistencës së mëshiruar në fjalët shtet-pushtet, shpjegon lirinë e shprehjes e cila si rregull është një mekanizëm politik. Përfundimi është se rendi brenda rendit, duke qenë në mbrojtje të ligjit, individët e zgjedhur dhe të spikatur moralisht, të unifikuar profesionalisht në sisteme vlerash të paqortueshme e të padënueshme rivendosin vlera … dhe në sythin e fundit “Drejt të panjohurës…” autori arrin në thelbin e sythit të imazhit i cili është organizimi dhe funksionimi i strukturave përgjegjëse në realizimin e procesit kompleks dhe delikat përbën qëllimin themelor të agjensive ligjzbatuese. Me inteligjencë dhe drejtim shkencor ato mundësojnë menaxhimin efektiv të burimeve të informacionit, ndihmojnë në ecurinë e planeve strategjike dhe me prognoza inteligjente u paraprijnë rrugëtimeve jetësore të kohës moderne.

I gjithë libri “Sythet e imazhit” është një publicistikë e kohës, me probleme konkrete për Policinë e Shtetit dhe punonjësit e saj, ku preken, analizohen, studiohen dhe jepen mendime e sugjerime për probleme që kanë të bëjnë me imazhin dhe performancën e punonjësit të policisë. Autori në këtë publicistikë të shkruar në mënyrë filozofike, jep njohuri dhe analizon probleme thelbësore të performancës së punonjësit të policisë. Nëpërmjet analizës, studimit dhe esesë arrijmë në disa dukuri të cilat përbëjnë dhe objektin e këtij libri, të shkruar me kujdes dhe më një paraqitje shkencore të problemeve filozofike dhe të problemeve aktuale.

Autori ka ditur të analizojë, por dhe të mbajë qëndrim, si dhe të dalë në përfundime konkrete duke dhënë modelin se si duhet të jetë dhe të performohet punonjësi i policisë së shtetit shqiptar, etj.

Pak fjalë për autorin

Bashkim Abazi është shkrimtar, studiues dhe filozof. Ai është ambasador në Federatën Universale të Paqes; misionar i paqes dhe progresit, lider i shoqërisë civile në Ballkan (DPMM, UN, BE, SHBA, NATO); profesor nderi në Akademinë Botërore ë Paqes, (NY SHBA).

Ka fituar çmimin “Krijues i shquar në Fifozofië nga LnpshA Pegasi Albania, Ohajo SHBA; është sekretar për mendimin filozofik (LnpshA Pegasi Albania; anëtar i Akademisë Alternative të Shkencave “Rrënjet Tona”; Ph.D HC – doktor në filozofi, Universiteti Amerikan NY SHBA.

Mban “Medalje e Artë të Ekselencës, si dhe titullin e meritës dhe nderit Causas Imortais (Akademia e Letrave Brazil).

Disa botime të autorit janë: “Kurthi i fundit”, roman 2002; “Pengu i harresës”, roman 2004; “Urtësia e Filozofisë, studime 2004; “Vdekja e dimrit-sprovë e filozofisë politike 2009; “Ironia e Sokratit-studime psiko-sociale dhe kriminogjene 2009; “Ekstreme të Filozofisë” në vitin 2014 me dy libra “Filozofia e Marrezisë” dhe “Filozofia e Moralit”; “Emigranti i rropatur”, roman 2015; “Dyshoj si kartezian-sprovë filozofike” 2015; “Vdekja e Platonit-sprove filozofike” 2017; “Tempulli i Minjve-ese letrare filozofike” 2020; “Puthja e Mirandës-ese letrare filozofike” 2021; “Apostujt e ekzistencës-sprovë filozofike 2021; “Plus dhe Minus-sprovë filozofike 2022; “Gjurmë epistorale-publicistikë 2023 dhe “Sythet e imazhit” Publicistikë 1, 2023.

Please follow and like us: