Albspirit

Media/News/Publishing

Vllasova Musta: “QYTETI I SHIRAVE“, QË PËRCJELL DRITË

Mbresa për romanin autobiografik “Qyteti i shirave” të Sulejman Matos
Kur e mora për ta lexuar librin “Qyteti i shirave“, fillimisht pata kërshërinë për të shfletuar e për të mësuar se si e kishte përjetuar autori i mirënjohur i letrave shqipe, Sulejman Mato, kohëqëndrimin e përkohshëm të fëmijërisë së tij në Gjirokastër, në Gjirokastën e origjinës sime, pa e menduar se, faqe pas faqeje, librin s’do ta hiqja nga dora por, do ta ndiqja me shumë ëndje rrëfimin e tij, sepse është krejt i veçantë, tejet i ngrohtë dhe shumë jetësor për qytetin e gurtë, për njerëzit e saj dhe për shirat e pandërprerë.
Shkrimtari Sulejman Mato, të mrekullon me mënyrën e të treguarit, ku spikat një mjeshtëri e rrallë e rrëfimit, që iu jep vlerë të veçantë ngjarjeve, kohës dhe personazheve. Rrjedhshëm e me një gjuhë të zgjedhur janë renditur gjithë ngjarjet vit pas viti, duke ruajtur edhe nuancat tipike të dialektit, që i portretizon personazhet, të cilët shfaqen nga një ngjarje tek tjetra, duke qenë unikë, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, të gdhendur e të latuar në përsosmëri, kësisoj brenda rreshtave lëvizin, gjallojnë e frymojnë karaktere të skalitur me të veçantat dhe detajet e tyre. Dhe këta nuk janë pak, por një galeri e tërë që vinë para nesh, e na shfaqen bashkë me erërat e ftohta, bashkë me shirat apo ngjarjet e përshkruara aq këndshëm saqë, duken sikur dalin dhe vinë e na shfaqen nga tej kohët, shkundin pluhurat e viteve dhe nisin të tregojnë.
Në këtë libër, ngjarjet dhe njerëzit, janë përcjellë me shumë emocion, mbartin frymë, duke iu dhënë ngjyrë dhe tingull viteve të qëndrimit të tij në Gjirokastër, aqsa mua më dukej, sikur nuk lexoja, por sikur para meje shfaqej një film kronikal për qytetin e gurtë, i realizuar përsosmërisht, me mbresa të thella dhe krejt të veçanta nga njëra tjetra.
Dhe gjithçka në këtë libër është veçse, përjetimi i një djaloshi, që edhe pse ishte ende fëmijë i parritur, çuditërisht ka mundur të qëmtojë, të mbledhë e të ruajë në
kujtesë, duke i mbështjellë fort, ndodhi, njerëz, thënie dhe episode që, të gjitha së bashku, sjellin dhe shpërfaqin me emocion një tjetër kohë, por bukur, shumë bukur!
A thua se tek ai djalë ende i parritur, pulsonte tharmi i poetit të ardhshëm, i trokiste, e thërriste dhe ai i përgjigjej duke mbartur me vete ditë pas dite gjithçka të veçantë dhe të çuditshme që gëlonte në qytetin e çudirave?!…
Dhe erdhi një ditë, kur ai, teksa makina largohej nga “ky qytet i dashur dhe i shtrenjtë” nuk ngopej së thëni: “lamtumirë Çerçiz, lamtumirë Gjirokastër, lamtumirë, qyteti i shirave, lamtumirë shokë të fëmijërisë”,… pa e menduar kurrë, se ai vërtet po largohej nga Gjirokastra, por Gjirokastra kish zënë vend brenda tij dhe kish mbetur aty, e shndritshme, magjike dhe vezulluese.
Dhe një dite, ato përjetime të shtrenjta, të qytetit me dritë të argjendtë, u rizgjuan dhe e ulën të shkruante dhe tashmë, pasi kanë kaluar shumë e shumë vite, nga koha e fëmijërisë së tij, Sulejman Mato do të sillte për lexuesit këtë libër që, edhe pse e ka titulluar “Qyteti i shirave“, përcjell kaq shumë dritë, kaq frymëmarrje, emocione dhe ngrohtësi, sepse brenda tij rrezatojnë pafundësisht, talenti, dashuria njerëzore dhe kultura qytetare.
Djaloshi apo rrëfimtari i librit është vetë Sulejman Mato, poeti, shkrimtari, studiuesi i mirënjohur prej të gjithëve, njeriu që me penën e tij, përcjell vlera të mirëfillta prej një jete.
S’më mbetet tjetër, veçse ta uroj me gjithë zemër autorin Sulejman Mato, për këtë libër të bukur që i solli lexuesit sot, por edhe brezave që do të vinë.
13 Shkurt 2024.
Please follow and like us: