Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: KËPUCËT E DIKTATURËS

Skicë
Shpesh, kur dal ose hyj në shtëpi, duke mbathur apo zbathur këpucët, mendja më shkon në vegjëlinë dhe rininë time. Për herë të parë vesha këpucë të vërteta, të qepura me dorë, në mënyrë artizanale, kur shkova në klasën e parë të shkollës fillore. Deri atëherë isha kullandrisur me shollë me rripa. Pra, isha rritur gjysmë zbathur. Si për gjithë moshatarët e mi, ato shollë, ishin sajesa me copa gomash të makinave të flakura andej-këtej. Qepeshin me tela të butë alumini që kishin mbetur që nga Lufta e dytë botërore. Ashpërsinë e tyre e zbusnin vetëm çorapet e zeza të thurura me fije leshi nga mëmat, por ato nuk të mbronin nga lagështia e bora, sidomos nga shirat e rrëmbyeshëm të vjeshtës e të dimrit.
Në hyrje të qytetit të Gjirokastrës ishte një fabrikë e lëkurë-këpucëve që kundërmonte erë kërmë. Aty regjeshin e thureshin këpucë lloje-lloje. Vendin e parë e zinin këpucët e ushtarakëve dhe të policëve. Bëheshin me lekure viçi, ishin të forta, të ngrohta dhe rronin gjatë. Atëherë ka dalë edhe ajo shprehja “të shtyp me këpucë, të fut një shqelm me këto çizmet ushtarake dhe të hedh përtej”, etj. I kisha zili oficerët vetëm për këpucët dhe çizmet e thurura me lekure viçi. Ushtarakëve nuk ua hidhja sytë tek uniforma, por më shumë tek këpucët.
Lëkurët e regjura të derrave dhe të bagëtive të imta ishin këpucë për popullin, ku bëja pjesë edhe unë. Më të lirat ishin këpucët me lëkurë derri të cilave gjurmët e qimeve të shkulura me gëlqere të pashuar u lexoheshin që atje tej. Nuk kishte sfungjer më të mirë për të thithur ujin dhe lagështirën e dimrit. Ato, të keqen më të madhe e kishin tek ngjitja me amiakol. Sado të reja të ishin, amiakoli brenda një muaji krijonte vrima e kanale dhe uji hynte brenda tabanit fare pa teklif. Edhe pse kisha dalë në punë, nuk ma mbante xhepi të bleja këpucë me boks nga lekure viçi, ishin shumë të shtrenjta, gati një rrogë muaji. Zakonisht këpucët e reja i bleja në tetor, por Viti i Ri, pesë poshtë, pesë lart, pa përjashtim, këpucët e mia i zinte të çpuara.
Një mbrëmje dimri, gjatë shetitjes në Bulevard, i them Xhevahir Spahiut, poetit dhe kolegut gazetar:
– Si nuk më qëlluan një palë këpucë të mos më futin ujë?!
– Se mos vetëm ty, – më tha ai – edhe mua, më vjen të vesh një palë këpucë miniere nga të babait, por janë të rënda. Këpucët e mira këta i shesin jashtë shtetit. Me paratë e tyre blejnë oriz e sheqer, neve na mbeten këpucët me lëkurë derri.
Hallin e këpucëve ia tregova edhe kompozitorit Limoz Dizdari, nip nga fshati ynë. Më tha me zë të ulët:
– Gjej ndonjë këpucar privat të deklasuar në Gjirokastër dhe bëj një palë me porosi. Ashtu kam bërë unë dhe kam shpëtuar.
– Po ku ka këpucarë privatë, aq më keq të deklasuar, i kanë fshirë nga faqja e dheut.
– Ka, ka, por kërkoji…- tha duke qeshur hidhur dhe u largua pa kthyer kokën mbrapa.
Në Gjirokastër shkoja herë pas here sepse ende nuk kisha marrë shtëpi në Tiranë dhe familjen e kisha aty. Pyeta në qytet, por askush nuk më tregonte. Kishin frikë, sidomos prej profesionit tim. Rastësisht tek Qafa e Pazarit takova një ish nxënës të shkollës së mesme nga Lazarati. I tregova hallin e këpucëve.
– Ke në Dervician Jani Kserën, minoritar grek, por kujdes se këta Kserajt janë të deklasuar dhe mos të hapen telashe, – më porositi ai gjithë merak.
E gjeta mënyrën se si ta takoj Janin. Ishte një djalë i ri, i urtë dhe me dhëmbët e parë katarosh. Kishte dalë në Pazar për punët e tij. Njihej në Gjirokastër. Më mori masën e këmbëve direkt e në kafene dhe më ofroi një çmim më të lirë se sa këpucët e derrit që shiteshin në dyqan. Pas një jave i kishte çuar vetë këpucët në shtëpinë time. Fiks sipas numrit të këmbës sime. Shumë të bukura, më të bukura se ato që prodhoheshin për ushatarkët, por në ngjyrë kafe.
Me ato këpucë kalova dy vjet dhe nuk m’u fut pikë ujë në këmbë. U bëra manjak pas këpucëve. E takova përsëri Limozin. I njohu këpucët e porositura dhe qeshi me zë të lartë.
– Tani ia hodhe dimrit, – më tha.
Por a e dini kur m’u zhduk fobia e këpucëve? Kur mbërrita në Kanada. Nuk kërkoja asnjë rrobë (për ato kujdeset bashkëshortja), por këpucë dhe vetëm këpucë. Veç atyre që kam falur në Shqipëri, mund të kem më shumë se njëzet palë këpucë nëpër rafte, të gjitha me lëkurë të gjallesave. Ka prej tyre të veshura njëherë apo dy, vetëm në ndonjë event.
Mississauga, 6 mars 2024
Please follow and like us: