Albspirit

Media/News/Publishing

Rudina Muharremi Beja: Atje kam unë atin tim…!

Ndërkohë, atje, nga ana tjetër e detit ku shtrihen të lodhura brigjet e atdheut tim, Adriatiku dhe Joni, me besnikëri që asgjë s’ka të përbashkët me atë të politikës, lagin buzën e zhuritur të Shqipërisë sime prej shekujsh…
Ajo shtrin shtatin e saj magjepsës prej majës së Vermoshit kryeneç deri në cep të Konispolit kufitar, nga Verniku i Korçës dijeshumë, deri në më largëtin skaj të Sazanit peshkatar.
Shtatrëndë e halleshumë ajo s’dorëzohet, por mburr perlat e saj të panumërta, ndërsa në gjoks mban shqiponjën dykrenare.
Shpalos gjinjtë, si një vajzë e përjetshme, nga të cilët Korabi e Tomori s’kanë ndër mend t’i shqisin sytë qoftë dhe për një çast.
Lumenjtë që e përshkojnë gjatë e gjerë lagin dhe rrudhat më të fshehura të kurmit së saj. Barku pjellor me ultësira, fusha e fushëgropa, ndryshon ngjyrën e tij në bazë të të mbjellave të bujkut të mirë e të butë, ndërsa shtylla kurrizore e vargmaleve mbuluar me lisa të bardhë që shtrijnë krahët drejt qiellit, qafave të të cilëve gjarpërojnë udhë e lumenj e bëjnë atë më të magjishme…
Damarët e hollë e të përdredhur të rrugëve të shpien nga rruaza në rruazë duke lidhur egërsitë më të skajshme të maleve me butësitë më magjepsëse të vizatuara prej dorës bujare të Zotit.
Atje, atje ku paqësisht bashkëjetojnë ekstremet… e pasura koprace më të varfrën bujare, injoranca fjalëshumë dhe fjalëpaka mençuri, besimtarë të çdo feje e ata që s’njohin asnjë zot, politikanë të çdo partie e çorbaxhi e kazanxhi, të zgjuar dhe “hallexhi” po, sepse nuk munda të gjej ekstremin e kundërt të fjalës “të zgjuar” për t’ia veshur popullit tim… Njerëzve të mi.
Populli im është shumë i zgjuar, këtë e kënduan me radhë heronj e poetë, kush me shpatë në dorë e kush me pendë që në kohët e Skënderbeut, Buzukut e deri me sot.
Bota njohu plot bashkatdhetarë të suksesshëm që emër bënë ndër vite larg viseve, por jam e bindur që në mesin e atyre që janë atje, ka njerëz të zgjuar që asgjë s’kanë më të mangët, në mos më tepër!
Në tokën ku e blerta e Rodonit, mrekullisht shtrihet mes dy gjinjsh, ku vetë Skënderbeu ndërtoi kalanë në të cilën kaloi muajin e mjaltit me të bukurën Donikë.
Atje ku e kaltërta e detit pa patur “frikë” nga shikimi vigjilent i kalasë së Ishmit nën hijen e së cilës vetë piktori i njohur Ibrahim Kodra vendosi të pushojë eshtrat, puthet me të blertën e kepit nën një qiell që ndërron pamjet stinëve…
Nën të njëjtin qiell e me të njejtën dashuri Dr. Xhaferr Muharremi, Ishmin e kishte të gdhendur në shpirt.
Atje, në një fshat të vogël, Lalëz i thonë, në më të skajshmin cep të botës, aty ku qielli duket se puthet me tokën mbrëmjeve, ku era përkëdhel pemët në këmbim të asgjëje, pamja magji e së cilave qetëson edhe më të lodhurat shpirtra…
Aty ku kalimtarit të thjeshtë s’iu mohua kurrë një gotë ujë në ditët kur zhegu digjte, ku lulet e filetës e të bajames kundërmonin deri larg, ndërsa parfumi i bukës dhe kalldrëmi kurrizdalë të ndjellin për në shtëpi.
Aty ku prehen eshtrat e të njohurve tanë, gjyshërve e të rinjve, ku bashkë me ta nën një qiparis të lartë e krenar, gjendet sot prehja e fundit e tij.
Heroit që njohëm, prekëm me dorë, heroi që mbeti për vite në kujtimet e gojëdhënat e popullit të tij.
Mbeti dedikimi i tij i paparë në mision sa të vështirë aq edhe fisnik e human,
i Atij që kurrë interesin vetjak nuk e vuri para atij të përgjithshëm
Populli s’e harroi kurrë, sepse ky është populli që përkundi të gjithë ata burra djepi i të cilëve ruhet në “pasurinë e Uneskos Ishmake”
I nderuari Dr. Xhaferr Muharremi lindi në fshatin Lalëz të Ishmit me 15 shkurt 1945 ku kreu dhe studimet e para.
U rrit e u mëkua me dashurinë pa kushte për familjen, vendlindjen. Ndonëse kreu të Politeknikumin e Tiranës dhe më pas Fakultetin e Mjekësisë po në Tiranë, zgjodhi të kthehej në fshatin e lindjes për t’i shërbyer me përkushtim e humanizëm popullit të tij deri në fundin e ditëve…
Punoi për vite si mjek i përgjithshëm gju më gju me popullin, në pothuaj të gjithë njësinë dhe për 20 vite me rradhë kreu detyrën e vështirë si Përgjegjës i Qendrës Shëndetësore Ishëm duke i ofruar zonës shërbim dinjitoz e të përgjegjshëm.
Kjo bëri të forcohej akoma më tepër dashuria e ndërsjelltë, e sinqertë dhe besnike e banorëve të zonës së Ishmit e më tej… pasi ai s’njihte kufij në shërbim të popullit.
I miri Dr. Xhafa ndalonte në sofrat e fshatarëve dhe ua gëzonte zemrat të gjithëve, jo vetëm duke u shërbyer por edhe duke shkëmbyer me ta kujtime, fjalë e të sinqerta buzëqeshje!
Kjo lloj dashurie nuk mundej kurrsesi të imponohej as të blihej, ndaj dhe populli e kujton gjithmonë me respekt e krenari të madhe.
Engjëjt e ftuan herët në sofrën e tyre në moshë ende të re, 52-vjeçare, duke marrë kështu udhën e pakthyeshme për në amshim
Ishte 1 Dhjetor 1998 kur u nda nga jeta, familjarët e të dashurit e tij të cilët gjithmonë kanë qenë mbështetës të flaktë të misionit sa humanitar aq edhe të vështirë duke konsideruar kushtet e asaj periudhe kur ai punoi dhe veproi si mjek.
Emri, vepra dhe kujtimi i tij do të rrojnë gjatë në zemrat tona dhe të popullit mirënjohës Ishmak si një njeri me zotësi dhe ideale të larta që nuk e zgjodhi vendlindjen vetëm për të prehur eshtrat, por kontribuoi dhe e dashuroi atë me besnikëri të pashembullt.
Please follow and like us: