Albspirit

Media/News/Publishing

Vasil Muka: Sot feston Shën Eftalia, emrin e së cilës mbante nëna jonë 

Sot feston Shën Eftalia, emrin e së cilës mbante nëna jonë e mirë, e urtë e punëtorë.
Vuajti gjithë jetën persekutimin, deri në” mohim” fajin se ishte vajza e kapitalistëve, pronarëve të pasur Papavangjeli. Ata me djersë e zgjuarësi ndërtuan të parën fabrikë të lekurëve që në 1892 moderne për kohën me motora diezel 250 kuaj fuqi.
Nuk guxoi e shkreta nënë të na pohonte e tregonte pasuritë, fabrikën, dyqanet, magazinat, shtëpitë, tokat, florinjtë, etj. Sa keq më vjen që edhe pas 1990 nuk iu gëzua dot gjakut të të parëve, xhaxhait të saj vdekur në burg, nën tortura, prindërve vdekur në Greqi pa varr.

—————————

EFTALIA, MAMAJA IME

 

Eftalia (Taloja), mamaja ime, 15.02.1921 – 23.09.1992, vajza e dytë e Gaqes, mbetur këtej kufirit, pasi ishte martuar me Jani (Nako) Mukën, djali i Cile Mukës, me nam në Gjirokastër e më gjerë për rostiçerinë e tij.

Cilja, me zgjuarsinë e tij, për të shpëtuar veten dhe nusen e djalit nga persekutimet, mbajti gjithmonë miqësi, pasi nuk kishte si të sillej ndryshe, me kryetarët e Degës së Punëve të Brendshme. Që pas Çlirimit deri më 1965 ata banonin në një nga katet e shtëpisë së Ciles, me vendim të Komitetit të qytetit.

Fati i keq i saj, pasi i duhej të përballej çdo ditë me gjithë rrokopujën e familjes Papavangjeli, vetëm ajo nga Papavangjelajt banonte në këtë qytet. Shtëpia e Cile Mukës, në të cilën ajo ishte nuse, ishte mbi godinën e Degës së Punëve të Brendshme dhe ajo tregonte se si hetuesit e prokurorët e morën Qendro Papavangjelin, xhaxhanë e saj, të lidhur me pranga dhe e çuan në Qestorat te shtëpia e Niko Zografos. Nikua ishte kunati i tij. Aty, në fshat, kishin fshehur një pjesë të floririt e bizhuterive, nëpër bythët (rrënjët) e fiqve e ftonjve.

Nuk kishte faj të mos tregonte. A mund të përballohej egërsia dhe tërbimi i katilëve të sigurimit? Kristaqi më tregon se kur dajo Mihua shkoi për ta vizituar në burgun e Kalasë, te shtatë penxheret, nuk e njohu. Ai kolos ishte katandisur si mos më keq nga torturat. Kockë e lëkurë sa nuk njihej. Dhe më keq akoma tregon Eftalia,  një hetues B.K. kur u kthyen nga Qestorati, ku kishin marrë gjithë floririn e Qendros, pasi kaluan Qafën e Gërhotit, nuk u kthye bashkë me të tjerët në Degë. Ai kaloi poshtë shtëpisë së saj, për në Cfakë, ku kishte shtëpinë. Sigurisht, një pjesë të florinjve dhe bizhuterive ia çoi gruas së tij. Në gjimnaz isha në një klasë me djalin e hetuesit grabitës, por nuk e dija këtë histori. Më pas e mësova. Edhe ai u bë si babai prokuror, e tashmë më neveritej sa herë e shikoja në Tiranë.

Në dy mars kremtohet emri i saj në nderim të dëshmores Eftali, e ndaj sot që po shkruaj këta rreshta shkova në kishë e ndeza një qiri në kujtim e nderim të saj. Mamaja ishte besimtare ortodokse e devotshme. Lodhej shumë në këto festa, por ndihej mirë e kënaqej kur shtëpia mbushej plot me njerëz për festa. Sigurisht, kremtimet e emrave të femrave sfumoheshin pak nga ata të meshkujve. Punë mendësish të kohës, por mamaja na merrte nga dora dhe si sot, çdo dy mars, do të shkonim në kishë. Më parë na kishte çuar te dyqani i “Pionierit“ për të na blerë rrobat e sandalet e verës. E ne gëzonim rrobat e reja, pastaj festimi sillte me vete dhe ëmbëlsira e kanaqira.

Duke ndezur qiri sot në kishë, i betuar se do ta nderoj e kujtoj gjithë jetën për sakrificën e dashurinë, thjeshtësinë e mirësinë që rrezatonte, premtova se do ta përfundoj sa më parë librin në kujtim të tyre. I çova mesazh Dianës e Panos për kujtesë e nderim të së mirës nënës sonë të vuajtur. Tani që po shkruaj këta rreshta sa fola me Dianën, e cila më kujtoi se kur shkonte në kishë mamaja, vishej si një zonjë aristokrate e vërtetë, ashtu siç dhe ishte. Shkonin në kishë së bashku me kunatën e saj, Viton. Nga biseda me Dianën nuk e di, por se si m‘u shkrep e më erdhi një përlotje deri në dënesë për mamanë që qe aq e mirë dhe e thjeshtë, sa më duket se në ngjallje të saj nuk e kam dashur e respektuar sa duhet. Nuk na kishin rritur me pekule e përkëdheli të tepruara, e kurrë nuk na sillte në kujtesë origjinën e saj fisnike e borgjeze.

Ajo, mamaja ime, nuk e di, por herë-herë më dukej si shenjtore. E urtë, e butë, e qeshur, e përvuajtur, por punëtore e nikoqire si ajo. Vuante nga gjëndra tiroide dhe gusha i kishte dalë si e pulkave të detit. Me sa duket tiroidja i sillte vazhdimisht ngacmim e gjendje jonormale, çka ajo e hante përbrenda dhe acaronte shëndetin e saj. Shkrehej shpesh në dënesa të pashpjegueshme, dhimbje koke, tension e impulse jonormale. E operoi në Tiranë, në vitin 1983, doktoresha duarartë Rushen Golemi. Në qafën e saj tashmë si një zinxhir i bukur, qëndisur për merak, qëndronte e qepura, në vend të zinxhirit e varëseve prej floriri që nuk mundi t‘i përdorte kurrë.

Në shtëpinë e prindërve në Varosh ajo nuk mundi të hyjë më që pas Çlirimit. Kur kalonte rrugës ajo, madje dhe ne, nuk guxonim të kthenim kokën dhe ta shikonim shtëpinë e gjyshit. Sigurimsit dukej sikur do na thoshin: Çfarë doni, borgjezë të ndyrë. Mamaja me dhimbje e përmes lotëve tregonte se kur shkonte për vizita kryesisht në Varosh dhe në Palorto, gjente në shtëpitë e të tjerëve mall e plaçkë të tyre. Gratë e larove kapardiseshin me zbukurimet e grabitura në Papavangjelaj.

Një herë dikush nga policia i kishte lajmëruar se do ta çonin Qendron nga Dega në burgun e Kalasë. I pa kur dolën nga burgu i Degës, priti e doli te porta ku kalonte rruga. O Zot, ballë për ballë me të. Me një dyshek e batanije në kurriz, me duart me pranga, i drobitur e shpërfytyruar, i dobësuar e i kërrusur iu shfaq përpara xhaxhai i saj i mirë, që e donte shumë. Shastisi e u hutua, as guxoi t‘i fliste. Gjaku i vërshoi në vena e tmerri e pushtoi. Sytë iu errën e goja fjalët i humbi. Ai ndali këmbët. Ishte porta e krushkut, që sa herë kishte hyrë e dalë. Por tani i ishte larguar dhe e shikonte si në përhumbje e ftohtësi, si i huaj. Policët e shtynë. Sa nuk u rrëzua. Sa shumë u tronditën të dy. Ai, ashtu i ngarkuar, i kërrusur, shoqëruar me dy policë, iku zvarrë-zvarrë. Nuk guxoi a nuk mundi të bëzante. Ajo ngeli pas portës, e hutuar dhe e përhumbur. Të gjithë sa u ndodhën, babai, Papua, Jajaja e qetësuan me shumë dashuri.

Çdo polic që kalonte te porta, e për fat të keq andej kalonte rruga nga Dega për në Kala, te burgu, mendonte sikur po vinte për të. Kjo ndjesi frike na ishte mëkuar dhe neve, prandaj, sa herë që shikonim policët që poshtë te Koço Ispiri, mbyllnim tarabatë e dritares së patit, që mos t‘i shihnim e nuk guxonim të dilnim në portë.

Duke shkruar këta rreshta, sot më 02 mars 2022, postova një status në facebook, në nderim të ditës së kremtimit të emrit të mamasë, status që mori brenda ditës qindra pëlqime dhe po aq komente. Po hedh disa. Ja statusi:

E mira, Shenjtorja ime, nëna Eftali, që feston sot emrin, si Dëshmore e Orthodhoksisë.

Talo i thërrisnin e si sot, veshur me rrobat më të bukura, fisnike e vërtetë, bijë borgjezësh, do të shkonte në Kishë. Ne nga dora, fëmijë, gëzonim se na kishin blerë rroba e sandale të reja te dyqani i “Pionierit”.

Më pas vardha njerëzia për të uruar, e ajo fluturonte nga gëzimi e hareja që i mbushej shtëpia plot. I mungonin më të dashurit, prindërit e “arratisur” në 1943 në Greqi, të damkosur armiq.

Boshllëkun e zbrazëtirën e mbushte dashuria e njerëzve të burrit, gjithë Mukajt e tërë Varoshlinjtë.

E bukur, energjike, e dashur, simpatike, punëtore, mike, gojëmbël dhe babaxhane qe e mira nëna ime, që piu kupat me helm që në rini.

Prona e Papavangjelajve, fabrika e lëkurëve, shtëpira e dyqane, flori e bizhuteri i sekuestruan e u vodhën, u tremeqisën. Ajo vente në Kishë e nën zë lutej e ndizte qiri për të parët që komunistët i lanë pa varre. Ata prehen në paqe e shpirtrat e katilëve dergjen në ferr të mallkuar, që së paku falje të kërkonin e varret të na tregonin.

Nderim, respekt e mirënjohje, nëna ime e dashur.

Teksa lexoj komentet lumturohem për nënën time. Krenohem, respekti e dashuria më shtohen. Sa shumë epitete e vlerësime nga njerëz të ndryshëm, të afërm apo jo. Të gjithë e kujtojnë me respekt e dashuri atë, të mirën nënë.

Hodha një status tjetër në facebook për mamanë. Ju kërkoj ndjesë për ndonjë përsëritje, por ju lutem të më falni se nuk di kë të ndaj e kë të heq. Çdo shkrim ka ndjenjën e birit për nënën e vuajtur.

Ja statusi:

  1. 09. 2020.

Alo? Vaso, si sot ka vdekur mamaja, ishte zëri i Dianës, motrës sime.

Po, sa ndeza një qiri në kujtim të saj, iu përgjigja.

Ishte viti 1992. Sa kishim dalë nga diktatura në lirinë e demokracinë që ajo mezi i priste, por, për fat të keq, nuk i gëzoi dot. Ndoshta ëndërronte që fëmijët e saj të gëzonin pronat e babait të saj. Priste të vihej në vend nderi, puna, djersa, pronat e të parëve. Shikoni çfarë çifti simpatik, alla italiane. Ajo, Eftalia, Talua, vajzë kapitalistësh, erdhi në familjen e Cile Mukës e u bë nuse e vajzë e shtëpisë. Iu desh të mbante në shpinë e në shpirt dhimbjen e largimit të detyruar në Greqi të prindërve, vdekjen e shpejtë të tyre, cilësimin “armiq të popullit”, burgosjen dhe vdekjen në burg të xhaxhait të saj, Qendros, që nuk i dimë as varrin, bastisjen, konfiskimin e pasurive pa fund, vënë me djersë. Sekuestrimin e tri shtëpive, një në Varosh dhe dy në Palorto, kompleksit me dyqane e magazina tek Obelisku, fabrikës së lëkurëve, mbi 25 kg flori, bizhuteri, mall e gjë. Çdo gjë u sekuestrua, u mor e u vodh. Vuante shumë, por nuk fliste. Vente vizita e shikonte velenxat, qylymat, perdet kadife etj., apo varëset, byzylikët e bizhuteritë e familjes së saj në shtëpitë e duart e të tjerëve. Sa shumë ka vuajtur. Kalonim para shtëpisë në Varosh, ku qe rritur, e na thoshte: “Mos shikoni andej, ajo është shtëpi e armiqve të popullit. Çfarë sarkazme. Kishte frikë mos të nesërmen krenoheshim në shkollë për shtëpinë e gjyshërve tanë, më të bukurën në lagje.

E vetmja trashëgimtare e mbetur në Gjirokastër, vuajti shumë poshtërimin, mohimin, sarkazmën, urrejtjen e sistemit.

Ajo, nëna time, ishte një grua e fortë, fisnike, e dashur, e thjeshtë, mikpritëse e kokulur, por krenare, shumë sensibile dhe emocionale. Ajo mbajti në kurriz gjithë tmerret e poshtërimet, dhimbjet e humbjet, vdekjet dhe harresën, largësinë dhe shkatërrimin. Nuk mundi të vërë një tufë lule e të qajë te varri i prindërve, që as sot nuk gjenden.

Nuk na tregonte shumë nga të parët, nga e kaluara. Gjithçka e mbante brenda vetes, duke krijuar njëfarë tisi harrese, jo pa qëllim, lënie mënjanë të së kaluarës.

Ishte e para që hapi repartin e trikove në ndërmarrjen Riparim Shërbime me makinën e saj, që e kishte sjellë në pajë dhe për rreth 20 vjet qëndronte në tavan e fshehur.

Më mirë që nuk arriti të hynte në shtëpinë e të parëve ku kaloi fëmijërinë dhe rininë, se do të tronditej shumë kur të shikonte pllakat e dyshemesë në dhomë e korridore të shqepura e të mballosura, nga qe rrëmbyer floriri i prindërve të saj.

E ngrinin në këmbë në mbledhjet e kolektivit në Riparim Shërbime: Çohu ti, bijë e armiqve të popullit, e na trego për ta. E asaj i binte të fikët e i çohej tensioni. Dhe ashtu vdiq, nga tensioni, në prag të lindjes së kapitalizmit, që të parët e saj e kishin instaluar që në 1927, me fabrikën e lëkurëve.

Pronat nuk i kemi marrë, vazhdon kalvari i gjyqeve, por ndihemi mirë që së paku një rrugë në lagje mban emrin “Papavangjeli”, Kompleksi në Pazar po ashtu, Vila në Varosh gjithashtu, e Këshilli Bashkiak i ka nderuar të parët e saj me titullin “Mirënjohja e Qytetit” si themelues të kapitalizmit.

U prehsh në paqe, nëna jonë e mirë! Faleminderit për jetën, formimin e bekimin që na fale.

Please follow and like us: