VATH KORESHI – NJË ALKIMIST I HERSHËM I PROZËS SHQIPTARE
Milazim KRASNIQI
Hulumtimi nëpër histori dhe kujtesa të mjegullta, të cilat janë të dëmtuara nga amnezionet, por që edhe ashtu të gjymta bëjnë përpjekje të rishfaqen e të japin mesazhin e vet, përbën njërën nga shtyllat e artit të prozës së Vath Koreshit. Autori tematizon histori njerëzish të zakonshëm, të cilët nëpër kohë dhe vende të ndryshme, në mënyrë të vazhdueshme përballen me të keqen që e kanë brenda vetes ose të keqen që i atakon nga bota e jashtme. Këto personazhe të hijezuara nga deskripioni lirik, herë i sajojnë e herë i evokojnë mundësitë e jetës njerëzore, që më të shumtën mbeten të parealizuara, ose rezultojnë të dhunuara. Prej këndej e kanë burimin melankolia dhe tragjizmi që përshkojnë prozën e Vath Koreshit, si një frymë e lutjes që ky riciklim i fateve të këputura dhe të dhunuara njerëzore të zëvendësohet me një botë më të mirë, të padhunshme e humane.
Edhe pse ambicia e autorit është që me artin e vet të sfidojë dhunën që shprishë fate njerëzore, proza e tij nuk i rri aq afër historisë. Vetë rrëfimi merr përsipër të bërit e historisë, duke marrë prej saj vetëm kornizën kohore, sa për ta orientuar lexuesin. Në këtë pikë proza e Vath Koreshit dallohet mjaft nga pjesa më e madhe e prozës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, e cila është farkuar në një përpjekje për ta shpjeguar dhe vlerësuar vetë historinë, shpesh herë duke i këmbyer edhe mjetet me historiografinë, përkatësisht me ideologjinë nacionale si tharmin e saj. Por, pas përmbysjes që përjetoi realizmi socialist, proza e kësaj fryme njohu kontestime serioze. Fatmirësisht, shumica e veprave të Vath Koreshit, nuk ishin të shkruara në atë frymë, çka i ka shpëtuar edhe nga mundësia e konstetimit të tillë. Përkundrazi, tematizimi i fateve të njerëzve të zakonshëm, i ngjarjeve tragjike, dhe mosrealizimi i ëndrrave të personazheve, i ka mundësuar prozës së Vath Koreshit, që të jetë e inkuadruar në rrymat e reja moderne dhe postmoderne që po e përshkojnë prozën shqipe si një rizbulim i identitetit të artit larg ideologjisë dhe larg historisë.
Larmia e identiteteve shqiptare
Hulumtimi i shkrimtarit nëpër dilemat dhe fatkeqësitë e njerëzve të atdheut të vet, bëhet duke e pasur si pikënisje vetë lëndën poetike të sajuar prej tij në procesin e krijimit artistik dhe më të shumtën të konceptuar ekskluzivisht si komunikim artistik. Në mesin e veprave të tilla që bëhen legjitimuese të vizionit se arti është përtej ideologjisë, është edhe romani ‘Haxhiu i Frakullës’ i shkruar në vitin 1978. Ka qenë një gjetje intelegjente e autorit Koreshi tematizimi i një kohe të largët, për të evituar trysninë e dogmave të doktrinës. Jeta letrare e Beratit në kohën e poetit alamiadist Nezim Frakullës, me poetë të ndarë në dy taborre, në ata që u thurin lavde pushtetarëve dhe në ata që janë kritikë dhe madje rebelohen, mund të lexohet edhe si një një paralele e largët me vetë jetën letrare në vitet e trysninë ideologjike mbi shkrimtarët dhe mbi artin në Shqipëri. Por, ky mund të jetë një lexim a posteriori i ideve të romanit. Ajo që është ngurtësuar në tekstin letrar të tij, si tematikë dhe si shtjellim artistik, është një rrëfim me intonime poetike, për një fanitje dashurie dhe për aventurën fantastike të protagonistit të këtij romani, e që është larg çfarëdo klishetizimi të tematikës dhe të shtjellimit artistik. Dashuria e një poeti adoleshent, Haxhiut të Frakullës, pas një vajze turke të quajtur Meremxhe, shndërrohet në një kërkim të përhanshëm, i cili sfidon klishenë e dashurive kalorsiake. Ky kërkim nuk ka në vete heroizëm, por ka vuajtje, nuk ka triumf, por ka humbje. Udhëtimi më këmbë i protagonistit drejt Samarkandës, për tri vjet, ku i kishte premtuar takimin Meremxheja, është udhëtimi i njeriut për ta njohur vetveten e për të zbuluar kuptimin e ekzistimit të tij në këtë botë, të ndërliqur me raportin që ka njeriu me atdheun dhe me të vetët. Bota e madhe, është poaq mospërfillëse dhe e pashpirt, sa edhe një femër gënjeshtare, që bëhet shkaku i humbjes. Udhëtimi drejt dashurisë së premtuar i Haxhiut të Koreshit, në mënyrë të habitshme është i ngjashëm me udhëtimin e Santiagos së Paulo Koelos, drejt vendit të piramidave, që kishte parë në ëndër si vendin ku fsheheshin thesarët. Romani Haxhiu i Frakullës, në të vërtetë ka shumë pika takimi me romanin ‘Alkimisti’ të Paulo Koelos, qoftë si segmente tematike, qoftë si ide dhe mesazhe artistike. Dhe kjo duket intriguese nga fakti se ky roman është shkruar shumë vite para se të botohej romani i Koelos. Ky pikëtakim në disa aspekte tematike dhe të ideve i romanit Haxhiu i Frakullës me njërën nga kryeveprat e letërsisë së sotme, në planin sociologjiko-letrar na i bën të qarta dy gjëra, e para se ka një përsëritshmëri të temave dhe të ideve, edhe kur nuk ka komunikime direkte, dhe e dyta se ka faktorë jashtestetikë që i stimulojnë disa vepra ose autorë dhe i shmangin disa të tjerë. Jam i bindur se po të botohej ky roman në vitet shtatëdhjetë në gjuhë të huaja, dhe po t’i qëndronte në krah një makineri efikase promovuese mediatike, fati i tij do të mund të ishte i një bestselleri.
Megjithëse mendoj se në këtë roman do të mund të ishte më i theksuar një dimension filozofik ose etik për dashurinë si aventurë dhe humbje, dhe për raporitn ndërmjet botës dhe vendlindjes, sepse përvoja e sjellë e Haxhiut në vendlindje, ashtu si është ngurtësuar në tekst, shfaqet e reduktuar, vetëm si përvojë personale. Por, ky roman duke tematizuar edhe sekuenca të jetës sociale dhe kulturore të një kohe të largët të Beratit, ka hapur edhe një fushë të tematizimit të një të kaluare të harruar e të injoruar të botës shqiptare. Preokupimi i Koreshit me këtë larmi identiteti të botës shqiptare nëpër kohë, bëhet edhe më ngulmues me romanin “Ulku dhe uilli”.
Në këtë roman Vath Koreshi, estetikisht është tërësisht i shkëputur nga praktikat e pjesës dominuese të prozës shqipe, që ishte e lidhur me konceptime dhe formësime sipas realizmit socialist. Në këtë vepër ai i afrohet më shumë një konceptimi dhe formësimi postmodern të prozës së tij. Në këtë rast ai ka përdorur një kohë konkrete historike dhe sociale, kësaj here edhe më të largët nga koha e fiksuar në romanin ‘Haxhiu i Frakullës’, si sfond ku vendosen ngjarjet që rrëfehen dhe bëhen bartëse të ideve estetike dhe fetare të tij. Ka inkuadruar një narrator, Lazër Palin, dhe 16 kallnuerin 1462 si kohë e rrëfimit, duke nëkuptuar se ngjarjet që rrëfehen, janë të kohëve edhe më të hershme dhe se këtu risillen në një formë palimpsesti. Por, pas këtij afishimi të kohës konkrete historike, autori i largohet dokumentaritetit dhe rrëfimi formësohet si përvojë imagjinare, megjithëse idetë mbeten mjaft të lidhura me kohën e rrëfimit dhe me zhvillimet e supozuara në realitetin social dhe kulturor të asaj kohe.
Jehonë e strukturës së shkrimeve biblike
Amnezionet e shkaktuara nga koha dhe nga ndryshimet e ndodhura, autori përpiqet t’i kompensojë, duke na e propozuar një version artistik i cili i mban disa fije me vlerësimin historik. Shprishja fetare sipas këtij vlerësimi ka qenë e dhunshme, e imponuar nga pushtuesi më i fuqishëm dhe arrogant. Bojrogu si mishërim i këtij misioni dekompozues, arrin që të rekrutojë edhe njerëz të sërës kishtare si puna e mushinjor Bdekut, që bëhet ideatori i prishjes së fesë dhe i djegies së kishave, pasi ka hequr vetë rroben e priftit. Por, në tekst paraprakisht është ekspozuar edhe shprishja e rëndë morale e banorëve të krishterë, që i janë dhënë tradhtisë bashkëshortore, (Luçia, Domenika) tradhtisë së misionit dhe dezertimit nga misioni ( Bdeku dhe Agushtini), shfrenimit seksual (Vrana) dhe indiferencës së plotë ndaj degradimit moral (Frederiku). Vetëm një hap e ka ndarë autorin nga zbulimi i idesë se kjo shprishje dramatike morale e brendshme e komunitetit, vetvetiu ka krijuar ambientin për ndryshim dhe e ka lehtësuar punën e shprishjes së identitetit të parë fetar. Por, në këtë roman Vath Koreshi ka synuar që të kërkojë me ngulm pas idesë së ripërndritjes shpirtërore, ndoshta edhe në kontekstin e ndryshimeve të mëdha sociale, që sollën në Shqipëri vitet nëntëdhjetë.
Ky roman edhe nga ana e strukturimit të tekstit, duke i bërë jehonë strukturës së shkrimeve biblike, formësohet mbi parimin e prozës postmoderne. Organizimi në libra dhe në kapituj, është i konceptuar si një rrëfim biblik. Kapitujt e shkurtër, ku rrëfimi nga njëri kapitull në tjetrin, në fakt është vazhdim i plotë logjik, nuk bazohen në kompozicionin e vetë romanit, por në idenë autoriale për përgjasimin më rrëfimin biblik. Bile edhe numrat e kapitujve në libra, 12, 14, 7, kanë funksione simbolike me prejardhje biblike. Besoj se edhe ligjërimi artistik, me intonime poetike, me figuracion të përzgjedhur që asocionon shpirtëroren dhe sublimen, janë pashtu në kuadër të konceptimit të tekstit si përgjasim ose të paktën vetëm si jehonë e shkrimit biblik.
Sa më larg aktualitetit
Në romanin ‘Rekuiem për një grua’, të shkruar më 1994, dy vjet para romanit ‘Ulku dhe uilli’, Vath Koreshi ka qenë më pranë konceptimeve të prozës me mesazhe ideologjike. Duke tematizuar deformimin e ngjarjeve të fillimviteve të pluralizmit politik në Shqipëri, duke e fokusuar koncentrimin e këtyre deformimeve në formacionin e ri politik që pati lindur, dhe ku sipas tij u transferuan elementet e dhunshme të regjimit të kaluar, autori nuk ka mundur që të çojë deri në fund një rrëfim jashtë angazhimit qytetar dhe politik. Alternimi i kohës së demokracisë së dhunshme me atë të toralitarizmit, nganjëherë e neutralizon diskursin e drejtpërdrejtë dhe publicistik. Por, mesazhi mbetet dramatik në këtë roman: Dolores Sh. arrin të mbijetojë presionet që i bëhen nga kryehetuesi dhe mizëria e zyrtarëve në vitet e diktaturës, por nuk arrin t’i përbalojë presionet dhe dhunën në demokraci. Romani ‘Rekuiem për një grua’, duket si roman i shkruar me tezë të gatshme. Ky pozicion fillestar i autorit, e ka ngushtuar hapësirën për të shpalosur një botë më të nuancuar, më komplekse dhe që melankolinë dhe tragjicitetin, si dy shenja të artit të tij, do ta bënin më të besueshëm artistikisht. Këtij pozicioni fillestar autorial, i është nënshtruar edhe ligjërimi artistik, i cili në këtë roman, për dallim nga romanet ‘Haxhiu i Frafkullës’, ‘Ulku dhe uilli’ e ndonjë tjetër, që kanë një ligjërim me intonime poetike dhe më një leksik jashtëzakonisht të pasur, anon drejt ligjërimi publicistik.
Duhet vënë re se faqet e para të romanit, ‘Rekuiem për një grua’, ku shpalosen me një ekspresivitet të fuqishëm tri periudha të ndryshme të qytetit, me emërtimet e dyqaneve e të zejeve, na bind se autori e ka ruajtur aftësinë e shkrimit me fundament poetik, por më vonë i shmanget për ta sforcuar angazhimin qytetar dhe politik. Mirëpo, edhe ky rast tregon se Koreshi është shumë më i suksesshëm kur i rri larg historisë dhe aktualitetit.
Me romanin ‘Një grua me të verdha në pyllin e Budas’, të shkruar në vitet 1998-2003, Vath Koreshi duket se pozicionohet përfundmisht që të vazhdojë hulumtimin e nisur herët pas fateve të njerëzve në sfonde të ndryshme kulturore, ku zbulon shkaqet e dhunës dhe të tragjizmit. Sërish i rikthehet hulumtimit në nuancat e fateve njerëzore, kësaj here duke tematizuar një botë shumë më ekzotike, me rrëfimin në veten e parë dhe me një kompozicion të fragmentuar të rrëfimit romanor, që poashtu ndërlidhet me prirjet postmoderne të sprovuara në romanin ‘Ulku dhe uilli’.