Dy fytyrat e Euros: Jacques Delors dhe Wolfgang Schäuble
Nga Yanis Varoufakis
ATHINË – Nga të gjithë politikanët evropianë që nuk i udhëhoqën kurrë vendet e tyre, Jacques Delors dhe Wolfgang Schäuble patën ndikimin më të madh në Evropë. Mes tyre, Delors dhe Schäuble, të cilët vdiqën një ditë pas tjetrit në dhjetor, formuan Bashkimin Evropian të sotëm. Mandatet e tyre nuk kishin mbivendosje, por përplasjet e tyre të forta mbi të ardhmen e Evropës bënë histori. Dhe ndërsa rëndësia e të dy burrave njihet gjerësisht, lidhja e fortë shkakësore midis vizioneve të tyre kontradiktore dhe rënies aktuale të BE-së nuk është kuptuar mirë.
Duke gjykuar nga nekrologjitë e ndryshme, të dy burrat mbahen mend për dallimet e dukshme: Delors, francezi madhështor, katolik, socialdemokrat, ëndrra e të cilit për një Evropë kejnesiane ishte makthi i kryeministres britanike Margaret Thatcher; dhe Schäuble, avokati i rreptë gjerman, kalvinizmi fiskal i të cilit tmerroi ministrat e financave të Europës Jugore, si dhe ministrat francezë, që shpenzonin deficitet.
Ndërsa të dy janë njohur si evropianë të shquar, dhe si rrjedhim armiq të euroskeptikëve, Delors portretizohet si centralizuesi më i padurueshëm, në kontrast të thellë me Schäuble, i cili hezitoi t’ia jepte kompetencat e parlamentit gjerman Brukselit.
Asnjë nga këto nuk është e rreme. Por portretizimi i motivimeve dhe veprave të dy burrave është i paplotë – dhe ndoshta i gënjeshtërt.
Kthesa taktike e Delors
Në kohën kur kancelari i atëhershëm gjermano-perëndimor Helmut Kohl i dha Schäubles postin e tij të parë në kabinet, një ministri e vogël, në vitin 1984, Delors sapo kishte përfunduar një mandat si ministri i parë i financave i presidentit francez François Mitterrand. Qeveria e Mitterrand, e përbërë nga socialistët dhe komunistët, ishte zgjedhur në vitin 1981 me një platformë kundër masave shtrënguese, që premtonte rritje egalitare. Pothuajse menjëherë pas atyre zgjedhjeve, kapitali francez u largua masivisht në Gjermani. Për ta ndaluar atë, Delors duhej ose të zhvlerësonte në mënyrë të konsiderueshme frangën, ose të rriste normat e interesit në nivele që e shkatërronin ekonominë.
Nën Sistemin Monetar Evropian (EMS), të cilin Gjermania dhe Franca e kishin krijuar me bujë të madhe në vitin 1978, kursi i këmbimit ishte fiks dhe çdo zhvlerësim i frangës kërkonte pëlqimin e Gjermanisë. Për ta dhënë atë pëlqim, Gjermania kërkoi një çmim të lartë: një ulje reale të pagave (një ngrirje e pagave në mesin e inflacionit të lartë), të cilin qeveria e Mitterrand-it ishte zgjedhur pikërisht për ta shmangur.
Delors kishte dy opsione: të prishte traktatin EMS (dhe të zhvlerësonte frangën në mënyrë të njëanshme), ose të rriste normat e interesit në 25%. Ai zgjodhi këtë të fundit, por kapitali vazhdoi të ikte, ndërsa të ardhurat franceze për frymë ranë me më shumë se 10% në tre vjet. Deri në vitin 1983, Delors kishte miratuar masa shtrënguese të plota (përfshirë ngrirjen e pagave të kërkuara nga Gjermania), ministrat e majtë kishin dhënë dorëheqjen dhe Franca ishte në rrugën e përqafimit të strategjisë së Gjermanisë, për dezinflacion konkurrues (të reflektuar në politikat e forta të frangës, që u bënë standard gjatë viteve 1990).
A ishte ky fundi i axhendës socialiste të Mitterand-it? Jo, tha Delors: për të luftuar masat shtrënguese në nivel evropian, Franca së pari duhej t’i përqafonte ato. Politikat pro-punës brenda Francës, argumentoi Delors, do të viheshin gjithmonë përfund nga tregjet financiare të Anglosferës duke vënë baste kundër frangës, duke rritur kostot e huamarrjes së shtetit francez, duke shkaktuar ikjen e kapitalit në Gjermani dhe duke imponuar zhvlerësimin e monedhës franceze dhe të shtetit francez.
E vetmja mënyrë për të zbatuar axhendën e tyre të vitit 1981, i tha Delors Mitterand-it, ishte të bindnin tregjet financiare se bastet kundër frangës ishin të kota, sepse ishin të lidhura në mënyrë të pandashme me markën e fortë gjermane. Axhenda e tyre mund të triumfonte, por vetëm në një nivel pan-evropian – një projekt masiv që kërkonte “kapjen” e Bundesbankut (në thelb adoptimin e markës gjermane përmes një bashkimi monetar) dhe, në një farë mënyre, të shtynte elitat gjermane të miratonin axhendën e socialistëve francezë në nivel evropian.
I bindur nga kjo analizë, në vitin 1985 Mitterrand përdori ndikimin e tij për të lobuar me sukses për emërimin e Delors në presidencën e Komisionit Evropian. Nga Brukseli, Delors nxiti futjen e euros, duke përdorur si mjet Komitetin e famshëm Delors.
Ndryshe nga federalistët e vërtetë që kërkuan një bashkim politik demokratik të plotë, Mitterrand dhe Delors nuk planifikuan kurrë t’i jepnin fund kuadrit vendimmarrës ndërqeveritar të Evropës, i cili besonin se ishte më i përshtatshëm për qëllimin e tyre, për të projektuar prioritetet dhe metodat e qeverisë franceze në Evropë. Ajo që ata dëshironin ishte një bashkim monetar që do të krijonte, në mënyrë të fshehtë, një bashkim fiskal (por jo politik), të cilin Franca do ta dominonte.
Një mbrojtje e quajtur Schauble
Çuditërisht, Bundesbank i pa këto lëvizje që po vinin. Nga viti 1983 e tutje, Bundesbank bëri lëvizje monetare agresive që synonin t’i “thyenin hundën” marifeteve të Delors. Midis politikanëve gjermanë, ishte Schäuble ai që e përqafoi plotësisht projektin e Bundesbank-ut për t’u mbrojtur nga përqafimi prej ariu i Delors.
Schäuble kishte parë tek Delors një mjeshtër të taktikës, i cili parashikonte një Evropë në imazhin e një France të Madhe, që adoptonte markën gjermane për të financuar politikat socialdemokrate. Për t’iu kundërvënë Delors, strategjia Bundesbank-Schäuble ishte të nxiste një bashkim monetar shumë më të vogël, që do të përfshinte vetëm shtetet me suficit të llogarive rrjedhëse dhe deficite qeveritare tepër të ulëta. Schäuble e kuptoi rëndësinë politike dhe gjeostrategjike të përfshirjes së Francës, por francezëve do t’u duhej të pranonin humbjen e sovranitetit mbi buxhetin e tyre kombëtar – një parakusht që çdo vend me deficit të ruajë qëndrueshmërinë brenda një bashkimi valutor, të cilit i mungon një bashkim fiskal.
Në shtator 1988, Delors mbajti një fjalim në Kongresin e Sindikatave të Britanisë që përkoi me kohën më të errët të anëtarëve të tij – pasojë e fitores së tretë të zgjedhjeve të përgjithshme të Thatcher. Delors përshkroi vizionin e tij për një “Evropë Sociale”, në kontrast me “klubin e kapitalistëve”, siç e përshkroi ai Tregun e Përbashkët Evropian. Duke gjykuar nga ovacionet që mori, Delors kishte fituar mbi përfaqësuesit e punëtorëve britanikë.
Atë ditë, Partia Laburiste e Britanisë filloi zhvendosjen nga Euroskepticizmi në Eurofili. Në të njëjtën ditë, dhe për të njëjtën arsye, kambanat e alarmit ranë në kokën e Thatcherit. Javë më vonë, ajo mbajti fjalimin e saj të famshëm në Bruges – ndoshta në momentin kur u konceptua Brexit – në të cilin paralajmëroi për afrimin e “supershtetit” europian.
Thatcher bëri të njëjtin gabim si Mitterrand: ajo kishte nënvlerësuar aftësinë e Schäuble për të shtypur projektin e Delors. Ishte një gabim i kollajtë për t’u bërë. Rënia e Murit të Berlinit ishte gati t’i jepte ambicieve të Delors një shtysë të madhe. Duke pasur parasysh kundërshtimin e Thatcherit ndaj ribashkimit të Gjermanisë, Mitterrand papritmas pati fuqinë që i nevojitej për ta detyruar Kohl-in të pranonte një eurozonë më të madhe, duke përfshirë jo vetëm Francën, por edhe vende të tjera me deficit si Spanja, Portugalia dhe në fund edhe Greqia.
Fushëbeteja Evropë
Pranimi i krijimit të një eurozone të madhe dhe heterogjene në këmbim të marrjes së miratimit të Francës për ribashkimin gjerman, ishte një betejë që Schäuble dhe Bundesbank ranë dakord ta humbnin. Por Schäuble nuk kishte hequr dorë nga lufta.
Mitterrand dhe Delors, por edhe Schäuble dhe Bundesbank, e dinin gjithmonë se mungesa e një bashkimi fiskal në unionin monetar heterogjen e bënte atë të brishtë –akoma më shumë, mungesa e një bashkimi bankar. Të gjithë parashikuan se si një krizë serioze financiare do ta detyronte klasën politike të Evropës ose të krijonte një thesar federal, të shpërbënte eurozonën ekzistuese ose të pranonte rënien e përhershme të Evropës. Por ata ishin në një ngërç për shkak të përplasjes midis Delors (me mbështetjen e Mitterrand), i cili dëshironte atë që Thatcher e perceptonte si një supershtet distopik, dhe vizionit të Schäuble (të mbështetur nga Bundesbank) për një eurozonë më të vogël brenda një BE më të madhe, dhe me shumë shpejtësi. Pra, të gjithë prisnin betejën tjetër të madhe, të cilën do ta shkaktonte kriza e parë serioze financiare.
Në kohën kur ndodhi, dy dekada më vonë, Delors kishte dalë në pension dhe Schäuble ishte ministër i financave i Gjermanisë, nga ku ai dominoi Eurogrupin – këshillin joformal të ministrave të financave të eurozonës. Sapo kolapsi i Lehman Brothers në vitin 2008 shkaktoi falimentimin e njëpasnjëshëm të bankave gjermane dhe franceze, si dhe falimentimin e shtetit grek dy vjet më vonë, Schäuble e dinte se kishte nisur “loja”.
Schäuble parashikoi që francezët, duke mbajtur stafetën e Delors në këtë garë prej tre dekadash, do ta përdornin krizën për të bërë presion për qëllimin e tyre afatgjatë të bashkimit fiskal – duke filluar me reciprocitetin e borxhit. Strategjia e tij e mbrojtjes ishte të propozonte që vendet e falimentuara të inkurajoheshin dhe të ndihmoheshin për të dalë nga euro. Papritur, Grexit ishte një alternativë ndaj masave shtrënguese dhe zhvlerësimit të jashtëzakonshëm të brendshëm.
Si një ordoliberal praktikant protestant me një përbuzje për makroekonominë, Schäuble besonte te masat shtrënguese. Gjatë ribashkimit të Gjermanisë, ai kishte luajtur një rol udhëheqës në varfërimin dhe de-industrializimin aktiv të Gjermanisë Lindore pikërisht për të njëjtën arsye që, pas vitit 2010, ai u bë kampioni i masave shtrënguese në të gjithë Evropën: për të ruajtur modelin e biznesit të pasluftës, merkantilist, gjermano-perëndimor.
Por edhe Schäuble e kuptoi se niveli i masave shtrënguese të vendosura ndaj Greqisë midis 2010 dhe 2015 ishte tepër shkatërrues. Nga e di unë? Sepse kur isha ministër i financave i Greqisë, kalonim orë të tëra duke diskutuar për këto çështje dhe ai më tha të njëjtën gjë në disa raste.
Në një nga ato biseda, ai shkoi aq larg sa konfirmoi se, sipas tij, eurozona ishte “ndërtuar gabimisht” dhe kishte nevojë për një bashkim politik, të cilit francezët i rezistuan. “E di,” thashë, për ta inkurajuar të vazhdonte. “Ata donin të përdornin markën tuaj gjermane, por pa ndarë sovranitetin!” Ai tundi kokën në shenjë dakordësie: “Po, kështu është. Dhe nuk do ta pranoj”, vazhdoi ai. “Pra, e sheh, e vetmja mënyrë se si mund ta mbaj këtë gjë të bashkuar, është me disiplinë më të madhe. Kushdo që dëshiron euron duhet të pranojë disiplinën. Dhe do të jetë një eurozonë shumë më e fortë nëse disiplinohet nga Grexit.”
Schäuble nuk kishte iluzione. Nxjerrja e Greqisë nga eurozona kishte pak të bënte me Greqinë dhe e gjitha kishte të bënte me Francën dhe vizionin e Delors. Ai donte që Franca të kuptonte se, nëse donte euron (të cilën në bisedat tona ai e quajti dy herë si marka gjermane), duhej të mirëprisnin trojkën në Paris dhe të hiqnin dorë nga ëndrra e Delors për një Francë të Madhe në një fustan të BE-së. Këmbëngulja e tij për Grexit ishte një mesazh jo shumë delikat për kastën politike franceze: Ashtu si Greqia, ju mund të shpëtoni nga masat shtrënguese vetëm jashtë euros.
Tre zgjedhje
Logjika pas pozicionit të Schäuble ishte e thjeshtë: duke pasur parasysh arkitekturën e keqe të eurozonës, Evropa e pas vitit 2008 u përball me tre opsione, të cilat ai i renditi sipas rendit të mëposhtëm:
Opsioni më i mirë: Një eurozonë më e vogël homogjene që kërkon vetëm masa shtrënguese të moderuara dhe lejon fshirjen e borxheve për vendet me borxhe të mëdha, në këmbim të daljes nga euro.
Opsioni i keq: Ruajtja e eurozonës origjinale heterogjene me çmimin e masave shtrënguese masive dhe pa fshirje terapeutike të borxhit.
Opsioni i papranueshëm: Vizioni i Delors për një bashkim fiskal pa një bashkim politik demokratik – atë që Thatcher e kishte etiketuar një “mbishtet” evropian.
Opsioni i preferuar i Schäuble ishte një dalje e Greqisë nga euro. Kjo do të bënte që Italia dhe vendet e tjera me deficit të ndiqnin Greqinë brenda pak ditësh, duke realizuar më në fund planin origjinal të Bundesbank për një eurozonë të vogël, merkantiliste brenda një tregu të vetëm më të madh.
Elitat franceze, së bashku me homologët e tyre në Itali, Spanjë dhe Greqi, e kundërshtuan ashpër këtë opsion, sepse donin që asetet e tyre të brendshme të mbesin të shprehura në euro. Për të fshehur motivin e tyre më pak se të virtytshëm, ata bënë zhurmë se kishte ardhur koha për të zbatuar planin origjinal të Delors për bashkimin fiskal. Por hipokrizia e tyre ishte e dukshme në faktin se edhe socialistët e Francës nuk ishin të gatshëm të plotësonin unionin fiskal me bashkim politik, që të mos rrezikohej sovraniteti kombëtar francez.
Schäuble u ndie i detyruar të parashtronte ligjin: Plani i Delors ishte i papranueshëm, jo vetëm sepse do të ishte politikisht e pamundur të miratohej në parlamente të ndryshme kombëtare. Nëse vendet me borxhe të mëdha donin të mbanin euron, ishin ato (jo Gjermania) që duhej të impononin masa shtrënguese masive dhe jooptimale mbi popujt e tyre (Opsioni i keq). Për hidhërimin e tij, ata ranë dakord ta bënin këtë. Më e rëndësishmja, kancelarja e tij, Angela Merkel, nën ndikimin e Mario Draghit, Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane në atë kohë, shkoi në anën e tyre dhe e trajtoi ministrin e saj të financave me përbuzje të konsiderueshme.
Schäuble i thyer pranoi zgjedhjen e Merkelit, duke e ditur mirë se mbështetja në kaq shumë masa shtrënguese dhe shtypje parash ishte jooptimale dhe e dëmshme jo vetëm për vendet me deficit, por edhe për BE-në në tërësi. Pothuajse menjëherë, ai sinjalizoi gatishmërinë e tij për të lënë ministrinë e financave dhe për t’u tërhequr në gjysmë pensioni. Merkel i mohoi, dhe jo për herë të parë, nderin e Presidencës së Republikës Federale dhe i ofroi lugën e drurit të kreut të Bundestagut.
Sot, vizionet e Delors dhe Schäuble ndodhen në gërmadha, si në një tragjedi greke. Mënyra se si u menaxhua kriza e euros iu atribua vizionit të Delors për një Evropë në imazhin e një France të Madhe social-demokratike dhe shkatërroi përpjekjen e Schäuble për të mbrojtur modelin e pasluftës, në zemër të një Gjermanie sovrane fiskale që vazhdon të humbasë veten në një Evropë merkantiliste.
Në kohën kur euro ishte ende duke u diskutuar, as Delors dhe as Schäuble nuk mund ta imagjinonin, apo ta falnin, reagimin e çmendur të Evropës ndaj krizës së pashmangshme të euros. Kombinimi i masave shtrënguese masive dhe shpenzimeve të mëdha monetare që ruajtën eurozonën në formatin e saj origjinal, të cilin Delors dhe Schäuble e konsideruan me të drejtë të paqëndrueshëm, është arsyeja pse Europa sot është e fragmentuar politikisht dhe në rënie. Historia, edhe një herë, u tregua një mësuese mizore e evropianëve të shquar, të cilët refuzuan të shohin se interesat e Evropës janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e klasave të saj sunduese. / Project Syndicate – Bota.al