‘Top Channel’, Kushtetuesja merr vendimin për trashëgiminë e familjes Hoxha
Gjykata Kushtetuese ka mbajtur sot seancën për pronësinë e “Top Channel”, televizion të cilin tashmë e ka Vjollca Hoxha dhe trashëgimtarët e të ndjerit Dritan Hoxha, Lorela, Sara, Redia dhe Itan Hoxha.
Burime bëjnë me dije se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e ish-aksionerëve të “Top Channel”, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë që njihte aksionerë familjen Hoxha.
Burime bënë me dije se 7 gjyqtarë kanë votuar pro familjes Hoxha dhe 2 kundra, duke i ndarë 9 votat në 7 me 2.
Vendimi është marrë në një seancë maratonë, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet ta zbardhë në orët në vijim.
Kujtojmë se familja Hoxha dhe dy ish-aksionerët e tjerë kanë një kalvar të gjatë përplasjesh për aksionet e “Top Channel”.
Dy ish-aksionerët kishin 60% të aksioneve të televizionit, ndërsa familja Hoxha zotëronte 40%.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë, “Top Channel” i mbeti Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj. Ish-aksionerët e dërguan vendimin në Gjykatën Kushtetuese dhe sot kjo gjykatë ka rrëzuar ankimin e tyre.