Albspirit

Media/News/Publishing

Kuleba: Samiti për Ukrainën, mesazh se jemi të bashkuar dhe do mbrojmë vlerat tona

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba vlerësoi sot mbështetjen dhe angazhimin e Shqipërisë ndaj vendit të tij.

Në një konferencë të përbashkët për mediet me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Kuleba ka shprehur mirënjohjen ndaj Shqipërisë që ka qëndruar në krahun e Ukrainës.

Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje për organizimin në Tiranë të Samitit për Ukrainën.

“U jam mirënjohës që organizuat këtë samit kaq të rëndësishëm sepse përfshin një volum të madh pune dhe tregon se sa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon. Do të dërgojë një mesazh të qartë se sa jemi të bashkuar, do të mbrojmë vlerat tona që i bashkëndajmë. Dua të falenderoj Shqipërinë për ndërmarrjen e saj humanitare që përfshiu rehabilitimin e fëmijëve ukrainas, fëmijët e të cilëve janë vrarë në luftë. Çdo mbështetje që Shqipëria i ofron Ukrainës është e vlerësuar. Më kujtohet mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe mënyra si keni marrë pjesë për Ukrainën dhe në Këshillin e Sigurisë ku Rama kryesoi mbledhjen në mënyrë efikase në 2023”, tha Kuleba.

Ai bëri me dije se e informoi ministrin Hasani për situatën në front dhe për sulmet me dron dhe raketa nga Rusia.

“Është e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës. Do të donim të intensifikonim përpjekjet. Vlerësojmë që Shqipëria është bashkuar me regjistrin ndërkombëtar të dëmeve të shkaktuara nga Rusia në Ukrainë”, nënvizoi kryediplomati ukrainas.

Më tej, Kuleba tha se në takim me ministrin Hasani “i kemi kushtuar vëmendje të posaçme integrimit evropian, integrimit në NATO të Ukrainës. Ukraina dhe Shqipëria janë dy vende evropiane të bashkuara nga vlera të përbashkëta evropiane dhe nga një një vizion i përbashkët për Evropën dhe për të ardhmen. Ne ramë dakord të vazhdojmë të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimin drejt integrimit evropian”.

“Unë i uroj sukses Shqipërisë për një integrim sa më të shpejtë të mundshëm në BE që vendi juaj meriton kaq shumë dhe me kaq të drejtë. Sigurisht Shqipëria është edhe një partnere e rëndësishme si partnere e NATO-s, ndaj diskutuam për përgatitjet për samitin e NATO-s në Uashington dhe e vlerësova gatishmërinë e ministrit Hasani për të bashkërenduar dhe ndihmuar në këto përgatitje për këtë mbledhje të rëndësishme. Pritshmëritë tona janë që mes të tjerash që një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit, do të jetë një hap më para drejt anëtarësimit të Ukrainës, që më në fund do ta bëjë këtë pjesë të Evropës më të sigurt, por dhe do të rrisë edhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ministri ukrainas.

Kuleba deklaroi trysnia e organizatave ndërkombëtare kundër Rusisë duhet të intensifikohet./atsh

Please follow and like us: