“Përgjimi i Mehmet Shehut dhe incidenti i tij në Bllok me Ramiz Alinë…”
“… Ishte vera e vitit 1981. Në këtë kohë vila e Mehmet Shehut në Vlorë po përfundonte së ndërtuari. Shkoja shpesh te vila e Mehmetit pasi Enver Hoxha ishte me pushime në Vlorë dhe unë kisha ngritur shërbimin e ndërlidhjes. Shkoja për të drejtuar dhe kontrolluar punimet që kryheshin për telefoninë dhe interfoninë, për projektimin e të cilave kishim bashkëpunuar me Institutin e Projektimit të Ndërtimeve Nr1.
Ishte ditë e diel dhe në vilën që po ndërtohej e cila qe në përfundim, nuk kishte punëtorë. Shikoj që te porta e jashtme e oborrit të vilës që po ndërtohej, po hynte makina e Nexhmije Hoxhës.
Ishte e pashoqëruar. Unë e pres dhe takoj. Me sa kuptova kishte ardhur të shikonte vetë se çfarë ndërtimi po bëhej. Ajo m’u drejtua: “Luan, të lutem më trego ambjentet”.
Duke lëvizur nëpër vilë unë ia tregova me radhë, kjo dhomë është e kryeministrit, kjo tjetra e shoqes Fiqrete (qenë ngjitur njëra me tjetrën), pastaj dhomat e tre djemve, sallat e ndryshme, vendstrehimi etj.
Gjatë kohës që unë flisja, ajo mu duk pak nervoze dhe pata përshtypjen e shfaqjes së një pakënaqësie të hapur nga ana e saj. Njehërë bëri një hëëëmm të zgjatur me buzë të mbyllura.
Problemet lidhur me Mehmet Shehun dhe familjen e tij kishin filluar dhe unë diçka dija.Vazhdova së treguari dhe pasi e pamë të gjithë vilën, ajo më përshëndeti dhe u largua.
Vila e Mehmetit që po ngrihej ishte shumë e bukur dhe më e madhe se e enverit, me pishinë dhe në një pozicion shumë piktoresk, me burime uji të ëmbël poshtë saj si dhe po pajisjes me një vendstrehim modern.
Mehmet Shehu nuk arriti të pushojë asnjëherë në të. Më vonë ajo u bë vila e pushimit e Presidentit Ramiz Alia.
Njihej fakti që Mehmet Shehu i kishte shumë qejf mistrat e pjekur. Pëlqente ti hante kur ishte në punë mbasdite në kryeministri. Thoshte se i bënin mirë për forcimin e zemrës. Misrat ia piqte një nga oficerët e tij, M.Boni. Misrat ai i merrte nga bahçja që kishin mbjellë vetë shoqëruesit te vila ku rrinte grupi i shoqërimit. Metja nuk bënte ndonjë kujdes të veçantë për higjenën, thjesht direkt në tokë, me shkarpa të mbledhura poshtë e lart. Nganjëherë shkoja e ndihmoja dhe bëja muhabet me Bonin.
Një nga këto ditë, ishte fund gushti i 1981 ai më thotë: “Do të të them një gjë të çudishme që na ka ndodhur dje pasdite. Po shoqëroja kryeministrin në shëtitje në Bllok në një distancë të vogël. Kur vemi tek brryli i Vilës 1, ku bashkohen dy rrugët, nga ana tjetër vinte shoku Ramiz Alia. Takohen papritur ballëpërballë me njëri tjetrin. Ramizi qëndroi dhe duke qeshur i thotë: “Duart lart”.
Në këtë kohë kryeministri e shikon me kaq shumë inat sa Ramizi u tërhoq disa hapa mbrapa duke thënë: Më faaal, më faal, bëra shaka, bëra shaka” dhe secili ndoqi rrugën e vet.
Unë i thashë Bonit që kjo ishte e pabesueshme, pasi Ramizi nuk është aq kurajoz sa të bëjë shaka të tilla me zarar e në veçanti me kryeministrin, por oficeri m’u betua se është e vërtetë.
Me sa duket kishte filluar presioni dhe testimi. Edhe mua më dukej e habitshme ajo sjellje, por realisht ka qenë ashtu, sepse askush nuk kishte guxim të improvizonte. Oficeri nuk mund të bënte shaka me gjëra të tilla….
Në shtator 1981 më vjen në zyrë Ali Çeno, drejtues i grupit të sigurisë së Kryeministrit dhe më lëshon në tavolinë një telefon me kabllot që i vareshin. E pyes si është puna. Më thotë që kryeministrin e përgjojnë në shtëpi në numrin 7880 të centralit të qytetit. Ai ka dëgjuar biseda në këtë telefon që përdorte në shtëpi, në studio. Më thirri mua, vazhdoi Aliu, më mori thikën që mbaja në brez (një tip biçaku i madh që mbanin oficerët e zbulimit) dhe preu fillin e telefonit e më tha dërgoja inxhinierit.
Këtë radhë unë u shqetësova shumë, më tepër pasi më qe drejtuar direkt mua dhe ishte hera e dytë që ndodhte. Më dukej sikur ai biçak do më godiste dhe mua…”.
—————–
*Botuar në DITA me lejen e autorit ing. Luan Pogaçi, nga libri i tij “Shërbimi Inteligjent i Udhëheqjes së Shtetit 1978-1991”. Autori ka qenë shef i informacionit dhe i sigurisë së komunikimit në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes nga viti 1978 deri më 1991.