Altin Bamllari: Iku në heshtje poligloti dhe ende nuk e njeh askush
Anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, portugalisht, latinisht, greqishte e vjetër, greqishte e re, rusisht, polonisht, çekisht, serbisht, rumanisht e bullgarisht.
Të gjitha të zotëruara shkëlqyeshëm nga një njeri i vetëm. Shkrim, lexim, përkthim dhe interpretim. Një njeri që s’i gjendet fotoja në internet. Njeriu pa emër i të parit dhe të vetmit fjalor Anglisht-Shqip e që qarkulloi për 50 vjet, derisa doli një i dytë në vitin 2006. Mësuesi i gjimnazit që jepte jo një, por tre lëndë: anglisht, frëngjish dhe rusisht. Hartues fjalorësh dhe tekstesh mësimore. Përkthyesi i mijëra e mijëra faqeve studimore dhe mbi 40 librave të ndryshëm. Alpinisti Universal A-U, që nëpërmjet gjuhëve të huaja mëtonte të kapte majat e kulturës botërore.
Po kush ishte ky njeri?
Askush. Përderisa nuk gjendet në internet, s’ka si të jetë i njohur. S’është VIP. Në asnjë Big Brother nuk flitet për të. Hiç. Vetëm disa “të rrjedhur” e njohin mirë. Nga njëri prej të cilëve përshtata CV-në:
Lindi më 1931. Ndërroi jetë në 2012-ën. Kontigjent armik që në vogëli sepse babain, ish kryebashkiakun e Tiranës (1933-35; 1937-1939), e dënuan me 20 vjet në 1945-ën.
Pasi mbaroi gjimnazin Qemal Stafa dinte 5 gjuhë. Sigurisht që një njeriu të tillë nuk do t’i jepnin të drejtë studimi në Universitet. E nisën mësues të gjuhëve të huaja në Fier e pastaj në Vlorë, në gjimnazin “Ali Demi”. Por meqë punonte shumë dhe pa fjalë, e lejuan të studiojë me koorespodencë. Nga 5, gjuhët që njihte shkuan 15. Në vitin 1962 në Shqipëri erdhi i ftuar një delegacion francez, i cili kqyrte mësimin e frëngjishtes në botë. Në testimin e kryer ai u vlerësua si pedagogu më i mirë në vend. Ministria e Arsimit i besoi hartimin e dy teksteve të para të gjuhës frënge për gjithë gjimnazet e Shqipërisë.
Pushteti filloi t’ia njohë meritat. Një byrroist e urdhëroi të shkojë petagog në Katedrën e Gjuhëve të Huaja. Ishte 35 vjeç kur hartoi fjalorin me 20 mijë fjalë Anglisht-Shqip. Por emrin nuk ia vunë. Në atë kohë, i ati nga burgu niset bashkë me familjen për në internim. E degdisin edhe atë nja dy vjet në fshat. Por ai ishte aq i mirë sa e thirrën prapë. U duhej. Një akademik e “urdhëroi”, gjithashtu, të bëhej bashkëpunëtor i jashtëm i katër instituteve më të rëndësishme në vend. Përktheu me mijëra faqe nga gjermanishtja e mbi 60 libra për literaturë.
Në vitin 1986, kur po bëhej gati për pension, e emërojnë mësues të italishtes sërish në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë dhe të gjuhës gjermane në Shkollën Industriale. Pasi regjimi dha shpirt, në 1994-ën kthehet në Tiranë. U punësua në Institutin e Historisë e kontribuoi aty për 12 vjet. Ndërkohë, përkthente libra të tjerë. Pasioni nuk i humbi kurrë. Në vitin 2012 iku nga kjo jetë pa zhurmë. Iku pa na përkthyer fjalën VIP.
Please follow and like us: