Sulejman Mato: Maria fle
Maria fle.
Dy pëllumba të bardhë i bëjnë roje te koka,
Fle bukuria e viteve 70-të – 80-të…
Kur shpërndante në ikje aromë trendafilash
me petale ëndrrash…
E preka lehtësisht,
katër dallandyshe u ngritën fluturim,
në kërkim të ditëve të humbura.
Maria fle.
Është lodhur shumë,
ka mbajtur dy pesha të rënda mbi supe.
Në njerin krah kujtimi i dhimbshëm i nënës së saj,
në krahun tjetër, kujtimi i plagosur i të atit
që s’e njohu kurrë.
Maria fle.
Merr frymë thellë. Sheh ëndrra me fluturime avjonësh.
Janë shëtitjet tona të munguara,
përgjatë brigjeve të liqenit të Lamanit.
Kam qenë një burrë i keq. E di.
(S’kishim lekë).
Maria fle.
Në njërin krah i bën roje një zog që cicërin,
në krahun tjetër tri dallëndyshe në fluturim.
Janë fëmijët e femijëve tanë, të rritur e të lumtur,
degët e lulëzuara të dashurisë sonë,
katër drita që ndriçojnë ditë e natë
mbi motet e saj të bardhë.
Maria fle.
E ka lodhur gjatë viteve mendimi dhe skamja.
I përulem në gjunjë dhe e puth me butësi,
si të bëja një pendim para altarit.
Maria fle.
O Zot, ma ruaj të qeshurën e saj kumbonjëse
plot dashuri dhe dritë.
Ka qenë një kohë e gjatë dhe e vështirë
të cilën e përballuam duke ecur dorë për dorë
nëpër vite.
Maria fle.
Ma mbro, o Zot,
O Zot, ma mbro!
Shën Marinë time.