Albspirit

Media/News/Publishing

Alfons Zeneli: Çamëri, hiri i “sirit” të djegur, Çamëri

Napoleon Zerva

 

Para shumë vitesh kur qeveriste Nano, në një ditë Qershori si kjo, qe planifikuar të jepej në “Rogner” një koncert nga grupi folklorik i Kretës. Bash në ditën kur shqiptarët përkujtonin masakrat e andartëve të Napoleon Zervës.

Një pjesë e mirë e andartëve që masakruan popullsinë civile çame ishin pikërisht nga Kreta. Si për “koinçidencë”, pasardhësit e andartëve do këndonin e do hidhnin valle mbi kujtimin tragjik të viktimave të tyre në ditën përkujtimore, në mes të kryeqytetit shqiptar.

Mbi jetën e vjedhur të foshnjeve, mbi barqet e çarë të grave çame, mbi të miturit e vdekur nga etja e uria, mbi eshtrat e humbura të burrave, mbi shkrumbin e trupave të djegur nga andartët senior, do të tundeshin fustanellat e vjedhura të andartëve junior. Koncerti nuk bë për shkak të reagimeve dhe shpëtuam nga një turp historik.

Çamëria dhemb përjetësish. Klithmat e dhimbjes që shkakton ajo përbëjnë demarkacionin midis një shqiptari dhe një gjallese.

Mijëra të vrarë, të dhunuar për së gjalli e për së vdekuri të mbuluar nga shpifjet kriminale të propagandës dhe Kishës greke. 5000 të arrestuar, prej të cilëve një e pesta e tyre u zhdukën pak kohë para se të fillonte Lufta italo-greke.

I gjithë ky operacion u organizua, udhëhoq dhe bekua nga metropoliti i Janinës. Ndaj mos më dalë njeri këtu e të më tregojë hirësitë apo përndritshmërinë e bushtrave perverse të veshura me veladon që kanë bekuar armë e ushtarë kundra Shqipërisë time.

Qershori është muaj që për Çamërinë bart kujtimet e hidhura të një tragjedie. Megjithatë ky eshte vetem njeri akt i saj. Kryesisht, shumica e muajve dhe viteve, për Çamërinë të tilla kanë qënë. Një rrugë ikjeje duke lënë pas dheun ku kishin mbuluar në mijëvjeçarë gjyshërit e stërgjyshërit, duke lënë pas pemët, bimën ndër ara e ullishta, duke lënë pas copëra toke me gjurmët e dashurive, duke lënë pas lot e ëndërra e duke ikur në drejtimin që siç thotë Bilal Xhaferri, ua tregonin plumbat.

U prehshin në paqen e Zotit të rënët e Çamërisë! Lavdi Çamërisë! Rrofshin çamët!

Alfons Zeneli: ÇAMËRI

Please follow and like us: