Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: 42 vjet nga demostratat e vitit 1981

 

Demostratat e vitit 1981, ishin demostrata treguese se Jugosllavisë hegjemoniste i kishte ardhur fundi. Rinia shqiptare e motivuar edhe nga shteti shqiptar, tregoi një heroizëm të pa parë deri atëherë në Jugosllavinë e Titos!  Strukturat e Lidhjes Komuniste të Kosovës, ishin shumë aktive për të shtypur kryengritjen e vitit 1981! Në këto kushte, pakënaqësia  e akumuluar i përfshiu të gjitha shtresat dhe kategoritë e popullsisë shqiptare. Ajo u shpreh me kritika të ashpra ndaj pushtetit serb dhe herë-herë u  shoqërua me mosbindje civile.

Kulmin e vet lëvizja antiserbe e arriti me 26 mars 1981, kur dhjetra mijëra qytetarë, të prirë nga rinia studentore e shkollore, marshuan rrugëve të Prishtinës, Ferizait, Lipjanit etj. Përveç kërkesave eknonomike, demostruesit hodhën parulla: “Kosova Republikë”, “Republikë kushtetutë – ja me  hatër ja me luftë”, “Trepça  punon, Beogradi ndërton”!

Demostrata vazhdoi pa ndërprerje deri më 2 prill 1981, sepse autoritetet serbo-jugosllave nuk pranonin t’i negocionin kërkesat e demostruesve. Në këto rrethana në Kosovë u  shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Për të shtypur demostratën shteti jugosllavo-serb angazhoi mijëra forca ushtarake e policore dhe mëse 350 tanke.  Përdorimi i dhunës dhe i tankeve pati një kosto të lartë për   demostruesit.

Në demostratat e vitit 1981 u vranë  tetë demostrues: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Nesim Dervishdana, Sherif Frangu, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sali Abazi, Xhelal Maliqi, ndërsa mes tjerëve në APJ u vra Halil H. Hajrullahu. U plagosën me armë zjarri mbi 80 qytetarë dhe u burgosën pas demostratave mbi 1000 demostrues.

Sipas një raporti, deri më 25-30 Maj 1981, për aktivitetin e tyre “armiqësor” ishin dënur 489 përsona për kundërvajtje, për pjesëmarrje në demostrata 287, për përkrahje të demostratave 32, për shkrimin e parullave 36, për paraqitje publike armiqësore  103 persona, kurse për 126 persona ishte vazhduar procedura hetimore.  Mesazhi i demostratave ishte shumë i qartë dhe  fisnik, liri, barazi për shqiptarët, çlirim nga sundimi jugosllavo-serb dhe shpallja – themelimi i Republikës së Kosovës”… Diktatura ushtarake që po përgatitet, shkruante Enver Hoxha, ka gjetur një “kokë turku”, shqiptarët. Po harrojnë titistët jugosllavë se kjo “kokē shqiptari” u ka qëndruar rrebesheve dhe kurdoherë ka fituar. Ndërsa “FAZ-i” i Frankfurtit konstatonte: “Kur uji mbërrin deri në qafë (fyt), reagojnē diktaturat ushtarake të Amerikës së Mesme, por edhe mēnyra e reagimit (të diktaturave) staliniste,ortodokse dhe vetēqeverisjes komuniste jugosllave është e njëjtë. Krejt këtë  situatë të krijuar në Kosovē, njëri nga liderët komunistë, Mahmut Bakalli e kualifikonte sipas “Fazit” të Prillit 1981, si “një luftē speciale nga ana e Perëndimit  kundër Jugosllavisë”.

E përditshmja e Hamburgut “Der Spigel”, në një koment të gjatë, demostratat e Marsit i përshkruan: “Nga 26 Marsi diku rreth 10.000 studentë, nxënës, punëtorē dhe qytetarë kanē qenë në rrugē duke kërkuar pavarësinë e popullit shqiptar. Është hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore, që një rajon i tërë të izolohet nga bota, vetëm helikopterēt dhe mjetet e rēnda ushtarake nga pjesët e tjera të vendit janë zbarkuar, se çka do zbardhë dita e neserme për popullin shqiptar nuk dihet”. Dhuna dhe përdorimi i tankeve mbi protestuesit paqësorē zbuluan krejtësisht maskēn “demokratike” të Federatës Jugosllave, dëshmuan se bashkëjetesa shqiptaro-serbe, e ndërtuar mbi kritere pabarazie ishte e pamundur.  Qeveria e Tiranës u solidarizua që në fillim me lëvizjen e pranverës  së  vitit 1981, vetë Enver Hoxha shkroi nē “Zērin e Popullit” artikullin e gjatë: Ç’duan tanket e Beogradit në Prishtinē”, që u pasua nga artikuj thuaj të përditshëm, shkruar  nga emrat mē tē dēgjuar tē politikes, të shkencēs  e të  diplomacisë  shqiptare.  Në  1982 Enver Hoxha mbajti një fjalim  të rreptë, ku dënoi edhe bashkëpuntorët shqiptarë të Beogradit, si Sinan Hasanin, tē cilin ai e cilësoi ashpër “qen serb”. Për rrjedhojë, marrëdhëniet Tiranē-Beograd u rikthyen në pikën pas vitit 1948.  Një valë e re emigracionit politik u drejtua nga Kosova drejt Shqipërisë, kryesisht studentē e aktivistë të rrezikuar nga regjimi serb. Nē këtē periudhë  gjeti strehim në Shqipëri edhe familja e Heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla.

Please follow and like us: