Albspirit

Media/News/Publishing

RIKTHIMI NË BARBARINË POST MODERNE. RROFTË MESJETA DHE PREHISTORIA!

 

Skënder Sherifi

Shpeshherë e kam pyetur veten mbi logjikën e cikleve të Historisë, të Kozmosit, të jetës njerëzore, si puna e stinëve, rrotullimi i dukurive, sensi i rrotës që sillet në dukjen e parë gjithmonë njësoj? A ka ndonjë logjikë që vepron? Ku qëndron domethënia e këtyre gjërave? Pyesni filozofin dhe politologun Arian Çani, etnologun, antropologun dhe linguistin Sazan Guri, sepse ata duhet ta dinë me siguri! Kurse, unë ju kërkoj të gjithëve falje, ngaqë e ndiej vetën tepër të kufizuar. Aq sa po avancoj në jetën time, po arrij në përfundim që në realitet nuk di asgjë! Por më ka ngelur akoma ajo dëshirë e pleqërive të vjetëra, e trashëguar nga eksperienca ime nëpër Odat malësore në Kosovë dhe ato të Mërgatës së Qyqeve, në Bruksel dhe po ashtu, ajo kultura e debateve alla franceze rreth tavolinave nëpër shtëpi, kafe dhe restorante të Parisit dhe Bregut të Azurit, me protagonistë në top nivel të dijës, të gjithë 10 herë më të kualifikuar dhe të lexuar sesa unë. A i zotërojmë të gjitha gjërat në një mënyrë racionale të shëndoshë dhe krejt të vetëdijshme, apo na rrëshqasin prej dore, ngaqë janë të diktuara nga diçka tjetër, për ne ndoshta mjaft irracionale, porse dikund e shkruar? Pra, çka varet drejtpërdrejt prej nesh, prej vendimeve dhe zgjedhjeve tona, e çka varet prej atyre dukurive Iks paralele dhe të pashpjegueshme? Do të thotë prej Zotit, fuqive misterioze, energjive kozmike, ligjeve natyrore, ku ta di unë? Në një farë mënyre, kam qenë gjithmonë i dyzuar, pak kështu dhe pak në të kundërten, ku me e ditur pse, ai farë paradoksi themeltar, i trashëguar me siguri që nga lindja, pjesë e natyrës sime të thellë anarshiste, pa korniza. Në një pjesë, ekzistencialist alla Sartre, me sensin e përgjegjësisë njerëzore, përdorimin e lirisë për të vendosur diçka mbi fatin tim dhe jodrejtpërdrejt fatin e njerëzisë… por në anën tjetër, edhe me pjesën puro orientale, do të thotë: “le të vijnë gjërat spontanisht ashtu siç vijnë – dhe le të ndodhin ajo që është e shkruar, e paraprogramuar dikund tjetër për ne”. Dhe në mes të dy poleve antagoniste (fifty-fifty): ta përziej gjithë këtë çorbë me ironi, sarkazëm, provokim, anën burleske dhe satirike, ta përdor si antidotë kundër të gjitha mbylljeve dhe përcaktimeve të kufizuara, atë LIRINË e LIRË të shenjtë, alla Arthur Rembo, një territor intim, poetik dhe imagjinativ personal, ku askush nuk mundet për të ndërhyrë, ngaqë askush nuk ia njeh konturet preçize dhe si rrjedhojë, natyrisht nuk e dominon, kështu që nuk mundet kurrë për ta zotëruar. Pra, në të gjitha këto përkufizime dhe diktime: le të jam së paku Mbreti absolut i territorit tim shpirtëror dhe mendor intim dhe të jetë ai territor i pa prekshëm, i pa lëvizshëm, i pa rrezikuar… Mirë që më vjen si ndihmë Rock and Rolli, Muzika Pop, Jazz, Blues, Klasike dhe Rapi, Filmi, Librat, Artet Plastike, Teatri dhe Spektakli i Baletit modern, ku trupi e shpreh botën dhe sensibilitetin e tij, me një gjuhë tjetër magjike… Po, po, “byrjem dhe hoxhgjelltën” i qoftë dadaizmit, surrealizmit, dekonstruktivizmit, nouvelle vague-s, të Jean Luc Godardit, cunami i Bitnikëve amerikanë, i majit 68, i Bauhaus-it gjermanik, i kinematografive hispanike, skandinave, polake, çeke, aziatike, anglofone, latino-amerikane, i revolucioneve ideore apo artistike, i lëvizjeve underground… Thanks a lot, it’s great!

Pra, le t’i përqafoj, pa mushkonja në Shtoj, të gjitha ato fenomene, rryma, familje artistike, filozofike, psikologjike, të gjithë ata Krijues dhe Mendimtarë, të cilët më kanë pasuruar mua si Njeri dhe kanë arritur me talentin e tyre eksepsional, për të na i thyer disa barriera, tabu, për të na mundësuar me pa pak më larg sesa kërthiza jonë, apo banaliteti i përditshëm, për të na i shtyrë sa më larg kufijtë e Lirisë, për t’ia lënë një mundësi reale, mendimit shpirtëror të lirë dhe imagjinatës sonë delirante për t’u shprehur tamam në formën e duhur, spontanisht, pa interferime të jashtme! E kam ditur intuitivisht që na duhet në këtë jetë sa më shumë Oksigjen dhe një Liri maksimale… Dhe sado që e dua, bota shqiptare mbetet tmerrësisht e kufizuar për mua, si Njeri “out of limit” dhe gjithmonë jashtë kuadrateve të caktuar. Kur i thoshnin Papës të “Nouvelle Vague-s” – po si nuk je lodhur, o burrë, me gjithë këtë margjinalitet të kultivuar”?, ai u përgjigjte: “Nuk e kam zgjedhur unë, por më ka ra hise, është natyra ime e thellë… por edhe pse nuk e dini, Margjina është ajo që i mban të gjitha faqet e librit të ngjitura së bashku, pa margjinë nuk ka libër, do të thotë nuk ka vepër. Në një farë mënyrë, në pasqyrën e margjinalitetit përcaktohen vlerat mesatare të pranueshme dhe mbahet gjallë narracioni i kësaj bote”.

Unë, natyrisht e kam njohur perfekt dhe praktikuar pa kursim këtë botë, deri sot afër moshës 70 vjeçare, në pragun e Jubileut tim të Tetorit 2024. Patjetër, paradoksal në gjithçka, por komplet i lirë… i ushqyer, i frymëzuar nga gjithëkush, por i ndikuar dhe i diktuar nga askush, as nga familja ime… e më në fund, si një luks suprem, përfundimisht vetvetja, instinktivisht i ngulitur si Shkëmbijtë rreth Valbonës në botën time, me gjuhën time dhe në lirinë time, ku nuk do ketë askush ndonjë shans për të më tërhequr apo zhvendosur, ngaqë është tepër vonë tani, për të më futur në sisteme ushtarake ultra të kornizuara. Pos asaj, as nuk shitem, as nuk blihem, as nuk sundohem, as nuk zotërohem nga çfarëdo Sistemi apo Pushteti Iks apo Ypsilon. Më falni zotëri Enver, Stalin dhe Hitler! Por tani, mund të drogoni kënd të doni, ndërsa mua, më harroni… nuk ka shanse për të m’i shitur këto pallavra patetike ose për të më bindur me absurditete tragjike. Tek unë ka pas fituar që në lindje LIRIA! Rebel, i atomizuar dhe i unifikuar në puzlin tim, nga pafundësia më e vogël, e cila nuk shihet me sy, gjer në gjithësinë absolute, e cila nuk konceptohet me mend… ec e merre vesh pse?

Por çdo etiketë më shkon dhe nuk më shkon, bile as FREUDI nuk mund ta skanojë saktësisht. Jam romantik dhe impresionist, jam ekspresionist dhe hiper-realist, jam ekzistencialist dhe dekonstruktivist, jam surrealist dhe abstrakt, jam klasik, epik, rapsodik, homerik, por edhe superavanguardist, jam malësor i odave por edhe kozmopolit multidimensional. Nganjëherë më befason aq shumë vetvetja, më duket që jam një mister i gjallë dhe i pashpjegueshëm dhe i them vetes: “Po kush dreqin je, o Skënder Sherifi? Çka është gjithë kjo alkimi komplekse, të cilën askush nuk mund ta marri vesh siç duhet dhe ti i pari”? Po, po, e di por ashtu kam lindur dhe duhet pyetur Zotin apo forcat superiore! Kontradiktor në gjithçka, e privilegjoj lirinë e mendimit dhe të perceptimit, ngaqë e lë zhvillimin tim të bëhet vetvetiu spontanisht, sipas ligjeve natyrore, ashtu siç evoluon globi tokësor, ditë pas dite, pa e pa konkretisht askush me sy. Ka mbaruar me kohë ai muhabet, për të më radhitur dikund në një familje, parti, grup apo shinë të caktuar… ngaqë, tani jam ai Poeti, i cili dëshiron të dalin prej faqes së librit, Piktori që dëshiron të dalin nga tabloja e tij… po, po përfundimisht i vaksinuar në Lirinë e Lirë poetike. Por, po i mendoj Fëmijtë tanë, Nipat tanë, gjeneratat e ardhshme! Më dhimben shumë dhe më vjen keq për ta. Unë e kam përjetuar deri në fund, periudhën e artë, mjedis Europës (Brukselit dhe Parisit) 1960 deri nga 1990, hajde po them deri në vitin 2000, por fatkeqësisht ato gjëra nuk do rikthehen kurrë, ngaqë kemi kaluar në diçka tjetër. Djali im Rafaeli, 17 vjeçar, është sinqerisht super briliant dhe i kultivuar në stilin e tij, porse nuk i ka referencat e mia, nuk është produkt i librave, i filmave, i dramave teatrale, i ekspozitave të pikturës, i koncerteve muzikore, i bibliotekave dhe kinematekave, por as i aventurave njerëzore me të tjerët në katër anët e botës. Jo, jo, është produkt i gjeneratës së tij, pra, i botës teknologjike dhe i ekraneve, i kulturës të imazhit, të lajmit të shpejtë dhe të pultimeve permanente. Nuk vjen sikurse unë, së pari nga eksperienca e jetës, e takimeve, e përjetimeve speciale me gjithëfarë njerzish dhe personalitetesh, me çobanë, punëtorë, kamariera kafesh, taksista, klosharda, aristokratë, borgjezë, studentë, bohemë, komunista, ballista, zogista, blokista, maoista, trotskista, monarshista, republikanë, konservatorë të djathtë, revolucionarë të ekstremit të majtë… Duke marrur diçka specifike tek të gjithë, por pa u ndikuar nga askush… Nuk vjen nga njohja e kulturës reale përmes analizës së veprave, diskutimeve dhe debateve rreth tyre me miq rreth një tavoline. Nuk vjen nga Jean-Paul Sartre, Albert Camus, Raymond Aron, Vladimir Jankélévitch, Emanuel Levinas, Paul Ricoeur, Marcel Proust, Louis Ferdinand Céline, Raymond Queneau, André Breton, Gilles Deleuze, Roland Barthes, Louis Althusser, Jacques Derrida, Michel Foucault, Georges Bataille, Samuel Beckett, Eugène Ionesco, Emile Cioran, Claude Lévi Strauss, Umberto Ecco, Viktor Hugo, Jean Jacques Rousseau, Voltaire, Diderot, Molière, Racine, William Shakespeare, Ezra Pound, Jack Kerouac, Fernando Pessoa, Fernand Braudel, Walt Whitman, Jean Luc Godard, Jacques Lacan, Michel Onfray, François Truffaut, Jean Vigo, Cassavetes, Stanley Kubrick, Fellini, Antonioni, Visconti, Pasolini, Kurosawa, Mizogushi, Ozu, Oshima, Pedro Almodovar, Wim Wenders, Fassbinder, Herzog, Forman, Polanski, Makaveiev, Tarkovski, Kieslowski, Dali, Picasso, Paul Klee, Kandinsky, Renoir, Monet, Cézanne, Vermeer, Rembrandt, Da Vinçi…

Po dua me ju thënë, që gjenerata e djalit tim, nuk ka asnjë lidhje shpirtërore apo intelektuale me gjithë këta emra madhorë që i përmenda dhe mund t’i shtoj edhe 100 të tjerë pa problem… sepse Rafaeli nuk i njeh dhe nuk i interesojnë fare gjithë ata Krijues gjenialë, nuk i flasin aspak këta Njerëz me veprat e tyre. Jo, ngaqë i takon një bote tjetër, e cila i ka kodet e saj dhe komunikon përmes një tjetër gjuhe. Janë gjenerata e internetit, e spotit, e reklamave publicitare, e pultimeve televizive, e serialeve, e buzzeve informatike, e modës, e influencuesve të suksseshëm për çfarëdo kotësie debile… Pra, janë vetëm konsumatorë të gjërave, do të thotë që përpijnë shpjejt çdo informacion ashtu siç ju vjen, pa e filtruar apo analizuar, e bluajnë aty për aty dhe pastaj e hedhin direkt në koshin e plehrave për të kaluar në diçka tjetër, po ashtu siperfaqësore. Nuk thellojnë asgjë, nuk ndalen aspak për ta menduar, për ta pleqëruar, për ta diskutuar një problem preciz me shoqërinë e tyre… Jo, sepse janë të gjithë të mbyllur në botën e tyre individuale, duke komunikuar ekskluzivisht përmes ekraneve, dhe çdo gjë sillet rreth kërthizës së tyre… Si puna e “selfive” janë në një lloj raporti narcisik dhe egocentrik me imazhin e tyre, bile jo as me veten e tyre autentike të thellë, të cilën nuk e njohin fare, ngaqë nuk e kanë hulumtuar atë terren. Ju mjafton imazhi që kanë, që transmetojnë tek të tjerët! Janë aty vetëm si konsumatorë, të zhytur këmbë e krye në botën materialiste dhe globaliste, për të kapur atë çka është e mundshme në atë moment të caktuar, për ta mbushur zbastësinë e tyre, me çfarëdo informacioni, elementi publicitarë me një prapa sfond puro materialist, pastaj me thashetheme, me tonelata “Fake News”… Janë në kalim e sipër, ecin si treni brenda këtyre shinave të paracaktuara, duke mbledhur atë çka ju ofrohet, me qëllime natyrisht të caktuara. Porse nuk janë aty, për të filozofuar apo për të thelluar diçka, për ta munduar trurin e tyre, sa për ta gjetur vërtetësinë e gjërave. Dhe pikërisht aty qëndron problemi kryesor!

Unë, e kam pas thënë disa herë: në çfarëdo shoqërie njerëzore, aty ku nuk ekziston Filozofia, Psikologjia, Poezia apo Letërsia, do me thënë Libri, do të thotë vepra e filanit si bazë… dijeni që aty, nuk ka mendim, nuk ka analizë, nuk ka asgjë… vetëm konsumim, gëlltitje, pastrime truri, propaganda, manipulime, diktime, orkestrime dhe inskenime, sa për ta përgatitur një Popullësi për këtë tip Bote apo Shoqërie të caktuar. Çka unë e quaj: “totalitarizmi modern apo post-modern, pavarësisht emrin që do e ketë nesër kjo shoqëri futuriste”!

Dhe ka vite, që po e vërej këtë lloj rrëshqitje, këtë regresion global, si në Amerikë, ku bota e Norman Mailer, Truman Capote, Susan Sontag, William Faulkner, John Steinbeck, Paul Auster, Jack Kerouac, Allan Ginsberg , John Irving, Ernest Hemingway, Philip Roth, Saul Bellow, J.D. Salinger, F.Scott Fitzgerald, James Baldwin, William Burroughs, James Ellroy, Silvia Plath, Mary Austin, Pearl Buck, Toni Morrison, Jack London, Henry Miller, Raymond Chandler, Cormack Mc. Carthy, Stephen King, Thomas Pynchon… ose në film me Martin Scorsese, Steven Spielberg, Orson Welles, Quentin Tarentino, Stanley Kubrick, Alfred Hitchkock, Francis Ford Coppola, David Lynch, Clint Eastwood, Tim Burton, Woody Allen, John Cassavetes, Billy Wilder, Brian de Palma, Terrence Malick, Gus Van Sant, Sydney Lumet, John Mankiewicz, Frank Capra, David Fincher, Paul Thomas Anderson, Christopher Nolan, Jim Jarmush, Wes Anderson, James Gray, e plot të tjerë … ose në pikturë me Andy Warhol, Edward Hopper, Keith Haring, Man Ray, Jackson Pollock, Roy Lichtenstein, Frank Stella, Jean Michel Basquiat, Willem de Kooning, Jeff Koons, Robert Rauschenberg, Georgia O’Keeffe… pa folur fare për botën e tyre muzikore absolutisht gjeniale… Kurse sot, është për ta vajtuar Amerikën! Pra, ku është kjo botë, e cila më ka pas formuar mua personalisht? Sepse, pikërisht kjo ka qenë Amerika e ime, ajo që më ka frymëzuar mua si Person dhe si Poet! Por kjo nuk është Amerika siç e konceptojnë 99 përqind të shqiptarëve. Fatkeqësisht, po e shihni ju vetë: ka fituar kundër gjithë këtyre emrave që i citova dhe të cilët sot vlejnë shumë më pak sesa David Beckam me shoqën e tij Viktoria, Elon Muski, Marc Zuckerbergu, Bill Gatesi, Jeff Bezosi me shokë, ndërsa në politikë ka triumfuar injoranca tragjike dhe patetike, me Bushin Junior dhe Donald Trumpin. Lus qiellin që mos të vijë një Kohë delirante, ku asnjë gjë logjike dhe njerëzore nuk do qëndron në këmbë dhe ku do detyrohemi për të ikur në një Mal pa Thi, të Tropojës apo Mirditës, duke e thyer një mur, si ai Indiani memec i filmit gjenial “Fluturim mbi folenë e qyqeve” të Milos Formanit. Në një shoqëri të çmendurisht, ai që ka ngelur normal do jetë de fakto, më i çmendur sesa gjithë të tjerët!

Mirëpo, e njëjta dukuri është duke e pushtuar gjithë Europën, ai kontinent i paparë, i pashembull me 2000 vite kulturë, histori dhe trashëgimi unike, diçka e pa imagjinueshme… Më thoni, me gjithë atë bagazh që kemi ne si evropianë: si është e mundur për ta zgjedhur opsionin e degjenerimit global, e autosabotimit dhe shkatërrimit dhe e kësaj rrëshqitje të poshtë? Është për mua, një enigmë e madhe! Po pra, vetë Europa, për disa arsye Iks, të cilat do e kishin merituar një internim në Psikiatri është duke pshurrur dhe duke e përbuzur gjithë këtë thesar të papërsëritshëm, për ta zëvendësuar me çka? Jo me dramturgjinë skandinave, gjermano-austriake apo anglo-amerikane, apo me veprën e Hegelit dhe Heideggerit, me sinfonitë e Shopenit apo Rahmaninovit, por me idiotësitë groteske dhe absurde të ardhura përtej Atlantikut, nga Kafshët e Tekzasit dhe të Amerikës analfabetike (barbecue, birra, makina, pushkë dhe dollarë!) ose psikologjia e Kaubojve dhe të Pionierëve të dikurshëm… një lloj Westerni i përjetshëm modern me mjetet e sotit. Si mund ta kopjosh qëllimisht si francez, belg apo anglez, një model aq debil dhe për zi? Do me thënë që simbolikisht je duke e shitur Volterin për një Hamburger, Shekspirin për një çorodi amerikane ose një makinë Chevrolet të viteve ’70? Të duket më interesant një western karikatural me John Wayne sesa gjithë vepra e Ingmar Bergmanit? Porse ky është realiteti i sotit, o lexues! Kush po vjen aty me Spinozën, Kantin, Sokratin, ose me Rilkin dhe Holderlinin, Bachun dhe Gustav Mahlerin, pa e pushkatuar direkt në ora 6 të mëngjesit, akoma pa kënduar Gjeli i parë! Më mirë për t’u ngopur me biftekë, me 5 birra dhe për t’i gjuajtur disa rosa të egra, sa për sport duke i sprovuar Winchesteret. Është e pakonceptueshme për dikënd të thellë dhe normal, me pak kulturë dhe brumë njerëzor, porse është rruga e gabuar që e kemi zgjedhur ne vetë. Me ja pas thënë Michel Foucault-së, apo Edgar Morin-it, do ishin sëmurë së paku për 1 javë, duke e konsultuar psikoanalistin e tyre (a jemi ne normalë apo kjo botë e degjeneruar)?

Më kujtohet kur në vitin 1991 tek Hotel Dajti në Tiranë, më pat thënë miku im, frankofoni më i përkryer i gjithë Shqipërisë, zoti Jusuf Vrioni, të cilit i pata propozuar fillimisht: “eja, se po t’adoptoj si Babë ose si Gjysh, se po më pëlqen si tip… ke brumë kulturor fenomenal, e ke një rafinim aristokratik alla francez edhe pse je një depresiv kronik… po ma rikujton një Botë të humbur si në filmin Guepardi i Viskontit… Je anakronik këtu në Tiranë. Tani, çile një Burgonje me pak djathë dhe proshuta Parme”! Por më tha: – Ah, i mjeri ti, more i shkretë, se po më dhimbesh o Sherif, me gjithë këtë origjinalitet poetik që ke, në këtë libër – PASSION, shkruar që në vitin 1982, i cili u emrua më vonë në versionin shqip, “Festivali i Pasioneve”, botim i vitit 2020 në Tiranë… Po çka po bën këtu, ik sa më shpejt, se a po e sheh që ka marrur fund çdo gjë, dhe që jemi rikthyer në Barbarinë moderne, në vitin zero!

Nuk e ke vendin këtu me këtë lloj bote ultra origjinale dhe specifike që ti e ke, o mik. Hup ku të mundesh, por mos rri kot në Shqipëri! Këtu, përpos lekut, Benzit dhe një vizë për të dalur jashtë këtij shteti deri në Australi, nuk i intereson askujt për asgjë! A je në mend, o djalë?

Po kujt i duhet Mozarti, Platoni dhe Pikaso në këtë bordellhane të paparë? Po, po, mirë e ke miku im. Por e kam një porosi të Rugovës dhe një amanet për ta çuar deri në fund. E di që ke me plot të drejtë! Kanë përfunduar, ideologjitë dhe utopitë, në të cilat kam pas notuar unë gjithë jetën time… të gjitha fjalët me “izëm”: Komunizëm, marksizëm, bolshevizëm, stalinizëm, enverizëm, kapitalizëm, liberalizëm, socializëm, surrealizëm, ekzistencializëm, dadaizëm, impresionizëm, ekspresionizëm, futurizëm, konservatizëm… e të tjera… kanë mbaruar shkollat dhe rrymat artistike, filozofike, politike, ekonomike… janë zbehur edhe besimet, çka po shihet qartë në Europë dhe në Amerikë, po flas për ato shtete ku mbretëron një sfond demokracie, dhe ku Njeriu bën lirisht atë çka t’i teket… Mirëpo, janë larguar gradualisht prej Kishave, Xhamive, Sinagogave, po flas për botën përendimore… pa folur fare për të gjitha skandalet që kanë ndodhur në lidhje me abuzimet seksuale dhe pedofilinë këndej e andej. Por rezultati po shkon në të njëjtin drejtim… Mos besimi, dyshimi, cinizmi dhe nihilizmi!

Jemi shndërruar në personazhe të Samuel Beckettit, pa indentitet të caktuar, të ardhur nga ku me e ditur ku, dhe të cilët nuk presin asgjë, sepse nuk kanë asnjë qëllim në jetën e tyre. Janë komplet të humbur në Kozmos, të pa emër real, nuk e dinë as kush janë, as çka dojnë, as çka mendojnë? Tani, imagjinojeni ju vetë: Kur Njeriu postmodern i sotit në vitin 2024, pra gjenerata jonë së pari dhe ajo e fëmijëve tanë… nuk beson realisht dhe spontanisht në asgjë, do me thënë në asnjë ideologji apo parti politike, në asnjë dirigjent Shteti apo Qeverie, në asnjë lider, në asnjë rrymë apo shkollë filozofike, kulturore, apo artistike, në asnjë familje fetare, përpos me i ndjekur mekanikisht ritet dhe folklorin, sa për ta respektuar zakonin, por pa u ushëqyer sinqerisht dhe thellësisht në një botë mistike autentike… Çka do të thotë, që e ke shpirtin e pa plotësuar, e pa ushëqyer në thellësi dhe e ke mendjen e pa bindur në diçka precize. Je aty si qenie njerëzore mbi këtë tokë…

Tungjatjeta, o tokësor i racës humane, por je duke flotuar si fleta nëpër ajër, nuk je i fiksuar askund, nuk identifikohesh në asgjë, sepse nuk beson në diçka të caktuar, të programuar, të propozuar… je në dyshim permanent dhe nuk di se ku mund të kapesh? Familja jote të irriton, po ashtu edhe shteti yt, sistemi politik, pedagogjik, shkolla, firma ku punon, kisha, xhamia, shoqëria… asgjë nuk të bind apo të pëlqen. I thua vetes: “what a big shit”, por nuk ke asnjë përgjigje apo alternativë! Je para hiçit dhe zbrastësisë… dhe të duhet për ta mbushur me diçka, së paku formalisht për të qëndruar në këmbë, për të mos bërë ndonjë vetvrasje, për të mos ra në depresion në psikiatri, apo me kaluar në “serial killing” si të çmendurit e Amerikës! Dhe për fat, aty të propozohet bota materiale dhe informatike, kibernetike, me algoritmet dhe inteligjencën artificiale. Mund t’i kesh për idolë disa kohë, sa për efekt Placebo, çiftet e Justin Biberit dhe Timberlakit, ndonjë lojtar futbolli apo basketbolli. Le ta përshëndesim me plot respekt dhe le ta ftojmë për një kafe, Mira Muratin… por do i kisha disa pyetje miqësore për t’ia bërë! Çka po na propozon, e nderuar? Gëzohem që jeni drejtoreshë, por çka drejtoni në realitet? Kulturën e thellë autentike nuk e kemi, Filozofinë nuk e kemi, Psikologjinë dhe Misteret e botës sonë shpirtërore intime, nuk i njohim fare dhe bile na frikësojnë, bindjen politike reale dhe të sinqertë nuk e kemi, veshim për një moment të caktuar çfarëdo Kostumi apo luajmë çfarëdo Roli, nëse na ofrohet një shpërblim interesant, një privilegj privat me vlerë, shitemi dhe blehemi pa asnjë lloj problemi, se e kemi si sport kombëtar, besimin autentik të thelluar në shpirt, nuk e kemi … Kështu që mbi këtë Kart-Vizitë, çdo gjë është e mundur gjer në irracionalitet ekstrem. Sepse, asgjë nuk na ndal në realitet: besimi i sinqertë, bindja në diçka precize, në çfarëdo vlere, etika individuale, edukata morale… E jo vetëm tek ne si Shqiptarë, por ky lloj virusi i Dekadencës e ka infektuar gjithë Europën aq të civilizuar. Pastaj, kur i kemi mohuar të gjitha traditat, thesaret, kontributet gjigante të civilizimit tonë Europian së pari, por edhe Amerikan, (përmes gjithë atyre referencave që ua citova) kur ne vetë kemi pshurrur mbi to dhe i kemi zëvendësuar me gjithëfarë debiliteti dhe kotësie… kush na ka faj? Kur Taylor Swifti apo Kim Kardashiani, dy idiotë patetikë, kanë më vlerë dhe më peshë referenciale për shumicën e Popullit dhe të Rinise, sesa Marie Curia, Simone de Beauvoir, Angela Davis, Toni Morrisoni… kur një influencues i kretinizuar i internetit gëzon më tepër popullaritet dhe respekt se gjithë vepra e Balzakut apo Floberit, kur një “Punchline” vlen më shumë sesa një fjalim i çfarëdo nobelisti në Stockholm, kur çifti i Donald Trumpit apo i Berluskonit kanë më vlerë sesa gjithë kultura italiane apo amerikane, më vlerë sesa Abraham Lincolni apo Georges Washingtoni, De Goli apo Çurcilli? Atëherë ku qëndron defekti? Ku e ka origjinën kjo sëmundje kolektive planetare? A mund të ma shpjegoni: Po si mund të fitojnë irracionaliteti mbi racionalitetin, mbi shekullin e dritave, ultranacionalizmi i verbër dhe i rrezikshëm mbi universalizmin paqësor dhe njerëzor, injoranca mbi kulturën, mesjeta dhe obskurantizmi mbi dritën dhe zhvillimin e Njerëzimit? Kur sot e ke një francez në tre, i cili është gati t’ia dorëzojnë çelsat e Elizesë, pra Presidencën e Republikës, zonjës Marine Le Pen, e cila nuk e zotëron asnjë dosje teknike profesionale, porse shkelqen realisht në komunikimim popullor dhe populist. Ndërsa thotë, që nëse do i fitojë zgjedhjet e vitit 2027 në Francë, do emërojë Jordan Bardellën, 29 vjeçar, kryetar i partisë, pa asnjë formim shkollor serioz, pa asnjë eksperiencë politike në terren, ngaqë nuk ka pasur asnjë funksion, së paku në një Komune të vogël… E pra, do e cakton Marina, kryeministrin e ardhshëm të Francës. Ja ku ka ra Franca e Roland Barthes dhe Michel Foucault, Franca e Viktor Hugoit sot, ai shtet, madhështor dhe shembullor për botën, të cilin, siç e dini edhe ju, me të kaluarën që kam pasur, e dua për së tepërmi, edhe pse ja njoh padyshim të gjitha defektet kronike. Dhe nuk mund ta bëjmë as ju, as unë Francën pro shqiptare, ngaqë e ka një tjetër traditë historiko-politike, mirëpo nuk mund t’ia mohojmë vlerat që i ka, dhe pos asaj, e ka respektuar me shumë dinjitet dhe transparencë, çdo meritokraci individuale, duke i ruajtur paralelisht vijat e saj historike tradicionale. E di që mua, më kanë pas pranuar dhe respektuar ashtu siç jam dhe kam zhvilluar me ta, gjatë vitëve, një dialog miqësor të sinqertë, por pa koncesione.

Porse, i them vetes në disa raste: A jam unë normal apo anormal?… Aq më duken disa dukuri limit delirante dhe të pabesueshme, por fatkeqësisht reale! Po pse, gjithë kjo rënie globale, si me na pas ngrënë Dreqi, si me pas qenë të gjithë nën drogë apo narkozë?

E kuptoj mirë që me këtë stil procesi, me këtë lloj psikologjie veprimi, kanë ra të gjitha Perandoritë e Mëdha, në dekadencë dhe pastaj në zhdukje, ndoshta pa e kuptuar as ata vetë se çka është duke ndodhur? Mund të jesh Volteri apo Shekspiri, Dantja apo Servantesi, por nëse dikur do vendosësh për t’u degjeneruar komplet, duke u zhytur në droga, alkool, bixhoz dhe prostituta… nuk do mend, që do degradosh dhe nuk do jesh më i madhi Volter! Ajo çka ka ndodhur me aktorin e njohur ikonik amerikano-shqiptar të filmit muzikor magjik: “The Blues Brothers”, John Belushi. Një “auto-suicide”! Mirëpo, pse e vendosim dikur ne vetë, atë lloj procedure të auto-shkatërrimit gradual… çka tingëllon si një lloj vetvrasje në realitet? E këtu, jemi tamam në fushën sekrete dhe misterioze të shpirtit të Njeriut, të cilin e trajton psikoanaliza me Freudin, Jungun, Adlerin, Wilhelm Reich dhe mikun tim Jacques Lacan, i cili në disa raste m’i analizonte mjegullat e mia balkanike, kundër një pulë të pjekur apo një shishe verë, ngaqë nuk kisha lekë për t’ia paguar orën. Ha, ha, ha… e përqafoj aty ku është! Po, me siguri është ajo lufta e përjetshme mes energjive pozitive dhe negative, jeta dhe vdekja, nata dhe dita, çka e quajnë specialistët e Psikologjisë klinike: “Erosi dhe Thanatosi”… mirëpo, ajo luftë zhvillohet me rregulla speciale, të njohura pjesërisht, por më tepër të panjohura, mes koshiencës 20 deri në 30 përqind, po mendoj unë dhe ICERBERGUT subkoshient që i përben 70 përqind të sipërfaqes sonë shpirtërore dhe mendore.

Ec e merre vesh pastaj, planin apo strategjinë precize të asaj loje ultrakomplekse që mund zhvillohet gjatë gjithë jetës sonë, mes atyre dy polëve komplet të kundërta.

Por më në fund, do na dali patjetër rezultati praktik, ai që e shohim konkretisht me sy, i cili na kënaq apo na merzit, na bën për të qeshur nga gëzimi, apo për të vajtuar nga idhnimi. Është mister total në realitet, por për t’a konfirmuar apo kundërshtuar vetveten, po e kërkoj një takim miqësor me ndonjë trainer të futbollit, si Pep Guardiola ose Jürgen Klopp, sa për të ma dhënë një leksion të mirë strategjie në labirinthet e shpirtit njerëzor. Bile të jem deri dikund pak i parapërgatitur për ta vazhduar atë Luftë të përjetshme! Mirëpo, dikur duhet që ta orkestrojmë një farë Pleqërie me vetveten dhe me shoqërinë, ta bëjmë një bilanc sa më preciz duke i përfshirë të gjitha këto informacione, eksperienca dhe dukuri. Pra, kur na grumbullohen apo akumulohen të gjitha këto fakte konkrete, të cilat po i konstatojmë të gjithë përditë, a ekziston një problem madhor apo jo ? Cili është sensi i gjithë këtij Puzzli?

Atëherë, ku jemi dhe në çfarë shoqërie jemi duke jetuar? Ajo e logjikës racionale, e dijes universale, e René Descartes me “fjalimin e tij mbi metodën e mendimit analitik”, ajo e Enciklopedisë me Dideronë, e shekullit të Dritave, e Rilindjeve europiane, e filozifive antike greko-romake, e periudhës së artë të Averoesit, me kulturën e dikurshme arabo-andaluze, apo kemi arritur në pragun e një shoqërie komplet irracionale, pulsionale, epileptike, konfuze, mesjetare, post feudale, autoritare, fundamentaliste, ekstremiste, intolerente ndaj çdo formë kundërshtimi, totalitare në veprim, puro materialiste, robotike dhe teknologjike?

Në këtë rast, çdo gjë është e mundur, edhe e pamundura, bile ka diçka puro dadaiste apo surrealiste aty, por pa art, pa kulturë përbrenda dhe sidomos pa dashje! Prandaj, po ndodh siç po e shohim, gjithë ky turbullim dhe mjegullim planetar, me luftëra këndej dhe andej, me çregullime klimatike, me emigrime masive, me pushtete populiste dhe diktatoriale, mercenare apo narko-trafikante, me shembuj praktik në disa shtete të Afrikës, pas disa puçeve ushtarake, ose në disa regjime latino-amerikane, të cilat mund të shërbenin perfekt për një skenar gjenial të një filmi aksioni Jankee “blockbuster amerikan”, alla Ridley Scott. Siç duket, na janë shkimur nuancat ato finesat e trurit, siç i kishte Vrioni apo Marcel Prusti, Barry Lyndoni në filmin e Kubrickut… Sot, me një shuplakë, një revole, apo një shkelm, na ka bindur John Wayne, Lee Marvin apo Jack Palance, për t’i djegur nëpër Oxhaqe malësore dhe perëndimore të gjitha veprat e Sokratit dhe të Platonit, të cilat nuk i duhen askujt, dhe për të hyr sa më parë në rresht (një-dy, një-dy) ngaqë kemi arritur në sisteme binare të mendimit: “bardh apo zi, me mua apo kundër meje, a je dakort more horr, ose nëse nuk je, të pret Gulagu dhe pikë”! Mjafton një vendim arbitrar i Putinit, Pingut, Kimit, Erdoganit, Orbanit, Borsolanoss dhe do përfundojë gjithë Dituria Universale në ujërat e flliqta të Lanës, kurse ti do harrohesh në një zonë të errët të Hënës… ha, ha, ha…

Na i sillni dy birra dhe një sahan me meze! Pasi janë duke fituar regjimet populiste dhe totalitare: nuk jam ndonjë hero i madh, o kexues, kështu që: “Po, po, do jam dakort me çka të doni, se i kam rezervuar dy javë me shoqen time në Palma de Majorka dhe duke blerë një vilë buzë liqenit”!

A mos e keni rastësisht ndonjë zarf për shpenzimet anekse, se do flas mirë për ju, si disa prej Editorialistave dhe Gjithologëve tanë të parapaguar nga Iksi apo Ypsiloni! Çka quhet tek ne “gazetaria ultra profesionale” të cilës po i merr lakmi gjithë Bota.

Të zbresim pak në realitetin pragmatik tokësor. Jam për shembull Arthur Rimbaud, për mua poeti më gjenial i Planetit tokësor, sidomos me “Anijen e dehur”, një kryevepër poetike.

Mirëpo, nuk të boton askush, çka i ka ndodhur atij vetë… nuk pyet askush për ty, nuk të merr askush me seriozitet. Porse për ty si Njeri dhe si Krijues: Poezia e ka një rëndësi të madhe, ngaqë e ke derdhur shpirtin tënd në ato vargje dhe dëshiron për t’i ndarë me ndonjë lexues, pak mbi mesatarën e rëndomtë. Dikur me kohën, do lodhesh dhe do dëshprohesh me atë sistem kulturor të shtetit tënd, duke e pësuar padrejtësisht gjithë atë mohim dhe denigrim të talentit tënd. Me moshën dhe vitet që kalojnë, varfëria e pa skaj dhe mizerja e jetës të përditshme të rëndon. Dikur, do jesh gati për t’ia kërkuar edhe një trafikanti apo analfabeti ndonjë financim, sa për ta botuar librin tënd, që të ngelet një gjurmë dikund. Remboje i ka paguar me lekë tek një shtypshkronjë flamane të Anversit, 300 kopje të një libri me poezi dhe për fat është gjetur dikund ajo vepër, mes pluhurave, minjve dhe merimangave.

Ja ku kanë ra arti dhe kultura sot! Jemi realisht të rrezikuar nga gjithë kjo injorancë patetike, nga gjithë ky kaos dhe konfuzion i gjeneralizuar, gati i orkestruar me qëllim, nga gjithë kjo zhurmë, trullografi, nga gjithë ky shoë dhe spektakël narkotik, që nuk të len për të menduar asgjë, nga gjithë kjo amnezi individuale dhe kolektive, nga gjithë kjo mungesë rrënjesh, identiteti, kulture, historie dhe trashëgimie… Të cilën e kompensojmë me përralla të bukura, mite, rrëfime, narracione të lezetshme, legjenda, sa për t’ia mbaruar vetes qejfin, edhe pse askush serioz i dalë nga Oksfordi apo Harvardi, nuk mund ta besojnë shkencëtarisht, ngaqë janë disa metodologji precize për t’i faktuar gjërat, në ato qarqe elitare, e jo me një këngë me sharki dhe çifteli, se nuk mjafton o miq, edhe pse na pëlqen ne, e mua të parit… Bile, po e çoj një gotë për nderin e Dervish Shaqes! Porse Historia, Antropologjia, Etnologjia, Linguistika, Leksikologjia, Albanologjia, janë shkenca profesionale me disa ligje precize të fiksuara me kohë nga elitat shkencore të Universitetëve më prestigjioze botërore… Tani, ne, si çdo popull i vogël dhe i panjohur siç duhet nga të tjerët, pak jetim dhe të harruar nga Bota, a mund t’ua ndryshojmë gjithë këtyre kolosëve planetarë, parametrat e dijes universale? Ok, i kemi kualitetet, defektet, limitet dhe talentet tona. Porse, e di nga përvoja ime, që një popull, i cili na shitet kudo si superior dhe krejt i sigurt në vetveten, me një insistim dhe teatrologji të tepruar dhe të sforcuar, në realitet, e ndien në thellësinë e tij, veten inferior dhe të kompleksuar, prandaj e krijon një skenar të caktuar, i cili i pëlqen atij dhe e luan atë rol sa më mirë. E kuptoj mjaft mirë atë fenomen, porse nuk duhet me ekzagjeruar tani…

Gajret o burra, qoftë Zoti, Natyra, Drejtësia e Njeriut të filtruar me ju, se po na mësyjnë disa regjime totalitare postmoderne, ngaqë, gjithë kjo “anti-kulturë themelore” dhe gjithë ky sistem pervers anti-vlerash, gjithë ajo anë anti-kombëtare në realitet, por paralelisht edhe anti-universal, po na asfikson, po na kufizon në ekstrem dhe po na çon për t’i ra kokës në mur… Ngaqë, sipas meje, nuk mund të jesh aspak universal, pa qenë fillimisht nacional, nuk mund të jesh bota, pa qenë së pari vetvetja si individ tokësor, pastaj shqiptar, nëse ke lindur në Shqipëri apo në Kosovë nga një familje shqiptare, pastaj do jesh Europian, pasi që je pjesë e atij kontinenti, e pastaj internacional dhe planetar. E ka një logjikë të shëndoshë evidente kjo punë. Lisi mund t’i ketë 100 degë, të cilat do përhapen këndej dhe andej në të gjitha anët, porse e ka një trung dhe një rrënjë tokësore të përbashkët, aty ku do mblidhen të gjitha dhe prej ku kanë lindur të gjitha… Porse, ne e kemi harruar atë gjë me kohë. Sepse na kanë pastruar mirë trurin tash ca shekuj, të gjitha sistemet dhe regjimet bizantine, otomane dhe post-otomane, marksiste dhe kapitaliste dhe demokracia teorike nuk na ka ndihmuar fare për ta rigjetur vetveten. Përkundrazi, na e ka shtuar një dubël doze konfuzioni. Ngaqë jemi zhvilluar instinktivisht në improvizim, pa asnjë metodologji, pa e zotëruar aspak alfabetin e asaj bote të ré, pa ndonjë njohuri bazë mbi ato ngjarje dhe ndryshime sistemesh ideologjike. Kemi funksionuar me logjikën e xhunglave, me ligjin e më të fortit, pa norma, ngaqë ishim të pa Shtet, as Model. Sikurse fëmijtë e rrugave që rritën pa Prindër, pa ndonjë edukatë familjare. Ndonjë i rrallë ia del për fat, ndërsa shumica degradojnë ose numërojnë në vend. Pse? Është evidente, o miq! Ne së pari nuk e kemi ditur me themel as me shkencë, se çka nënkupton Mbretëria e vërtetë, pra historia e familjeve të Habsburgëve, Burbonëve, Aragonëve, lidhjet precize dhe e kaluara e tyre… Po ashtu, nuk e kemi njohur as kuptuar në thelb as komunizmin, ngaqë askush prej nesh nuk e ka lexuar seriozisht Karl Marksin, Engelsin, Trotskin, Rosa Luksemburgun, e ca ideologë të tjerë dhe tek ne vjen ajo ideologji si me pas zbritur nga Marsi… a mund ta imagjinoni në fundin e Tropojës, Hasit apo Malësisë, ku ishin njerzit 90 përqind fshatarë të pa një ditë shkollë… e ti ju propozon sipas Filozofëve borgjezë të saloneve europiane në Paris, Londër, Berlin dhe Zurich, marksizmin malësorëve ose afganëve… gati një skeç humoristiko-tragjik për Portokallinë? Dhe më në fund po mbërrin në Kapitalizmin globalist, pa ia njohur fare historinë, rrënjët, rregullat themelorë, ngaqë kush e ka lexuar prej nesh Adam Smithin, një filozof i shekullit 18, i cili konsiderohet si Babai i Ekonomisë moderne ose liberale. Kush e njeh në imtësi vijnë ekonomike të John Keynes, i cili është një shkollë në vete, pasi që i ka themeluar ligjet e makro-ekonomisë, pastaj Milton Friedmani, Paul Samuelson, Friedrich Hayek, Alfred Marshall, babai i mikro-ekonomisë, Paul Krugman, Thomas Piketty, Jozef Stiglitz, e tjerë. Ndërsa ne e kemi pasur më tepër për model Pablo Eskobarin dhe Don Korleonin! Ngaqë, kemi vrapuar pa rregull, norma, as ligje mbarë e mprapshtë, vetëm pas lekut, dollarit, pasurive materiale, dukjes, gradave, funksioneve, aparencave, imazhit siperfaqësor, reklamimit të vetvetes, por mbi një hiç, apo mbi diçka krejt të vogël minimale… Dhe pasi dolëm komplet të çorientuar dhe të çoroditur nga komunizmi stalinian enverist, me prapa sfondin tonë, atë gjenin feudal dhe patriarkal të dikurshëm, të cilin na konsolidoi edhe regjimi i Zogut me bejlerë dhe bajarktarë (pavarësisht që e kam, si republikan anarshist, një simpati të sinqertë ndaj Mbretit tonë)… kaluam papritmas në demokraci, por pa e ditur fare se çka është, as çka do me thënë ai sistem politik? Pa baza, pa njohuri dhe pa pikën e eksperiencës, aq më tepër kur dihet që Demokracia e ka një histori të gjatë, e cila figuron e përshkruar në disa vepra që janë nëpër Biblioteka. Çka do me thënë për shembull ose si funksionon në praktikë demokracia e Zvicrës, në krahasim me atë të Beneluskit apo të Skandinavisë, ajo e Francës në raport me atë të Gjermanisë? Nga vjen Partia Konservatore dhe Laboriste në Angli dhe si janë zhvilluar? Po Partia Socialiste apo Komuniste në Francë, ose në Spanjë, ose në Itali? Pra, këto çështje serioze nuk kuptohen, as nuk aplikohen përmes improvizimëve apo lojërave të bixhozit ! Nuk mjafton për ta pi një koktel në një tarracë të Blokut! Bile as sot, pas 30 vitesh, nuk e kemi kuptuar as integruar mirë siç duhet, se çka do të thotë Demokracia autentike alla Beneluks apo alla Skandinav dhe si mund të aplikohet tek ne? Mirëpo, jemi futur në atë lojë, në atë cirkus, si aktorë të improvizuar alla Scareface, alla çka të duash… vetëm për të përfituar atë çka të mundemi, atë çka të na kalon para syve… të ushëqyer me atë mitin amerikan të Miliarderit, i ardhur nga hiçi…

Bile, mixha Sam nuk e din fare, por për sa i përket Europës, do e kishim merituar pa asnjë diskutim “Medaljen e artë të amerikanofilisë shpirtërore” ngaqë, për nga ana psikologjike dhe të veprimëve praktike në jetën e përditshme, nuk ka më amerikanë sesa ne shqiptarët. E kemi të njejtin ideal bazë: qysh me e arritur atë çka e konsiderojmë ne Topin ose Kulmin, duke u ba sa më shpejt për një kohë rekord miliarderë dhe me një Pushtet maksimal… dhe pa u lodhur fare për rregulloret dhe etikat anësore? Mirëpo, me kohën që kalon, kjo filozofi jetësore na i shkakton edhe disa fraktura, një farë çekuilibri me vetveten.

Problemi qëndron në faktin, që duke mos ia shtruar vetes asnjë lloj pyetje themelore evidente, duke mos e bërë asnjë analizë mbi asgjë, duke i anashkaluar ashtu mekanikisht të gjithë fenomenet që kanë ndodhur dhe të gjitha eksperiencat e idhura që i kemi përjetuar, duke pultuar çdo gjë, si t’ishim para televizonit tonë, ulur në një kolltuk… E kemi humbur vetveten, por pa e kuptuar … kemi humbur UNIN – IDENTITETIN tonë shqiptar, HISTORINË, të kaluarën, memorien, VLERAT TONA KULTURORE, TRASHËGIMITË e vjetra… Një mjerim!

Sepse, të mbyllur me shekuj, të izoluar, të keq kuptuar, të mohuar, të kritikuar, të shtypur, të torturuar, të zhvlerësuar, së pari nga Pushtetet tona suksesive dhe pastaj natyrisht nga

Bota e jashtme, e supozoj që na u kanë dukur gjithë të tjerët (italian, grek, francez, gjerman, anglez, zviceran, austriak dhe amerikan) më të mirë dhe më të ngritur sesa ne, sidomos kur e kemi pa botën kapitaliste të zhvilluar nëpër ekrane dhe kur e kemi krahasuar me veten tonë, si gjysmë klosharda pa asgjë mbi shpirt, depresiv dhe komplet të degraduar pas 50 vite komunizëm… çka e ilustron shumë mirë filmi italian “L’AMERIKA”. Kështu që ne i kemi konsideruar gjithë të huajt e shteteve europiane, në top nivel dhe si një model ideal, përmes imazhit dhe standardeve që kishin, duke na mjaftuar klishetë dhe karrikaturat.

Ndërsa vetja na u ka dukur nën zero… ai kompleksi fillestar i gjenezës, i zhytur thellë në subkoshiencën tonë, të cilin ua përmenda. Pastaj, qëllimi jonë ka qenë, natyrisht me një gabim fatal në analizë që në fillim, por të cilin nuk e kemi kuptuar në atë moment, ngaqë nuk e kemi pasur as kulturën e nevojshme, as vetëdijën e plotë, as analizën kritike, për t’u bërë edhe ne sa më shpejt sikurse të tjerët, pra si Francezët, Italianët dhe Anglezët, po me atë lloj stili, imazhi dhe standardi. E qysh? Duke i imituar, duke ua veshur kostumet, duke ua përqafuar vlerat siperfaqësore dhe mënyrën sesi veprojnë… çka e kemi bërë perfekt dhe po vazhdojmë po në atë rrugë deri sot nëpër Metropolet planetare ! Mirëpo, kjo strategji e menduar keq, na ka lënë disa pasoja katastrofike, ngaqë e kemi harruar siç ju thash ndërkohë vetveten, kemi mohuar shqiptarizmin tonë me të gjitha vlerat dhe trashëgimitë e tij antike, ngaqë ato gjëra na u kanë dukur primitive dhe mizerabël, para një Ferrari, një kostumi Armani, një Fustan Yves Saint-Laurent, një Rihana apo Lady Gaga, dhe një thes me dollarë… dhe jemi tjetërsuar në diçka tjetër, por çka? Shqiptarë pseudo-modernë të kohës, por me asgjë shqiptare përmbrenda, komplet bosh, vetëm të mbushur dhe të ushëqyer me klishe, me vlera karikaturale, të importuara nga jashtë dhe të imituara gjer në perfeksion… porse jemi modernë dhe fashion të kohës, pasi që po sallamaditemi nëpër qytete me celularë të fundit, me makina luksi dhe me plot lek në xhep. “Life is bizness, more poet idiot”!

Shyqyr Zotit, që nuk e kemi përqafuar atë Europën apo Amerikën e Skënder Sherifit, sepse do ishim Klosharda duke lyepur një qindarkë për sevap. Më falni që kam lindur dallash dhe që nuk jam sikurse ju, por e kuptoj që nuk kam pasur kurrë asnjë lloj lidhje me Europën apo me Amerikën e masës së gjërë shqiptare! Jam një nostalgjik idealist dhe romantik i një bote në agoni, në përfundim e sipër. Në ata Dinauzorët e fundit të Rilindjeve të mëdha universale, i trulluar mes Parqeve të Atraksionëve, bordeleve, bingove dhe basteve, Las Vegasëve artificiale, Bareve dhe Diskotekave, zhurmave dhe neoneve, por pa Bukovskin apo Ernest Heminguein, është pak e lodhshme në moshën 70 vjeçare për t’i menaxhuar. Po dua me ju thënë që populli shqiptar, nuk e njeh së pari vetveten dhe mos të flasim pastaj për këto dy kontinente që janë Europa dhe Amerika, të cilëve nuk ua zotëron në thellësinë shpirtërore, as identitetin e tyre autentik, as kulturën themeltare, as historinë, as filozofinë, as artin, as psikologjinë… Kanë ngelur akoma në atë shkallën e Westernit, të dollarit, të Hollivudit, të buildingjeve dhe me atë psikologjinë primare alla Donald Trump, 1000 përqind shou dhe materializëm, ndërsa zero përqind, art, inteligjencë dhe kulturë universitare!

Dhe tani, unë mendoj që urgjenca jonë, do ishte për ta rifituar së pari anën tonë shqiptare, për t’u ri-ushqyer fillimisht me të gjitha vlerat dhe trashëgimitë tona, për t’i asimiluar disa baza kombëtare, të cilat e përbëjnë identitetin tonë burimor, e jo atë kinezin apo rusin, të cilët komunzimi na i prezantonte si vëllezër, ndërsa në fjalime zyrtare, për të ardhur me qeshur nga situata groteske, këta shqiptarët e Kosovës, i quante si miqtë tanë kosovarë.

Por të jemi së pari atë çka jemi që në esencë, pra shqiptarë, por me disa elemente dhe baza kulturore, historike precize, shkencore… e jo mbi absolutisht asgjë serioze, apo vetëm mbi folklorin popullor apo Azem Bejtën dhe Shkurte Fejzen. Nuk jam fare kundër folklorit, miteve dhe legjendave, dajreve dhe valleve, sepse edhe ato e pasurojnë dikund shpirtin popullor shqiptarë dhe e kanë vendin e tyre natyrisht. Mirëpo, nuk mjafton, nëse pretendojmë për ta zotëruar prejardhjen, kulturën dhe historinë tonë precize, për t’u kënaqur me aq. Pra, nuk mund të na mjaftojë, sado që kemi një respekt madhor për ta, vetëm emri i Skënderbegut, apo i Adem Jasharit, për ta mbuluar gjithë Historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë! Në atë rast, duhet të lexojmë dhe të abonohemi nëpër disa Biblioteka, duke i qorruar sytë tanë në libra dhe nëpër arkiva, pa pritur që të tjerët të na thojnë ne, se kush jemi? Sepse nuk ekziston ndonjë mënyrë tjetër për ta zotëruar përmes dijës të vërtetë origjinën tonë.

Ose, nese e preferojmë bixhozin, kafet nëpër tarraca, po i pyesim të tjerët, pra anglezët, gjermanët, francezët, italianët, austriakët, amerikanët, danezët, zviceranët dhe suedezët: “ju lutemi, të nderuarit zotëri… a mund të na thoni se kush dreqin jemi, kush janë babai dhe nëna ime, të cilën gjuhë e flasim dhe nga e ka origjinën, cila është preardhja e jonë dhe cilën histori e kemi pasur … se jemi super të okupuar nëpër Kafet dhe Diskotekat e Vendit”!

Po si mendoni, o lexues: a mos do ishte pak më mirë, që ta zbulojmë ne vetë vetveten? Nëse jo, po pajtohem edhe unë me ju dhe na i porosisni dy shishe verë Bordeau me ca krahë pule të pjekura në hell!

Kur fillon rrëshqitja të poshtë, askush nuk mund ta ndalë atë procesus deri kur ta prekish fundin. Duhet kohë pastaj, për t’u ringjitur… por, po e mendoj përseri djalin tim, rininë shqiptare të gjimnazeve dhe universiteteve. Shpresoj që do i çelin sytë dhe do i kuptojnë këto fenomene dhe rreziqe që do i kenë në rrugën e tyre… Ju kam pas folur dhe alarmuar deri dikund mbi këto Sirenat e Luftës. Neve me gjeneratën time, e kaluam një periudhë të bukur dhe mjaft pozitive, objektivisht interesante… Por nuk e di se çfarë do sjellin vitet e ardhshme?

Frika është evidente, sepse kur na grumbullohen 100 grumbuj resh, do na vjen patjetër një bubullimë. Shenjat aktuale nuk janë aspak të mirë… Çdo gjë ka shpërthyer keq, kanë eksploduar disa norma evidente të humanizmit klasik, disa vlera bazë dhe ato blloqet tradicionale të dikurshme. Kanë ndryshuar strategjitë globale, interesat, aleancat, politikat… janë bërë dhe shpërbërë Përandoritë e dikurshme, por po ëndrrohen disa të reja… Jemi para një lloj bote e quajtur multi-polare, por pa lidership serioz, pa timon, pa drejtim të caktuar, ku çdokush tenton për ta impresionuar tjetrin përmes forcës së tij ushtarake, duke i fiksuar disa vija të kuqe hipotetike. Le të lutem të gjithë për një rindërgjegjësim, një risqarim shpirtëror, një vetëdije humaniste të re, një dritë që na vjen papritmas për t’i pleqëruar gjërat si burrat me gjakftohtësi dhe dinjitet. Le të jetë shqiptari i sotit, së pari shqiptar i vërtetë, i rrënjosur në rrënjët dhe brumin e tij antik, para se me qenë amerikan apo zviceran… Sepse, me qenë kushdo tjetër, pa qenë fare vetvetja, si një klon patetik, sado që të jesh i pasur dhe çfarëdo që të kesh mbrri në jetën tënde praktike… mua nuk më impresionon fare dhe më duket personalisht një dështim i mjerë. Misioni njerëzore është me transmetuar diçka njerëzore, do me thënë shpirtërore, kulturore, emocionale, historike, fëmijëve dhe nipave tanë, ndonjë vlerë, siç më kanë transmetuar mua babai im dhe nëna Xhevahire, diçka të bukur esenciale, diçka autentike, e cila më përben përjetësisht, duke e krijuar personalitetin që e kam sot.

Sinqerisht, me mi pas lënë 10 vila me 10 milionë dollarë në trashëgimi, por pa asnjë vlerë njerëzore, edukative, kulturore apo shpirtërore, duke qenë sot, një kopjues apo majmum anglez, italian apo amerikan, me lukse këndej dhe andej, por pa asnjë identetit të caktuar dhe tërësisht bosh në shpirtin tim, duke e kompensuar gjithë atë kaos të brendshëm, me aventura, alkool apo me viza kokaine… nuk do ua kisha ditur aspak për nder dhe do i kasha sharë nga dhimbja ose revolta ime? Besoj që më kuptoni? Kur je në depresion, kur nuk je mirë në lëkurën tënde me vetveten, kur ke probleme shpirtërore të thelle dhe je i varur nga drogat dhe alkoolet… nuk vlerëson absolutisht asgjë dhe me e pasur gjithë Brukselin prone tënde private, nuk të bën fare përshtypje. Jeta njerëzore autentike e ka një tjetër filozofi! Do i kisha lutur bashkatdhetarët e mi shqiptarë që ta luftojnë seriozisht, sepse është tek e fundit, një dëtyrë morale për të gjithë, është një akt atdhetarizmi normal, gjithë këtë sistem anti-vlerash të paraprogramuara, të imponuara dhe të ofruara me sforcim, perms një teknike propagandistike moderne dhe mediatike, si ushqim i përditshëm, tash 30 vite i popullit tonë, i cili po noton tash tri dekada, në vullgaritet dhe delirium global, duke i shtuar edhe ato pesë dekada të komunizmit, të skllavëruar në kolektivizëm dhe spiunizëm, do të thotë që jemi të ushëqyer vetëm në rrena, në mediokritet dhe në vullgaritet. Pra, a po na bëhen 80 vite, për mos me thënë qysh në pavarësinë e vitit 1912, që jemi të abonuar në sharlatanizëm, injorancë, analfabetizëm dhe anti-kulturë? Më thoni, kush mund të del pa dëme dhe krejt i shëndoshë në mend, me atë lloj sistemi apo programi jetësor? Tamam, si gjatë regjimeve diktatoriale komuniste dhe fashiste, por në një mënyrë tjetër pak më tinzake, të kamufluar përmes shout dhe spektaklit, në forma shumë më moderne, e jo direkt të dukshme… kurse në thelb, është i njëjti qëllim bazë: për ta formatuar, sistemuar dhe programuar një shoqëri njerëzore, për të hyrë pa diskutuar në këtë skemë, ose skenar siç e dojmë ne… Kështu, që duhet për t’i përpunuar sa më mirë, përmes një pastrim truri komplet dhe gradual, që të jenë të gatshëm ta përqafojnë modelin tonë të shoqërisë futuriste, materialiste, konsumeriste, kibernetike, algoritmike, e orkestruar nga afër, me mjetet e inteligjencës artificiale dhe e dirigjuar nga një lloj oligarkie tekniko-shkencore, me 10 veta alla Elon Musk apo Bill Gates me shokë në krye! Bile duhet me arritur që të bindet vetë populli për ta kërkuar me plot entuziazëm atë lloj bote. Dhe aty, natyrisht që një poet si Bodleri, një filozof si Nieçe, një muzikant si Bob Dylani, një kineast si Godardi, vetëm që i pengon! “Who are this fucking Guys? What does they want? Kill them all”! Faleminderit, që na keni kuptuar për mrekulli!

Këtu, tash e pas, Ladies dhe Gentlemens, ka vetëm lekë, materializëm, konsumim dhe programim, formatim, ekzekutim dhe nganjëherë, pak dëfrim për ta harruar dhe përpij gjithë atë skllavërim postmodern, si një lloj kompensimi normal. Po, po, jemi në cirkun e Jul Çezarit, por në versionin futurist, në Kazinon e Las Vegasit, në një Supermarket ose një gjysmë azili psikiatrik gjigant nën qiell të hapur, për të konsumuar në maksimum, për të akumuluar atë çka nuk na duhet fare, për t’u droguar, hajgarisur dhe ngopur me çfarëdo vullgariteti primar dhe patetik, në psikologjinë e lojërave dhe të bixhozeve, përmes një logjikë pavlloviane të veprimeve mekanike… Ngaqë, parapërgatitja jonë shoqërore, shkollore, mediatike, politike, synon për të na fshirë çdo kujtesë, çdo identitet, çdo mendim apo analizë kritike, çdo kërkesë për ndonjë model tjetër … dhe aty, ku nuk ka pyetje, nuk ka as përgjigje. Kështu që do flejmë rehat. Prandaj, ka rregulla të diktuara, kode të ngulitura përmes propagandave dhe ne si Masë e gjërë, apo Bagëti humane, jemi aty, vetëm për t’i aplikuar. Sot, çdokujt i duket krejt normal “globalizmi planetar dhe liberalizmi ekonomik i shthurrur, ligji i tregut, do me thënë i lekut dhe i financave”… Po, po, janë vlera të asimiluara dhe çdokujt i duket gati krejt normal diktati i Washingtonit, i Moskës, i Pekinit, apo i Europës me direktivat e tyre – “do bëni kështu apo ashtu, siç thomi ne, ose do marrim masa të rrepta dhe do ju hanë Kalukënxhat”. Kur falimentoi Greqia, me fajin tonë dhe të tyrin natyrisht, ngaqë ne, e dinim shumë mirë, sesi vepronin Grekët në praktikën e tyre jetësore tash 50 vite, duke abuzuar me gjithçka… Mirëpo, a ju erdhi Troika nën diktatin gjerman, për t’i vendosur gati në gjujnë dhe për t’i obliguar për pak për t’i shitur të gjitha infrastrukturat kryesore të shtetit, me porte, aeroporte dhe ishuj turistikë? Rezistoi aq sa mujti, ministri i ekonomisë Varuflakisi, edhe pse e kishte shpeshherë me plot të drejtë në analizat e tij… Bile shikoni ju vetë filmin e Costa Gavras, mbi këtë problematikë greke dhe sesi i ka trajtuar Bashkimi Europian? Dikur, nën 100 presione, e detyruan për të demisionuar, ndërsa Ciprasi i Sirizës u dorëzua komplet para europianëve dhe sidomos Angela Merkelit. Si rezultat praktik i kësaj politike, me miliona grekë të rinj kanë ikur jashtë shtetit si emigrant dhe pyetni sot popullin grek brenda territorit, sesa është i kënaqur aktualisht me standardet ekonomike dhe sociale dhe me fuqinë e tij blerëse? Po dua me ju thënë që propaganda informative na thotë, që ekziston vetëm një model unik dhe pikë… se nuk mund të ketë modele alternative, kurse në realitet ka? Po e shoh të njëjtin fenomen sot, me krizën agrare në Francë dhe në Europë, ku bujqit po vdesin gradualisht nga uria, borxhet, politikat europiane dhe po e vrasin përditë veten duke punuar 80 orë në jave dhe 7 ditë në 7, pa marrë asnjë ditë pushim, sepse janë të pasionuar me punën e tyre dhe e kanë një dashuri reale për tokën, një lidhje speciale të trashëguar brez pas brezi, pa e harruar që janë ata njerëz që po na ushqejnë ne me produktet e tyre biologjike dhe tradicionale fantastike… ndërsa ne po pshurrim në mundin dhe në punën e tyre, po i injorojmë komplet dhe po i çojmë drejt vetvrasjes… A nuk është skandaloze?

Ta dini sa për informim që në Francë, 1 bujk e vret veten në çdo dy ditë ! E kush merzitet për ta? Ku janë normaliteti dhe moraliteti këtu? Vjen shteti francez me Makronin dhe ju thotë: “ka vetëm një zgjidhje” po ashtu Europa… Kurse ka zgjidhje alternative, të cilat janë provuar dhe aplikuar në terren dhe kanë dhënë rezultate pozitive për të gjitha palët, porse ato nuk i përmend askush! Sepse nuk përputhen me politikat shtetërore, apo europiane, me interesat e disa grupeve dhe lobeve të caktuara. Të njëjtin problem e kemi me industrinë farmaceutike, e cila është një mafie në vete, që vepron realisht kundër shëndetit të Njerëzisë, duke i shtyrë për të konsumuar sa më shumë barna kimike, të cilat në 80 përqind të rasteve janë absolutisht të panevojshme fare, çka e kanë faktuar me argumente të pa diskutueshme në botimet e tyre, me dhjetëra profesorë-doktorë të Mjekësisë, mirëpo janë me miliarda dollarë në lojë. Pastaj, me industrinë energjetike, konkretisht me petrolin, gazin, e tjera… ndodh po e njëjta dukuri, ngaqë, po e përgatisim terrenin, për energjitë alternative pas petrolit. Të gjitha këto energji ekzistojnë në praktikë, janë të provuara dhe kanë dhënë rezultate pozitive, me një kosto minimale, mirëpo, nuk aplikohen tani për tani, bile edhe disa vite, sepse janë disa interesa të tjera në lojë… Përpos fitimeve kolosale, shtrohet pyetja, se çka do bëjmë me industrinë aktuale energjetike, me ato qindra mijë njerëz që punojnë në atë sektor dhe si do i zhvillojmë në të ardhmën lidhjet tona me botën arabe? Janë ççshtje politike dhe gjeo-strategjike prioritare, me implikime ekonomike dhe sociale super serioze. Mirëpo, mua po më shqetëson manipulimi i njerëzve, kondicionimi permanent i Opinioneve Publike, dezinformimi, propagandimi masiv dhe rënia tërësore e kulturës nën zero! E pra, po ju flas këtu për shtetet e supozuara demokratike të Europës… lëre pastaj Shqipërinë.

Disa shenja evidente regresioni… të cilat harmonizohen me valën globaliste ndërkombëtare. Shikoni mirë aziatikët dhe afrikanët për shembull… çka kërkojnë, çfarë e idealizojnë sot? Botën amerikane, dollarin, suksesin material, ëndrën bazike alla New York dhe Kaliforni dhe pikë! Nuk shkojnë aspak më larg se aq, tamam si shqiptarët… Kulti i pionierëve të parë: erdhëm në një zonë të virgjër dhe e shfrytëzuam, e zhvilluam, e bëmë tonën, e privatizuam duke i eleminuar të gjithë kundërshtarët autoktonë. Dhe sot u bëmë miliarderë dhe e krijuam këtë shtet të ri… Pra, ideja është kjo: aventura dhe suksesi, me pasurinë si shpërblim! Miti i Onazisit, i Rokfelerit, i gjithë këtyre studentëve të Kalifornisë me jeans dhe baskete, që i krijuan përmes firmave Start Up, duke u nisur gati nga hiçi, me një ëndërr fillestare, gjithë këto rrjeta shoqërore të internetit dhe këto teknologji futuriste… dhe tani me meritat dhe gjenialitetin e tyre, na u banë fatmirësisht miliardera në moshen 25 – 30 vjeçare, për një kohë rekord, me Facebook, Twitter, Instagram, Space Iks, etjera… Ose miti i raperave amerikanë, përmes videoklipeve të tyre: vila luksi, pishina, diamante, ari, vathë në çdo gisht, tatuazhe, dollarë me thasë dhe kurva super seksi… po i njëjti program. Ose miti i Hollivudit, me ato yjet kinematografike, të cilët filluan nga zero, ishin shërbëtorë, barmenë, pastrues, shitës gazetash, kuzhinierë, kamarierë, shofera taksie dhe na u bënë John Wayne, Charles Bronson, Kirk Douglas, Yl Bruner, Anthony Quinn, Burt Lancaster, e plot të tjerë… Ah po, e dëgjoj filani, një big-producent i madh në kalim e sipër, ciftin e Tracy Chapman, Nora Jones, Amy Winhouse, duke kënduar në një metro për 5 lekë dhe e menaxhoi profesionalisht deri kur u ba një yll i muzikes planetare. Kjo është ëndrra madhore dhe thelbësore amerikane, e cila e ka pushtuar gjithë botën, prej Polit të Veriut deri tek Poli i Jugut. Super e fuqishme!

RIKTHIMI NË BARBARINË POST MODERNE. RROFTË MESJETA DHE PREHISTORIA (1

Please follow and like us: