Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Mihal Prifti

Sergej Esenin: Ti s’më do…

Përktheu Mihal F. Prifti

Ti s’më do, nuk të vjen keq për mua

Ndoshta vërtet nuk kam aq bukuri?

Por ngazëllehesh e flakëruar

Kur duart i hedh mbi supet e mi.

 

E re, buzëgaz e dëshiruar,

Ndaj teje s’jam brutal as i butë

Thuaj mike sa ke ledhatuar?

Sa duar mban mend, sa buzë?

 

E di – të gjithë ikën si hije,

Pa të lënë në shpirtin tënd trishtim,

Në gjunjët e tyre ti rrije

Dhe ja ku je tani në prehrin tim.

 

Me sytë magjepsës si për gjumë

Mos po ëndërron për ndonjë tjetër?

Dhe unë s’të dua më aq shumë,

Tani mendoj për kohën e vjetër.

 

Ti mos e quaj si fat këtë zjarr!

Është një lidhje që ka mbaruar,

Do buzëqeshim duke u ndarë

Siç rrastësisht jemi takuar.

 

Ti do të ndjekësh rrugën tënde

Pa gëzime ditët do t’i kalosh,

Mos i shih të virgjërit me ëndje,

Ata që s’janë djegur mos i josh.

 

Në rrugë me një tjetër përqafuar

Do flisni çmendurisht për dashuri,

Ndoshta do të jem duke kaluar,

Dhe do të shihemi përsëri.

 

Tek miku yt duke u shtrënguar

Me një përkulje të lehtë shumë,

“Mirëmbrëma” – ke për të uruar

“Mirëmbrëma miss”, do të them unë.

 

Asgjë shpirtin s’do m’a shqetësojë,

Asgjë nuk do t’a bëjë të dridhet,

Kush ka dashur më s’do dashuroje,

Kush u dogj, nuk mundet më të ndizet.

Please follow and like us: