Albspirit

Media/News/Publishing

Krenaria e banorëve dhe natyra e vendit, ishin pengesë për t’u asimiluar

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Librat e shkruara nga autorë të huaj për Shqipërinë gjithmonë janë me interes dhe shfletohen shpejt për të mësuar se çfarë shkruajnë e si e trajtojnë Shqipërinë, njerëzit, natyrën dhe të gjitha problemet shoqërore, politike dhe ekonomike që shikojnë dhe prekin gjatë udhëtimeve, vizitave apo dhe si pushtues e kalimtarë në territorin shqiptar. Libri “Shqipëria etnike dhe gjeografike” i autorit Eugenio Barbarich një monografi antropogjeografike e botuar në Itali në vitin 1905, na vjen sot në Shqipëri pas 115 vitesh, duke parë dritën e botimit në vendin për të cilin është shkruar.

I palodhuri për “Rrënjët” Hasan Aliaj, në bashkëpunim me Fitije Picari, prej vitesh janë përkushtuar për të nxjerrë në dritë këtë libër të veçantë, si nga përmbajtja, por dhe nga paraqitja e fakteve historike, etnike e gjeografike, etj. Këta janë të bindur se si askush tjetër deri më sot, Eugenio Barbarich, na ka dhënë një vepër ku çdo shqiptar në çdo trevë e kudo në diasporë, kur e lexon këtë libër, ndihet krenar për prejardhjen e origjinës së tij të lashtë.

Libri është aktual dhe orgjinal. Ai na sjell Shqipërinë e asaj kohe në një tabllo krejt të veçantë të natyrës shqiptare dhe me të gjitha karakteristikat e shqiptarit. Jehona e librit në këto vite ka trokitur shpesh në truallin shqiptar, por ja që u desh puna dhe mundi i Hasan Aliaj e Fitije Picari, si dhe i përkthyeses Meri Gjoleka Shaqiri, ta sjellë tepër orgjinal dhe të këndshëm në gjuhën shqipe. Meritë ka dhe redaktori Andrea Llukani, në pastërtinë e fjalës sipas drejtshkrimit shqip, realizuesi i grafikës së librit Ertel Shaqe, si dhe botuesi gjithmonë me kulturë dhe estetikë Botimet M&B. Gjej rastin ta falënderoj për prurjen në shqip të kësaj vepre unikale dhe gjithë përfshirëse të analizës antropogjeografike të Shqipërisë.

Në vitin 1912 Vico Mantegazza ka shkruar se në italisht ka disa publikime interesante e me shumë vlerë historike për Shqipërinë të disa autorëve si: prof. Baldacci, prof. Galanti, letrat e Markezit San Giuliano të publikuara në gazetën “Giomale d’ltalia”, giomalista Ugo Ojeti etj. Ndër këto botime veçohet Barbarich, i cili me vepën e tij “Albania” me të vërtetë me vlerë, e quan me modesti monografi antropogjeografike.

Eugenio Barbarich ka qenë një oficer me shumë kulturë, i cili, dhe pse i ri, ka realizuar botime me rëndësi, por libri mbi Shqipërinë, e ka bërë këtë libër klasik. Në këtë librë nuk mungon bollëku i informacionit.

Me interes për ne si oficerë të një gjenerate tjetër është që të njohim më mirë për këtë ushtarak, se si është gjendur në Shqipëri, apo ka studiuar pa qenë këtu dhe ka bërë një vepër që dhe sot ka vlera klasike ushtarake, ka një analizë të studimit të terrenit shqiptar sikur të kishte lindur këtu. Me interes do të ishte që libri të ishte shoqëruar dhe me një bibliografi të këtij autori dashamirëspër Shqipërinë.

Në libër i ka bërë një rikonjicion të hollësishëm të gjendjes konkrete të Shqipërisë, ka përshkruar një analizë të thellë, si dhe ka dhënë disa dukuri të natyrës dhe të njeriut shqiptar me karakteristika dhe veçori, të cilat e rritin vlerën e librit dhe thellojnë njohjen për tokën shqiptare.

Librin autori e ka paraqitur në tri pjesë. Në pjesën e parë të titulluar “Gjeografia e përgjithshme e Shqipërisë”, zënë vend pesë kapituj që përshkruajnë: terrenin, brigjet, ujërat, klimën dhe bimësinë. Në pjesën e dytë të titulluar “Elementet antropogjeografikë” në katër kapituj që trajtojnë: popullsia dhe gjuha, historia, traditat, ekonomia dhe administrata publike. Ndërsa në pjesën e tretë të quajtur “Qarkulli rrugor dhe itineraret rrugore”, zënë vend të dukshëm kapitujt: rrjeti rrugor dhe itineraret rrugore.

Libri në dukje është një libër i thjeshtë, por në brendësi të tij, autori si ushtarak dhe njohë i mirë i terrenit dhe i natyrës shqiptare futet në thellësi të shekujve dhe zbulon, analizon dhe përgjithëson gjithë rrugëtimin disa mijëravjeçarë të Shqipërisë, në një literaturë të bollshme dhe në një terren të gjerë të gjeografisë shqiptare.

Autori në parathënie thekson se “njerëzit dhe vendi shfaqen të pandryshueshme në Shqipëri gjatë shekujve dhe i takon gjeografisë pozitive dhe historisë kritike t’i nxjerrë në pah me një studim të qartë dhe të plotë”. Me pak fjalë autori na përshkruan gjeografinë e Shqipërisë ku thekson se “Dy barriera të mëdha gëlqerore, si bastione të frikshme, kufizojnë pamjen e kësaj krahine të gjerë nga veriu dhe jugu, jo shumë e ndjeshme ndaj marrëdhënieve fitimprurëse të shkëmbimeve, të tregtisë dhe peripecive të qytetërimeve dhe perandorive të ndryshme: një gamë e relieveve kristalore i lidh të dyja bastionet në drejtim të lindjes: më në fund një perde e përbërë nga terrene të sheshta hapet drejt perëndimit, shtrin dorën drejt rrugëve detare dhe përmes të njëjtit terren, i lë vendin, një rruge natyrore tranziti, një çarjeje të madhe përgjatë harkut të poshtëm dinarik”.

Duke analizuar të gjithë dukuritë e natyrës shqiptare autori vjen në përfundi se “krenaria e banorëve, natyra e vendeve, e përshtatshme për luftë të ashpër dhe të pathyeshme malore, ngushticat e lumit Drin nga njëra anë dhe ato të Këlcyrës nga ana tjetër, ishin një pengesë e fortë, nga përpjekjet e perandorive të këtyre qytetërimeve fqinje, për një asimilim më të gjerë të popujve. Prandaj, për këtë arsye, brendësia e bastioneve gëlqerore – nga fiset shqiptare të Alpeve të Mëdha, nga Dukagjinët, Mirditorët, e deri te Zagoritët e Suliotët – ka ruajtur në çdo kohë karakteristikën e vet të një origjinaliteti të sinqertë dhe krenar”.

Duke analizuar të gjitha dukuritë në libër Shqipëria shfaqet si një rajon i veçantë tranziti dhe depërtimi, vërtet tipik për faunën, për kushtet sociale, historike dhe politike të popullit të saj. Autori shprehet se “Shqipëria në thelb është si një person real, (i gjallë)”. Autori arrin në përfundimin tjetër se “këtu njeriu, ndonjëherë në kushtet më të vështira të mbijetesës dhe në planin afatgjatë, ka gjetur përshtatjen me tokën dhe është bërë interpretuesi besnik, i fortë dhe inteligjent i saj”.

Monografi ka një renditje sintetike për studime dhe relacione. Gjatë leximit të librit gjejmë disa parime thelbësore të tilla si marrëdhënie të gjenezës, morfologji të tokës, dukuri të tokës që rrjedh nga veprimtaria e njeriut. Këto parime lidhen me historinë, me politikën dhe me ekonominë shqiptare.

Përsa i përket historisë, autori dëshmon për frymën e pashuar të krenarisë dhe pavarësisë së popullit shqiptar; dokumenton origjinalitetin e tij dhe betejat e tij fitimtare ndaj veprimeve dhe reagimeve të qytetërimeve dhe perandorive të ndryshme. Gjatë historisë populli shqiptar ka përjashtuar çdo koncept të zotërimit të territoreve të vendeve të tjera, kjo sipas këtij koncepti ishte një ndërmarrje tepër e mundimshme dhe jofitimprurëse për të përballuar gjithsesi shpenzimet e joshjeve të tilla që mund të nxiten prej këtij koncepti apo nga kushdo.

Autori në libër sjell dhe një argument për sipërfaqen e përgjithshme të Shqipërisë, e cila sipas tij llogaritet në 58.000 km2, ndërsa autorë të tjerë e llogarisin në 90-103.000 km2 etj.

Libri për çështjet historike në rreth 50 faqe trajton luftërat e zhvilluara në territorin shqiptar, duke filluar që nga epoka iliro-romake. Dokumentet të para historike dëshmojnë rëndësinë e rajonit shqiptar, duke theksuar se ai është një rrugë kalimi midis Ballkanit dhe brigjeve të pellgut të Adriatikut. Në këtë territor janë zhvilluar luftimeve të ashpra nga fiset ilire, fillimisht për t’u konsoliduar në tokat e tyre, e më pas për të kundërshtuar dyndjet e mëvonshme të popujve të ngjashëm, të cilët, përgjatë rrugëve të Ilirisë dhe të trevës së Shqipërisë qendrore, tentonin të hapnin një rrugë të lehtë midis Lindjes dhe Perëndimit.

Luftërat e ashpra dhe krenare i dhanë mbretërisë ilire një zhvillim të madh, veçanërisht kundër kolonive helene të bregdetit: ndër to vlen të kujtojmë luftërat e taulantëve kundër Durrësit, të përshkruara në mënyrë klasike nga Tukididi. Që nga lufta e parë maqedonase e vitit 215 p. K. kur Filipi depërtoi me një ushtri të madhe deri në Apoloni, në luftën e dytë maqedonase 200 p. K. përsëri në Apolonisë, Filipi u gjend përballë një shfaqjeje të jashtëzakonshme njerëzish të armatosur, hoqi dorë nga plani për të zbritur në Shqipëri dhe në fillim të luftës së tretë maqedonase, Genci, më i forti nga të gjithë feudalët ilirë, i bëri ballë dhe nuk lejoi ambicjen e pafundme për zgjerim territoresh. Ishte viti 168 p. K.

Autori jep një panoramë të gjerë të zhvillimit të luftës midis Jul Cezarit dhe Pompeut në vitin 48 p. K. Midis përleshjes së tyre autori thekson forcën e këtyre dy ushtrive, humbjen e Cezarit se i mungonte largpamësia e shfaqur në ekspeditat e Britanisë, përsa i përket sigurisë së anijeve detare dhe sundimit të detit. Ndërsa Flota e Pompeut dogji flotën armike, bllokoi brigjet shqiptare dhe epirote dhe portin e Brindisit, vrapoi drejt Adriatikut; kështu që ndërsa ushtria e Pompeut e mbledhur rreth Durrësit furnizohej lirisht nga deti, ushtria e Cezarit ishte në vështirësi logjistike pothuajse të pariparueshme rreth Apolonisë. Pompeu nuk jepte shenja për veprime vendimtare, pikërisht me qëllimin për të rraskapitur forcat armike me mungesën e rezervave: ai forcoi Durrësin, tërhoqi çezarianët atje dhe vendosi garnizone përgjatë rrugëve të Shkumbinit.

Autori na ka përshkruar gjerësisht rrugën kryesore të tranzitit shqiptar që ishte Egnatia. E ndërtuar ekskluzivisht për qëllime ushtarake, për t’i bërë më të lehta dhe më të shpejta lëvizjet e legjioneve të Romës – nga Brindizi në Maqedoni, në Trakë, Danub, Greqi, Detet Levantine dhe Azinë e Vogël – kjo rrugë dallohet nga të gjitha të tjerat e depërtimit ballkanik pasi ka përfaqësuar në çdo kohë lidhjen më të shpejtë dhe më efektive midis qytetërimeve lindore dhe atyre perëndimore.

Ndrësa për zhvillimet në epokën bizantine, autori thekson se kuptimi i historisë mesjetare dhe bizantine shqiptare përmblidhet në ngjarjet e qyteteve të saj detare dhe në përpjekjet e vazhdueshme për të ruajtur hegjemoninë e vet. I tillë është karakteri i principatave autonome dhe i republikave të lira tregtare më shumë në reciprocitet me portet e Levantit, si Shkodra, Durrësi, Korfuzi dhe Arta. Ishte koha kur në këtë rregullim politik dhe administrativ, Shqipëria u pushtua nga dyndjet barbare. Kjo periudhë historike e trazuar, e karakterizuar nga përpjekjet për zotërimin e daljeve në det të Shqipërisë dhe për ruajtjen e autonomisë së tyre tregtare – nga të cilat republikat kryesore detare të asaj kohe kishin avantazhe të paçmueshme. Kjo periudhë pushoi si e tillë me lulëzimin e perandorisë së dytë bullgare dhe përballë hegjemonisë serbe, për shkak të grindjeve dhe luftërave të shkaktuara nga afirmimi i këtyre supremacive.

Ndrësa Shqipëri kaloi një valë traditash kalorësiake, historish të principatave feudale, por dhe këtu filloi lufta e princërve trashëgimtar. Më tej autori përshkruan marrëdhëniet italo-shqiptare të kësaj periudhe, ndalet te sundimi i anzhuinëve në Shqipëri, si ra dhe u zhduk ai etj.

Ndërsa historia e Gjergj Kastriotit dhe ndjenja e bëmave të tij zbulojnë një mësim të thellë rreth meritave dhe defekteve të njerëzve dhe truallit shqiptar. Bëmat e tij ushtarake ofrojnë një nocion të mrekullueshëm praktik të këmbënguljes së rezistencës që paraqet kjo tokë në luftën mbrojtëse, në vetvete, e përmirësuar me ndihmën e artit, e pabesueshme dhe e fshehtë nga pritat, kurthet dhe intrigat e çdo lloji, karakteristikat e artit ushtarak të Kastriotit.

Autori i përshkruan shqiptarët; janë të hipur mbi kuaj shumë të shpejtë, të mësuar me beteja malore, me sulme të shpejta, me luftëra guerile të vazhdueshme dhe të përgjakshme, i ndjekin këmba këmbës armiqtë. Ndërsa kalorësia italiane e kohës, ishte e penguar nga armatura e rëndë, nuk mundi të mbrohej nga këta sulmues të guximshëm shqiptarë, që mbollën kudo masakër dhe frikë.

Luftërat e Kastriotit janë në thelb të një natyre mbrojtëse. Kastrioti i priste armiqtë në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, në ngushticat klasike të Dibrës, nën malet e Mokrit. Skënderbeu rrallëherë shtyhej ta linte këtë qëndrim mbrojtës për të zbritur në rrugët e Ohrit: por ato ishin përpjekje të ndrojtura, pothuajse mosbesuese edhe nga populli i tij dhe nga ata prej të cilëve rridhte Kastrioti. Ky qëndrim u shfaq në fushatën e vitit 1453, në atë të vitit 1461 dhe në shumë të tjera.

Autori i bën një përshkrim të hollësishëm Shqipërisë nën pushtimin turk dhe principatat të pavarura të Bushatllinje në Shkodër dhe të Ali Pashait të Janinës.

Pastaj vëmendjen e përqëndron në vitin 1878, kur u krijua Lidhja e Përgjithshme për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë Shqiptare. Kjo Lidhje kishte qendër Prizrenin për Shqipërinë veriore dhe Gjirokastrën për atë jugore: pika e përbashkët e kontaktit mes dy vatrave të propagandës kombëtare Shqiptare ishte Elbasani. Lidhja shpalli menjëherë nevojën për të arritur krijimin e një autonomie shqiptare, me kryeqytet Ohrin.

Autori shprehet se “Lidhja Kombëtare Shqiptare me përparimet e saj, me përhapjen e saj, në fakt kreu një vepër propagande të vërtetë të ndjenjës patriotike përbashkuese shqiptare. Ajo tentoi të bashkojë në mënyrë të pandashme grupet etnike dhe fetare, të zbusë format e shfaqeve tradicionale separatiste, nën mbrojtjen e gjerë të statuteve të autonomiste; me pak fjalë, të formësojë ngadalë, por me siguri, me arsim e njohuri reciproke gjithë popullin shqiptar në një trup të vetëm energjish, kompakt, të vetëdijshëm për interesat dhe dëshirat kolektive, si dhe për të drejtat e veta për një ndërgjegje kombëtare.

Qëllimi i Lidhjes Kombëtare, thuhet në një nga nenet e statutit të saj, është të sigurojë mbrojtjen dhe kthimin e territoreve të atdheut. Çdo shqiptar mund të marrë pjesë, duke u betuar në momentin e pranimit, për të mbrojtur me të gjitha mjetet autonominë e plotë kombëtare. Çdo anëtar i Lidhjes që, duke shpërfillur detyrat e tij, kryen tradhti, do të masakrohet në mënyrë të pamëshirshme.

Koncepti i autonomisë, si forma politike që i përshtatet më së shumti nevojave historike dhe ekonomike të popullit shqiptar, është skicuar gjithashtu edhe në statutet e Lidhjes. Ky koncept rilidhet, me rendin gjeografik dhe ekonomik, me detyrën si rrugë tranzitore e lirë në kohët më të begata te Shqipërisë, midis detit Adriatik dhe Egje; me rendin historik për mundësinë e bashkëjetesës, nën të njëjtat forma liberale të republikave aristokratike ushtarake, nga popujt luftëtarë, detarë, baritorë dhe bujqësorë.

Së fundi, në rendin moral, vetë autonomia mund të lejojë ribashkimin e një grupi të vetëm popullsish, sektesh dhe gjuhësh të ndryshme. Format e dëshiruara nga Lidhja Kombëtare Shqiptare janë të lidhura në thelb me nevojën për të zgjedhur, në një kuptim të ngjashëm, strukturën politike dhe administrative të një rajoni, i cili në aspektin ekonomik, gjeografik dhe etnografik, ka korespondencë të përsosur me atë shqiptare. Domethënë Maqedoninë; e cila përfaqëson fundin e Rrugës Egnatia të së shkuarës dhe gjysmën e trafikut dhe të tregtisë, që do të zhvillohet midis pellgut të poshtëm të detit Adriatik dhe Egjeut.

Autori në çdo gërmë të librit për Shqipërinë shfaq një respekt dhe mirënjohje për kulturën, traditat, zakonet dhe përpjekjet e këtij populli vital deh këmbëngulës dhe krenar në trojte e veta. Ja vlen që të lexohet dhe të shkruhet për të.

Please follow and like us: