Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: THE LINDY HOP!

Në vitin 1943 Gjon Mili, fotografi i famshëm shqiptaro-amerikan realizoi foton ikonike “The Lindy Hop”.
“The Lindy Hop” është titulli i një vallëzimi të njohur ritmik amerikan që lindi dhe u zhvillua nga komunitetet afro-amerikane në Harlem gjatë viteve 1920-1930, fillimisht nën influencën e muzikës “swing” të asaj kohe e më tej si një përzierje e shumë ritmeve muzikore të afërta si xhaz, tap, brëkuej, çarleston, etj. Është një vallëzim argëtues, ekspresiv, i harlisur, i nxehtë, eksploziv, spontan e plot improvizime, me lëvizje të thukëta thuajse akrobatike të çdo pjese e muskuli të trupit, por edhe plot harmoni midis dy partnerëve që dinë ta interpretojnë mirë; me qindra hapa individuale, apo të sinkronizuara, rrotullime, figura hapësinore, pirueta e salto, me afrime intime, përqafime, largime, me shtyrje e tërheqje sensuale, me “floor steps” (hapa toke), “shine steps” (hapa farfuritës) “air steps” (hapa në ajër), të lidhura nga duart e pagabueshme, plot gjeste, pra një koreografi ekstaze e shpejtësisë, figurave, gjallërisë dhe vitalitetit rinor e artistik. Një vallëzim me natyrë sociale, por edhe një shfaqje apo performance konkuruese në çift.
Lindja dhe përhapja e këtij vallëzimi lidhet me një ngjarje të vërtetë: Aviatori amerikan 25 vjeçar Charles Lindbergh (1922-1974), me pseudonimin ”Lucky Lindy” (Lindi fatlum) fluturoi për herë të parë i vetëm me avion nga Nju Jorku në Paris (Aeroporti Le Bourget) më 1927, duke kapërxyer pa ndalesë distancën prej 5.800 kilometrash për 33.5 orë e duke u bërë, kështu, i famshëm për udhëtimin e tij transatlantik.
“Në një nga këto netë, kur Lindbergh, i famshëm dhe popullor tashmë, ishte duke pushuar në Francë pak ditë para se të kthehej në ShBA, disa çifte zezakësh filluan të improvizonin hapa të çuditshëm ekscentrikë me intervale në një qoshe të sallës së vallzimit “Savoy Ballroom” në Harlem. Edhe Te Roy Williams dhe orkestra e tij krijuan dhe regjistruan gjatë asaj kohe këngën ”Lindbergh Hop” (më 25 Maj 1927). (1. Lindy ‘Hop’ Difficult Dance”, Pittsburgh Gazette Times, May 25, 1927.)
Duke i rezistuar kohës, variantet e këtij vallzimi u perfeksionuan, por versioni i Savoy Ballroom të Harlemit mbeti substancë e tij kompozicionale e interpretuese.
Në vitin 1943, vallzimi, ishte strukturuar e unifikuar nga ana muzikore e ritmike, kishte fituar të drejtën e qytetarisë e përbënte një pasuri muzikore e argëtuese, por edhe konkuruese, madje edhe koreografi moderne . Janë këto disa prej parapritjeve pse Gjon Mili zgjodhi të bëjë objekt të aparatit të tij këtë kërcim të famshëm ekstravagant që, sipas intuitës së tij të pagabueshme, premtonte për foto të stilit të tij origjinal “stop action”, ngrirje të intervaleve të kohës dhe ndalim të fraksioneve të lëvizjes.
Së pari Gjon Mili ka rrëmbyer në fotot e tij fragmente thelbësore e karakteristike të vallëzimit interpretuar fillimisht nga Stanley Cotron dhe Kaye Popp (1943), të dy shtatëmbëdhjetë vjeçarë, balerinë nga shkolla muzikore e Brodueit “Something for the Boys” (Diçka për Djemtë). Fotoja e tyre emblematike nga Gjon Mili është vendosur në ballinën e revistës LIFE të datës 23 Gusht 1943. Edhe brenda saj Mili e ka ilustruar vallzimin me fotot e tij analitike lëvizje pas lëvizjeje, aq sa revista e konsideron tërësinë e essesë së gjatë fotografike si një leksion vizual të Gjon Milit për ta mësuar këtë vallëzim gjithë të rinjtë. (2. The Lindy Hop: A True National Folk Dance Has Born in USA, LIFE: August, 23, 1943, p. 102)
Lidhur me botimin e esesë së gjatë fotografike të këtij çifti në brendësi të kësaj reviste Gjon Mili ka hasur në dilemën dhe kundërshtinë e kryeredaktorit, sidomos ndaj aspektit të paragjykimeve racore të kohës dhe ballina e faqet e fotove të këtij vallzimi nga Gjon Mili mbetën përkohësisht të nderura. Ja si e komenton vetë fotografi këtë situatë: “…Kishte thashetheme se Zoti B., kryeredaktori i LIFE nuk e pëlqente këtë vallëzim. Por unë kisha shpresë për një rezultat shumë të mirë. Lindy Hop e lindur në Harlem menjëherë pas fluturimit të Lindbergh-ut, ishte përhapur gjerësisht me kalimin e viteve… Performanca e valltarëve ishte frymëzuese dhe fotot e vërtetuan atë. Përballeshe me një ortek sekuencash që tregonin morinë e lëvizjeve: figura në dysheme, lëvizje farfuritëse, hapa në ajër, kërcime e rrotullime, pa përmendur improvizimet që ishin pjesë e pandarë e vallzimit.
Por, Zoti B. e shmangu paragjykimin, në se e kishte një të tillë dhe, i mbushur nga një frymë e gëzuar në ato që pa, ai e harroi (në revistë K.B.) historinë e hapësirës së essesë dhe të ballinës së saj – një vlerësim tërësisht i papritur.” (4. Gjon Mili, Photographs & Recollections, p.56)
Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Seti i fotove të “Lindy Hop”, u botuan në revistën “LIFE” më 1943. Madje, njera prej tyre përfshin gjithë ballinën e revistës (fig. 1), ndërsa brenda saj gjendet fotoeseja prej 10 faqesh me 17 foto të larmishme, por “të kalibruara” në lëvizjet, “për ata që duan ta mësojnë këtë vallëzim”, e cila pati një jehonë sensacionale jo vetëm për bukurinë estetike dhe mjeshtërore të realizimit fotografik, por edhe për reklamën dhe promovimin pozitiv të kërcimit dhe të valltarëve virtuozë. (5. The LINDY HOP COVER ISSUE. A full-scale discussion of Lindy and its origins including the classic pictures of Leon James and Willa Mae Ricker doing aerials, August 23, 1943: pp 95- 103.)
“Mili, një pionier në përdorimin e dritës stroboskopike kishte njohuri të thella për kompleksitetin e fotografimit të kërcimit dhe krijoi një foto që habiti botuesit e revistës LIFE, të cilët e përdorën si ballinë të saj. Një profil i Milit, një prej legjendave të gjalla të fotogazetarisë vijon në faqet e mëtejshme…” (6. Sean Callahan: “Photography as Theology” American Photographer, Vol. IV, No. 5 November 1980, p. 3 dhe pp.36-48 )
Por fotoja më përfaqësuese e këtij vallzimi emblematik nga Gjon Mili mbetet ajo, kur vallëzimin do ta interpretonin dy prej valltarëve të tjerë të njohur me ngjyrë, që u bënë simbol i këtij kërcimi – Willa Mae Ricker (“Ajo ishte një nga më të famshmet e Lindy-Hop… ajo ishte shpirti dhe zemra e vallëzimit” – shprehej me entusiazëm koreografi i njohur i Lindy Hop-it, Frankie Manning. Frankie vinte në dukje aftësitë e Willa Mae Ricker në performancën ajrore dhe fuqinë e saj fizike “…për të mbajtur partnerin lart aq sa ata të mund të shkëlqenin” ). Po ashtu edhe ylli Leon James. (fig.2)
Fotografitë e këtij kërcimi nga çifti Ricker-James të realizuara në studion e Milit janë sensacionale sidomos kur valltarët janë në ajër. Nga pikpamja pamore, ai ka zgjedhur formën e skajshme grafike me kontrast të fortë, ku siluetat e kërcimtarëve të veshur me kostume të zinj ndriçohen nga disa burime dritash të padukshme tangjente me aparatin e tij, në mënyrë që sfondi prapa kërcimtarëve të mbetet po aq i errët sa të mos duket asnjë objekt tjetër. Kjo zgjedhje mjeshtërore, me një shkrepje fraksion të sekondës (strobe) i jep fotos idenë e qëndrimit pezull të valltarëve në një lartësi të madhe, si në një fluturim. (7. Qerim Vrioni: Fotografia “Lindy Hop e Gjon Milit”: albanovaonline.com, 16.03.2007)
Në paraqitjen e shkurtër redaksionale që pararend artikullin “Photography as Theology” (Fotografia si Teologji) nga Sean Callahan në revistën “American Photographer” thuhet: “Gjon Mili e ndriçoi botën si një kolos. Lindi Hop ishte e gjitha një furi entusiazmi tek të rinjtë kur Mili bëri foton e Willia Mae Ricker duke kërcyer me Leon James. Vallëzimi zyrtar i “erës Swing” (ritmike-K.B) konsiderohej me përçmim të konsiderueshëm nga institucionet kulturore për marrrëdhëniet e saj me mënyrën e jetesës moderne dekadente të shoqëruar me xhazin.” (8. Sean Callahan: “Photography as Theology” American Photographer, Vol. IV, No. 5 November 1980 pp. 36-48)
Disa prej fotove me Willa Mae Ricker dhe Leon James të Gjon Milit për këtë vallëzim u bënë dhe mbeten edhe sot përfaqësuese, simbolike në shumë kartolina, CD muzikore, reklama e printime, sidomos tek veshjet e të rinjve.
Nga viti 1936 e deri në vitin 1944, vetëm Revista “LIFE” ka botuar në faqet e saj 13 herë artikuj me foto – ese të lidhura posaçërisht me kërcimin “Lindy Hop”
Ndërkaq, po ky organ mediatik do t’i rikthehej sërish këtij vallëzimi simbolik nëpërmjet fotove të Gjon Milit 29 vite më vonë më 1972, kur riboton disa foto të tij me komentin redaksional të titulluar “29 Years Ago In” (29 Vjet më Parë) dhe nëntitull: “The dance that had wartime teenagers jumping was called the Lindy Hop” (Vallëzimi që të rinjtë e kohës së luftës kërcenin quhej Lindy Hop). Aty thuhet: “Ballina e revistës Life e 29 viteve më parë i kushtohej një vallëzimi popullor që rrëmbeu brezin e ri të Luftës II Botërore. – Lindy Hop. Life theksonte që Hop ishte i pari vallëzim popullor tërësisht kombëtar që mbante historinë me kryefjalën “një vallëzim kombëtar folk kishte lindur në SHBA. Shkrepjet e Gjon Milit me stop-aksion e hapave të njëpasnjëshëm ishin një nga zbatimet e hershme të blicit elektronik në fotografinë e gazetarisë. Një pamje anësore e një improvizimi fluturimthi jep kënaqësinë e papërmbajtshme shpirtërore të vallzimit.” (9. “29 Years Ago In”, LIFE, August 25, 1972 pp. 24-25)
Por kjo foto përfaqësuese e Gjon Milit rikthehet në shumë botime bashkëkohore, sidomos në albumet jubilare që redaksia e revistës “LIFE” boton në çdo 5 vjet me rastin e përvjetorëve të saj. Kështu “Lindy Hop” është një nga katër fotot me të cilat Mili përfaqësohet në botimin ”The Best of LIFE” (Më të mirat e LIFE) të vitit 1973. Edhe në botim me rastin e 70-vjetorit te revistës të nëntorit 2006, ku vendosen fotot më të spikatura të aktivitetit të saj, fotos “Lindy Hop” i është kushtuar një faqe. Me rastin e 75 Vjetorit të Revistës “Life”, më 12 Janar, 2012 gazeta amerikane “The Telegraph” boton rubrikën “75 Fotot më të Bukura të revistës LIFE”, ku fotoja “Lindy Hop” me Willa Mae Ricker dhe Leon James radhitet e pesta. Ndërkaq botimi luksoz “75 Years – the Very Best of LIFE” i dedikon kësaj fotoje faqen e parë të tij.
Këto tipare e vlerësime artistike i bëjnë fotot e shumta “Lindy Hop” të Gjon Milit një ekspozitë vizuale, studimore e artistike, që dallojnë si një prej krijimeve kompozicionale fotografike me vend të veçantë në krijimtarinë e tij të suksesshme e novatore.
Please follow and like us: