Albspirit

Media/News/Publishing

SAMI GOLEMI, DËSHMORI I FUSHËBARDHËS QË GJAKUN DERDHI PËR LIRI

(Në përkujtim të 80 vjetorit të rënies të dëshmorit të fshatit Fushëbardhë Sami Sejdi Golemi si dhe shokëve të tij ët armëve të rënë pranë Senicës së Delvinës: Karafil Bello, Hasan Çerepi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj. Nderim dhe mirënjohje Këshillit Bashkiak të Delvinës që miratuan njëzëri dhe firmosën ligjërisht Vendimin e Këshillit Bashkiak të Delvinës që mban nr.14 datë 30.3.2021, “Për miratimin e propozimit për ngritjen e memorialit për 5 dëshmorë të LANÇ-it, Karafil Bello, Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj, Hasan Çerepi, pranë fshatit Senicë të Delvinës. Mirënjohje për ndërtuesit dhe mbështetësit e realizimit të memorialit më të ri të dëshmorëve të lirisë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Historia i ka vendosur shqiptarët jo rrallë herë përballë sfidave të ekzistencës. Pushtime të shumta kanë ardhur “mysafirë” të paftuar. Të tillë ishin edhe nazifashistët përgjatë Luftës së Dytë Botërore (LIIB). Përballë mortajës fashiste u ngrit një popull i tërë për t’i thënë “ndal” pushtimit të vendit. U krijuan strukturat politike e luftarake që kundërshtuan me armë këtë pushtim. Lufta pa dallim feje krahine ideje u bë deviza pesë vjeçare e shqiptarëve në LIIB gjatë viteve 1939-1944. Fitorja mbi fashizmin ishte fryt i gjakut të derdhur nga dëshmorët e Atdheut. Vitet do të kalojnë nga rënia për atdhe e dëshmorëve të lirisë aq më i lartë do të jetë nderimi, mirënjohja dhe respekti për bartësit e idealeve të lirisë, për bijtë e bijat e kombit shqiptar, që nuk e kursyen gjakun në ditët më të vështira të Atdheut. Epitetet për lartësinë e piedestaleve e memorialeve kanë bazë të fuqishme kur kujtohen e respektohen me dinjitet e krenari. Të nderosh dëshmorët është obligim në nderim të kombit e flamurit. Një ndër luftëtarët e lirisë gjatë LANÇ ishte luftëtari i orëve të para Sami Sejdi Golemi, që jetën ja fali atdheut me përkushtim të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare të lirisë. Ai ra trimërisht në Senicë përtej Qafës së Skërficëes dhe qafës së Luvadhit. Atje ku kishte rënë edhe trimi Karafil Bello, atje ku ranë në 14 mars 1944 edhe Hasan Çerepi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj, pranë fshatit Senicë të Delvinës, në Zagonik. Brezat e burrëruar në kohë baruti dhe pas luftës mbajnë në kujtesë edhe një lapidar jo shumë të lartë në formë koni në vendin e quajtur Qafa e Hanit, që fliste shumë për burrat që ranë për Atdheun dhe gjakun e çimentuan me lirinë.

Historia shqiptare flet qartë për mençurinë, trimërinë dhe lavdinë e burrërrisë shqiptare shekujve, pasi trualli arbëror ka nxjerrë nëpër shekuj heronj e dëshmorë që nuk u dhimbsej jeta e as gjaku përpara shënjtërisë së Atdheut e kombit. Këta djem e burra, gra e vajza trimëresha sakrifikuan rininë në emër të lirisë dhe përjetësia do t’i shoqërojë në të gjitha kohët me refrenin e njohur: “nëna ju kish rritur,/për një botë të re,/lule more trima,/që ratë për atdhe”. Rrëzoma dhe Krahina e Kardhiqit shekujve kanë qenë si një shtëpi me dy porta që për kulm kishin qafën e Skërficës, një qafë që shekujve përbashkonte zemrat ashtu sikurse sot rruga dhe tuneli i ka bërë njësh supbashkuar në luftra dhe në halle, të bashkuar në zemra e në lidhje të shumta shpirtërore. Këtu në Senicë përbri rrugës së re pritet që të marrë jetë një ide e projektuar dy dekada më parë më 4.4.2004 me krijimin e SHKA “Fushëbardha”, por që e firmosur ligjërisht në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Delvinës që mban nr.14 datë 30.3.2021. Një vendim që në pak rreshta shpreh mirënjohjen dhe nderimin për gjakun e dëshmorëve: “Në zbatim të ligjit nr: 139 datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” neni 54, pika “II” me propozim të Organizatës kombëtare të Dëshmorve të LANÇ-it dhe të dëshmorve të tjerë të Atdheut, Këshilli i Bashkisë Delvinë me 10 vota Pro dhe asnjë kundër asnjë abstenim, Vendosi: 1.Miratimin e Propozimit Organizatës kombëtare të Dëshmorve të LANÇ-it dhe të dëshmorve të tjerë të Atdheut dhe të Shoqatave “Fushëbardha” dhe “Labëria”, dega e Tiranës.

Për ngritjen e memorialit për 5 dëshmor të LANÇ-it, Karafil Bello, Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj, Hasan Çerepi. 2.Memoriali do ngrihet pranë fshatit Senicë Delvinë. 3.Ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi Sektori i Urbanistikës Bashkia Delvinë në bashkëpunim me Organizatën kombëtare të Dëshmorve të LANÇ-it dhe të dëshmorve të tjerë të Atdheut dhe Shoqatat “Fushëbardha” dhe “Labëria” dega e Tiranës. 4.Ky vendim hyn në fuqi pas shprehjes së ligjshmërisë nga Prefekti i Qarkut Vlorë. Përfaqësuar nga Kryetari Izet Sila si dhe është protokolluar konformë rregullave arkivore të shtetit me nr. 766/3, datë 26.3.2021. Natyrisht gjaku nuk bëhet ujë. Që prej 80 viteve flakadani i atdhetarisë në truallin e Fushëbardhës, krahinës së Kardhiqit, Rrëzomës, Delvinës dhe gjithë Shqipërisë ka qenë i ndezur dhe prushi i patriotizmit gjithmonë i nxehtë. Nuk ka dëshmi më ta madhe e më solide se gjaku për atdhe, për kombin, për lirinë. Ishin pesë dëshmorë që ranë në një copëz toke arbënore në shkurt-marsin e vitit 1944, atje pranë Senicës historike të kuvendeve, nderit dhe lavdisë, të mençurisë dhe punës, të pushkës dhe të diturisë, të punës dhe ardhmërisë. Ata ishin një grusht burrash të një ideali, djem stërralli siç i thonë në Labëri, ishin produkt i njësiteve e çetave të para antifashiste që “mbinë” anë e mbanë truallit shqiptar me një ideal madhor: “lirinë”. Kështu ata u rregjistruan vullnetarisht dhe dolën e mbushën çetat partizane vullnetarisht, sepse “thirrja e gjakut të të parëve” është më e madhja thirrje që përjetonin brezat në veri dhe jug të vendit.  Kurrë labi nuk e ndau sofrën dhe shtëpinë me armikun e shkelësin e lirisë, por veç me mikun e miqtë me ata që ofronin dhe ofrojnë e shtrijnë dorën e miqësisë e vëllazërisë. Kështu është provuar shqiptari në luftra e beteja shekujve. E tillë ishte sprova e madhe edhe përgjatë LANÇ-it. Pluhuri i harresës nuk mund të mbulojë dhe as të fshihet nga kujtesa e kombit shqiptar, ajo lavdi që u shkrua me gjakun e dëshmorëve. Prandaj liria i ka rrënjët thellë në gjakun e të rënëve. Për këtë arsye poeti qartëson: “..duhet të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët”. Memoria e kombit shqiptar për të rënët është çimentuar me gjakun e të rënëve nuk matet as me numra e as me kile, “as me okë e as me kokë”. Gjaku është shpagimtari më solemn i lirisë, është themeli i së vërtetës, është ideali i trupëzuar në panteonin e jetës prandaj burrat që i dolën zot vatanit meritojnë vetëm nderim. Bijtë e kombit shqiptar, të mëdhenj e të vegjël vaditën me gjak tokën arbërore në mbrojtje të vatrave të tyre. Pesë trima do të përjetësohen në një memorial lavdie në portën e parë të Labërisë, në drejtimin Fushëvërri-Senicë-Qafa e Luvadhit –Skërficë në afërsi të zonës së Senicës. Pesë dëshmorët do të jenë roje të lirisë, të tokës arbërore, buzë rrugës së re Kardhiq – Delvinë. Ata do të trupëzohen njësh me tokën e gurtë dhe të sertë, shpirtërisht të lidhur besa-besë si një gjerdan në kalanë natyrore, por edhe përjetësisht në memorien e brezave. Aktet e mëdha njerëzore i japin kuptim historisë. Historia e shqiptarëve është histori mbijetese, përpjekje titanike për të ruajtuar dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri dhe mëvetësi, është historia e vërtetë e këtij kombi, është historia e dëshmorëve të tij. Dhe më mirë, më drejtë, më bindshëm se gjithçka flet gjaku i dëshmorëve të kombit shqiptar, flet historia, që në fakt për trimat Sami Golemi e Karafil Bello nga Fushëbardha, Hasan Çerepi nga Zhulati, Sefer Meta nga Golemi, Skënder Pepiaj nga Progonati, që ranë pranë fshatit Senicë të Delvinës, do të vijojë të flasë.

*

Sami Sejdi Golemi, me pushkë në dorë për lirinë e Atdheut

Sami Sejdi Golemi, ishte lindur më 15 korrik 1907 në Fushëbardhë të Gjirokastrës, (datëlindje që është e diskutueshme). Rridhte nga një familje me ndjenja e kontribute patriotike e atdhetare si dhe me emër të nderuar në Fushëbardhë dhe në krahinën e Kardhiqit. Fshati i tij i lindjes Fushëbardha është kodrinor e malor, mes malesh, në lagjen e Goleme, ku dimri vjen shpejt dhe ikën vonë, ku pranvera dhe vera ia lënë vendin njëra-tjetrës pa shumë ndryshime, veç plot lule e freski në behar dhe shumë dëborë e acar në dimrin e gjatë. Jeta e detyroi që të përballej herët me vështirësitë në fushë e në mal duke e kapërcyer Qafën e Skërficës ditën e natën në borë e suferinë. Përfundoi shkollën fillore, por vuajtjet dhe hallet e kohës e  mësuan të dallonte të mirën nga e keqja, padrejtësinë nga e drejta dhe kjo shpesh e revoltonte djalin e ri fushëbardhiot. Familja e tij ishte një familje e madhe. Babai i tij Sejdiu dhe nëna Nefize kishin tetë djem dhe dy vajza. Fisi i tij, Golemi ishin njerëz punëtorë, të thjeshtë, të dashur e të respektueshëm në fshat e krahinë, kishin shumë miq në krahinat e Kardhiqit dhe Rrëzomës por edhe deri në Përmet, Korçë, Ersekë, Himarë, Delvinë, Zonën e Konispolit e Çamërisë, në Vlorë e Mallakastër. Ishin njerëz zemërbardhë e mikpritës siç i thonë në Labëri, janë familje bukëdhënë, që rrezatonin mirësi. Familja përjetoi siç thotë populli “të zezat e ullirit” veçanërisht në përballjen me andartët grekë më 1913-1914. Viti ’14 shënon edhe dramën e ndarjes forcërisht nga gjiri i familjes së trungut të shtëpisë, babait të tij Sejdiut, i cili u dërgua në ishullin e Korfuzit me dragaminë me gjithë gjënë e gjallë. Por familja mbijetoi. Vëllai i madh i Samiut, Kasëm Golemi mbajti vëllezërinë të bashkuar si dhe në Luftën e Vlorës në 1920 ishte luftëtar me çetën e Fushëbardhës e Zhulatit dhe që kishte luftuar bashkë me Selam Musa Salarinë. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Krahinor të krahinës së Kardhiqit deri në çlirimin e vendit. Samiu i doli zot vetes në Fushëbardhë, u burrërua para kohe dhe pas shkollës punuar në bujqësi, por më shumë në blektori, në traditën e Sinanaliajve/Goleme. Në periudhën 15.7.1927 deri 15.7.1929, kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Kombëtare, në rregjimentin e Gjirokastrës, sikurse dhe bashkëmoshatarët e tij. Kjo ishte periudha “e pjekjes së djelmoshave” dhe që ishte detyrë ndaj shtetit sipas Ligjiit ushtarak “Mbi Rregullimin e Ushtrisë Kombëtare”, një ushtri me 700 oficerë, 800 nënoficerë, 7800 ushtarë, që harxhonte deri në 50 % të buxhetit të shtetit, por që nuk ishte e gatshme ta mbronte realisht vendin. Pas ushtrie Samiu më i rritur dhe i pjekur gjykonte thellë problemet e kohës mbante pranë vetes dhe i mësonte nipçet e tij si Feron, Fejzon etj,, me ta kalonte në fushat e në malet e Fushëbardhës, të Çajupit, të Malit të Gjerë, të Delvinës e deri në Bureto. Duke parë shtypjen dhe shfrytëzimin, e urreu regjimin shtypës dhe barbar të Italisë fashiste që erdhi më 7 prill 1939. Më 12 dhjetor 1942 formohet çeta ”Çerçiz Topulli” në Fushëbardhë ku, që me themelimin e saj ishte dhe Sami Golemi me bashkëmoshatarë të tij të tjerë. Ai përjetonte një rizgjim të ri të burrërisë shqiptare, kur komandant çete u caktua Dilaver Poçi, komisar Siri Çarçani, zv/komisar Gani Haloçi dhe itendent Mitat Kondi. Çeta ”Çerçiz Topulli” e formuar në Fushëbardhë ishte një ndër 288 çeta, që u krijuan gjatë LANÇ-it në të gjithë vendin. Çeta kishte në ditën e parë 27 partizanë që më vonë shkoi 40 partizanë, numër që erdhi gjithmonë në rritje. Sipas planit çeta kaloi fillimisht në Vurg të Delvinës ku u prit me dashuri nga populli. Më pas çeta kaloi në Dermish ku shkatërroi Urën e Çakallos e më pas në Theollogo për asgjësimin e postave kufitare të armikut në Zminec, në Vërvë e Leshnicë. Materialet e postave kufitare të armikut u morën nga çeta partizane. Çeta kaloi gjithashtu edhe në fshatin Kulluricë, ku hapi depot e drithit dhe u’a shpërndau fshatarëve të varfër, që bëri bujë të madhe për kohën. Në vitin 1943 çeta luftoi me italianët dhe bashkëpunëtorët e tyre në Vasjar të Tepelenës, më 11 dhe 12 qershor 1943, luftoi në Urën e Kardhiqit, në Humelicë dhe Cepo. Në 10 deri më 12 gusht 1943 çeta ku bënte pjesë Sami Golemi luftoi me milicët italianë. Në 30 dhe 31 gusht 1943 luftoi me garnizonin italian në Libohovë. Në shtator të vitit 1943 batalioni tek ura e Kardhiqit hyn në Gërhot pas kapitullimit të Italisë fashiste. Sami Golemi mori pjesë aktive në të gjitha veprimet luftarake në përbërje të formacioneve të çetave dhe batalionit territoriale dhe të rinisë. Ai u bë luftëtar shumë aktiv duke u gjendur në ballë në shumë aksione luftarake. Shokët e tij partizanë e njihnin Samiun me cilësitë më të mira, si trimërinë, zgjuarsinë, shkathtësinë dhe, për këto, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e tyre. Një pjesë nga katër çetat e batalionit kaloi në batalionin territorial me komandant batalioni trimin Karafil Bello. Sami Golemi në batalionin territorial ishte skuadër komandant dhe me të njëjtën detyrë edhe në batalionin e rinisë. Në luftimet e Senicës së Rrëzomës tek bokërrima e kuqe, pranë qafës së Ujkut, bie heroikisht komandanti i batalionit territorial Karafil Bello në fillim të shkurtit 1944. Batalioni u riorganizua përsëri dhe në mes të marsit 1944 kalon në luftime në Senicë, Vergo, Kalasë me gjermanët si dhe bashkëpuntorët e tyre. Pararoja bie në përpjekje dhe në këtë luftë vritet Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj dhe Hasan Çerepi. Në të gjitha betejat tregoi guxim dhe trimëri të rrallë, gjaku i tij skuqi rrugët e gurta aq të njohura të Senicës, në përleshje fyt për fyt me fashistët gjermanë dhe tradhëtarët. Ishte një agjitator i flaktë i Luftës Nacionalçlirimtare, duke shprehur në të njëjtën kohë urrejtjen më të madhe ndaj okupatorit fashist italian dhe nazist gjerman, ku dhe ra, për të mos vdekur kurrë në luftën për çlirimin e Senicës, një fshat ngjitur me fashatin e tij të lindjes. Samiu ra në fushën e betejës duke lënë jetime vajzën një vjeçare Gurien, pa e njohur vajzën e tij dhe ngeli dëshmor në përjetësinë e nderit të kombit. As vajza nuk e njohu dot babanë e saj, por njohu bashkëluftëtarët shokët e tij të armëve, njohu kujtimin dhe nderimin për përkushtimin heroik të babait dëshmor ndaj lirisë së Atdheut, respektin e brezave për këtë luftëtar të lirisë e kanë shoqëruar bijën e tij gjatë jetës. Ata i dolën zot Atdheut në kohë të vështira e rreziku, për lirinë dhe për të pasur shtet, prandaj nderohet e respektohet lufta e tyre, lufta e kombit shqiptar kundër nazizmit, fashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre. Sami Golemi është shpallur “dëshmor i Atdheut” 27 vjet pas rënies në fushëbetejë, pra me Vendim Nr. 65 datë 2 tetor 1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Kujtimi i dëshmorit nga Fushëbardha Sami Golemi dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, që dhanë jetën në lulen e rinisë do jetë i përjetshëm. Treva labe dhe jo vetëm i ka nderuar dhe nderon në vijimësi brez pas brezi trimat, bijtë që kanë rënë në betejat e historisë për mbrojtjen e truallit arbëror. Ata ranë me armë në dorë për lirinë e Shqipërisë, prandaj dhe meritojnë nderimin në përjetësi.

*

Memorial i munguar në tetë dekada për djemtë dëshmorë

Memoriali “Armëbashkuar për flamur” do ngrihet në përkujtim të 80 vjetorit të rënies të pesë bijëve të Labërisë nga Fushëbardha, Zhulati, Golemi dhe Progonati. Memoriali nderon vlerat më të çmuara të kombit, dëshmorët që janë lavdia dhe krenaria e çdo kombi të qytetëruar. Janë me dhjetra e qindra historitë, librat, encikolopeditë, monografitë, artikuj të pafund, në Evropë e më gjerë që përkujtojnë të rënët për Atdhe. Europa është e mbushur me buste, lapidarë e memorialë, pllaka, rrugë sheshe, shkolla, institucione që mbajnë emrin e tyre. Nderimi dhe respekti për të rënët në trevën labe vjen përmes këtij memoriali në kuadrin e tetëdhjetë vjetorit të çlirimit të Atdheut. Memoriali shpreh pesë armë të përbashkuara në një ide dhe qëllim të përbashkët, ku ideali i tyre është çlirimi dhe liria përmes grykës së pushkës, është flamuri ynë kuq e zi simbolika e të gjitha betejave dhe fitoreve të shqiptarëve në shekuj. Memoriali do të jetë një metër brenda në tokë që është bazamenti nëntokësor; një metër lartësia nga bazamenti i tokës me perimetër rrethor dy metra dhe mbi të do të ngrihet pjesa tjetër e memorialit në formë rrethore me diametër një metër por e gdhendur sipas tytave të pesë armëve, që simbolizon madhështinë e fitoreve se edhe kur bie për atdhenë mbetesh i pavdekshëm në kujtesë dhe memorie të kombit, ku një metër do të vendoset në tokë dhe katër mbi tokë i dukshëm. Memoriali armëbashkuar do të shprehë forcën rinore për çlirim, ndërsa e projektuar të ngrihet buzë rrugës së re pranë Senicës, që ka përfunduar më 2 korrik 2023, dhe që ka për qëllim t’u kujtojë brezave se historia e luftrave nuk duhet të përsëritet dhe vetëm historia që harrohet përsëritet. Po të marrim parasysh moshën e dëshmorëve të Atdheut, Karafil Bello (1902-1944) ishte 42 vjeç, Sami Golemi (1907-1944) ishte 37 vjeç, Sefer Meta (1916-1944) ishte 28 vjeç, Skënder Pepiaj (1925-1944) ishte 19 vjeç, Hasan Çerepi (1927-1944) ishte 17 vjeç. Mosha mesatare e tyre ishte 28.6 vjeç. Për këtë arsye në pjesën ballore të bazamentit do të jetë një metër e lartë si dhe mbi të do të vendoset simbolika e armëve të bashkuara që do të ketë lartësinë mbi bazamentin aq sa ishte mosha mesatare e të pesë dëshmorëve që ranë pranë Senicës, që është simbolika që shpreh moshën e të pesë dëshmorëve. Memoriali i pritshëm për tu ngritur do të mbushë një boshllëk për nderimin dhe mirënjohjen e munguar në tetë dekada për djemtë dëshmorë të cilët ranë me  devizën: “Besën për lirinë, gjakun për Atdheun”. Burimet e studimit: Seria e librit, “Yje të pashuar”, Tiranë, 1968 e deri më 2016; Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit që gjenden në Dep. Historisë, FSM, AFA); DPASH dhe AQFA-së, Fonde dokumentare të LANÇ-it, 1943-1944; Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, Tiranë, 1991; Rinald Hibbert, “Fitorja e Hidhur”, Tiranë, 1999; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012; Zaho Golemi, Buletini arkivor ushtarak, Botim i AQFA-së, Tiranë, 2011; Muzeumet e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat 1969 deri më 1992; Historikët që gjenden në Muzeun kombëtar të luftës në qytetin e Gjirokastrës; Të dhëna të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve luftarake ku bënin pjesë dëshmorët; Të dhëna nga bashkëluftëtarë të dëshmorëve të marra në tre dekadat e fundit; Të dhëna të shtypit periodik dhe organe të shtypit të përditshëm; Gazetat “Luftëtari”, Revista “Mbrojtja”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Revista Ushtarake”, “Labëria”, “Pavdekësia”, “Veterani”, “Ushtria”, Gazeta “Fushëbardha”; Të dhëna dokumentare nga Organizata e Dëshmorëve të LANÇ-it dhe të SHKA “Fushëbardha” dhe “Labëria”.

 

Please follow and like us: