Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: KJO BOTË…

…ku njerëzit ëndërrojnë të bëhen më të mirë, por pasi kanë gabuar,

ku mendimet udhëheqin drejt plotësimit të dëshirave, por jo të atyre që e shpëtojnë shpirtin nga e keqja,

ku fjala zgjidhet për të të lartësuar në sytë e njerëzve, por nuk zgjidhet për të qenë i denjë përpara Krijuesit,

ku shitet e blihet për interes, por jo për të mëkëmbur atë që e shkatërrojmë ditë pas dite,

ku lëndojmë dhe themi se jemi të pafajshëm,

ku dehemi me marrëzi dhe themi se u dëfryem për pak çlodhje,

ku lexojmë por nuk kemi mësuar nga ajo çka duhet mësuar,

ku nuk ndihmojmë dhe themi se duhet ndihmuar,

ku rrisim qenie të gjalla, por nuk ia dimë vlerën njeriut,

ku gënjejmë dhe themi se gënjeshtra është ves i keq,

ku mashtrojmë dhe akuzojmë ata që mashtrojnë,

ku prindi dënohet me vetminë dhe themi se prindi dhe familja janë gjëja më e çmuar,

ku lakmojmë dhe themi se të gjithë na kanë inat,

ku nuk shpërblejmë dhe themi se nuk na shpërblejnë,

ku jemi ziliqarë dhe themi se zilia është armiku i njeriut,

ku arma vret dhe themi se armëmbajtja pa leje është kundër ligjit,

ku aktrojmë dhe themi se nuk ka shumë aktorë të talentuar,

ku ushqehemi me falsitet dhe themi se ushqimet duhen zgjedhur për të qenë të shëndetshëm!

Botë, ku jeta po kalon sprovën më të vështirë të ekzistencës së saj nga manipulatorë shpirtërorë dhe fallsifikatorë të fjalës.

Kjo botë do kuptojë, se falimentimi i dijes njerëzore është ajo me të cilën është ushqyer ditë pas dite.

Mungesa e dashurisë është mungesë dije, mungesë e marrëdhënies me njeri-tjetrin, është mungesë e frymëmarrjes së shëndetshme, është mungesë e mençurisë njerëzore.

Fallsiteti, lakmia, hipokrizia, kanë veshur qenien njerëzore duke e propaganduar këtë modë të re të kohërave të fundit që e ka varfëruar shpirtin njerëzor. Ky falsitet është ajo çka mendja njerëzore prodhon çdo ditë në botën ku jetojmë, duke shpresuar për një “jetë të shëndetshme”!

3 Mars 2024

Please follow and like us: