Cikël poetik nga Milazim Krasniqi
LUTJA E VARGUT PËR POETIN
(Poetit e mikut Basri Çapriqit)
Duert m’janë randue
e nuk më bajnë ma me shkrue,
madje as me bashe ’janë ajër
si përpara,
kur fjala nuk më mjaftonte,
për me treguesa e doja
vargun,
si fëmijët kur ishin të vegjël
e kishin nevojë për gjithçka timen.
Tash diçka asht thye në mue
sepse edhe vargu po ankohet
si fëmijë i braktisun,
po e ndiej, gjithë vaj,
tue më thanë:
veç unë të kam mbetur pranë
sepse jeta asht dorëzue
jeta e ka kuptue
që në këtë botë mbetet vetëm
rrëfimi
ndonëse edhe ai gjithmonë
i papërfunduar.
Prandaj mbaju për mua
më thotë vargu
dhe mbamë,
sepse unë nuk të braktis,
deri në frymën e mbramë.
(12 dhjetor 2014).
KUJTIMET LUAJNË ME MUA
Kur ulem këtu në bar të njomë
aiç ulesha dikur,
derisa lopët ishin të shtruara në kullosë
aq sa u lëviznin vetëm kokat dhe bishtat,
nuk pres si dikur shokët
që vinin me do thirrje që shprehnin hare
për takimin dhe lojën që na priste.
Tash shikoj retë ngeshëm
dhe më duken si të mbushura hidhërim
derisa ato lëvizin hareshëm
duke u bërë gati të zbrazin shi në muzg.
Pres e pres, por shokët
as nuk duken as nuk ndihen
sepse ata kanë udhëtuar larg
duke më lënë mua vetëm këtu
që kujtimet të luajnë me mua
në vend të tyre.
E keqja është se ato gjithnjë fitojnë
Kur vdekja u ndihmon.
BARBARËT NË SYTË E HOMERIT
Homeri nuk ishte i verbër.
Ai u verbua nga ajo që pa
me sytë e fantazisë,
disa shekuj pas mizorisë.
Më e drejtë është nëse thuhet:
heronjtë e tij ishin të verbër
tue qenë me sy në ballë.
Paridi ishte i verbuar nga pasioni,
Priami nga patriarfilia,
Hektori nga egoizmi,
Agamemnoni nga ambicia,
Akili nga urrejtja,
Odiseu nga ligësia.
Homeri ishikoi me sytë e mendjes,
i kënaqur që nuk ua pa surratet
atyre barbarëve
që rrënuan botën
pa pasur asnjë keqardhje.
Homeri i dënoi që të mbahen mend
‘deri në fundin e botës,
si barbarë,
ndonëse i verbuar nga trishtimi.
TREGIM PËR NJË POET MË TË POSHTËR SE SA ZHDANOVI
Kur ulej ai tipi në tavolinë
rëndshëm
si një thes me tërshërë,
në fillim i duhej të ngihej frymë,
sepse ishte i tejfryrë dhe i mbufatur
nga gazra të urrejtjes.
E rregullonte kutinë e cigareve
shikonte dhe nuhaste përanash
e mandej nxehej
si xhezve pa bisht,
sapo e fillonte bisedën aty ku e kishte lënë
para një dite, po aty,
për poetët vazhdimisht.
Fliste me të njëjtën armiqësi
për poetët si dikur Platoni derëzi,
ndonëse Platonin nuk e kishte lexuar kurrë,
sepse nuk kishte fare dituri.
Të pije kafe me të, në çdo rast
ishte si të qëndroje në gjykatë,
në kohën e Zhdanovit e të Stalinit
kurdënoheshin poetët me burgim të gjatë,
për një varg të errët,
për një flirt me ndonjë grua,
për ndonjë deklaratë.
Krejt çka kishte normale tek ai poet
i shkretë
ishte paketa e duhanit
dhe kafja e ftohur,
të cilën harronte ta pinte
nga urrejtja për poetët dhe për poezinë,
që donte t’i përpinte.
Megjithatë ka një gjë të mirë
edhe në atë ligësi të tij,
e cila ia kalonte edhe ligësisë së Zhdanovit:
po të mos ishin të tillët
të mbushur mllef e urrejtje,
që nxjerrin shkumë nga goja
kotsëkoti,
poezia do të kishte vdekur moti.
REDAKTORËT E REVOLUCIONIT QË RRIDHTE
Në orën 9 mbyllej lista e nënshkrimeve
dhe fillonte koha e kafesë
në byfenë e errët,
mes bisedash për gjumin e keq,
ëndrrat e frikshme,
Ishiasin, diabetin,
çlajmet për gjuetinë e Titos
ose fjalimet e Kardelit.
Mandej vinte koha e kaftjallit
në resptrantin e errët në bodrum
ku zhurmërima e njerëzve
dhe erërat e gjellërave
të sillnin gjumë.
Pas kaftjallit ishte koha për një kafe
në restorantin në parter,
ku gjithnjë kishte shumë gazetarë
të përmbytur në tregime.
pa karakter.
Mandej vinte koha për një lojë shahu
e një gotë vinjak
me pak djathë e ullinj,
që mbaheshin me dorëshkrimet në sirtar
mandej të bërë qejfli
ndonjëri edhe zurxull
mbyllnin në orën 15 ditën e punës
dhe zbrisnin me ashensor,
se këmbët nuk mbanin
për në kafenenë më të afërme,
deria fër mesnatës.
Dorëshkrimet prisnin.
Edhe ashtu nuk kishte ngut
pasi shumë nga autorët
ishin tjetër kund.
Ishin në burg.
NE IA HËNGRËM KOKËN REVOLUCIONIT
Uleshim në kafe “Bagrem”
pothuajse rregullisht,
pas orarit të kot të punës socialiste,
ku vetëm prisnim të bëhej ora 15
që të dilnim nga zyrat e monotonisë
autocensurës dhe fobisë,
dhe të ulur dosido e fillonim me nga një pije
sipas rekomandimit të kamerierit
sepse ai e dinte,
kush çka pinte.
Pasditja shformohej padiktueshëm
si plastmasë,
shndërrohej në muzg
mandej në natë e në mesnatë
mes emocioneve tona të forta
e fjalëve të kota.
Shumë vite më vonë
nga ato vite të çuara dëm
në “Rilindje” dhe Bagrem
e kuptova se ishim si personazhet
e një drame të Havelit.
E kuptova me trishtim
se ne kishim qenë fëmijët e revolucionit,
i cili kur nuk arrinte t’i hante
të gjithë fëmijët e vet
ata ia hanin kokën atij.
Vërtet disa nga ne, që mbetëm gjallë
pana e hanger kryerrevolucioni
qoftë me burg a me raki,
bëmë ç’bëmë dhe vendosëm
t’ia hanim kryet revoucionit.
Ia futëm kokën e prerë
Në trastën e demokracisë
dhe ndër të tjera
i dhamë fund autocensurës,
fobisë dhe kotësisë.
ATDHEU
Enveristët na flisnin shumë për atdheun
Na tregonin se si brenda dhe jashtë tij
vigjilonin armiqtë e panumërt,
se armiq ishin zogistët, ballistët,
soacialdemokratët, liberalët,
të krishterët, muslimanët,
tregëtarët, zejtarët, shkrimtarët,
marinarët, naftëtarët,
me folë drejt, krejt.
Enveristët kurrë nuk e kuptuan
se nuk mund të ketë atdhe pa njerëz,
pa konkurencë, pa larmi.
Po ta kuptonin
nuk do të qenë ashtu si qenë,
vrasës të atdheut në liri.
PSE NUK LUAJTA KURRË SHAH ME BABËN
Më vjen keq që nuk pata kurrë rast
të luaja shah me babën,
edhe pse në odën tonë luhej shah
dimrave, gjithë natën.
Pati dy arsye.
E para, nuk deshi ta mësonte,
sepse e konsideronte kotësi.
Dhe e dyta, ai më parë do të vdiste
se sa të më shihte mua humbës para tij.
BARI I GJALLË MBI VARRE
Bari mugullon e valvitet plot gjallëri
mbi varret e njerëzve të vdekur moti.
Sa do të donin ata ta shihnin këtë mrekulli,
tash që e dinë se çdo gjë e ka krijuar Zoti.