Fritz Radovani: Gjuha shqype prej At Gjergj Fishtës
AT GJERGJ FISHTA, (1871 – 1940), (Grafikë prej F.Radovanit)
GJUHA SHQYPE
- Porsi kanga e zogut t’ verës,
Qi vallzon n’ blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit’ e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’ detit,
Porsi gjama e rrfés zgjetare,
Porsi ushtima e njij termetit,
Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.
2. Ah! Po; a’ e ambel fjala e sajë,
Porsi gjumi m’ nji kerthi,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtri;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubinit,
Ka’ i bjen qiellvet tue flutrue
N’ t’ zjarrtat valle t’ amëshimit.
3. Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ i a len ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
Qi n’ gjuhë t’ huej, kur s’ asht nevoja,
Flet e t’ veten len mbas dore.
4. Në gjuhë shqype nanat t’ona
Shi prej djepit na kanë thanun,
Se asht nji Zot, qi do t’a dona:
Njatë, qi jeten na ka dhanun;
Edhe shqyp na thanë se Zoti
Per Shqyptarë Shqypnin e fali,
Se sa t’ enden stina e moti,
Do t’ a gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vetë, po pik’ ma para,
N’ agim t’ jetës kur kemi shkue
Tue ndjekë flutra neper ara,
5. Shqyp ma s’ pari kemi kndue:
Kemi kndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n’ dorë t’ Shqyptarvet,
Kah kanë dekë per besë jetike,
Kah kanë dekë kta per dhé t’ t’ Parvet.
6. Në ketë gjuhë edhe njai Leka,
Qi ‘i rruzllim mbretnin s’ i a xuni,
Qi kah bijtè ai, shkelte deka,
Shekllit mbarë ligjë t’ randë i vuni;
Në ketë gjuhë edhe Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t’ ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kenë ndera e trimnive.
7. Pra, Shqyptarë, çdo fés qi t’ jini,
Gegë e Toskë, malci e qyteta,
Gjuhen t’ uej kurr mos t’ a lini,
Mos t’ a lini sa t’ jetë jeta,
Por per té gjithmonë punoni;
Pse, sa t’ mbani gjuhen t’ uej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambet t’ huej.
8. Nper gjuhë shqype bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’ fis ju kini,
Ka me u njohtë ju per Shqyptarë:
Trima n’ za sikurse jini.
Prandej, pra, n’ e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sot t’ brohrisin:
Me gjuhë t’ veten rrnoftë Shqypnija!
Koment i poezisë nga At Viktor VOLAJ O.F.M. (1941)
Kjo kangë, nji nder ma të bukrat poezi lirike të Fishtës, kje botue në rasen e pesëdhetëvjetorit të themelimit të shkollës françeskane, e kje vu si parathanje melodramit “Shqyptari i Qytetnuem”. Kundra asaj propagande së huej e rrymave shkollore, qi poshtnonte gjuhen shqipe por si nji gjuhë e mangët, të padhenun e barbare. Fishta këndon bukurinë, fuqinë e saj, tue shquem sidomos nder të rij dashtninë per té.
- Nder kater vargjet e para Poeti me gershetim harmonik të tingujvet na paraqet kumbimin e ambel muzikor të gjuhës shqype, e nder tre vargjet tjera, me mjeshtrinë e nji Poeti sovran ep, me nji crescendo të çuditshem, përshtypjen e valvet të detit qi perplasen per breg, të krizmës së rrufesë, e të shungullimit të termetit. – e zogut të verës: me kuptim të pergjthshem, por në nji mënyrë të posaçme ajo e bylbylit. Me ketë shprehje e perkëtheu Fishta, poet për ekcelencë i gjuhës së popullit, fjalen bylbyl në nji tingull të Petrarkës, – në blerim të Prillit: kah fillimi i Prendverës, mbasi natyra të jetë veshë në blerim. – qi lmon gjit e drandofillit: qi pershkohet nder fletëzat e drandofilles, ndër gubat e petaleve të lules. – rrfesë zhgjetare, rrufésë zhgjetuese, gjuejtëse.
- Kerthi, foshnje. – Porsi drita….shenja e jetës e të të pertrimit, e çdo agim mbahet se bjen nafakë (të mira) të reja, tue kallë (sjellë) shpresa të reja; -gazi i pamashtri: i pa të keq, i sinqertë, jo mashtrues. – Porsi fleta: flatra. – Ka’i bjen Qiellvet: kah pershkon qiellin. –N’t’ zjarrtat valle: nder valle shumë të shkelqyeshme të Parrizit, nder valle qi vezullojnë të Parrizit.
- Mbasi na paraqet bukurinë e gjuhës, Poeti, vates i vertetë i kombit, e ndien per detyrë me u lëshue mallkimin gjithë atyne qi duen t’a humbin ase perbuzin gjuhen shqype. – Gjuhë hyjnore; kjo gjuhë mashkull, gjuhë hyjnish, si ç’ e quen tek Lahuta.
- Shi prej djepit: Qyshë në djep. – Edhe në shqyp na thanë se Zoti …. Poeti shkon tue persëritë pa da tagrin (të drejten) shenjt qi ka Shqyptari me gëzue Lirinë. Le të vehet oroe fuqija qi merr shprehja prej afrimit të fjalvet shqyp…Shqyptarë…Shqypni. – djalë mbas djali: brez mbas brezi. kur metëzi kishim nisë me marrë mend e shise. – Tue ndjekë flut
- N’agim t’jetës: atëherë ura…. Shqenë reale e bukur e jetes fëminore! – armët besnike, poezia popullore shqyptare asht gati perherë kreshnikore. – jetike: të herëshme, të vjeter.
- Leka, qi ‘i rruzllim… Leka i Madh, i cili shtroi pjesen ma të madhe të botes s’atëherëshme. Qi: ose të cilat, sa t’ndrisë… derisa të shkelxejë (shkelqejë) sfera e zjarrtë e diellit.
- Çdo fes qi t’jini: çdo feje, besimi, si kristjan si musliman. Fisi i juej…:
Të gjithë e dijmë, si dishmon historia sesa faktor kryesor i kombësisë asht të ruejtunit e gjuhës amtare. Nji popull qi perbuzë gjuhen e vet i nenshkruen dënimin vetes e asht i gjykuem me u shue, me u zhdukë. Per këte Fishta shkroi nji dramë të vogel me titull: “Gjuha e mësimit”.
- ç’fis ju kini: – se ç’kombësi keni. Mali, bregu edhe Malcija, synedotke: Të gjithë ata qi banojnë nder male, ne Veri; brigje (fusha), të vikasin, të thërrasin nji zani.
Shenim F.R. Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit.
Asht vlersue në kryeveprat e Lirikave të At Fishtës tek “Mrizi i Zanave”. Vargu: “Qi lmon gjit’ e drandofillit:”, prej një kritiku francez asht cilsue një kryeveper botnore në letersi moderne. (1993)
At V.Volaj thekson: “Nji popull qi perbuzë gjuhen e vet, i nenshkruen dënimin vetes e asht i gjykuem me u shue, me u zhdukë”!
Gjithshka i mbetet kohës!
Melbourne, 27 Shkurt 2024.