Albspirit

Media/News/Publishing

Tri fabula nga Rrok Ndoja

 

Ujku dhe derri

 

Shtri në llucë rrinte nji derr,

pa i shkue mendja për qeder.

Prej nalt ujku e ven ré

dhe t’i turret si rrufé.

Vrap ik kafsha nëpër pisha,

po aq turr vraponte bisha.

 

Nget sa nget, dikur krahthati

nuk ec mâ, e len takati…

Por dorë s’hjek mendja e larukut,

me ia thye vullnetin ujkut.

– Mos ma prek, – i thotë, – gabzherrin,

se për besë keq ma sheh sherrin!

 

Ndoshta ti nuk ma njeh zânin,

copë e grimë ta baj timpanin,

se gërthas në nji farë feje,

sa t’i xjerri trutë prej kreje!

Mandej shih si jam… gjithë baltë,

nuk shijoj, bash me qenë mjaltë.

 

Ia kthen bisha: – O llapush,

s’mund të pres që të bash dush!

Sa për britmat nuk kam frikë,

jam vaditë me at’ muzikë…

Kur çaj kënd, marak nuk kam,

si del klithma n’pentagram!

 

 

Eksperti i Kanunit

(Ujku dhe Poçari)

 

Ujku i malit ecte n’turr,

ishte n’hall, mâ n’hall se kurr.

Tufë barijsh kishte mbi shpinë,

copë e dojshin, copë e grimë!

 

Sheh kah ikte zullumqari:

me hu n’krah mbas tij, Poçari!

Murmurin “Eh, botë o botë”!

mandej ktij, kthehet e i thotë:

 

– Kta barij që i thirrën hunit

kanë të drejtë, simbas Kanunit.

Po ti ç’don, mor mendjekoqe,

a t’kam hangër ndonji poçe?!

 

 

Korbi dhe dhelpra

– në nji takim të dytë –

 

Mbi nji tjetër lis, të naltë njâ tri bojë,

mbas do kohe korbi, prap me djath në gojë.

 

Dhelpna, kur e sheh, prej poshtë me pekule:

– Klas ke mbetun, klas! E klasin kurr s’e ule!

 

Mendje e pendë si tuejat nuk i ka askushi,

lakmi edhe zânin po ta ka shumkushi!

 

E ndigjonte korbi (tashmâ gjithë dyshim…),

lajkatarja lshonte lajkat pa pushim.

 

– Veç medét, – godét kjo, – korba jote e re,

te Zabiti i Ajrit sâ zbriti n’folé…

 

– Krráa! – krrat dhe brof korbi e djathi i bjen nga goja.

Dhelpna i rrin gati. Kaq e kishte loja!

 

Shkon grueja me t’madhin? Mbaju, paç nafakën!

Në provosh me e ndjekë, humb edhe kafshatën…

Please follow and like us: